ATV

Tag: Jens Stoltenberg

  • Stoltenberg: NATO do ta ftojnë Ukrainën që të anëtarësohet kur të plotësohen kushtet

    Stoltenberg: NATO do ta ftojnë Ukrainën që të anëtarësohet kur të plotësohen kushtet

    Në samitin e sivjetmë të NATO-s që po mbahet në Vilnus të Lituanisë, një ndër temat kryesore do të jetë lufta në Ukrainë, njoftoi gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT nga kryeqyteti lituanez ku po mbahet ky samit.

    “Në një kohë të kritike për sigurinë, ende po zhvillohet lufta nga agresioni rus në Ukrainë, presidenti Volodimir Zelenski, do të jetë pjesë e këtij samiti dhe pritet të inaugurojë këshillin NATO-Ukrainë. Ky këshill ka një rëndësi të madhe për Ukrainën, duke i dhënë mundësi të organizojë takime dhe të ngritë çështje të ndryshme, megjithëse nuk është anëtare e NATO-s. Një kërkesë tjetër e Ukrainës është të bëhet anëtare e NATO-s sa më shpejtë. Shtetet anëtare të NATO-s po e marrin parasysh këtë kërkesë, por nuk ka ende një marrëveshje në lidhje me këtë çështje. Sot, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u pajtua me deklaratat e Jens Stoltenberg-ut, në të cilën thuhet se do të mundohen të bëjnë më të mirën për të mbështetur Ukrainën, por duhet të presin deri në një moment të qetësohet situata”, njoftoi Vitaku.

    Vitaku tregoi se në këtë samit, është diskutuar edhe mbrojtja e Ukrainës nga çdo lloj agresioni që mund të vijë.

    “Shtetet e tjera në nivel botëror po ndihmojnë Ukrainën, duke ofruar ndihmë financiare përveç investimeve të tyre të larta. Në këtë samit është diskutuar për të mbrojtur Ukrainën nga çdo lloj agresioni që mund të vijë”, tha Vitaku.

    Raportimin e plotë të gazetares së ATV-së, Flaka Vitaku, drejtpërdrejt nga vendi ku po mbahet samiti i NATO-s e gjeni në videon më poshtë:

  • Samiti i NATO-s në Lituani, gazetarja e ATV-së tregon se çfarë tha Stoltenberg për Kosovën

    Samiti i NATO-s në Lituani, gazetarja e ATV-së tregon se çfarë tha Stoltenberg për Kosovën

    Në samitin e këtij viti të NATO-s, që po mbahet në Vilnius të Lituanisë, Kosova nuk do të jetë në agjendë, njoftoi gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një transmetim të drejtpërdrejtë në emisionin DIREKT nga kryeqyteti lituanian ku po zhvillohet ky samit.

    Ajo tha se, edhe pse pritej që Kosova të ishte pjesë e agjendës, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit dhe rritjes së numrit të trupave të KFOR-it, Kosova nuk do të trajtohet në agjendë, përveç nëse dikush nga anëtarët e ngrit si çështje.

    Vitaku tregon se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërkuar një takim me kryetarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa ky i fundit, edhe pse u pyet nga gazetarët, nuk foli për këtë çështje.

    “NATO është aty për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës. Ne po zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. Kemi shtuar praninë tonë për shkak të ndotjes së situatës, dhunës dhe tensioneve që kemi vërejtur në disa javët e fundit”, iu tha gazetarëve nga kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg. /atvlive.tv

    Raportimin e plotë të gazetares së ATV-së, Flaka Vitaku, drejtpërdrejt nga vendi ku po mbahet samiti i NATO-s e gjeni në videon më poshtë:

  • Stoltenberg dhe Millatoviq kërkojnë uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë

    Stoltenberg dhe Millatoviq kërkojnë uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kanë ftuar Kosovën dhe Serbinë që të ulin tensionet mes tyre dhe të përqendrohen në kalimin e kësaj situate përmes dialogut.

    Këto komente ata i bënë në Bruksel gjatë vizitës së parë të presidentit të ri të Malit të Zi Millatoviq në selinë e NATO-s, ku u takua me Stoltenbergun dhe biseduan edhe për situatën në Kosovë.

