Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE në ATV, tha se gjendja e punëtorëve në sektorin privat në Kosovë sa i përket sigurisë është shumë e rëndë.
Sipas tij, më e keqja është se nuk është ndërmarrë asnjë hap për ta reduktuar numrin e vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës.
“Vetë fakti që shifrat na tregojnë se në Kosovë kemi katërfish, numri më i madh i vdekjeve në punë se sa në rajon, bën me dije se realisht gjendja e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës, është një gjendje shumë e rëndë, një gjendje e cila jo që po përmirësohet, por përkundrazi po përkeqësohet. Vetë fakti që në vitet e fundit kemi shifra shumë të mëdha të vdekjeve në vendin e tyre të punës, por më e rënda është ajo se ne nuk kemi ndërmarrë asnjë mekanizëm adekuat që së paku ta ulim këtë numër të rasteve të vdekjes, sepse jemi të vetëdijshëm që gjithkund në botë vdesin punëtorët, por në një numër më të vogël”, tha Azemi. /atvlive.tv
Intervistën e plotë të tij në A LIVE e gjeni në videon më poshtë:
Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat ka mirëpritur tenderin për rritjen e pagave të punëtorëve teknik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku parashihet që ato të jenë 402 euro. Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, ka thënë se do të konsultohen me punëtorët për të parë nëse ata do të pranojnë këtë shumë.
Azemi ka deklaruar se kërkesa e Sindikatës ishte që pagat të jenë 450 euro.
Sipas tij, nëse do të ishte në fuqi Marrëveshja Kolektive “kjo pagë do te kalonte shumën së paku 470 euro për të cilën ne do të luftojmë me mjete sindikale që edhe kjo të bëhet”.
“Pas shumë presioneve, protestave, dhe grevave, që bëmë në QKUK, tani e tutje pagat e punëtorëve teknik nuk do të jenë më 275 euro, ato do të jenë 402 me tenderin e ri i cili veç është publikuar, se a do ta pranojnë këtë pagë këta punëtor ne do të konsultohemi me ta, dhe do të dalim me qëndrim të qartë, mund të themi se nuk oshtë ajo që e kemi kërkuar ne, por është për tu çmuar pasi që kërkesa jonë ka qenë 450, dhe na janë ofruar 402”, ka thënë Azemi përmes një komunikate për media./kp
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Amar Rrahmani, javën e kaluar propozoi një amendament dhe që me këtë rast i mori votat e mjaftueshme nga komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere që paga minimale të jetë 450 Euro për vitin 2023, dhe vitin 2024 të jetë 500 euro.
Këtë propozim, Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një prononcim për emisionin DIREKT në ATV, tha se e sheh pozitive, për të cilin thotë se është në harmoni me kërkesat e tyre si sindikatë.
“Në fakt unë mendoj që deputeti që këtë e propozoi, e ka propozuar edhe në bazë të kërkesave tona, si sindikatë që një kohë bukur të gjatë kemi kërkuar që paga minimale të jetë 450 euro dhe ne e përgëzojmë për punën që e ka bërë ai deputet së bashku me deputetët e tjerë, sepse komisioni për Buxhet dhe Finanaca i propozon Parlamentit të Kosovës që paga minimale të jetë 450 euro, me çka po themi edhe njëherë është një diçka që edhe sindikata dinë të kënaqet me diçka çka është normale. Ne e dimë që ky version, ky propozim duhet të kalojë edhe në Parlamentin e Kosovës, megjithatë për herë të parë nga qeverisja e Albin Kurtit e sidomos nga Parlamenti i Kosovës. Ne si sindikatë mund të falënderojmë për veprimin dhe vendimin që e morën këta deputetë të këtij komisioni”, tha Azemi.
Deklaratën e ministrit Hekuran Murati se këto me këto propozime po bëhet tallje me qytetarët, Azemi tha se ky ministër është duke u talluar me punëtorët e sektorit privat, ku një pjesë e madhe e tyre ende vazhdojnë të marrin 130 dhe 170 euro.
