ATV

Tag: Komisioni Europian

  • Komisioni Evropian miraton sot paketën e zgjerimit

    Komisioni Evropian miraton sot paketën e zgjerimit

    Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë të mërkurën, më 8 nëntor, do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces.

    Për herë të parë, raportet e progresit do të miratohen për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet do të miratohen për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.

    Po ashtu, pritet që Komisioni Evropian të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe të rekomandojë dhënien e statutit të vendit kandidat për Gjeorgjinë.

    Përpjekjet për të arritur pajtim që edhe për Bosnje e Hercegovinën të rekomandohet nisja e negociatave ka hasur në kundërshtime, gjatë takimit të zhvilluar të martën të shefave të kabineteve. Në këtë takim zakonisht dakordohet për tekstin final, para se ai të miratohet. Por, për këtë çështje pritet të bëhen përpjekjet e fundit nga komisionarët në takimin e së mërkurës.

    Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.

    Rekomandimet dhe raportet që do të miratohen më 8 nëntor në Komisionin Evropian do të jenë në rend dite në takimin e radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet në dhjetor.

    Sa u përket raporteve të progresit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Radio Evropa e Lirë më 7 nëntor publikoi përmbajtjen e disa drafteve në të cilën ka pasur qasje. Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”.

    Në raport gjerësisht përmendet edhe situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës – që banohet me shumicë serbe – por edhe për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Në raportin për Kosovën shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera. Kosovës i bëhet ftesë veçmas që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në raport, tashmë kërkohet që Asociacioni të themelohet duke pasur për bazë propozimin e fundit për draft-statusin për Asociacionin, që u është prezantuar palëve më 21 tetor.

    “Nga Kosova pritet që të nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian që u është paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Nga Serbia kërkon që të mbështesë këtë proces dhe paralelisht të nisë përmbushjen e obligimeve të saja kyçe nga Marrëveshja [drejt normalizimit të raporteve]”, thuhet në tekst, ku shtohet se “formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e përparimit në zbatim”.

    Marrëveshja drejt normalizimit, që u arrit më herët gjatë vitit, kërkon nga palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë, t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare. Për Kosovën, marrëveshja nënkupton njohje de facto nga Serbia, ndërsa për këtë të fundit aneksi i saj parasheh që Kosova ta formojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe.

    Ndërkaq, draft-statuti i prezantuar më 21 tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Italia, Gjermania dhe Franca, është thënë se është një model modern evropian. Ky dokument nuk është bërë publik, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e ka pranuar atë dhe se i njëjti është shkruar me kujdes ndaj Kushtetutës së Kosovës.

    Në raportin për Kosovën po ashtu përmendet largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar dhe bojkotin e tyre në zgjedhjet lokale të prillit të këtij viti. Këto veprime cilësohen si “shkelje të obligimeve të Serbisë që dalin nga dialogu dhe paraqesin kthim prapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve të marra nga marrëveshje e parë për parimet për normalizimin e raporteve [e vitit 2013] dhe paraqet shkelje direkte të marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015”.

    “Nga Serbia kërkohet që të inkurajojë serbët e Kosovës që menjëherë të kthehen në institucione, ndërkaq nga Kosova që të bëjë këtë të mundur. Që nga nëntori i vitit 2022, asnjëra palë nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim”, thuhet në raport.

    Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës në fund të majit, për shkak të kundërshtimit të serbëve për kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, Kosova ka hartuar një legjislacion që mundëson qytetarëve që përmes një peticioni të ndryshojnë kryetarët e komunave.

    Situata në veri të Kosovës u përkeqësua edhe më shumë më 24 shtator, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

    Ndryshe, pas miratimit në kolegjin e komisionarëve, paketën e zgjerimit do ta prezantojë para gazetarëve presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa para deputetëve të Parlamentit Evropian, komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

  • Komisioni Evropian: Fokusi është zgjerimi në BE, jo afati kohor

    Komisioni Evropian: Fokusi është zgjerimi në BE, jo afati kohor

    Komisioni Evropian (KE) nuk është i përqendruar në afate kohore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), por për t’i ndihmuar vendet kandidate për të përparuar në këtë proces, tha të martën zëdhënësja e KE-së, Dana Spinat.

    Spinat i bëri këto komente në një konferencë për shtyp në Bruksel më 29 gusht, pas propozimit të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që viti 2030 të caktohet si afat deri kur vendet e tashme kandidate dhe BE-ja të jenë të gatshme për zgjerim.

    Por, derisa e pranoi se zgjerimi është prioritet politikë për Komisionin Evropian, ajo iu përgjigj Michelit duke thënë se “nuk jemi të fokusuar në afate kohore, por t’i ndihmuar kandidatët në përmbushjen e kritereve dhe për t’u bërë gati”.