    Stoltenberg tha se pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, NATO ka shtuar praninë e saj dhe përmes misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, angazhohet për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë.

    “I ftoj palët të ulin tensionet dhe të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është kyçe për qetësinë në Kosovë dhe për stabilitetin e gjithë rajonit”, tha shefi i NATO-s.

    Stoltenberg u shpreh se aleanca ushtarake perëndimore mirëpret përpjekjet e BE-së për të shtensionuar situatën në Kosovë.

    Me qëllim që të shtensionojë situatën, BE-ja më 22 qershor do të mbajë takime në Bruksel me liderët e Kosovës dhe Serbisë.

    “Situata në Kosovë dëshmon se prania e NATO-s është e rëndësishme. Ne do të jemi besnikë ndaj mandatit që kemi sipas rezolutës së OKB-së dhe kemi rritur praninë tonë në Kosovë si përgjigje ndaj rritjes së sfidave të sigurisë. Prania jonë është për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarëve në Kosovë. Në këtë drejtim, ne mbështesim edhe dialogun [midis Kosovës dhe Serbisë] dhe ftojmë palët që të përmbahen nga veprimet e njëanshme të cilat mund të përshkallëzojnë situatën”, tha ai.

    Ndërkaq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se për shtetin e tij stabiliteti i rajonit të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi të veçantë dhe angazhimi i përbashkët i NATO-s dhe BE-së e forcon sigurinë e tërë rajonit.

    Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

    Më 29 maj, serbët lokalë në Zveçan u përleshën me trupat e KFOR-it. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq./REL/

  • Biden anulon takimin me Stoltenberg për arsye shëndetësore

    Biden anulon takimin me Stoltenberg për arsye shëndetësore

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka shtyrë në momentet e fundit takimin e parashikuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg, për motive shëndetësore.

    Lajmi u dha nga Shtëpia e Bardhë e cila sqaron se presidenti Biden anuloi dhe disa takime të tjera pasi iu desh t’i nënshtrohej me urgjencë një procedure të dytë dentare.

    Presidenti Biden kishte dhimbje dhëmbi të dielën dhe u trajtua nga mjekët në Qendrën Mjekësore Kombëtare Ushtarake “Walter Reed”, por duket se problemet i janë rishfaqur një ditë më vonë dhe është parë e nevojshme ndërhyrja dentare.

    Jens Stoltenberg ka drejtuar aleancën ushtarake që nga viti 2014, periudhë gjatë së cilës mandati i tij është zgjatur tre herë. Në fillim të këtij viti, ai bëri të ditur se në fund të shtatorit do të largohet.

    Përpjekjet për zëvendësimin e tij janë intensifikuar ndërsa udhëheqësit e aleancës ushtarake prej 31 anëtarësh, mblidhen muajin e ardhshëm për takimin vjetor të nivelit të lartë, që mbahet në Vilnius të Lituanisë.

  • Stoltenberg përshëndet vendimin e Turqisë për dërgesën e trupave shtesë në Kosovë

    Stoltenberg përshëndet vendimin e Turqisë për dërgesën e trupave shtesë në Kosovë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka përshëndetur vendimin e Turqisë për të sjell trupa shtesë në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s.

    Kjo gjatë një adresimi për media, pas takimit të tij me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll.

    Ai tregoi se ka zhvilluar një takim shumë produktiv me Erdoganin, me pjesëmarrjen e anëtarëve të qeverisë së tij të re, duke theksuar rëndësinë e Turqisë dhe kontributin e saj në NATO.

    Ai vuri në dukje furnizimin e njësive ushtarake të Turqisë për misionin paqeruajtës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e madhe të këtij kontributi në një kohë të përshkallëzimit të tensioneve në veri.

    Stoltenberg, shprehu tutje falënderimet e tij për Turqinë për dërgimin e trupave, duke treguar për kontributet e tjera të saj në Irak, Ukrainë dhe vende të tjera.

  • Stoltenberg: Dera është e hapur për anëtarësimin e Ukrainës në NATO

    Stoltenberg: Dera është e hapur për anëtarësimin e Ukrainës në NATO

    Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten në Oslo se “dera e NATO-s është e hapur” për anëtarësimin e Ukrainës në aleancë dhe Rusia nuk ka “veto kundër zgjerimit të NATO-s”.

    Stoltenberg i bëri komentet në një takim jozyrtar të NATO-s të mbajtur në kryeqytetin norvegjez.

    Kur u pyet për sulmet me raketa në Kiev, Stoltenberg i quajti sulmet ndaj civilëve ukrainas “një krim lufte” dhe e krahasoi ato me sulmet terroriste të 22 korrikut të vitit 2011 në Norvegji.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kujtoi gjithashtu angazhimet dhe veprimet e ndërmarra tashmë nga aleatët e Kievit, veçanërisht në aspektin ushtarak, duke theksuar se është e nevojshme të krijohet një kornizë që garanton siguri për të parandaluar që historia të përsëritet.

    “Ne nuk e dimë se kur përfundon lufta, por duhet të sigurohemi që kur të përfundojë, ne kemi marrëveshje të besueshme për të garantuar sigurinë e Ukrainës në të ardhmen dhe për të thyer ciklin e agresionit të Rusisë”, tha Stoltenberg, shkruan Euronews.

  • Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë

    Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë

    NATO-ja është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e këtij vendi, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

    Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese, janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

    “NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, u tha Stoltenberg gazetarëve në margjina të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, shkruan REL.

    Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

    NATO-ja vendosi ta rriste misionin e saj prej 4.000 trupash në Kosovë edhe me 700 trupa shtesë, pasi 30 paqeruajtës të saj u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit, më 29 maj.

    Stoltenberg tha se dhuna kundër trupave të NATO-s është “krejtësisht e papranueshme”.

  • Stoltenberg: Jam i bindur se Ukraina do të jetë e suksesshme

    Stoltenberg: Jam i bindur se Ukraina do të jetë e suksesshme

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se i takon Kievit të vendosë se kur është koha e duhur për të nisur një ofensivë të re kundër ushtrisë pushtuese ruse.

    Ai tha se, bazuar në atë se sa kanë arritur forcat ukrainase deri më sot, ai është i bindur se “Ukraina do të jetë e suksesshme”.

    Stoltenberg i bëri komentet në një intervistë dhënë Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, si dhe kanalit Current Time.

    Të premten e 21 prillit, ai mori pjesë në një takim të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, i cili u mbajt në bazën ajrore, Ramstein, në Gjermani.

    Stoltenberg përsëriti deklaratën që bëri një ditë më parë në Kiev, se NATO-ja ka vendosur që Ukraina të bëhet anëtare e aleancës, por së pari duhet të mbizotërojë kundër Rusisë.

    “Përgjegjësia jonë si aleatë dhe partnerë të NATO-s është të ofrojmë sa më shumë pajisje dhe mbështetje për Ukrainën. E gjithë kjo mbështetje ka bërë një ndryshim të madh në fushëbetejë”, tha Stoltenberg.

    “Duhet të kujtojmë se Ukraina ka qenë në gjendje t’i largojë forcat ruse nga Kievi në veri… dhe më pas në [frontin] lindor – Harkiv – dhe më pas në jug dhe rreth Hersonit”, shtoi ai.

    “Forcat e armatosura ukrainase, trimëria e tyre, guximi i kombinuar me furnizime nga aleatët dhe partnerët e NATO-s, kanë treguar se ato kanë aftësi për të çliruar territore”, theksoi shefi i NATO-s në intervistën dhënë REL-it.

    Radio Evropa e Lirë: A mund të fitojë Ukraina në fushën e betejës, marrë parasysh faktin se furnizimi me avionë dhe armë me rreze të gjatë veprimi është duke u bllokuar nga partnerët e Ukrainës? Siç e dini, Rusia aktualisht ka epërsi ajrore…

    Jens Stoltenberg: Para së gjithash, mbrojtja ajrore është e rëndësishme dhe mund të bëhet me sisteme tokësore dhe me avionë. Fokusi tani është te sistemet e bazuara në tokë. Ukraina ka pranuar disa avionë nga Polonia dhe Sllovakia. Por, unë mendoj se duhet të bëjmë vlerësime dhe diskutime të mëtejshme për sistemet e reja, përfshirë avionët.