“Këta deputetë kanë folë në emër të popullit dhe ministri Murati, nuk është tallje, por ai me vetveten, pasi që ne mendojmë se ministri Murati është duke u tallur me punëtorët e sektorit privat të Kosovës në momentin që edhe sot ka punëtorë që paguhen 130 euro dhe 170 euro, andaj ne mendojmë që është një pikënisje shumë e mirë dhe ne realisht, ende pa u aprovuar ky vendim në parlamentin e Kosovës, në disa kompani veç se kemi sinjale pozitive se ky vendim po zbatohet pa hyrë ende në fuqi”, tha Azemi.
Propozimin e komisionit që paga të jetë 450 euro për sivjet dhe 500 për vitin e ardhshëm, Azemi e quan shumë simbolike, por thotë ai, se është një shpresë që po fillon të lëvizë e mbara edhe për këta punëtorë.
“Ne po themi për herë të parë diçka që një komision i Parlamentit të Kosovës e ka parë të arsyeshme që kjo pagë të jetë 450 euro për vitin 2023 dhe 500 euro për fitin 2024, kërkesë e jona e përditshme që për çdo ditë edhe qeverisë ehe parlamentit edhe institucioneve tjera u kemi bërë thirrje. Unë mendoj se gjithë njerëzit që mendojnë me kokë, të cilët mendojnë aty ku po jetojnë dhe me çka po ballafaqohemi na, mendoj se është një shumë simbolike, por megjithatë, me këtë vendim edhe ne si sindikatë kemi të drejtë t’u themi punëtorëve të sektorit privat ‘ndaluni pak sepse ndoshta po fillon të lëvizë e mbara edhe për këta punëtorë’”, tha Azemi. /atvlive.tv
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se paga minimale në Kosovë duhet të jetë mes 500 dhe 600 euro.
“Paga minimale po ndryshon nga punëtorët që janë direkt në formacionin e sektorit privat dhe atyre që janë në publiko privat. Deri sa punëtorët që janë direkt të lidhura me kompanitë private, situata ka ndryshuar dhe realisht paga minimale që duhet të reflektojë sot, duhet të jetë prej 500-600 euro, kurse ne te punëtorët sikurse kalibri i këtij kolegut, kemi nga 180 euro deri në 250 euro që në të vërtetë nuk mund të mbijetohet”, tha Azemi. /atvlive.tv
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se pjesa më e varfër në vend janë punëtoret e sektorit privat.
“Pjesa e varfër janë punëtorët e sektorit privat të Kosovës. Ajo i stimuloi punëtorët e sektorit publikë që ata, jo që janë në një gjendje shumë më të mirë, por janë shumë më mirë se sa ne dhe ata punojnë shumë më pak se sa ne, ata japin për shtetin shumë ma pak se sa ne dhe ata stimulohen e ne nuk stimulohemi”, tha Azemi.
Ai tha se Qeveria i solli punëtorët e sektorit privat në një pozitë të lypësit.
“Ne kemi thënë se Qeveria me një vendim që e solli tha “unë po ua japë edhe 50 euro nëse pronari ua jep juve”, që në njëfarë forme na vuri në një pozitë të lypësit që t’i lutemi pronarit të kompanisë “allahile m’i jepë 50 euro se që po don me mi dhanë edhe Qeveria””, u shpreh Azemi.
Sipas tij, puntorët e sektorit privat janë të denigruar dhe për këtë faturën po e marrin jo vetëm kompanitë, por edhe shteti.
“Ka bërë një vendim qesharak dhe po themi në çdo aspekt, punëtorët e sektorit privat të Kosovës janë jashtëzakonisht shumë të denigruar, janë shumë të shkelur dhe realisht nganjëherë, tani faktuarën po e marrin edhe pronarët e kompanive, por po e merr edhe shteti, sepse ne kemi të dhëna të frikshme për njerëzit që janë duke i liruar vendet e tyre të punës. Kemi informacione të sakta sepse gati nuk ka kompani në Kosovë që nuk është e prekur me mungesë të punëtoreve, sidomos , në mungesë të punëtorëve të kualifikuar dhe realisht këta [punëtorë a më mirë është që të iku jashtë dhe në një far forme ta mbajë veten dhe familjen e vet, apo ta mbajë veç veten, i cili nuk mund ta mbajë as veten sepse tash një argument i tillë me 250 euro nuk mund ta mbajë një person e lëre më familjen dhe kur nuk ka diçka të garantuar se sot punon e nesër nuk punon e nuk merr përgjegjësi askush”, theksoi Azemi. /atvlive.tv
Ka nisur protesta në Prishtinë, organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat (SPSPK), raporton atvlive.tv.
