ATV

Tag: Kina

  • Tronditje në Shanghai! – Gropa gjigante përpiu rrugën pas dramës me rrjedhjen e metrosë

    Tronditje në Shanghai! – Gropa gjigante përpiu rrugën pas dramës me rrjedhjen e metrosë

    Paniku shpërtheu në Shangai kur një gropë gjigante u hap papritur në Distriktin Minhang, duke përpirë një pjesë të madhe të rrugës dhe duke dëmtuar strukturat përreth!

    Dëshmitarët okularë thonë se toka u shemb pa paralajmërim, duke krijuar një krater të frikshëm që përpiu asfaltin brenda sekondash. Fotot nga vendngjarja tregojnë asfalt të çarë, beton të thyer dhe banorë të tronditur që shikonin boshllëkun e madh aty ku pak çaste më parë ishte një rrugë e frekuentuar.

    Shembja dramatike ndodhi vetëm NJË DITË pasi punëtorët zbuluan një rrjedhje uji gjatë gërmimeve për Linjën e Metrosë Jiamin. Shumë banorë nuk janë të bindur se kjo nuk ishte rastësi.

    Ekipet e ndërtimit po punonin në kuadër të zgjerimit të madh të metrosë kur u zbulua rrjedhja dhe tani po ngrihen pikëpyetje nëse punimet nëntokësore mund të kenë shkaktuar dobësimin e tokës dhe shembjen e papritur.

    Megjithë kaosin dhe dëmet materiale, autoritetet konfirmuan se për mrekulli, nuk u raportua asnjë i lënduar. Zona u rrethua menjëherë nga forcat e sigurisë, ndërsa inxhinierët u angazhuan për të vlerësuar stabilitetin e ndërtesave përreth dhe për të parandaluar një shembje tjetër.

    Banorët treguan se dëgjuan zhurma të çuditshme para se rruga të hapej. “Dukej si bubullimë nën tokë. Pastaj gjithçka u shemb.” tha një dëshmitar për gazetën Daily Mail.

    Autoritetet po hetojnë shkaqet, duke u fokusuar veçanërisht te rrjedhja e ujit dhe ndikimi i saj i mundshëm në dobësimin e terrenit.

    Për momentin, Distrikti Minhang mbetet në alarm, ndërsa ekipet punojnë pa ndalur për të stabilizuar zonën dhe për të riparuar dëmet, ndërsa i gjithë Shangai ndjek me vëmendje zhvillimet.

    Por ky ishte veçse një paralajmërim i frikshëm që mund të kishte përfunduar shumë më keq.

  • Gjermania dhe Kina zhvillojnë bisedime mes tensioneve mbi Ukrainën

    Gjermania dhe Kina zhvillojnë bisedime mes tensioneve mbi Ukrainën

    Tregtia, ndryshimet klimatike dhe lufta në Ukrainë janë në rendin e ditës ndërsa kancelari gjerman, Olaf Scholz, mban bisedime me kryeministrin kinez, Li Qiang, i cili është në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës.

    Takimi i sotëm në Berlin përbën të shtatën herë që Gjermania dhe Kina mbajnë konsultime të nivelit të lartë qeveritar dhe vjen një ditë pasi presidenti kinez, Xi Jinping, takoi sekretarin e shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, duke treguar një përpjekje të Pekinit për përmirësimin e marrëdhënieve të ngrira me Perëndimin.

    Gjermania është e prirur të mbajë lidhje të mira me Kinën, partnerin e saj më të madh tregtar, pavarësisht nga kujdesi ndaj vendosmërisë në rritje të Pekinit dhe refuzimit për të kritikuar pushtimin rus të Ukrainës.

    Strategjia e sigurisë kombëtare e Gjermanisë e publikuar së fundmi e përshkruan Kinën si “një partner, konkurrent dhe rival sistematik”.

    Top Channel

  • Kina dhe ShBA-ja kërkojnë stabilizimin e raporteve

    Kina dhe ShBA-ja kërkojnë stabilizimin e raporteve

    Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, tha më 8 maj se është e domosdoshme të stabilizohen mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara pasi një seri “fjalësh të ashpra dhe veprash” kthyen raportet në gjendje të ngrirë.

    Qin, gjatë një takimi në Pekin me ambasadorin amerikan Nicholas Burns, tha se SHBA-ja veçmas duhet të përmirësojë trajtimin që i bën çështjes së Tajvanit dhe duhet të ndalojë së mosrespektuari principin “e një Kine”.

    Raportet midis dy ekonomive më të mëdha në botë u përkeqësuan vitin e kaluar, kur kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi ishullin vetëqeverisës të Tajvanit, duke zemëruar Kinën që pretendon se ky ishull është pjesë e territorit të saj.

    Në përgjigje, Kina ndaloi disa kanale që përdoren për komunikime zyrtare me SHBA-në, veçmas ato mes dy ushtrive.

    “Prioriteti kryesor është stabilizimi i raporteve Kinë-SHBA, të shmanget përkeqësimi i raporteve dhe të parandalohet çdo aksident midis Kinës dhe SHBA-së”, tha Qin gjatë takimit me Burns, njoftoi Ministria e Jashtme kineze.

    Tensionet midis dy superfuqive u ulën nëntorin e kaluar, kur presidenti amerikan, Joe Biden, u takua me liderin kinez, Xi Jinping, gjatë samitit të G20-s në Indonezi dhe udhëheqësit u zotuan për dialog më të shpeshtë.

    Por, tensionet u rritën sërish në shkurt kur një balonë kineze u shfaq në hapësirën ajrore amerikane, duke detyruar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të anulonte vizitën e tij në Pekin.

    “Që atëherë, një seri fjalësh të ashpra dhe veprash nga SHBA-ja kanë minuar momentumin pozitiv, të fituar me mund, në raportet Kinë-SHBA”, tha Qin.

    Ambasadori Burns përmes një postimi në Twitter tha se gjatë takimit me Qin ka folur edhe për nevojën që të ketë stabilitet në raportet mes dy shteteve.

    “Ne diskutuam sfidat në raportet SHBA-Kinë dhe nevojën e stabilizimit të marrëdhënieve dhe zgjerimit të komunikimit në nivel të lartë”, tha Burns.

    Tajvani mbetet çështja kyçe në raportet midis Kinës dhe SHBA-së.

    Muajin e kaluar, Kina mbajti stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, në SHBA.

    Që nga viti 1979, raportet SHBA-Tajvan janë vendosur në bazë të Aktit të Raporteve me Tajvanin, që ofron bazë ligjore për t’i dhënë Tajvanit mjetet e nevojshme për të mbrojtur veten, por nuk thotë se SHBA-ja do t’i ndihmojë Tajvanit në rast të ndonjë sulmi.

    Në buxhetin për vitin 2023, Kongresi amerikan ka autorizuar ndihmë ushtarake për Tajvanin në vlerë prej 1 miliard dollarësh./REL/

  • India e kalon Kinën si vendi më i populluar në botë

    India e kalon Kinën si vendi më i populluar në botë

    India pritet ta kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë deri në mesin e këtij viti, me pothuajse tre milionë banorë më shumë, sipas parashikimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Popullsia e Indisë do të numërojë 1.4286 miliard banorë në mesin e vitit 2023, krahasuar me atë të Kinës prej 1.4257 miliard banorësh, ka treguar një raport i Fondit të OKB-së për Popullsinë, i publikuar më 19 prill.

    Numri i banorëve në Kinë është tkurrur për herë të parë që nga viti 1960, kur miliona njerëz vdiqën nga uria, për shkak të politikave katastrofike bujqësore të ish-udhëheqësit Mao Zedong.

    Shumë njerëz kanë vlerësuar se përgjegjës për ngadalësimin janë rritja e kostos së jetesës, si dhe rritja e numrit të grave të punësuara dhe me arsimim të lartë, raporton AFP.

    Si po synon Kina të rrisë shkallën në rënie të lindshmërisë?

    Pekini ka ndërprerë më 2016 politikën e rreptë “një fëmijë”, të vendosur në vitet e 1980-ta, mes frikës nga mbipopullimi, dhe nga viti 2021 ka filluar t’u lejojë çifteve të kenë tre fëmijë.

    India nuk ka të dhëna të reja zyrtare se sa banorë i ka, sepse nuk ka kryer regjistrim të popullsisë që nga viti 2011.

    Regjistrimi, që India e bën një herë në dekadë, ishte paraparë të kryhej më 2021, por është shtyrë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

    Kritikët thonë se qeveria po e shtyn qëllimisht regjistrimin, për të fshehur të dhënat për çështje të nxehta, si papunësia, para zgjedhjeve kombëtare, që parashihen të mbahen vitin e ardhshëm.

    Sipas qendrës hulumtuese Pew, popullsia e Indisë është rritur për më shumë se një miliard banorë që nga viti 1950, kur OKB-ja filloi të mblidhte të dhëna për popullsinë./rel