    “Presidentja [e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen] në mënyrë specifike ka thënë se sa të përkushtuar jemi ne që ta bëjmë të suksesshëm zgjerimin. Gjithmonë kemi thënë se zgjerimi është prioritet dhe kandidatët duhet të anëtarësohen kur të jenë gati. Kemi punuar për së afërmi me kandidatët për t’i ndihmuar që ata të kryejnë reformat”, tha Spinat.

    Ajo shtoi se ky proces duhet të mbetet proces i bazuar në merita dhe se kandidatët duhet të lëvizin në përputhje me suksesin e tyre në përmbushjen e kritereve.

    Zëdhënësja e Komisionit Evropian ka përsëritur se suksesi në zgjerim kërkon që edhe kandidatët edhe BE-ja të bëhen gati. Ajo ka paralajmëruar se liderët e BE-së do të diskutojnë për zgjerimin në samitin e Granadës në Spanjë, më 5 tetor 2023.

    “Kemi instrumente për t’i ndihmuar kandidatët për t’u afruar me BE-në edhe para se të bëhen anëtare. Komisioni ka dëshmuar se është i përkushtuar që ta mbajë procesin e zgjerimit si prioritet”, theksoi ajo.

    Spinat tha se ”nuk është në dijeni se ka pasur kontakte mes Michelit dhe Ursula von der Leyen për këtë çështje”, para se Michel të dilte me propozimin e tij.

    Më 28 gusht, Michel bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.

    Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, ai përsëriti disa herë se tash e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende të ardhshme anëtare të BE-së”.

    Në Forumin e Bledit në Slloveni morën pjesë liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe liderë të disa shteteve të BE-së.

    Michel e pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian.

    Zgjerimi i fundit i BE-së ka ndodhur me 1 korrik të vitit 2013 kur Kroacia ishte bërë vendi më i ri anëtarë. Prej atëherë nuk ka pasur zgjerim ndërsa Britania e Madhe është larguar nga BE-ja duke e lënë atë përsëri me 27 vende anëtare./REL

  • KE-ja kërkon dy miliardë euro shtesë për Ballkanin Perëndimor

    KE-ja kërkon dy miliardë euro shtesë për Ballkanin Perëndimor

    Komisioni Evropian ka kërkuar para shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë rishqyrtimit të kornizës afatmesme financiare.

    Në propozimin e paraqitur nga udhëheqësja e KE-së, Ursula von der Leyen, janë kërkuar edhe 2 miliardë euro shtesë për katër vjetët e ardhshëm, krahas mjeteve që ishin miratuar më herët në kornizën 7-vjeçare, përkatësisht për periudhën 2021-2027.

    Edhe në të kaluarën, zyrtarët evropianë kishin deklaruar se është rritur nevoja për mjete financiare shtesë për Ballkanin Perëndimor, për shkak të sfidave të reja të paraqitura, që kryesisht kanë të bëjnë me sigurinë dhe lëvizjet e migrantëve.

    Në propozimin e fundit për rritjen e ndihmës financiare si arsyetim KE-ja ka përmendur pandeminë, luftën në Ukrainë, krizën e energjisë, migracionin, inflacionin dhe rritjen e normës së interesit.

    Një pjesë e parave shtesë që po kërkon KE-ja, parashihen të shkojnë si asistencë për shtetet e Ballkanit Perëndimor që ato të përballen me sfidat e migracionit, kjo pasi blloku evropian vlerëson se përmes së ashtuquajturës “Rrugë Ballkanike” kalojnë një numër i madh i migratëve, që më pas shkojnë drejt shteteve të BE-së.

    Me mjetet shtesë parashihet të financohet forcimi i kontrolleve kufitare, i qendrave për strehimin e refugjatëve dhe programeve të ndryshme për menaxhimin e migrimit.

    Për katër vjetët e ardhshëm për çështjen e migracionit, KE-ja ka kërkuar 15 miliardë euro shtesë. Këto mjete parashihet të përdoren për të ndihmuar në menaxhimin e migrimit nga Siria, por edhe nga vende fqinje të BE-së si Turqia, shtetet e Afrikës së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor.

    Komisionari i BE-së për buxhet, Johannes Hahn, ka deklaruar se blloku evropian duhet t’i ndihmojë partnerët, sidomos Moldavinë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, që përballen me lëvizjet e migratëve si për të mbrojtur kufijtë, ashtu edhe për t’u përballur me pasojat.

    Komisioni Evropian ka propozuar një rritje të përgjithshme të buxhetit të BE-së prej 66 miliardë eurosh për katër vjetët e ardhshëm. Pjesa më e madhe e buxhetit kërkohet për të vazhduar ndihmën për Ukrainën, por edhe për përballje me sfidat e migracionit dhe rritjen e konkurrencës digjitale të BE-së.