Kjo protestë u organizua pasi kjo sindikatë po kërkon rritje të pagave në sektorin privat.
Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi, tha se sot është dashur të jetë ditë feste edhe për sektorin privat, por që nuk po i lënë ta bëjnë një gjë të tillë Qeveria dhe kompanitë.
“Edhe ne kishim dashur të festojmë sot për 1 maj, por nuk po na lënë Qeveria dhe kompanitë”, tha Azemi.
ATV-ja raporton se në këtë protestë përveç qytetarëve nga Prishtina, po marrin pjesë edhe qytetarë nga qytete të tjera, si Gjakova, Gjilani, Vushtrria, etj. /atvlive.tv
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi tha se kompanitë private në vend kanë mungesë të theksuar të punëtorëve të kualifikuar.
Ai i tha Ekonomia Online se ika e të rinjve mbetet shqetësim për ta ngase veç prej viti 2021 mbi 100 mijë persona e kanë lëshuar Kosovë.
Sipas tij, ndonëse pronarët nuk duan të deklarohen për këtë çështje mungesa ka në çdo sektorë, por edhe ka rast te tilla kur kryejnë punë që nuk janë të kualifikuar.
“Sipas informacioneve tona që mund të jenë edhe zyrtare në vitin 2021 dhe 2022, mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat të Kosovës e kanë lëshuar Kosovën, çka është më e rënda është ajo që këta punëtorë janë kryesisht punëtorë të kualifikuar të cilët, zbrazëtia e tyre në vendet e tyre të punës shkakton jashtëzakonisht humbje të mëdha, kryesisht për kompanitë private, ne jemi çdo ditë në terren dhe secili pronar i kompanisë i ka shqetësimet e veta sepse po i mungon stafi përkatës”.
“Mungesë të punëtorëve, e pronarët e kompanive nuk duan të deklarohen përndryshe mungesë të punëtorëve ka në secilin sektorë, megjithatë merreni me mend kur punëtorët e ndërtimtarisë hyn në proces të punës edhe një punëtorë i cili nuk ka asnjë kualifikim, punëtori i gastronomisë hyn në punë i cili nuk ka asnjë ditë pune praktike, andaj megjithatë po mbulohen disi por nuk mund të mbulosh punëtorin e kualifikuar me një punëtorë të pakualifikuar”.
Ndonëse thotë se ka rritje të vogël të pagave ai thotë se punëtorët teknik që kryejën shërbime edhe në institucionet qendrore paguhen deri në 180 euro.
“Ka një rritje po themi kështu të ndjeshme, me përjashtim të atyre punëtorëve që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore, sepse shumë kompani private kryejnë punë për institucionet shtetërore, lidhen marrëveshje kontraktuale, vetëm te këto kompani nuk ka lëvizje sepse Qeveria e Kosovës, ende po i mban punëtorët e sektorit privat të Kosovës me pagën 170 euro dhe këtu kemi punëtorët teknik të cilët po e përsëris kryejnë shërbime edhe në Zyrën e Kryeministrit edhe ministrit të Financave që janë përgjegjës për rritjen e pagave, këta punëtorë marrin pagë 180 euro, kurse te tjerat shërbime megjithatë kemi një ngritje, por asesi t’i plotësojë kushtet normale te jetesës”.
Duke folur për Ligjin për Pagën minimale ai tha se Qeveria nuk ka vullnet që ta zë në zbatim këtë ligj. Ai pohon se si Sindikatë jannë kundër pagës prej 264 euro, por që asnjëherë nuk janë pyetur për këtë çështje, raporton EO.
“Ligji për Pagën minimale unë kam një bindje që vullneti jo i mirë i Qeverisë së Kosovës ka mundur ta përfundojë këtë proces, normal që Ligji i Pagave herën e parë është bërë leximi i parë, në Parlamentin e Kosovës, është kthyer që Qeveria e Kosovës të bëjë disa përmirësime. Megjithatë ne e kemi thënë për pagën që e ka propozuar Qeveria e Kosovës, në një mënyrë të njëanshme më mirë le të mbetet kështu se sa të thotë e kam rritur pagën në 264 euro sepse ai nuk po na hyn në punë më neve”.