    Gjëja më e rëndësishme është të sigurohemi se të gjitha sistemet që janë tashmë atje, funksionojnë siç duhet. Kjo do të thotë se kemi nevojë për një sasi të madhe municionesh, pjesë këmbimi, mirëmbajtje, pajisje riparimi, për t’u siguruar që mijëra sisteme funksionojnë siç duhet. Kështu që, unë mendoj se mbajtja e këtij qëndrimi nga ana jonë është e rëndësishme, ndoshta edhe më e rëndësishme sesa diskutimi i sistemeve të reja.

    Radio Evropa e Lirë: Sipas vlerësimeve tuaja, edhe sa kohë do të jetë e aftë Rusia të vazhdojë luftën kundër Ukrainës?

    Jens Stoltenberg: Nuk do të spekuloj për këtë, sepse lufta, ose luftërat, janë të paparashikueshme për nga natyra. Dhe kurrë nuk duhet t’i nënvlerësojmë rusët. Ata kanë dëshmuar gatishmërinë e tyre për të ndërmarrë veprime agresive kundër Ukrainës.

    Lufta nuk ka filluar vitin e kaluar. Ka filluar në vitin 2014. Kjo është pikërisht arsyeja e mesazhit për të gjithë aleatët dhe partnerët e NATO-s, si dhe për Grupin e Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën – se ne duhet të jemi gati t’i qëndrojmë krah Ukrainës për një kohë të gjatë, sado që është e nevojshme.

    Mesazhi im për presidentin [e Ukrainës, Volodymyr] Zelensky dje [20 prill] në Kiev ka qenë se NATO-ja e ka mbështetur Ukrainën për shumë vite dhe se ne vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën sot, derisa ajo vazhdon të luftojë agresionin e presidentit [rus, Vladimir] Putin kundër vendit tuaj. Dhe, ne do të jemi me Ukrainën në të ardhmen, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

    Do të ishte tragjedi për ukrainasit nëse presidenti Putin fiton, por edhe rrezik për aleatët e NATO-s. Do të dërgonte një mesazh për të gjithë liderët autoritarë se kur përdorin forcën ushtarake për të marrë atë që duan, ata do ta bëjnë botën më të rrezikshme dhe aleatët e NATO-s më të cenueshëm. Kështu që, mesazhi im për aleatët e NATO-s është se është në interesin tonë të sigurisë që të garantojmë se Ukraina fiton dhe mbijeton si një vend sovran.

    Radio Evropa e Lirë: Mediat, veçanërisht Bloomberg, aktualisht po përhapin informacione – bazuar në burime natyrisht – se presidenti francez, Emmanuel Macron, synon ta përfshijë Kinën në tryezën e bisedimeve me rusët dhe ukrainasit. A jeni të informuar për këtë nismë dhe si e vlerësoni?

    Jens Stoltenberg: Para së gjithash, unë mendoj se Ukraina duhet të vendosë se kur është koha dhe kur lejojnë kushtet negociata për të ardhmen e saj. Së dyti, nuk ka shenja se presidenti Putin është gati për paqe. Ai po përgatitet për luftë. Dhe, së treti, ajo që ne dimë – megjithëse është shumë e vështirë të parashikohet përfundimi i kësaj lufte – është se lufta do të përfundojë.

    Ne e dimë se nëse përfundon në tryezën e bisedimeve, ajo që ndodh në atë tryezë negociuese, është e lidhur në mënyrë të pandashme me situatën në fushëbetejë.

    Pra, mënyra e vetme për të siguruar se presidenti Putin është i gatshëm ta pranojë Ukrainën si një vend sovran, të pavarur, dhe se kemi një zgjidhje të pranueshme, është që ne të ofrojmë mbështetje ushtarake për Ukrainën, për të forcuar rolin e saj në çdo negociatë të mundshme në të ardhmen.

    I takon Ukrainës të vendosë se cilat janë kushtet e pranueshme, na takon neve të sigurojmë që Ukraina ka forcë në fushëbetejë, e që na lejon të sigurojmë një zgjidhje të pranueshme për këtë luftë.

