ATV

Tag: Këshilli i Evropës

  • Pranohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE

    Pranohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës informoi se sot Komiteti i Ministrave me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare vendosi në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare “PACE”.

    Sipas MPJD-së, ky vendim pozitiv vjen pas një pune të gjatë intensive, koordinimi të brendshëm ndër-institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe aleatët e tjerë.

    Si hap i radhës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sipas MPJD-së, do të përgatisë një opinion lidhur me anëtarësimin e Kosovës. Pas kësaj, opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili pastaj merr vendimin final për anëtarësim.

    “Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse të gjitha shteteve që kanë votuar dhe ndihmuar në votimin pozitiv të Komitetit të Ministrave.

    Përkundër faktit që proceduralisht Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit, duhet theksuar se kjo ishte ‘finale para finales’ meqë kemi kaluar sfida të rëndësishme ligjore dhe politike. Sigurisht, se mbetet shumë punë për t’u bërë deri në anëtarësim. Kosova mbetet e përkushtuar thellësisht në respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlerave të përbashkëta mbi të cilat është themeluar Këshilli i Evropës dhe Republika e Kosovës.”, u bë e ditur nga ministria.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022.

  • Gërvalla: Kosova kalon etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

    Gërvalla: Kosova kalon etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka njoftuar se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

    Gërvalla tha se ky vendim i sotëm përbën hap historik për Kosovën, ndoshta sipas saj, më i rëndësishmi pas pavarësisë.

    “Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.

    “Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”.

    “Mbetet edhe shumë punë për të bërë. Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida. Por Republika e Kosovës në fund të procesit do ta zërë vendin e saj të merituar si anëtare e Këshillit të Evropës”.

    “Falënderoj nga zemra të gjithë ata që na mbështetën në rrugën tonë deri këtu. Një falënderim i posaçëm iu shkon të gjithë atyre shteteve, të cilat edhe pse nuk e kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës, nuk e kanë bllokuar anëtarësimin tonë”.

    “Nuk mund të lë pa falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përsëri dëshmuan të jenë aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, dhe të cilat na mbështetën fuqishëm në dialogun tonë me një numër të madh të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës”.

    “Kur në maj të vitit të kaluar, pra para më pak se një viti, dorëzuam në Këshillin e Evropës kërkesën për anëtarësim, numri i skeptikëve ishte i madh. Sot e dijmë se sa i rëndësishëm dhe vendimtar ka qenë guximi i atyre ditëve”.

    “Falë vullnetit të palëkundur të qytetarëve të Republikës së Kosovës për sundim të ligjit dhe demokraci, të shprehur në votën masive të 14 shkurtit, Kosova, si shembulli më i mirë i demokracisë në rajon, do të ecë e sigurt në rrugën e saj euroatlantike”.

    “Ka edhe shumë punë për të bërë, shumë sfida për të përballuar, por dita e sotme meriton të festohet denjësisht”.

  • Tahiri: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po bëhet realitet

    Tahiri: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po bëhet realitet

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, është duke qëndruar në Këshillin e Evropës.

    Tahiri tregoi se atje do të jetë përgjatë tri ditëve ku do të zhvillohen takime të delegacionit kosovarë me delegacionet anëtare për të kërkuar mbështetje për anëtarësim në KE.

    “Për tri ditë do të jemi në Këshillin e Evropës, në sesionin pranveror, ku pritet të ketë shumë takime të delegacionit tonë me delegacione anëtare për të kërkuar mbështetje për anëtarësim. Po ashtu, për pak, në ora 14:30, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës pritet të jetë në rend dite të takimit të Këshillit ministror të kësaj organizate. Po duket të jetë një ditë shumë e mirë dhe me rëndësi për Kosovën. Ngadal, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po bëhet realitet”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

  • Kosova sot në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshill të Evropës

    Kosova sot në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshill të Evropës

    Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendë për takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave.

    Këtë e ka konfirmuar këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Rejhan Vuniqi, e cila shpreson për zhvillime pozitive në këtë hap drejt integrimit evropian.

    “Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendë për takimin e të hënës së Komitetit të Ministrave. Le të shpresojmë për zhvillime pozitive në këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian”, ka shkruar Vuniqi në Twitter.

    Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, para disa ditësh është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billstrom, ku ka theksuar se kanë biseduar për anëtarësim e Kosovës në KiE.

    “Ne biseduam për Këshillin e Evropës. Janë kryer disa procedura. Dhe kërkesa jonë është që të kalojnë sa më shpejt këto procedura. Ne jemi optimistë për anëtarësimin e Kosovës. Kërkojmë anëtarësim meritor”, ka thënë ajo.