ATV

Tag: Kiev

  • Kievi sulmohet me dronë, alarmet dëgjohen në gjithë Ukrainën

    Kievi sulmohet me dronë, alarmet dëgjohen në gjithë Ukrainën

    Alarmet për sulme ajrore u dëgjuan në të gjithë Ukrainën në orët e para të së premtes, pasuar nga raportime për shpërthime në zona të caktuara. Zyrtarët ukrainas konfirmuan aktivizimin e njësive kundërajrore në shumë rajone.

    Alarmet u shtrinë në të gjitha rajonet e vendit për rreth një orë nga ora 2 e mëngjesit.

    Nuk është raportuar se ndonjë objektiv infrastrukturor apo civil u godit dhe nuk pati shenja viktimash pasi alarmet u ndalën në Kiev, si dhe në rajonet qendrore dhe jugore.

    Alarmet për sulme ajrore vazhduan në Ukrainën perëndimore deri në mëngjes, por ishin të kufizuara në dy rajone – në lindje dhe në Krimenë e aneksuar nga Rusia në jug.

    Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, tha se forcat ruse kishin lëshuar valë të njëpasnjëshme dronësh drejt kryeqytetit, sulmi i dhjetë këtë muaj dhe i dyti në më pak se 24 orë.

    “Kjo taktikë e Kremlinit është një përpjekje për të mposhtur forcat tona kundërajrore dhe për të ushtruar presion psikologjik mbi civilët “, shkroi Popko në Telegram.

    “Të gjitha objektivat ajrore të lëshuara në drejtim të Kievit u shkatërruan nga mbrojtja jonë kundërajrore”, shtoi ai.

    Disa rajone raportuan njësi kundërajrore në veprim.

    Shpërthime u raportuan në rajone gjerësisht të ndara, duke përfshirë Krivi Rih në Ukrainën qendrore dhe Rivne dhe Lutsk në perëndim.

    Sipas një mesazhi Telegram nga ushtria e Ukrainës, avionët rusë u panë në qiell, duke paraqitur një kërcënim të sulmeve me raketa hipersonike Kinzhal.

    Një deklaratë e mëparshme ushtarake përmendte rrëzimin e disa objektivave ajrore, por pa dhënë informacione të mëtejshme. Ushtria kishte lëshuar një paralajmërim se rajonet qendrore dhe Kievi ishin në rrezik nga sulmet me dron.

    Agjencia ruse e lajmeve Tass, duke cituar zyrtarë të instaluar nga Rusia në zonën e kontrolluar nga Moska të rajonit të Donjeckut, tha se forcat ukrainase kishin gjuajtur tetë raketa në këtë zonë.

    Nuk ka detaje për dëme apo viktima.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Kievi sulmohet me breshëri raketash nga Rusia

    Kievi sulmohet me breshëri raketash nga Rusia

    Zyrtarët e Kievit raportuan një sulm ajror jashtëzakonisht të ashpër nga Rusia në orët e para të së martës, duke përfshirë përdorimin e dronëve dhe raketave. Ky shënon sulmin e tetë ajror në kryeqytetin ukrainas këtë muaj.

    Sipas një deklarate të postuar në aplikacionin e mesazheve Telegram, Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, e përshkroi sulmin e fundit ajror nga Rusia si të paprecedentë në intensitetin e tij, me numrin më të madh të raketave sulmuese të lëshuara për një kohë të shkurtë.

    “Sipas informacioneve paraprake, shumica dërrmuese e objektivave të armikut në hapësirën ajrore të Kievit u zbuluan dhe u shkatërruan”, tha Popko.

    Numri i objektivave të goditura dhe të shkatërruara gjatë sulmit ajror në Kiev nuk dihet për momentin.

    Rusia kishte pezulluar sulmet e saj me raketa me rreze të gjatë veprimi për disa javë, por rifilloi taktikën në fund të prillit, duke nisur sulme të shumta në ditët e fundit, me Kievin që ishte një objektiv i shpeshtë.

    Pavarësisht sulmeve, Ukraina i ka zmbrapsur me sukses shumicën e tyre.

    Sipas zyrtarëve, mbeturinat e raketave ranë në disa rrethe të Kievit, duke përfshirë Obolonski, Shevchenkivski, Solomyanski dhe Darnitski, të martën.

    Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko raportoi se mbeturinat që ranë dogjën shumë makina dhe shkaktuan dëmtime në një ndërtesë në lagjen Solomyanskyi në pjesën perëndimore të kryeqytetit.

    Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur tre persona.

    Sipas Klitschkos, një sulm me dron u zmbraps nga sistemet e mbrojtjes ajrore në jug të Borispilit.

    Borispil ndodhet në juglindje të Kievit dhe është shtëpia e aeroportit kryesor civil të kryeqytetit, i cili aktualisht është i mbyllur.

    Administrata ushtarake raportoi se dëmet në rrethet e tjera nuk ishin të mëdha dhe nuk kishte informacion të menjëhershëm për viktima të mundshme.

    Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan pothuajse në të gjithë vendin për më shumë se tre orë të martën, në Kiev dhe zonën përreth./REL/