Atasheu ushtarak amerikan, kolonel Jeffrey Fischer, intervistë CONTEXT në ATV, vlerësoi lartë kapacitetet e FSK-së, sidomos programin i partneritetit shtetëror me shtetin e Ioëa-s të SHBA-së.
Ai tha se këto veprime do ta ndihmojnë Kosovën që të afrohet më shumë drejt NATO-s dhe për këtë liderët duhet ndërtuar një strategji për këtë.
“Mendoj se pika kyçe në të cilën Kosova duhet të tentojë të arrijë, dhe shpresoj se liderët janë duke e ndërtuar një strategji për këtë, është çështja se si angazhohesh me Spanjën, dhe në vend se të jeni të inatosur me ta, sepse Spanja nuk do ta njohë Kosovën, duhet të gjeni mënyra se si të angazhoheni me ta dhe t’i bëni ata që të ndryshojnë mendjen dhe të thonë: “në rregull e kuptojmë”, sepse kur kjo të ndodhë, kjo është një votë më shumë për anëtarësim në NATO. Dhe të gjithë në NATO duhet të votojnë, sepse është një organizatë që bazohet në konsensus, andaj veprimet si këto të shpien edhe më afër, dhe prapë, Kosova po bën të gjitha gjërat e duhura, ka një shtet tjetër në veri të Kosovës që duket se nuk po bën gjënë e duhur”, tha Fischer. /atvlive.tv
Atasheu ushtarak amerikan, kolonel Jeffrey Fischer, intervistë CONTEXT në ATV, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tani është një një situatë të vështirë, pasi që është i rrethuar nga NATO dhe aleti i tij, Rusia po e humb luftën.
“Presidenti Vuçiq është në një situatë të vështirë. Nuk do të doja të isha në vend të tij. Ai tërësisht është rrethuar nga NATO-ja dhe aleati i tij numër një është në një luftë të cilën po e humb, 100-200 mijë ushtarë të vrarë, tani ka raportime nga vija e frontit se grupi mercenar “Wagner” në fakt po lufton ushtarët rusë. Një nga citatet e mija të preferuar nga Napoleoni është: “Kurrë mos i pengoni armikut kur ai është duke e bërë një gabim”, andaj nëse forcat ruse po e luftojnë njëra-tjetrën, kjo është një mundësi e shkëlqyer, ndërsa sa i përket Serbisë dhe presidentit Vuçiq, çfarë mundësi ka ai… është duke e shikuar perëndimin, duke e shikuar NATO-n, Bashkimin Evropian dhe duke e shikuar aleatin e tij i cili po dështon në mënyrë spektakolare”, tha Fischer.
Ai tha se sjellja e mirë e Kosovës po shpërblehet nga perëndimi, pasi kohëve të fundit ka shënuar progres në disa tema të rëndësishme.
“Unë kam qenë i stacionuar në Kosovë për dy vite si atashe i mbrojtjes dhe kam qenë pilot gjatë luftës në 1999-ën, unë e dua Kosovën andaj jam pak i njëanshëm. E dua vendin. Por, këtu qëndron çështja. Arsyeja pse e dua Kosovën është se ata nuk ia qëllojnë gjithmonë në herën e parë, por është njëjtë si të bëhet një tortë dhe të ketë përmirësime vazhdimisht. Në fund keni një tortë, dhe keni këto vlera demokratike perëndimore dhe ka aspirata që të ketë lidhje me konstruktet perëndimore dhe evropiane. Dhe për t’u treguar i sinqertë, këto konstrukte si NATO-ja apo BE-ja, ato shpërblejnë sjelljen e mirë, shpërblejnë administrimin e mirë të veprimeve kombëtare dhe mendoj se kur shohim gjëra si kjo qeveri aktuale që po tenton të lëvizë para pak më shumë me njohjen e komunave me shumicë serbe, në mënyrë “magjike” gjithashtu shohim një politikë të liberalizimit të vizave për zonën shengen. Ju mund të shihni gjëra të tilla, në të cilat Kosova është duke përparuar. Në anën tjetër, te pala serbe shihni se si nëse vazhdoni të silleni si aktor i keq, atëherë nuk ju ofrohen mundësi të mira, dhe kjo është gjë e mirë për Kosovën”, tha Fischer. /atvlive.tv
Atasheu ushtarak amerikan, kolonel Jeffrey Fischer, intervistë CONTEXT në ATV, duke folur për zhvillimet në Ukrainë, tha se sulmi i pretenduar i ukrainasve me dron në Kremlin është pjesë e fushatës ruse të dezinformimit, pasi që sipas tij, sulmi ishte i vogël dhe po të ishte në të vërtetë cak i ushtrisë së Ukrainës, nuk do të ishte aq i vogël si me mjete piroteknike.
“E kam parë videon, mendoj se kjo është pjesë e fushatës ruse të dezinformimit. Duhet të shohim dhe të presim lidhur me informacionet me këtë, por shpërthimi ishte shumë i vogël, do të mendonit se nëse Ukraina po bënte gati një plan ta sulmonte Kremlinin, po të shkonin deri aty nuk do të kishin një shpërthim kaq të vogël, ne bëmë shaka prapa kamerës se unë kam parë mjete më të forta piroteknike në një koncert të muzikës rok, madje më të mëdha, kështu që koha do ta dëshmojë, por ose është një strategji me të vërtetë e keqe nga Ukraina ose ky është edhe një herë një rast i propagandës ruse”, tha Fischer.
Ai tha se Ukraina është duke bërë luftë për ta mbrojtur territorin e vet dhe jo që ta sulmojë Rusinë.
“Kjo është një pyetje e shkëlqyer, dhe mendoj se ka arsye për shqetësim se Rusia do ta shfrytëzojë këtë edhe nëse ata e nxitën atë, që të thonë se jemi sulmuar në shtetin tonë. Unë kam thënë disa herë se nëse njerëzit në Ukrainë nuk mund të flenë të qetë natën dhe kanë frikë se mund të sulmohen, atëherë nëse jeni në luftë me një shtet tjetër, njerëzit e atij shteti gjithashtu duhet të frikësohen. Unë shpesh kam thënë se mbështes sulmet ukrainase në territoret e Rusisë, përshkallëzimet që kemi parë janë ngritur që prej shpërthimit masiv në fabrikën e karburanteve, dhe që nga kjo kohë kemi parë një ngritje të aktivitetit”, theksoi Fischer.
Koloneli tha se pos Ukrainës, nga loja e Rusisë nuk mund të ndahet as edhe Ballkani, në rastin konkret Serbia dhe Kosova, pasi që sipas tij, të gjitha janë pjesë e lojës.
“Unë besoj se nuk mund të ndani asgjë që prek Rusia, qoftë nëse bëhet fjalë për Ukrainën, Transistrinë, Osetian Jugore, “konfliktet e ngrira”, apo Serbinë dhe Kosovën, ato të gjitha janë pjesë e lojës, gjithashtu do të thosha se Kina, përkundër se nuk është në konflikt, gjithashtu është në lojë. Dhe Vladimir Putini dhe Rusia kanë vepruar si manipulues që kanë drejtuar gjithçka në këto vende të ndryshme, duke tentuar që të ndezin zjarre, konflikte të cilat do ta tërhiqnin vëmendjen larg tij dhe asaj që ai po bën në Ukrainë, ndoshta që do ta përshkallëzonin luftën, ndoshta që do ta nxisnin NATO-n të ndërhynte, sepse ai po humb luftën dhe mendoj se e vetmja shpresë për të është që ta shpëtojë Kina, nëse Kina siguron fondet, armët, ushtarët, dhe në këtë pikë Kina nuk po e bën këtë, dhe ai duhet t’ia dëshmojë Kinës se ka pasur një lloj përshkallëzimi që do të kërkonte ndërhyrje të Kinës dhe deri në këtë pikë, ai nuk ka arritur ta bëjë këtë”, vlerësoi koloneli amerikan Jeffrey Fischer. /atvlive.tv