ATV

Tag: KMDLNJ

  • KMDNLj: Dënojmë fuqishëm shkeljet që Gjykata Speciale Raciste po ua bënë pengjeve të Hagës

    KMDNLj: Dënojmë fuqishëm shkeljet që Gjykata Speciale Raciste po ua bënë pengjeve të Hagës

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pasi Gjykata Speciale gjatë fundjavës ka ndaluar këtë të shtunë dhe të diel telefonatat dhe komunikimet përmes video-lidhjes (platformës zoom) mes të paraburgosurve dhe familjarëve të tyre.

    Në reagimin e bërë nga KMLDNJ, thuhet se kufizimet janë bërë pa ndonjë paralajmërim.

    Po ashtu KMDLNj thotë se “në të njëjtën kohë kryetarja e Gjykatës Speciale Raciste, Ekaterina Trandafilova paralajmëroi se do ta vizitojë Kosovën dhe do të ketë një takim “informues“ me shoqërinë civile ndërsa nuk tregoi nëse do të ketë ndonjë takim me politikanët, ndryshe që këtë mund ta bëjë edhe pa e informuar publikun”.

    “KMDLNj –ë fuqishëm dënon shkeljet që Gjykata Speciale Raciste po ua bënë pengjeve të Hagës, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë sikur edhe heshtjen e institucioneve të Kosovës që, me dashje apo pa dashje janë vënë në krahë të kësaj Gjykate. Vizita e Ekaterina Trandafilovës në Kosovë për KMDLNj –ë është e papranueshme, e neveritshme dhe në kundërshtim me standardet minimale profesionale dhe morale dhe si e tillë duhet të bojkotohet dhe kundërshtohet”, thuhet në reagim.

    Reagimi i plotë:

    Sipas informatave të KMDLNj –së, ndaj pengjeve që po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës, si të paraburgosur, duke u gjykuar dhe në vuajtje të dënimit, kohëve të fundit u ishin nënshtruar disa kufizimeve në fushën e informimit e që përfundoi me ndërprerjen e paparalajmëruar të vizitave familjare dhe personave të tjerë që kishin marrë pëlqimin nga autoritetet e Gjykatës Raciste Speciale për vizita. Edhe komunikimi tjetër ishte ndërprerë, pa dhënë ndonjë sqarim. Vizitat ishin ndërprerë krejtësisht në kohën e pandemisë mirëpo jo edhe komunikimet me familjarë dhe të tjerë përmes telefonit dhe formave tjera elektronike.

    Në të njëjtën kohë kryetarja e Gjykatës Speciale Raciste, Ekaterina Trandafilova paralajmëroi se do ta vizitojë Kosovën dhe do të ketë një takim “informues“ me shoqërinë civile ndërsa nuk tregoi nëse do të ketë ndonjë takim me politikanët, ndryshe që këtë mund ta bëjë edhe pa e informuar publikun.

    Kjo farë kryetare e pati lënë për një kohë tjetër vizitën për faktin se ishin paralajmëruar protesta ndërsa, tani e vlerëson se kushtet janë më të mira për ta realizuar këtë vizitë “informuese“. Se takohet me shoqërinë civile, është thuaja normale aq më parë që një pjesë të saj e kanë partner edhe para themelimit të Gjykatës përkatësisht nga Rasti i Burrelit apo “Shtëpisë së Verdhë“. Se një pjesë e madhe e shoqërisë civile ka pasur qëndrim anues dhe oportunist ndaj shkeljeve serioze të drejtave të njeriut që i ka bërë kjo Gjykatë në raport me pengjet nga Kosova është e ditur botërisht prandaj këta Trandafilova nuk e ka asnjë problem t’i informojë për punën dhe transparencën e kësaj Gjykate, tmerrësisht e mbyllur dhe tmerrësisht diskriminuese në baza etnike që identifikohet me mungesën e transparencës elementare, së paku deri më tani.

    Thuhet se kjo gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, injorantët dhe dashkëqinjt vërtet mendojnë ashtu ndonëse me asgjë nuk identifikohet me Kosovën përveç se në baza etnike arreston dhe dënon shqiptarë. Ata që kanë kryer krime masive në Kosovë (serbët dhe Serbia) nuk ndiqen për krimet e bëra, janë shndërruar në bashkëpunëtorë dhe dëshmitarë të gjykatës për të cilën janë angazhuar që nga polici i trafikut i Serbisë e deri te presidenti i këtij shteti kriminel. Ekaterina Trandafilova është takuar edhe me civilistët dhe jocivilistët nga Serbia, do të ishte befasi po të mos takohej.

    LESP-i i Kosovës, njërin ndër kapitujt kryesorë për sukses në procesin e risocializimi të të dënuarve i konsideron vizitat familjare, miqësore dhe shoqërore, ruajtjen e familjes dhe krijimin e familjes së re, me një fjalë parasheh të ruhet dhe forcohet mjedisi social. Po të njëjtën gjë e parasheh Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Rregullat Evropiane të Burgjeve dhe Rregullat e Nelson Mandelës që kinse i zbaton kjo Gjykatë, si standardin më të lartë të Kombeve të Bashkuara që rregullon të drejtat e personave të privuar nga liria.

    Shkeljet që iu bëhet në vazhdimësi pengjeve nga Kosova në Hagë, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë duhet të trajtohen seriozisht nga Komiteti Ndërkombëtar për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Degradues për faktin se askujt nga Kosova nuk i lejohet t’i vizitojë brenda hapësirës së burgut për të parë trajtimin e tyre dhe kushtet fizike. Kjo metodologji përdoret në të gjitha vendet e botës, hiç atyre diktatoriale dhe është thuaja praktikë uniforme e monitorimit. Ekaterina Trandafilova duhet të tregojë pse vetëm Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva dhe Ombudspersoni i Holandës kanë të drejtë t’i vizitojnë pengjet e Hagës dhe, deri më tani nuk kanë bërë asgjë në mbrojtje të drejtave të tyre.

    Pjesa më e madhe e deputetëve të Kosovës dhe politikanët e tashëm, jo që kanë ndonjë interesim për këta të syrgjynosur por po kërkojnë rrugë dhe mundësi si t’ua ndërprenë mbrojtjen ligjore dhe vizitat familjare përmes ndalimit të financimit. Të gjithë i përmendin se deri më tani janë shpenzuar për mbrojtje dhe vizita familjare 20 milionë euro kurse Kroacia vetëm për mbrojtjen e Ante Gotovinës i ka shpenzuar 33 milionë euro.

    KMDLNj –ë fuqishëm dënon shkeljet që Gjykata Speciale Raciste po ua bënë pengjeve të Hagës, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë sikur edhe heshtjen e institucioneve të Kosovës që, me dashje apo pa dashje janë vënë në krahë të kësaj Gjykate. Vizita e Ekaterina Trandafilovës në Kosovë për KMDLNj –ë është e papranueshme, e neveritshme dhe në kundërshtim me standardet minimale profesionale dhe morale dhe si e tillë duhet të bojkotohet dhe kundërshtohet.

  • KMDLNj: Institucionet të përmbushin kërkesat e policëve

    KMDLNj: Institucionet të përmbushin kërkesat e policëve

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka deklaruar se protesta e djeshme e Njësisë Speciale Intervenuese dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive ka qenë mirë e organizuar, pa asnjë provokim apo lëshim profesional dhe përcillej nga një numër i madh i mediave.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se e veçanta e protestës ishte se u përjashtua çfarëdo ndikimi politik duke u identifikuar qartë si një protestë krejtësisht të karakterit ekonomiko – social.

    “Nuk ka asnjë logjikë që ky segment i pazëvendësueshëm që garanton ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e shtetit të mos ketë sigurime shëndetësore dhe jetësore në kohën kur 24 orë i ekspozohen rrezikut për jetë”.

    “KMDLNj edhe më parë ka reaguar duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të përmbushin këto kërkesa në mënyrë që ta ruajnë dhe forcojnë edhe më shumë profesionalizmin e Policisë së Kosovës që është njëra ndër shtyllat kryesore për ruajtje të sigurisë dhe funksionimit të shtetit”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.

  • KMDLNJ: Nga Kosova po largohen edhe qytetarët që kanë gjendje të mirë ekonomike

    KMDLNJ: Nga Kosova po largohen edhe qytetarët që kanë gjendje të mirë ekonomike

    ëshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), nëpërmjet një reagimi ka vlerësuar se numri i qytetarëve që po e lëshojnë Kosovën, nuk ka qenë asnjëherë më i madh sesa tani.

    Sipas tyre tani nga Kosova po largohen edhe qytetarët që kanë gjendje të mirë ekonomike. “Përkundër të gjitha këtyre pengesave, asnjëherë nuk ka qenë më i madh numri i qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën sikur që po ndodhë tani. Më herët arsye për largim nga Kosova ishte gjendja e rënduar ekonomike ndërsa tani Kosovën po e lënë edhe ata me gjendje të mirë materiale”, thuhet në reagimin e tyre.

    Ata kanë vlerësuar se pas 1 janarit të vitit 2024, kur do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën, ne vend do të ketë mungesë të punëtorëve.

    “Në Kosovë, pas 1 janarit 2024 do të ketë mungesë të madhe të punëtorëve vendin e të cilëve po e zënë punëtorë të importuar nga shtetet aziatike apo të Afrikës por të cilët Kosovën e shfrytëzojnë vetëm si një mundësi për t’u larguar në shtetet evropiane”, thuhet në reagim, ku shtohet se vendin e tyre “po e zënë punëtorë të importuar nga shtetet aziatike apo të Afrikës por të cilët Kosovën e shfrytëzojnë vetëm si një mundësi për t’u larguar në shtetet evropiane”.

    Sipas KMDLNJ-së gjendja ekonomike në Kosovë nuk është përmirësuar aspak, krahasuar me rritjen e inflacionit, që sipas tyre është mbi 4.2%.

    “Mund të thuhet se kemi përkeqësim për faktin se Kosova është vendi i vetëm në rajon ku pensionet nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. Në vendet e rajonit, brenda 36 muajve kemi rritje të pensioneve së paku në 6-8 herë kurse në Kosovë brenda këtij afati shteti ka intervenuar dy herë duke i dhënë nga 100 euro shtesë”, thuhet në reagimin e tyre.

    Sipas tyre shteti nuk e trajton Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës si partner social dhe nuk po e përfillë asnjë kërkesë që e bënë shoqata.

    Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se përfituesit e skemave sociale nuk janë aspak në gjendje më të mirë, madje nuk i mbulojnë as nevojat elementare.

    “Nuk ka kategori sot në Kosovë, përveç politikanëve dhe përkrahësve të tyre që sigurojnë të ardhura me të cilën mund t’i përmbushin nevojat personale dhe familjare. Nuk mund të gjeni vend në rajon ku nuk ka pasur lëvizje apo intervenim të shtetit për të përballur këtë gjendje të rënduar ekonomike sikur që po ndodhë në Kosovë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

    Sipas tyre në këtë kohë po ndjehet një mungesë e punëtorëve “sidomos e një profili të kualifikuar të cilët kanë shkuar të punojnë në shtetet perëndimore”.

  • KMDLNj: Ndërtimtaria, sektori ku më së shumti rrezikohet jeta e punëtorëve

    KMDLNj: Ndërtimtaria, sektori ku më së shumti rrezikohet jeta e punëtorëve

    Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), e kanë parë shqetësuese që 18 punëtorë kanë vdekur nga lëndimet e marra në vendin e punës vetëm këtë vit.

    Sipas tyre, ndërtimtaria është sektori ku më së shumti rrezikohet jeta e punëtorëve.

    “Në Kosovë nuk paraqet lajm nëse ndonjë punëtor lëndohet, bëhet i paaftë përjetësisht për punë apo edhe e humb jetën për faktin se punëdhënësi nuk siguron kushte për punë për të punësuarit, nuk kanë kontrata pune, nuk kanë sigurime shëndetësore e mos të flasim për sigurime të jetës. Për fat të keq disa raste përfundojnë me lëndime të rënda dhe të pariparueshme kurse në raste të tjera edhe me fatalitet. Për shtatë muaj të vitit 2023 , në vendet e tyre të punës kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë kanë humbur jetën 18 punëtorë e që paraqet edhe një numër rekord të pësimeve me fatalitet për jetën . Për shkak të kushteve të rënda ekonomike shumë punëtorë , ndonëse të pakualifikuar për punën që e bëjnë detyrohen që të punojnë në kushte skajshmërisht të rrezikshme për jetën, pa pasur fare siguri dhe pa u kompensuar familjet për humbje të jetës”, thuhet në reagimin e tyre.

    Reagimi i plotë:

    Në Kosovë nuk paraqet lajm nëse ndonjë punëtor lëndohet, bëhet i paaftë përjetësisht për punë apo edhe e humb jetën për faktin se punëdhënësi nuk siguron kushte për punë për të punësuarit, nuk kanë kontrata pune, nuk kanë sigurime shëndetësore e mos të flasim për sigurime të jetës. Për fat të keq disa raste përfundojnë me lëndime të rënda dhe të pariparueshme kurse në raste të tjera edhe me fatalitet. Për shtatë muaj të vitit 2023 , në vendet e tyre të punës kryesisht në sektorinë e ndërtimtarisë kanë humbur jetën 18 punëtorë e që paraqet edhe një numër rekord të pësimeve me fatalitet për jetën . Për shkak të kushteve të rënda ekonomike shumë punëtorë , ndonëse të pakualifikuar për punën që e bëjnë detyrohen që të punojnë në kushte skajshmërisht të rrezikshme për jetën, pa pasur fare siguri dhe pa u kompensuar familjet për humbje të jetës

    Nëse kemi parasysh faktin se Kosova në përgjithësi , kurse Prishtina në veçanti janë shndërruar në kantiere ndërtimi ku punohet pa orar, në ditë feste, ditë pushimi, në kushte të rënda atmosferike dhe, madje punohet edhe gjatë natës pa pasur aspak konsideratë për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve , pa mbikëqyrje efektive të institucioneve përgjegjëse atëherë edhe kemi një numër aq të madh të viktimave në vend të punës. Trafiku është shndërruar në kaos ku kamionët e shumtë me dhe dhe materiale inerte, cisternat me betone dhe mekanizmi ndërtues i rëndë,qarkullojnë nëpër rrugët e kryeqytetit, pa një orar të caktuar dhe pa kufizime drejtimesh kah mund të lëvizin. Jo rrallë kemi raste kur nga kamionët derdhet dheu apo materiali inert apo kur nga gypi i betonjerkës rrjedhë betoni që, përveç se e ndotin rrugën, në shumë raste edhe e dëmtojnë! Për KMDLNj-në është brengosëse humbja e jetës të punëtorëve, e në disa raste në mesin e të cilëve ka persona të mitur. Inspektorati i Punës së Kosovës nuk ka kapacitet t’i mbulojë të gjitha vendpunimet për shkak se numri i inspektorëve është në shpërputhje të madhe me kërkesat për inspektim dhe , pa asnjë dyshim duket se mungon vullneti institucional për përmirësimin e gjendjes. KMDLNj ka kërkuar dhe e përsërit se duhet t’u heqet leja e punës për punëdhënësit që nuk sigurojnë kushte për punë me ç’rast rrezikohet jeta e të punësuarve. Gjithashtu, KMDLNj ka kërkuar që dënimet në të holla të jenë shumë më të larta dhe nga ato mjete të grumbulluara të krijohet një Fond për ata që e pësojnë dhe familjet e tyre. Është e pabesueshme që edhe pas të gjitha jetëve të humbura për shkak të kushteve të punës, askush të mos ketë përgjegjësi para ligjit. Shteti duhet të gjejë një mënyrë që familjet që e humbin anëtarin e familjes duhet të kompensohen dhe ta kenë një pension, jo më të vogël se paga e një të punësuari në ndërtimtari. Ose duhet të ashpërsojë gjobat në rast të humbjes së jetëve apo lëndimeve, ose duhet të rrisë taksat për leje ndërtimi e që një pjesë do të derdheshin në Fondin e viktimave të ndërtimtarisë por edhe në vendet e tjera të punës e ku përgjegjësia është e punëdhënësit.

