ATV

Tag: Kroacia

  • Katër persona të vdekur nga stuhitë në Kroaci, Bosnje dhe Slloveni

    Katër persona të vdekur nga stuhitë në Kroaci, Bosnje dhe Slloveni

    Katër persona kanë vdekur si pasojë e një stuhie që i ka goditur disa vende të Ballkanit në pasditen e së mërkurës.

    Dy persona kanë vdekur në Zagreb të Kroacisë, një në Bled të Sllovenisë dhe një në Bërçko të Bosnje-Hercegovinës, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Stuhia e përcjellë me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme i ka shkulur pemët, dhe e ka vështirësuar qarkullimin e makinave.

    Stuhia i ka përfshirë edhe qytetet serbe, Novi Sad dhe Beograd, por atje është raportuar vetëm për dëme materiale.

    Në Bosnje është raportuar se 20 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa në Zagreb është raportuar për tetë persona të plagosur.

    Në zonën e Samaçit, në veri të Bosnje – Hercegovinës, Shtabi i Situatave Emergjente, e ka shpallur gjendjen e katastrofës natyrore, pasi era ka shkaktuar dëme të mëdha, ka raportuar Radiotelevizioni i Republikës Sërpska.

    Në të njëjtën kohë, Aeroporti në Banja Llukë është mbyllur për qarkullim, pasi stuhia e ka dëmtuar çatinë e objektit.

    Lajmi për stuhinë vjen teksa bota po përballet me temperatura ekstreme në ditët e fundit.

    Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

    Me temperatura të larta është përballur edhe rajoni i Ballkanit.

  • Në Kroaci zbulohet rruga gati 7 mijë vjet e vjetër

    Në Kroaci zbulohet rruga gati 7 mijë vjet e vjetër

    Në ujin e kristaltë të Detit Adriatik, arkeologët kanë zbuluar mbetjet e një rruge, për të cilën besojnë se pllakat e gurit të vendosura me kujdes ishin pjesë e rrugës katër metra të gjerë që lidhte ishullin artificial të Hvarit me bregdetin.

    Gjatë hulumtimeve të tyre nënujore në vendin arkeologjik të Solinës, në ishullin e Korçulës, arkeologët janë befasuar me gjetjen e kësaj rruge të periudhës së Neolitit.

    Në ujërat e Adriatikut, ata zbuluan rrugën që dikur lidhte vendbanimin parahistorik tashmë të fundosur të kulturës
    Hvar.

    Marta Kalebota, nga Muzeu i qytetit të Korçulës, thotë se gjetjet janë të jashtëzakonshme.

    “Ky vend i fundosur i periudhës së Neolitit është i jashtëzakonshëm, sepse nuk ka të tjerë në bregdetin e Adriatikut. Zakonisht kulturën neolite e gjejmë në shpella dhe në fusha, por kurrë si diçka këtu.”

    Analiza e radiokarbonit të drurit, të ruajtur dhe të gjetur gjatë zhytjeve të fundit, tregon se rruga daton rreth vitit 4900 para lindjes së Krishtit.

    Mate Parica, profesor në Universitetin e Zarës, thotë se janë zbuluar shumë materiale arkeologjike.

    “Në gërmimet tona gjetëm shumë materiale arkeologjike, si qeramikë, kocka, sëpata, thika dhe pamë qeramikë specifike që na tregonte se ishte kultura Hvar e neolitit të vonë. Pas kësaj, me analizë të radiokarbonit mësuam se ishte viti 4900 para Krishtit”.

    Teksa po vazhdojnë gërmimet, arkeologët besojnë se kanë zbuluar një tjetër vendbanim të periudhës neolitike në anën tjetër të ishullit të Korçulës, afër gjirit të Gradinës.

    Periudha e neolitit daton nga viti 4300 deri në vitin 2000 para lindjes së Krishtit. Shpesh quhet edhe si Epoka e re e Gurit.

    Arkeologët identifikuan për herë të parë mbetjet e Solinas në vitin 2021, teksa po i ekzaminonin imazhet satelitore të ujërave përreth Korçulës.

    Kultura Hvar është emëruar në bazë të ishullit të afërt të bregdetit lindor të Adriatikut./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Kroacia e mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Kroacia e mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Ministri i jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, ka ofruar mbështetjen e Kroacisë, për Kosovën në rrugën e saj evropiane.

    Ai ka deklaruar se Kroacia, është e gatshme që të ndajë me Kosovën njohuritë dhe përvojën që ka lidhur me këtë rrugëtim.

    “Sa i përket Kosovës, sigurisht që Kroacia e ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kosova e kërkoi atë mbështetje nga shtetet anëtare, nuk kishte arsye të mos e mbështesnim, vërtetë është mirë të përkrahen ato vende që duan të ndajnë vlerat që janë në themel të kësaj organizate më të rëndësishme që është garantues i paqes, stabilitetit, të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës. Ne e mbështetëm fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka thënë Radman.

    Ministri i jashtëm kroat, duke folur për procedurat e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka thënë se janë 33 vende që kanë votuar për anëtarësim, do të thotë se çështja hyn në procedurë, pra mund të jetë diku brenda një viti, që Kosova mund të hyjë si anëtare e Këshillit të Evropës.

    “Ne duhet të veprojmë fort së bashku, duhet të reformojmë sistemin e konventave brenda Këshillit të Evropës dhe, natyrisht, anëtarësimin e Bashkimit Evropian në Konventën e të Drejtave të Njeriut, kështu që këto ishin të gjitha elementet ose temat për të cilat po flisnim, dhe këtu ministrja kryesore na informoi se sot do të thotë gjatë ditës do të mbahet një komitet ministrash i cili do të diskutojë dhe votojë për çështjen e anëtarësimit të Kosovës. Kjo është ajo me sa dëgjova në orën e fundit që ka kaluar. Do të thotë se janë 33 vende që kanë votuar për anëtarësim, do të thotë se çështja hyn në procedurë, procedura nënkupton që përcaktohen monitoruesit, raportuesit brenda asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, pra mund të jetë diku brenda një viti, që Kosova mund të hyjë si anëtare e Këshillit të Evropës”, është shprehur ai.

    Grliq-Radman ka folur edhe për zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës. Ai ka thënë se zgjedhjet janë bërë në përputhje me kushtetutën dhe për rrjedhojë janë legjitime.

    “Po tashmë i kamë parë komentet e të tjerëve, zgjedhjet janë bërë në përputhje me kushtetutën dhe për rrjedhojë janë legjitime, nuk ka pasur incidente, kanë kaluar të qetë. Nuk mund të hyj në atë se pse u bojkotuan, por janë në përputhje me kushtetutën, prandaj janë legjitime dhe rezultatet janë ashtu siç u arritën në zgjedhje”.

    “Epo, dëgjo, mendoj se ky ishte një shans, mendoj se është mëkat të mos përfitosh nga ai shans, nëse dëshiron të luftosh për diçka, me mjete ligjore, me mjete demokratike, atëherë ky ishte pikërisht terreni ku mund të shprehni dëshirën tuaj, qëllimin dhe pse angazhoheni, prandaj mendoj se bojkoti nuk është zgjidhje e mirë, nuk është model i mirë dhe nuk çon në zgjidhje të kësaj çështjeje, dhe pyetja përfundimtare dhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të ketë një lloj rezultati përfundimtar, i cili duhet të jetë afirmativ dhe që duhet të kënaqë të dyja palët sepse ky është kuptimi i jetës në fqinjësi sepse Serbia duhet të promovojë stabilitetin dhe paqen rajonale dhe ka përgjegjësi”, shtoi ai.

    “Kosovës duhet t’i ndihmohet për të hyrë në organizatat ndërkombëtare, ajo ende duhet të fitojë pozicionin që kanë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, disa vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, mendoj se ky është realiteti, sipas faktit që sot disa nga këto vende që nuk e njohën sovranitetin e Kosovës, abstenuan duke shkuar drejt faktit se ndoshta sepse tashmë është një kontribut ndoshta drejt njohjes në një periudhë që do të pasojë. Nëse duam Kosovën si një vend anëtar si një vend që duhet të hapë një perspektivë evropiane, atëherë ne duhet të njohim realitetin politik në rajon dhe atë vend”, tha ai.