    Radio Evropa e Lirë: Keni thënë se të gjithë aleatët e NATO-s, më në fund, bien dakord se Ukraina duhet të bëhet pjesë e kësaj aleance. A do të jetë e mundur për Ukrainën… apo cilat janë shanset për të fituar anëtarësim gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius [që do të mbahet në korrik]?

    Jens Stoltenberg: Para së gjithash, mendoj se është e rëndësishme që NATO-ja ka vendosur që Ukraina të bëhet anëtare e aleancës. Unë kam deklaruar se Ukraina ka çdo të drejtë për një vend në familjen euroatlantike, si anëtare e aleancës, dhe për mbështetjen që ne i japim.

    Gjithashtu, pres që aleatët të bien dakord për një program shumëvjeçar, përmes të cilit ne do ta ndihmojmë Ukrainën që të kalojë nga standardet, pajisjet dhe doktrinat e epokës sovjetike në standardet e NATO-s. Doktrinat do ta ndihmojnë Ukrainën që të shkojë drejt anëtarësimit në NATO.

    Megjithatë, fokusi kryesor tani, natyrisht, është të sigurohemi që Ukraina fiton dhe jo presidenti Putin, sepse ne kemi nevojë për Ukrainën si një vend sovran dhe i pavarur në Evropë.

    Radio Evropa e Lirë: Gjatë rrugës për në NATO, Ukraina ka kërkuar një lloj garancie të sigurisë për të parandaluar sulmet e ardhshme mbi sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Në çfarë niveli është ky diskutim tani, për çfarë janë gati aleatët? Çfarë garancish mund të jepen dhe cilat vende janë të përfshira?

    Jens Stoltenberg: Është ende herët për të thënë diçka. E përsëris, ne nuk e dimë se si dhe kur do të përfundojë kjo luftë. Ajo që dimë, është se kur të mbarojë, duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet, që presidenti Putin nuk mund të vazhdojë ta shkatërrojë sigurinë e Evropës duke nisur luftëra të reja, duke bërë një luftë tjetër kundër Ukrainës.

    Pra, ne duhet të ulemi dhe të flasim për një kornizë të fortë, për një marrëveshje sigurie, që siguron se presidenti Putin nuk mund të vazhdojë të sulmojë një komb sovran dhe të pavarur.

    Nuk mund t’ju them saktësisht se si do të duket, por thjesht po them se përgjegjësia është e të gjithë neve për të siguruar që modeli i sjelljes agresive të presidentit Putin, ndalet. Prandaj, ne duhet të diskutojmë gjithashtu se si ta parandalojmë këtë në të ardhmen.

  • Stoltenberg: Vendi meritor i Ukrainës është në NATO

    Stoltenberg: Vendi meritor i Ukrainës është në NATO

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nga Kievi ka deklaruar se vendi i merituar i Ukrainës është në aleancë.

    Stoltenberg u prit nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kiev këtë të enjte, shkruan Skynews.

    “Vendi i merituar i Ukrainës është në NATO. Dhe me kalimin e kohës, mbështetja jonë do t’ju ndihmojë ta bëni këtë të mundur”, deklaroi Stoltenberg.

    Ai premtoi mbështetje të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën, duke thënë se, deri më tani, aleatët e NATO-s kanë trajnuar dhjetëra mijëra trupa ukrainase dhe kanë ofruar vetëm 65 miliardë euro ndihmë ushtarake.

    “NATO qëndron me ju sot, nesër dhe për aq kohë sa duhet”, tha Stoltenberg, përpara se të ftonte Zelenskyy në samitin e NATO-s në Vilnius në korrik.

    “Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë kjo luftë, por ne e dimë se agresioni rus është një model toksik që duhet të ndalet. Kështu që ne duhet të vazhdojmë të forcojmë forcat e armatosura të Ukrainës. Dhe ne duhet të sigurojmë se janë vendosur marrëveshje të fuqishme dhe të fuqishme për sigurinë e Ukrainës” tha ai.

    Ndërsa ishte në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm vizitoi Buçën dhe bëri nderimet e tij për viktimat.

    Ai vendosi gjithashtu një kurorë në Murin e Kujtimit të të Rënëve për Ukrainën, duke bërë homazhe për të gjithë të rënët.