    Numri i lartë i vdekjeve dhe rasteve që kanë pësuar lëndime në vendin e punës, 18 të vdekur janë dëshmi që gjendja në këtë sektor nuk është përmirësuar fare dhe është alarmi i fundit për veprim dhe masa konkrete. KMDLNj vlerëson se, nëse nuk ndërmerren masat parandaluese për sigurimin e kushteve të mira për punë, humbja e jetëve do të vazhdojë kurse, të gjithë ne që e kemi një përgjegjësi, do të merremi me reagime gjykuese dhe me pasoja, që do të jenë shumë më të rënda nëse kemi parasysh që kantieret e ndërtimit kanë metastazuar dhe janë shtrirë pothuajse në çdo pjesë të Kosovës. Në mungesë të kapacitetit të mjaftueshëm të Inspektoriatit të Punës për të mbuluar të gjitha vendndërtimet , KMDLNj –ë propozon që vrojtuesit e lagjeve të sinjalizojnë te autoritetet përgjegjëse në rast se mungojnë masat mbrojtëse për punëtorët . Gjithashtu edhe Policia e Kosovës gjatë patrullimeve mund të identifikojë raste të shkeljeve të kushteve të punës . Është gjithashtu edhe detyrim qytetar që të lajmërojnë këto raste e që mund të ndikojnë shumë në uljen e pasojave në vend të punës. Me largimin e punëtorëve drejt vendeve me kushte më të mira të punës si dhe me paga më të larta , KMDLNj –ë ka frikë se numri i viktimave vetëm sa do të rritet , sa për shkak të mungesës së kualifikimit ashtu edhe shkaku i moshës . Këto vdekje duhet të trokasin në ndërgjegjen e politikanëve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të përmirësohen kushtet e punës e që nënkupton edhe rritjen e sigurisë për të punësuarit . Në të kundërtën askush nuk do të falet nga përgjegjësia !

  • KMDLNj: ZRRE dhunuesi më i madh i buxhetit familjar

    KMDLNj: ZRRE dhunuesi më i madh i buxhetit familjar

    KMDLNj ka dalur me një reagim në të cilin thotë se ZRRE është keqbërësi dhe dhunuesi më i madh i buxhetit familjar dhe bizneseve duke legjitimuar vjedhjen përmes faturave.

    Sipas KMDLNJ-së, ZRRE është njëri ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë, referuar çështjes së pagesës së faturave të rrymës nga ana e banorëve të veriut.

    Për më shumë, ja reagimi i plotë:

    ”ZRRE, pas përfundimit të luftës, që nga koha kur u themelua ishte keqbërësi dhe dhunuesi më i madh i buxhetit familjar si dhe i bizneseve duke përligjur vjedhjen klasike përmes fryerjes së faturave me ç’rast e pësonin paguesit e rregullt të energjisë elektrike ndërsa përfitonin qytetarët e veriut të Kosovës që deri më sot nuk e kanë paguar asnjë cent për rrymën e shpenzuar.

    Mjetet e grumbulluara përmes veprës penale (vjedhjes përmes fryrjes së faturave) ndaheshin për strukturat paralele në veri ku lulëzonte biznesi me kryptovaluta dhe kultivimi i lëndëve narkotike për çka duhej një sasi e madhe e rrymës. Pas ankesave të shumta të qytetarëve, KMDLNj–ë ka reaguar rregullisht për të sinjalizuar këtë plaçkitje të kundërligjshme duke kërkuar që të ndërpritet me këtë praktikë të mbrapshtë dhe të bëhet zhdëmtimi i qytetarëve për dëmet e shkaktuara.

    Fillimisht nga ZRRE dhe Operatori mohohej ky veprim i kundërligjshëm deri në kohën kur edhe Avokati i Popullit bëri një reagim duke e dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni përkatës parlamentar pati konstatuar se ka shkelje mirëpo nuk kishte bërë asgjë ta ndërpresë plaçkitjen dhe të propozojë masa kundër keqbërësve. Përveç kësaj, të gjitha qeveritë e pasluftës përfshirë edhe qeveritë Kurti 1 dhe Kurti 2 kanë ndarë mjete të konsiderueshme, dhjetëra miliona euro brenda një viti kalendarik për ta paguar rrymën për veriun e Kosovës.

    Qytetarët e veriut të Kosovës përveç rrymës nuk kanë paguar as faturat e ujit, mbeturinave e as tatimin në pronë e që nuk i paguajnë as sot e kësaj dite. KMDLNj në një takim pati kërkuar nga kryeministri Haradinaj që të ushtrojë autoritetin dhe ta ndërpres pagesën e rrymës për veriun e Kosovës sikur që qytetarët e Kosovës, pagues të rregullt të kompensohen për dëmet e shkaktuara. Ishte një lëvizje e vogël por që shpejtë u harrua duke vazhduar me praktikën e vjetër, pagesën e rrymës për veriun nga Buxheti i Kosovës ndërsa fryrja e faturave ishte ndërprerë.

    Së fundi Gjykata Supreme e Kosovës mori vendim që ZRRE të urdhërojë operatorin aktual të energjisë elektrike të kompensojë qytetarët e dëmtuar për mjetet e plaçkitura dhe Rregullatori i Energjisë Elektrike për të fituar kohë, me një mentalitet prej kusari që e kishte përdorur gjatë tërë këtyre viteve, po përpiqet të gjejë mënyra të shmangë pagesën e kompensimit duke deklaruar se për faktin se nuk e kanë të qartë se si duhet të kompensohen qytetarët, e kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me të cilën kërkohen sqarime se si do të kompensohen qytetarët.

    Blerje tipike e kohës.

    ZRRE është njëri ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovës dhe praktikuesi më i madh i diskriminimit për faktin se qytetarët e Kosovës nuk i trajton si konsumatorë që duhet të paguajnë për rrymën e shpenzuar por i keqtrajton ekskluzivisht në baza etnike dhe sipas oportunitetit politik. Blerja e kohës nënkupton se qytetarët do të lodhen nga kërkesa e tyre e drejtë për kompensim dhe se kjo çështje pas një kohe do të harrohet.

    Caktimi i modalitetit të kompensimit, dinamika e kompensimit i futë qytetarët në një labirint burokratik dhe përfitues të vetëm këtu do të jenë, ZRRE, si organizatë e strukturuar kriminale si dhe Operatori aktual që pamëshirshëm i plaçkitë konsumatorët përmes rritjes së çmimit të rrymës në kohën kur qytetarët e Kosovës po përballen me probleme të mëdha të natyrës ekzistenciale.

    Reduktimet e paralajmëruara që po arsyetohen se janë shkaku i prishje në fakt është se rryma po iu shitet vendeve të rajonit që po kanë mungesë të energjisë elektrike.

    KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës të kërkojnë kompensim përmes padive individuale dhe të mos heqin dorë nga realizimi i kësaj të drejte që me vendimin e saj ua ka njohur edhe Gjykata Supreme e Kosovës. KMDLNj –ë do t’i përkrahë qytetarët e Kosovës që kërkojnë kompensim sikur që kërkon përgjegjësi ligjore për abuzuesit me të drejtat e njeriut përmes plaçkitjes së buxhetit familjar në dobi të një pale tjetër, qytetarëve të veriut të Kosovës”.