ATV

Tag: Ivica Daçiq

  • Tre ditë pas sulmit terrorist në Banjskë, Daçiq takon ministrin britanik

    Tre ditë pas sulmit terrorist në Banjskë, Daçiq takon ministrin britanik

    Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, dhe ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Leo Dockerty, ranë dakord se vazhdimi konstruktiv i dialogut Kosovë-Serbi ës është çelësi i stabilitetit rajonal dhe i sigurisë.

    Siç njofton MPJ-ja e Serbisë, Daçiq e ka njoftuar ministrin britanik për zhvillimet e fundit në Kosovë pas sulmit terrorist të së dielës ku u vra polici Afrim Bunjaku.

    Në bisedë u theksua rëndësia e forcimit të mëtutjeshëm të dialogut mes Britanisë dhe Serbisë në nivelin më të lartë dhe më të lartë, thuhet në njoftimin e ministrisë që drejtohet nga Daçiqi, transmeton Klankosova.tv.

    Ky takim vjen tre ditë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku u vra polici Afrim Bunjaku.

  • Gërvalla në tryezë me Daçiqin në Panelin për Ballkanin Perëndimor në Bled, i pranishëm edhe Lajçak

    Gërvalla në tryezë me Daçiqin në Panelin për Ballkanin Perëndimor në Bled, i pranishëm edhe Lajçak

    Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla do të marrë pjesë sot në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

    Në panelin “Ballkani Perëndimor: Gjithçka po ndryshon, por gjithçka mbetet e njëjtë?”, ku do të diskutohen perspektivat e rajonit në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të jetë i pranishëm edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

    Përpos Gërvallës e Daçiqit pjesë e kësaj tryeze që mbahet pasdite është edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Pjesëmarrës në të do të jenë edhe kryediplomatja sllovene, Tanja Fajon, anëtari i Këshillit të Shtetit të Francës, Alexandre Adam, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Megi Fino, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe ai i Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq.

  • Daçiq paralajmëron për “destabilizim të rajonit”

    Daçiq paralajmëron për “destabilizim të rajonit”

    Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se “aktet e njëanshme” të autoriteteve të Kosovës rrezikojnë ta destabilizojnë rajonin dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që t’i marrin seriozisht ato.

    Deklarata e Daçiqit vjen pasi grupe serbësh në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok u mblodhën të hënën për të kundërshtuar edhe një herë kryetarët e rinj të këtyre komunave në veri të Kosovës – që të gjithë shqiptarë – të zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

    “Prishtina është kërcënimi më i madh për paqen dhe stabilitetin rajonal për momentin”, tha Daçiq.

  • Daçiq: “Serbia shumë e prekur” me vendimin e KiE për anëtarësimin e Kosovës

    Daçiq: “Serbia shumë e prekur” me vendimin e KiE për anëtarësimin e Kosovës

    Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se është koha që të bien maskat dhe të përcaktohet nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti dëshiron apo nuk dëshiron të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “Çdo ditë jetojmë në problemin nëse Kurti do të shkaktojë ndonjë konflikt. Në vend të normalizimit, kemi një përshkallëzim të mëtejshëm. Kemi ardhur në pikën ku duhet hequr maskat – a do ta formojë Kurti Asociacionin apo jo”, ka deklaruar Daçiq për televizionin në shërbim të regjimit serb, “TV Pink”.

    Nëse Kurti nuk dëshiron ta bëjë këtë, atëherë, sipas Daçiqit, ”vlen edhe ajo që ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq – se ne nuk jemi marrë vesh për asgjë, ndërsa nëse dëshiron ta formojë Asociacionin, atëherë duhet parë se mbi çfarë baze do të jetë”.

    “Ai në mënyrë të “paligjshme” ka zëvendësuar ekipin menaxhues dhe po mendon për veprime të njëanshme, si t’i fusë kryetarët e komunave në zyrat në veri dhe këtë nuk do ta lejojnë serbët”, kërcënon haptas Daçiq, transmeton Paparaci.

    Ai ka përkujtuar se zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, sot do të bisedojnë në Bruksel në nivel teknik.

    “Të shohim se çfarë do të bëjmë më pas”, ka shtuar Daçiq.

    Kur është fjala për samitin e ardhshëm të Këshillit të Evropës, ai përsëriti se Serbia është “thellësisht e prekur nga vendimi joparimor” i Komitetit të Ministrave për të filluar pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

    “Si përgjigje ndaj kësaj, ne përgatitëm një amendament të Deklaratës, e cila flet për integritetin territorial të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, ku kërkuam që kjo deklaratë të vlejë edhe për të gjithë anëtarët të tjerë, por as kjo nuk i pëlqeu Gjermanisë”, ankohet Daçiq.

    Ai ka shtuar se në Samitin e Këshillit të Evropës në vend të presidentit Vuçiq do të shkojë ambasadorja e Serbisë në atë organizatë, Aleksandra Gjuroviq.

  • Pozhari: Daçiq e mori përgjigjen e duhur nga Gërvalla

    Pozhari: Daçiq e mori përgjigjen e duhur nga Gërvalla

    Analisti Xhevdet Pozhari, në emisionin DIREKT në ATV, tha se ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e mori përgjigjen e duhur nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila dje në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e akuzoi homologun serb për krime lufte.

    “Nuk paraqet kurgjë mendësi kjo që e ka bërë Daçiq. Me të drejtë Gërvalla i tha se ti i takon kohës së Millosheviqit dhe jo rastësisht i kanë thënë ‘Slloba’ i vogël, ngase në të kaluarën, