ATV

Tag: Jeffrey Hovenier

  • Hovenier: Qeveria e Kosovës po na habit me refuzimin e kërkesave të miqve të saj

    Hovenier: Qeveria e Kosovës po na habit me refuzimin e kërkesave të miqve të saj

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuara me faktin se Qeveria e Kosovës nuk është duke ndërmarrë hapa konkretë për shtensionimin e situatës në veri të shtetit.

    Duke folur në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, Hovenier, tha se kryeministri kosovar, Albin Kurti, duhet të nisë zbatimin e planit trepikësh të propozuar nga Bashkimi Evropian për dalje nga situata e tensionuar në veri.

    Ky plan, sipas ambasadorit Hovenier, është ajo çfarë përveç SHBA-së, kërkon BE-ja si dhe Mbretëria e Bashkuar.

    “Miqtë e Kosovës, vendet dhe institucionet që më së shumti kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po kërkojnë nga Kosova, nga kjo Qeveri që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe që të zbatojë planin trepikësh të BE-së”, tha Hovenier.

    Plani trepikësh i kërkon Kosovës shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Hovenier tha se është e habitshme se pse nuk ka një përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës.

    “Jemi të habitur. Është e vështirë për neve ta kuptojmë se përse kjo kërkesë nuk merr përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, tha ambasadori Hovenier.

    Hovenier nuk përjashtoi pasoja të tjera për Kosovën në rast se Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.

    “Është e qartë se do të ketë disa pasoja tjera nëse vazhdojmë në këtë rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj, nga të gjitha shtetet, që kanë treguar një apo dy dekada përkushtim që të shohin Kosovën duke zëne vendin e saj në Evropë dhe në strukturat euroatlantike”, tha Hovenier.

    Ai mohoi zërat kritik se SHBA-ja është duke u treguar më e ashpër me Kosovën se me Serbinë, duke thënë se edhe nga Serbia është duke u kërkuar zbatimi i planit trepikësh.

    Duke komentuar dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në komunat veriore, Hovenier, tha se ajo nuk është mënyra më e mirë për të mbajtur situatën në kontroll si dhe përmendi, siç tha ai, shqetësimet e shfaqura nga qytetarë të pjesës veriore për praninë e madhe të zyrtarëve policorë të njësive speciale të Kosovës.

    Përkundër mospajtimeve, Hovenier, tha se SHBA-ja e konsideron kryeministrin Kurti partner porse siç tha ai, Kurti duhet të punojë drejt shtensionimit të situatës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Hovenier tha se kryetarët aktualë duhet të ushtrojnë detyrën në vende tjera alternative deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Kjo sipas tij do t’i kontribuonte shtensionimit të situatës atje.

    Hovenier tha se në zgjedhjet e ardhshme lokale në komunat veriore, të banuara me shumicës serbe, SHBA-ja pret dalje në zgjedhje të qytetarëve të këtyre katër komunaleve dhe se për këtë janë në diskutime me serbët lokalë në Kosovë si dhe me Beogradin zyrtar.

    Ambasadori Hovenier tha se duhet të shihet me shqetësim letra e tetë senatorëve amerikanë që iu drejtua presidentit amerikan, Joe Biden, për të shprehur shqetësimin e tyre për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

  • Hovenier e pret Krasniqin në një drekë pune në rezidencën e tij

    Hovenier e pret Krasniqin në një drekë pune në rezidencën e tij

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është pritur në një drekë pune sot në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier.

    Ai tha se diskutimet me Hovenierin ishin “të frytshme”.

    “Raporti i Kosovës me SHBA-në është i shenjtë, i pazëvendesueshëm dhe i përhershëm. Diskutime të frytshme dhe miqësore me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, sot, gjatë një dreke pune në rezidencën e tij”, ka shkruar Memli Krasniqi.

    Takimi i ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, vjen pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës.

  • ​Hovenier pas takimit me Kurtin: De-eskalimi i situatës në veri, urgjencë

    ​Hovenier pas takimit me Kurtin: De-eskalimi i situatës në veri, urgjencë

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin Albin Kurtin, ka thënë se është urgjencë de-eskalimi i situatës në veri, raporton KP.

    Para mediave, Hovenier, diskutimin me Kurtin, e ka cilësuar si të mirë dhe produktiv.

    Ai ka thënë se me Kurtin kanë biseduar edhe për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

  • BBC raporton për sanksionet e ShBA-së ndaj Kosovës

    BBC raporton për sanksionet e ShBA-së ndaj Kosovës

    Media britanike, BBC, ka shkruar për situatën në veri të vendit dhe për “sanksionet” që dje Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia bënë Kosovës.