    BE-ja funksionon me buxhet njëvjeçar, por ky buxhet është në kuadër të një kornize shumëvjeçare buxhetore.

    Me propozimin e KE-së pritet korniza aktuale 7-vjeçare.

    Shefja e KE-së, Ursula von der Leyen, është shprehur se ky ndryshim i buxhetit të bllokut është i domosdoshëm sepse, sipas saj, bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike pas sulmeve të Rusisë kundër Ukrainës dhe tash BE-ja po përballet me pasoja, duke nisur nga kriza e energjisë dhe rritja e çmimeve.

    Rritja më e madhe kërkohet pikërisht për të vazhduar asistencën për Ukrainën. Lidhur me këtë, KE-ja ka propozuar krijimin e një fondi rezervë prej 50 miliardë eurosh. Por, aty përfshihen edhe 33 miliardë euro kredi që duhet të kthehen, ndërsa 17 miliardë janë paraparë të jenë grante, pra asistencë financiare pa detyrim kthimi.

    Propozimi i Komisionit Evropian, që ndryshon kornizën shumëvjeçare buxhetore – duhet të pranohet nga shtetet anëtare në Këshill dhe në Parlamentin Evropian. Zakonisht disa shtete anëtare, sidomos që janë kontribuuese neto në buxhet – pra që paguajnë më shumë sesa përfitojnë nga buxheti i Bashkimit Evropia – janë kundër rritjeve të mëdha.

    Diplomatët në Bruksel thanë se pajtimi për ndihmë ndaj Ukrainës do të kalojë më lehtë, por rritjet tjera të propozuara do të hasin në kundërshtime, sidomos nga shtetet si Holanda, Gjermania, Austria, Finlanda, Danimarka dhe vende të tjera që paguajnë në neto. Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, tha se KE-ja nuk do të kërkonte këtë rritje sikur të mos kishin ndodhur gjëra të paparashikueshme.

    KE-ja shpreson që pajtimi për rritje buxhetore të arrihet para fundit të vitit. Në qershorin e vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe në fund të atij viti do të zgjidhet edhe përbërja e re e Komisionit Evropian.

    Burimet në BE kanë thënë se për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka nevojë jo vetëm për mbajtjen e asistencës financiare – përmes programeve të paraanëtarësimit (IPA) –në nivelin e tanishëm, por edhe për rritje.

    Asistenca për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ka për qëllim të ndihmojë në përgatitjen e tyre për integrim në BE.

    Të gjitha vendet e rajonit kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, përveç Kosovës.

    Dhjetorin e vitit 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe konsiderohet si “kandidate potenciale”, prandaj edhe është përfshirë në programet e BE-së për vendet në procesin e zgjerimit. /REL

  • ​Komisioni Evropian përshëndet nënshkrimin për liberalizimin e vizave

    ​Komisioni Evropian përshëndet nënshkrimin për liberalizimin e vizave

    Komisioni Evropian ka përshëndetur nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili u bë të mërkurën nga Parlamenti Evropian. Në një komunikatë për media, thuhet se udhëtimi pa viza do të sjell përfitime për qytetarët nga të dy anët si dhe do të forcojë më tutje raportet e Bashkimit Evropian me Kosovën.

    Sipas Komisionit Evropian, Kosova në vazhdimësi i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kushtet duke dëshmuar përkushtim në këtë drejtim.

    “Udhëtimi pa viza sjell përfitime për qytetarët nga të dyja anët, duke forcuar më tej marrëdhëniet e BE-së me Kosovën. Kosova në vazhdimësi i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka treguar përkushtimin e saj”, thuhet në komunikatë.

    Tutje, bëhet e qartë se lëvizja e lirë për bartësit e pasaportave të Kosovës do të bëhet realitet më së voni më 1 janar 2024.

    “Udhëtimi pa viza për bartësit e pasaportave të Kosovës do të bëhet realitet më së voni më 1 janar 2024. Pas pajtimit në mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit, në bazë të propozimit të Komisionit Evropian, bartësit e pasaportave të Kosovës do të lejohen të udhëtojnë në Bashkim Evropian pa viza për një qëndrim maksimal deri në 90 ditë, në periudhën prej 180 ditësh” thuhet tutje në komunikatë.

    Në këtë komunikatë, Komisioni thotë se në vitin 2016 i kishte propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit, mundësinë që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza.

    Në vitin 2018, thuhet në komunikatë, Komisioni kishte vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

    Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar të mërkurën.

    Për të hyrë në fuqi, ai pritet të botohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian.