ATV

Tag: KEK

  • Bordi i KEK-ut liron nga detyra Nagip Krasniqin

    Bordi i KEK-ut liron nga detyra Nagip Krasniqin

    Bordi i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës të mërkurën ka marrë vendim që ta lirojë nga detyre ish-kryeshefin ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

    Në njoftimin e KEK-ut bëhet e ditur se shumë shpejt do të iniciohen procedura për shpalljen e konkursit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të kësaj korporate.

    Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij.

    Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”. Në shtator, ishte liruar nga paraburgimi, por iu ndalua t’i afrohej objektit të KEK-ut në 50 metra.

    Krasniqi më 25 prill 2023 ishte pezulluar nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

  • Sërish protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK

    Sërish protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK

    Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në KEK ka njoftuar se sot nga ora 10:00, do të mbajë protestë.

    Sipas njoftimit kjo protestë do të jetë paqësore dhe do të fillojë nga sheshi “Zahir Pajaziti”, dhe pastaj para zyrave të KEK-ut.

    Sipas kryetarit të Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Nexhat Llumnica, protesta është organizuar në shenjë proteste kundër vazhdimit të tenderimit të paligjshëm të këtij departamenti, pagave të ulëta, dhe kushteve të rënda për punonjësit e sigurimit fizik në KEK.

  • Shtyhet protesta e paralajmëruar për sot nga punëtorët e KEK-ut

    Shtyhet protesta e paralajmëruar për sot nga punëtorët e KEK-ut

    Protesta e paralajmëruar për ditën e sotme nga punëtorët e KEK-ut është shtyrë.

    Kështu ka bërë të ditur Sindikata e KEK-ut me anë të një njoftimi, në të cilin thuhet se morën zotim se kërkesat e tyre do të realizohen.

    Sipas njoftimit, vendimi për shtyerjen e protestës është marrë kryesuesin e bordit drejtues dhe menaxhmentin e KEK-ut.

    “Duke ju njoftuar për zhvillimet e fundit në lidhje me negociatat tona për ngritjen e pagave dhe pagesën e fundjavës për punëtorët me ndërrime, kemi disa lajme të rëndësishme për të ndarë me ju. Sot, pas një takimi të gjatë me kryesuesin e bordit drejtues dhe menaxhmentin e KEK-ut, kemi arritur në një marrëveshje që na jep shpresë dhe besim se kërkesat tona do të realizohen. Kryesuesi i bordit drejtues dhe menaxhmenti i KEK-ut është zotuar për të kryer kërkesat tona dhe ka premtuar se do të vazhdojë dialogun me sindikatat për të adresuar çështjet e punëtorëve në mënyrë të drejtë”, thuhet tutje.

    Siç bën të ditur njoftimi, qëllimi i tyre është të hapet rrugë për dialog dhe zgjidhjen e kërkesave tona në një mënyrë të qetë dhe të drejtë

    “Me këtë mendim dhe duke iu besuar zotimit të KEK-ut për të ndërmarrë veprime konkrete, kemi vendosur të shtyjmë protestën tonë të planifikuar për nesër më datën 7 nëntor 2023. Qëllimi ynë është të hapim rrugën për dialog dhe zgjidhjen e kërkesave tona në një mënyrë të qetë dhe të drejtë”.

    Sindikata e KEK-ut ka paralajmëruar veprime sindikale nëse kërkesat e tyre nuk realizohen.

    “Megjithatë, është e rëndësishme që të kemi parasysh se këto janë premtime, dhe ne do të jemi të përgatitur për veprime sindikale nëse kërkesat tona të drejta dhe ligjore nuk realizohen në mënyrë të plotë. Do të vazhdojmë të jemi aktiv dhe do të ndërmarrim hapa të duhur për të mbrojtur të drejtat tona”, njofton Sinidikata.

    Protesta ishte paraparë të niste nga ora 11:00 para zyrave të KEK-ut në Prishtinë.

  • “Kosova A”, u konfirmua si pjesë e “Planit A”, për furnizim me energji elektrike edhe për një vit

    “Kosova A”, u konfirmua si pjesë e “Planit A”, për furnizim me energji elektrike edhe për një vit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në mungesë të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, Termocentrali Kosova A, i vënë në funksion para më se gjysmë shekulli dhe i paraparë të mbyllej më 2017, u konfirmua si pjesë e “Planit A” të furnizimit edhe këtë dimër.

    Zyra e Rregullatorit për Energji ia vazhdoi licencën për prodhimin e energjisë edhe për një vit këtij termocentrali, i cili me tri njësi prodhuese arrin kapacitetin rreth 390 megavatë/orë, apo rreth 40% të totalit të kapaciteteve nga thëngjilli.

    Pasi tha se Kosova ka humbur mundësinë të ketë kapacitete të reja prodhuese me thëngjill, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, listoi disa probleme lidhur me mungesën e investimeve në këtë sektor.

    “Në anën tjetër, Kosova e ka humbur betejën përballë mafies energjetike dhe, si duket, lobimi i tyre ka qenë aq i fuqishëm sa që e ka pezulluar ose parandaluar fillimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja. Dhe, kur krejt kësaj i shtohet burokracia sa i përket energjisë alternative, qoftë me erë – qoftë me panele solare, vërtet duket se Kosova është shtet i gjykuar që të jetë i varur nga importi i energjisë”, tha Gërxhaliu.

    Duke kritikuar politikat vendimmarrëse, ai theksoi se në vend të investimeve në kapacitete të reja, Kosova gjendet në një situatë sanuese.

    “Nëse bëhet një kalkulim i thuktë i investimeve në mirëmbajtjen e kapaciteteve aktuale energjetike, qoftë në Kosovën A apo B, që nga viti ‘99 e deri sot, e them me përgjegjësi morale dhe profesionale se Kosova ka shpenzuar më shumë sesa të ndërtojë dy apo tri termo-elektrana të reja, që do ta faktorizonin Kosovën në aspektin strategjik, sa i përket energjisë elektrike”, tha Gërxhaliu.

    Duke e vlerësuar të realizueshëm objektivin strategjik për kapacitete prej 1200 mw/h nga burimet e ripërtërishme deri më 2031, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, theksoi se ndërtimi i tyre të lejonte mbylljen e Kosovës A.

    “Ideja është që termocentrali Kosova A të mbyllet. Në strategji është vendosur që të përdoret si kapacitet rezervë, që d.m.th. të përdoret vetëm gjatë dimrit kur kemi mungesë të energjisë. Ndërsa, në strategji është vendosur që në vitin 2024 të rivitalizohet një njësi e Kosovës A dhe po të njëjtin vit të vendoset kur mbyllen dy të tjerat”, tha Bujupi.

    Investimet për rivitalizim në vend se për kapacitete të reja, ai i arsyeton me periudhën kalimtare drejt energjisë së gjelbër dhe koston e përgjithshme.

    “Në fazën tranzitore, këto investime janë vetëm për të siguruar furnizimin me energji për një periudhë derisa të ndërtohen kapacitetet e reja të burimeve të ripërtërishme. Pra çështja është se gjithmonë te një projekt në sektorin e energjisë shikohet kost-efektiviteti i projektit. Pra, sigurisht rivitalizimi i njërës njësi na garanton energji me çmime më të ulëta”, tha Bujupi.

    Në strategjinë e energjisë është paraparë që për rivitalizimin e një njësie të termocentralit Kosova A, këtë vit dhe tjetrin, të investohen 120 milionë euro.
    Ndërsa, në total, nga ky vit deri më 2025, parashihen më shumë se 415 milionë euro për investimeve kapitale, në dy termocentralet ekzistuese me thëngjill.

  • Punëtorët e sigurimit fizik në KEK protestojnë për të dytën herë me radhë gjatë këtij muaji

    Punëtorët e sigurimit fizik në KEK protestojnë për të dytën herë me radhë gjatë këtij muaji

    Punëtorët e sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë protestuar të hënën para objektit të KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës.

    Protesta nisi në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke vazhduar përpara zyrave të KEK-ut dhe objektit të Qeverisë, derisa në shenjë pakënaqësie ata hodhën edhe vezë para zyrave të KEK-ut.

    Kjo protestë, e dyta me radhë gjatë këtij muaji, po mbahet për shkak të mospërmbushjes së premtimit nga pushteti për kthimin e tyre në kuadër të KEK-ut./atvlive.tv/

  • Del raporti i ZRRE – zbulohet pse u dënua KEK me 3.2 milionë euro

    Del raporti i ZRRE – zbulohet pse u dënua KEK me 3.2 milionë euro

    Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka gjobitur me 3.2 milionë euro Korporatën Energjetike të Kosovës.

    Vendimi është marrë të premten, në seancën e IV-ët të Bordit për këtë vit.

    “Në këtë seancë, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, Bordi ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milion euro për Korporatën Energjetike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZRRE.

    Në raportin e zbuluar nga ZRRE, zbulohet se KEK ka nënshkruar Kontratë Kornizë me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrarne d.o.o” e cila nuk ka pasur licencë që i njihet në Kosovë.

    “KEK ka nënshkruar Kontrata Kornizë me ndërmarrjet tё cilat nuk janë tё licencuara nё Kosovё, respektivisht nuk i njihet licenca e lёshuar nga vendet pёrkatёse, sipas parimit tё reciprocitetit. Bazuar nё kёtё tё gjetur, KEK nuk ka vepruar nё pajtueshmёri me neni 28, par.1 dhe par. 2 dhe neni 30, par.1 tё Ligjit pёr Rregullatorin e Energjisё, neni 32, par.3 tё Ligjit për Energjinë Elektrike, neni 2, par. 2.1.2, 2.1.3 dhe 2.1.6 tё Rregullave tё Tregut, neni 8, par. 1 tё Procedurёs pёr Tregtimin e Energjisё Elektrike”, thuhet në raportin e ZRRE.

    Sipas raportit, bazuar në legjislacionin në fuqi, aktiviteti i furnizimit dhe tregtimit me energji elektrike mund të ushtrohen vetëm me Licensë të lëshuar nga ZRRE për subjektet juridike që janë të regjistruara në Kosovë, duke përfshirë edhe mundësinë që sipas parimit të reciprocitetit këto aktivitete të lejohen edhe pa Licensat e ZRRE-së.

  • Apeli lë në paraburgim Nagip Krasniqin, refuzohet kërkesa e mbrojtjes

    Apeli lë në paraburgim Nagip Krasniqin, refuzohet kërkesa e mbrojtjes

    Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nagip Krasniqit, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), lidhur me ankesën e ushtruar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ia kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar administratori i Gjykatës së Apelit, Nysret Arifi.

    Ndryshe, Krasniqi është arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.

    Ndërsa, më 20 prill, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), paraqiti kërkesë në Themelore, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia caktoi drejtorit të KEK-ut një muaj paraburgim.

    Nagip Krasniqi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”. /BetimipërDrejtësi

  • Punëtorët e KEK-ut të premten në protestë, kërkojnë rritje të pagave

    Punëtorët e KEK-ut të premten në protestë, kërkojnë rritje të pagave

    Kryesia e sindikatave të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka njoftuar se të premten punëtorët e kësaj ndërmarrjeje do të protestojnë me kërkesën për rritje të pagave.

    Protesta do të mbahet para zyrave të KEK-ut në sheshin “Nëna Terezë” me moton “Ngrite zërin për ta ngritur pagën”.

    “Nga mbledhja e Kryesive të Sindikatave të KEK-ut më datë 20.04.2023 është marrë vendim për Protestë më datë 28.04.2023 duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në njoftim.

    Qëllimi i protestës thuhet se është ngritja e pagave për të gjithë punëtorët e KEK-ut.

    “Edhe pse ishte një premtim nga ana e Bordit për realizimin e kërkesës së sindikatave të KEK-ut por edhe premtim publik përmes komunikatës së datës 03.04.2023. Si më poshtë: ‘Duke pasur tërë mirëkuptimin për kërkesat e punëtorëve, pas përfundimit të auditimit dhe certifikimit të pasqyrave financiare në fund të muajit Prill të këtij viti, Bordi dhe Menaxhmenti i KEK-ut, do të shqyrtojë kërkesën e sindikatave se sa do të ketë mundësi që të përfitojnë punonjësit e KEK-ut’. Përkundër premtimit kjo nuk po ndodhë prandaj ne vazhdojmë”, thuhet në njoftim.

  • ​Rrustemi: Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës

    ​Rrustemi: Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se opozita po përpiqet ta paraqes VV-në veten e tyre. Ai teksa ka folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, shtoi se i njëjti është një nga profesionistët e Kosovës.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se raportet e organizatave që monitorojnë sistemin e drejtësisë flasin për gjendjen e rëndë në atë prokurorial për dështim të trajtimit të rasteve të korrupsionit.

    “Kur jemi tek mostrajtimi i rasteve të korrupsionit dhe hedhjes së kallëzimeve penale, pushimeve të hetimeve, organi i akuzës vazhdon avazin e vjetër, tashmë në trajtë tjetër. Nëse dikur rehabilitonte korrupsionin duke e trajtuar si kundërvajtje përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta e jo-koherente, tani më nuk trajton qindra dosje të dorëzuara nga institucione të ndryshme për keqpërdorime me miliona euro”, tha Rrustemi.

    Ai ka shtuar se edhe bordi e KEK-ut ka dorëzuar lëndë flagrante në prokurori.

    “Nuk ka asnjë rëndësi se a është, a nuk është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës. Sot shumë kryeshefa ekzekutiv po ballafaqohen me keqpërdorime të egra dhe po i bëjnë ballë krimit të organizuar që është instaluar brenda këtyre ndërmarrjeve me dekada. Për të tjera që lidhen me ngjarjen e djeshme, zotëri Krasniqi do të përgjigjet vet dhe do ta kuptojmë të gjithë të vërtetën, por përpjekja juaj për ta paraqitur Vetëvendosjen si vetën tuaj është e dëshpëruar dhe e pashpresë”, ka shtuar ai. /kp

  • Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, PDK kërkon raportimin e ministres Rizvanolli

    Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, PDK kërkon raportimin e ministres Rizvanolli

    Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në seancën e sotme të raportojë ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli. Pas arrestimit të djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, kjo parti ka kërkuar që ministrja të japë informacione mbi këtë situatë. Këtë mocion nuk e ka mbështetur shumica parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka propozuar një mocion për ndryshim të rendit të ditës, që të mundësohet raportimi i Rizvanollit.

    “Si GP i PDK-së bazuar në rregulloren e kuvendit, në pikën 94 të shqyrtimit të çështjeve urgjente, kërkojmë që tashmë të vendoset si pikë e parë të rendit të ditës, raportimi i ministres së Zhvillimit Ekonomik mbi arrestimet e djeshme që kanë ndodhur në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ne e dimë që KEK drejtohet nga një bord i emëruar nga Qeveria e Kosovës, ky bord e ka emëruar një kryeshef, i cili ka qenë zyrtar i lartë i partisë në pushtet, zyrtar i lartë i LVV-së. Dhe ditën e djeshme një zyrtar i tillë është arrestuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës”, ka thënë ai, raporton KP.

    Tahiri ka theksuar se së shpejti do të dorëzojnë dosje në prokurori për abuzimet, siç ka thënë ai, që janë bërë nga kryeshefi i KEK-ut.

    “Si Grup Parlamentar tash e një vit e gjysmë i kemi ngritur shqetësimet tona rreth abuzimeve që kanë ndodhur dhe keqmenaxhimeve dhe krizës energjetike në Republikën e Kosovës. Pra, kemi themeluar edhe një komision hetimor, ku tashmë kemi përgatitur edhe një dosje për ta dorëzuar në prokurori, për shkeljet që ka bërë pikërisht kryeshefi i KEK-ut. Ne kemi parë që atë ka ndodhur një abuzim jashtëzakonisht i madh, prej subvencionimit të tarifave, pastaj tenderat një burimor dhe shumë çështje të tjera që lidhen me punësime”, ka shtuar Tahiri.

    Por, ky mocion nuk ka marrë votat e mjaftueshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    “77 deputetë votuan, morën pjesë në votim, për mocionin ishin 32. Kurse kundër mocionit ishin 45. Prandaj mocioni nuk mund të kalojë”, ka njoftur kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi është arrestuar dje për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.