ATV

Tag: KPK

  • Dy rrugët e KPK-së për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

    Dy rrugët e KPK-së për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka vendosur ende se cilët do të jenë hapat që do t’i ndjekë pas njoftimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Njohësit e çështjeve ligjore vlerësojnë se të vetmit hapa që KPK-ja mund t’i ndjekë janë: rinisja e procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit ose zvarritja për kohë të pacaktuar e rinisjes së këtij procesi.

    Presidentja Osmani, gjatë një konference për media në Prishtinë, më 17 tetor, ka thënë se janë gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, emrin e të cilit KPK-ja ia ka propozuar qysh më 8 prill 2022.

    Ajo ka kërkuar nga KPK-ja që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.

    E para e shtetit ka thënë, po ashtu, se pret që të ketë një proces të ligjshëm, të drejtë dhe transparent, i cili do t’i marrë në konsideratë rekomandimet e organizatave joqeveritare dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

    KPK-ja ende nuk ka vendosur për hapat e ardhshëm

    Këshillit Prokurorial i Kosovës është pyetur se cilët mund të jenë hapat ligjorë që mund t’i ndjekë, pas mosdekretimit të kryeprokurorit nga ana e presidentes Osmani.

    Në një përgjigje me shkrim, KPK-ja i është referuar komunikatës së saj për media, të së martës, ku është thënë se ky këshill do të mbajë një takim për të vendosur lidhur me hapat që do t’i ndjekë.

    Por, sipas KPK-së, ai nuk është mbajtur ende dhe opinioni do të njoftohet me kohë se kur do të mbahet.

    KPK-ja, të martën, i ka cilësuar si “tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze” arsyetimet e Osmanit për mosdekretimin e Isufajt, duke e akuzuar atë për “ndërhyrje në sistemin prokurorial”.

    Hapat e mëtejshëm

    Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron institucionet e drejtësisë në vend, thotë se pas vendimit të presidentes Osmani, hapi që do të duhej ta ndiqte Këshilli Prokurorial i Kosovës, është nisja e procesit të ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Por fillimisht, sipas tij, duhet të bëhet plotësimi i kornizës ligjore.

    Kjo, thotë Miftaraj, nënkupton rregullimin e udhëzuesit me pyetjet për kandidatët për kryeprokuror. Udhëzuesi është pjesë e rregullores për përzgjedhjen dhe emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorëve të tjerë.

    “Ka gabime, të cilat nuk mund të sigurojnë një proces të drejtë”, thotë Miftaraj, duke iu referuar udhëzuesit aktual, mbi bazën e të cilit KPK-ja ka përzgjedhur dhe propozuar Isufajn për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Sipas tij, udhëzuesi ka pyetje lidhur me ligje, të cilat sot nuk janë të aplikueshme në Kosovë.

    “Për shembull, ky udhëzues ende ka fusha që lidhen me kohën kur Kryeprokurori i Shtetit ka qenë edhe kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Në këtë rast, tash, Kryeprokurori i Shtetit është vetëm anëtar i Këshillit, por jo edhe kryesues i KPK-së”, thotë Miftaraj.

    Mangësitë e ngjashme, sipas tij, do të mund të adresoheshin brenda një muaji, në rast se ka vullnet brenda KPK-së.

    Hap i radhës, shton ai, do të ishte hapja e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, i cili duhet të qëndrojë i hapur 15 ditë. Ndërkaq, procedurat e intervistimit, do të zgjasnin një muaj.

    “Nëse KPK-ja do të kishte vullnet politik që t’i bënte këto në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të ligjit, muaji janar i vitit të ardhshëm do të mund të rezultonte me kryeprokuror të dekretuar nga Zyra e Presidentes”, thotë Miftaraj.

    BE-ja kërkon proces transparent dhe të drejtë

    Lidhur me mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit nga presidentja Osmani, të mërkurën ka reaguar edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

    Duke i kushtuar vëmendje deklaratës së saj, ai ka theksuar në platformën X “nevojën e rëndësishme që procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të jetë transparent, i bazuar në merita dhe i drejtë, brenda sistemit juridik”.

    “U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që t’iu përmbahen parimeve dhe standardeve më të larta të sundimit të ligjit në përzgjedhjen e vonuar të Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë Szunyog.

    Çka nëse KPK-ja vendos ta zvarrisë procesin?

    Thirrjen e BE-së ndaj autoriteteve të Kosovës lidhur me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Miftaraj e sheh si thirrje ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës që ta nisë menjëherë procesin e ri.

    Por, Miftaraj thekson se, në rast se KPK-së i mungon vullneti për një gjë të tillë, procesi mund të zvarritet.

    Siç thotë ai, ky institucion është krejtësisht i pavarur dhe nuk ekzistojnë instrumente dhe mekanizma ligjorë e kushtetues që mund ta detyrojnë të shpejtojë në rinisjen procesit.

    “Mund të jetë kjo edhe tre muaj, edhe një vit. S’ke çfarë i bën. Nuk ke mekanizma. Do të thotë (KPK-ja) është shtet brenda shtetit”, thotë Miftaraj.

    Vitin e kaluar, kur KPK-ja ka përzgjedhur emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, zhgënjim me procesin e përzgjedhjes kanë shprehur BE-ja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe disa organizata joqeveritare që mbikëqyrin institucionet e drejtësisë në Kosovë. Sipas tyre, procesi nuk ka qenë as i drejtë, as objektiv apo transparent.

    Kryeprokurorit paraprak të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill 2022.

    Besim Kelmendi është ushtrues i kësaj detyre dhe ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit. /rel

  • Mosdekretimi i Kryeprokurorit të shtetit, KPK i ka vetëm dy rrugë ligjore

    Mosdekretimi i Kryeprokurorit të shtetit, KPK i ka vetëm dy rrugë ligjore

    Përgatiti: Nora Luta

    Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka ligjërisht dy mundësi se si mund të veprojë tutje, pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani, për mosdrekretimin e kryeprokurorit të shtetit.

    Kjo pozitë është me ushtrues detyre për më shumë së një vit.

    Por, për hapat tutje Këshilli Prokurorial do të vendosë gjatë një takimi që pritet ta mbajë brenda javës.

    “Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e mbajtur dje, në të cilin është diskutuar për situatën e krijuar pas njoftimit të Presidentes së Kosovës, znj.Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, z.Blerim Isufaj, me ç’rast është lëshuar një komunikatë për media, ka konfirmuar se KPK-ja së afërmi do të mbajë edhe një takim tjetër për të vendosur lidhur me hapat që do t’i ndjekë pas njoftimit të Presidentes për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Lidhur me kohën dhe agjendën e saktë të takimit që do të mbahet, do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në reagimin nga Zyra për Komunikim Publik e Sekretariatit të KPK-së.

    Në bazë të Ligjit për KPK-në, Këshilli i ka dy mundësi, të shpallë konkurs të ri, apo ta dërgojë edhe një herë emrin e kandidatit të përzgjedhur për kryeprokuror, në këtë rast, Blerim Isufaj.

    Blerim Isufaj, aktualisht është në fund të mandatit si kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, dhe për këtë pozitë tashmë KPK-ja e ka shpallur konkursin.

    Ai është përzgjedhur para një viti e gjysmë në pozitën e kryeprokurorit të shtetit, por presidentja Vjosa Osmani të martën njoftoi se nuk do ta dekretojë, pasi sipas saj, ka pasur shkelje në procedurë, ndërsa ka shtuar se ka pasur kërcënime nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.

    Deklaratat e presidentes, KPK-ja i ka quajtur tendencioze dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin prokurorial.

  • KPK-ja e quan Projektligjin e ri tentativë për cenim të pavarësisë

    KPK-ja e quan Projektligjin e ri tentativë për cenim të pavarësisë

    Gati katër muaj pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial, ekzekutivi miratoi në Qeveri projektligjin e ri.

    Sipas këtij projektligji, sërish parashihet që institucioni i Avokatit të Popullit të ketë të drejtën që t’i ofrojë dy propozime për anëtarë joprokurorë, të cilët do të veprojnë si përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

    Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Avokati i Popullit nuk e ka këtë kompetencë.

    Përveç anëtarëve aktualë të Këshillit, deri në vitin 2026, KPK-së, sipas projektligjit, do t’i shtohen edhe 8 anëtarë joprokurorë, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash.

    Ndërsa, kuorumi do të jetë me 12 anëtarë.

    “Nga tetë (8) anëtarët joprokurorë, dy (2) prej tyre zgjidhen në bazë të katër (4) nominimeve që pranohen nga Avokati i Popullit për përfaqësues nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa një (1) pozitë rezervohet për profesorët universitarë të drejtësisë. Mandati i tetë (8) anëtarëve të zgjedhur zgjat deri më 11 janar të vitit 2026”, thuhet në Projektligjin për KPK-në.

    Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një reagimi me shkrim ka thënë se miratimi i këtij projektligji është përpjekje e re për të cenuar pavarësinë e këtij institucioni.

    Sipas KPK-së, Qeveria e ka miratuar projektligjin me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme pa përfillur Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe procesin e reformës në drejtësi.

    “Kjo nismë ligjore është dashur të realizohet në kohën e duhur, andaj çdo rikthim i iniciativave dhe i vendimeve të këtij lloji, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe pa koordinimin e ndërsjellë, siç ka ndodhur në të kaluarën dhe siç po ndodhë edhe tani nga ana e Qeverisë së Kosovës, është kthim i madh prapa dhe sjell dështim, andaj KPK-ja paralajmëron se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta kontestuar përmbajtjen e Ligjit të ri të KPK-së, pasi që ai cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, si dhe anashkalon standardet ndërkombëtare, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika”, thuhet në reagimin e Këshillit Prokuorial të Kosovës.

    Ligji për KPK-në u miratua gjatë vitit të kaluar, por u dërgua në Kushtetuese, nga dy partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja. Pas gati nëntë muajsh, Gjykata vendosi që ligjin ta shpallë të pavlefshëm.

    Kushtetuesja kishte gjetur ndër të tjera vërejtje për mënyrën e propozimit të anëtarëve joprokurorë nga Avokati i Popullit, balancimin dhe përfundimin e mandatit para kohës të anëtarëve aktualë në KPK-së. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • KPK-ja shpall konkurs për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë

    KPK-ja shpall konkurs për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në takimin e 230-të të mbajtur të martën, ka shpallur konkurs për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

    Deri tek shpallja e këtij konkursi erdhi pasi ish-kryeprokurori i mëparshëm Ramiz Buzhala ishte degraduar nga KPK-ja dhe i njëjti ishte transferuar si prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Vendimin për shqiptimin e kësaj mase disiplinore e kishte konfirmuar edhe Gjykata Supreme, e cila me 10 shkurt 2023 e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e ish-kryeprokurorit Buzhala.

    Ndryshe, Buzhala ishte suspenduar nga puna, një ditë pas raportimit se ai kishte dërguar pyetje të testit një kandidati për bashkëpunëtorë profesionalë.

    Që nga suspendimi i ish-kryeprokurorit Buzhala me 14 korrik 2022, pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit e ka ushtruar, prokurori Enis Gashi.

    Konkursi do të jetë i hapur nga 1 qershori 2023.

    KPK ka themeluar edhe Panelin për Vlerësim në përbërje të Besim Kelmendit, Agron Bekës, Arjan Gashit, Arjana Shajkovcit dhe Jetish Malokut.

    Ndërsa, në Komisionin për Rishqyrtim është caktuar kjo përbërje, anëtarja, Merita Bina-Rogova, Ardian Hajdari dhe Veton Shabani, si kryesues i Komisionit për Rishqyrtim.