    Sipas BBC-së, protestuesit serbë janë përpjekur që të pushtojnë ndërtesat e komunave mes trazirave për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në veri.

    NATO do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë pasi tha se 30 nga paqeruajtësit e saj dhe 52 protestues u lënduan në përleshjet në Zveçan.

    “Kriza daton që nga prilli, kur serbët etnikë bojkotuan zgjedhjet lokale në veri të Kosovës – duke i lejuar shqiptarët etnikë të marrin kontrollin e komunave me një pjesëmarrje prej më pak se 4%”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

    BBC raportoi edhe për sanksionet që ShBA i dha Kosovës, duke e përjashtuar nga stërvitja “Defender Europe 23”, që vështirë të ketë vizita bilaterale mes zyrtarëve të lartë të ShBA-së e Kosovës dhe ndaljen e lobimit të Shteteve të Bashkuara për njohje të reja.

  • “Duhet ta fikni zjarrin në shtëpi”, Hovenier thotë se nuk do të ketë shumë durim për ta pritur përgjigjen e Kurtit

    “Duhet ta fikni zjarrin në shtëpi”, Hovenier thotë se nuk do të ketë shumë durim për ta pritur përgjigjen e Kurtit

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shpalosur disa detaje rreth kërkesave të ndërkombëtarëve karshi Qeverisë së Kosovës, pas tensioneve në komunat veriore.

    Në një takim me gazetarët në Prishtinë dhe pas përjashtimit të Kosovës nga ushtrimi “Defender Europe 2023” dhe ndalimit të lobimit te shtetet mosnjohëse, diplomati amerikan u shpreh se ShBA-të po mendojnë edhe për marrjen e veprimeve të tjera.

    Për këtë, gazetari Adriatik Kelmendi e ka pyetur Hovenierin se sa kohë do t’i jepet kryeministrit Albin Kurti për t’iu përgjigjur kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, transmeton Paparaci.

    Përgjigja e ambasadorit ishte se “nuk do të kenë shumë durim”.

    “Ne mendojmë se kjo është një situatë shumë urgjente. Krahasimet që i kam bërë është sikur ta kesh shtëpinë në zjarr. Duhet ta fikni zjarrin. Pra, nuk mendoj se do të shihni shumë durim nga ana e SHBA-së në raport me pritjet tona për qeverinë që të ndërmarrë veprime për të depërshkallëzuar situatën në veri”, tha ai.

    “Më lejoni të jem i qartë, janë dy gjëra që po i kërkojmë qeverisë t’i bëjë për të deshpërshkllëzuar, jam i lumtur të jem specifik: ne besojmë se qeveria nuk duhet të insistojë se kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, qeveria ishte në gjendje të gjejë lokacione tjera për betimin e tyre. Nuk mund të kuptojmë se përse nuk mund të përdorin ato lokacione të njëjta publike apo alternative për t’i kryer funksionet e tyre, që janë funksione administrative. Jemi “on the record”, këta kryetarë kanë një rol të rëndësishëm të luajnë për sa i përket administratës, por ky nuk është një aranzhim normal dhe nuk kanë mandate të forta nga elektorati i tyre për të ndërmarrë iniciativa të fuqishme”, shtoi ai.

    “Prandaj nuk e kuptojmë se përse ka insistim për të punuar nga ndërtesat komunale dhe ne besojmë që prezenca e Policisë së Kosovës, e cila u bë me forcë, është jashtëzakonisht sfiduese, dhe kemi kërkuar nga Qeveria që t’i tërheqë forcat policore nga tri ndërtesat. Mendojmë se kjo do të depërshkallëzonte situatën”.

  • ​Hovenier në Kuvendin e Kosovës

    ​Hovenier në Kuvendin e Kosovës

    Pas takimit me kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier është larguar nga Zyrat e Bashkimit Evropian dhe raportohet se është parë të hyjë në objektin e Kuvendit të Kosovës.

    Mëngjesin e sotëm, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur para objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë.

    Në mesin e tyre ka edhe njerëz me maska, e për të cilët Instituti Octopus ka ngritur shqetësimet se mund të ketë të gatshëm për sulme terroriste.

    Policia e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it kanë shtuar praninë, ndërkohë që serbët në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të pjesëtarëve të institucionit të sigurisë së Kosovës.

    Po ashtu sot rreth orës 9:00 kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, janë takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

    Më 26 maj, Policia e Kosovës i ka ndihmuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit për të hyrë në zyrat komunale, me gjithë kundërshtimet e ashpra të disa banorëve serbë vendas, që kanë çuar në përleshje me pjesëtarët e policisë.

  • Pas takimit me kryetarët e veriut, Hovenieri i shkon në zyre presidentes Osmani

    Pas takimit me kryetarët e veriut, Hovenieri i shkon në zyre presidentes Osmani

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përfunduar takimin në Zyrën e BE-së në Prishtinë.

    Aty ai ka pritur dy nga katër kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave në veri të Kosovës.

    Izmir Zeqir nga Zubin Potoku dhe Ilir Peci nga Zveçani kanë qenë në takim, ndërkohë që kryetari i Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut nga VV nuk kanë shkuar.

    Pas përfundimit të këtij takimi, Jeffrey Hovenier ka vazhduar drejt zyrës së Presidencës.

  • ​Hovenier për kryetarët në veri: Të shmanget forca për hyrje në objektet komunale

    ​Hovenier për kryetarët në veri: Të shmanget forca për hyrje në objektet komunale

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se duhet të shmanget çdo konflikt dhe përplasje që qon në rritjen e tensioneve me betimin e kryetarëve të rinj në veri.

    Ambasadori Hoveniver, pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, katha se Amerika nuk mendon se është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave, shkruan Klankosova

    “I kam bërë disa komente edhe gjatë ditës së djeshme, të njëjtat i diskutova edhe sot. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se kjo gjë duhet të ndodhë në një mënyrë që shmang konfliktet dhe përplaset që mund të qojnë në rritjen e tensioneve në veri. Ne jemi për zgjidhjen e kësaj çështjeje në mënyrë të mirë, ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë të qasshme”, ka thënë Hovenier.

  • Hovenier krenohet me ekipin, e prezanton me mysafiren Power

    Hovenier krenohet me ekipin, e prezanton me mysafiren Power

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, njofton se sot e ka mirëpritur administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në objektin e ambasadës.

    Me anë të një postimi në Twitter ai shprehet se e ka prezantuar atë me ekipin, siç e cilësoi, të përkushtuar.

    “Çdo ditë, jam mirënjohës për kontributin e tyre në avancimin e prioriteteve tona strategjike, duke përfshirë mbështetjen për një Kosovë gjithëpërfshirëse, demokratike dhe ekonomikisht të begatë”, shkroi Hovenier.

  • Ambasadori amerikan thotë se dezinformimi në Kosovë është në rritje

    Ambasadori amerikan thotë se dezinformimi në Kosovë është në rritje

    Konferenca për Integritetin e Informacionit organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), mbështetur nga USAID në Kosovë, “Disicion”, ka mbledhur ekspertë të ndryshëm të fushës së teknologjisë, sigurisë kibernetike, mediave si dhe përfaqësues të qeverisë, për të diskutuar rreth sigurisë kibernetike, qasjes gjithëpërfshirëse dhe dezinformimit si kërcënim, raporton EO.

    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili ka marrë pjesë në hapjen e kësaj konferenca tha se në Kosovë dita ditës po rritet dezinformimi.

    Sipas tij, shteti që përfaqëson është i interesuar që të rritet siguria kibernetike dhe e informacionit.

    “Dezinformimi në Kosovë është i vazhdueshëm dhe gjithnjë po rritet. Prandaj prioritet kryesore është rritja e sigurisë kibernetike dhe informacionit, kjo përfshin edhe ndalimin e dezinformatave”.

    AnnaCarin Platon, shefe e Sektorit Politik në Zyrën e Bashkimit Evropian, kërcënimet kibernetike i ka quajtur sfidë globale, për këtë ka kërkuar edhe angazhimin e të gjithë në këtë luftë.

    “Kërcënimi i sigurisë kombëtare është sfidë globale dhe kërkon që ne të punojmë së bashku. Këto kërcënime kibernetike janë rritur dhe po rrezikojnë që të qojnë edhe në eskalim konflikti mes shteteve”.

    “Reformat vendore dhe bashkëpunimet ndërkombëtare janë të domosdoshme për ta adresuar këtë çështje në Ballkanin Perëndimor. Është me rendësi që të ketë mekanizma që të mbikëqyr sigurinë kibernetike”.

    Në temën “Siguria kibernetike: A është dezinformimi kërcënimi i radhës?”, edicioni i 5-të do të fokusohet kryesisht në kornizën ligjore të Kosovës për sigurinë kibernetike dhe dezinformimin si kërcënim kibernetik nga një perspektivë globale.

    Gjithë gjithë ditës do të mbahen panele të diskutimit në lidhje me këtë çështje. Pjesëmarrës në konferencë është edhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti.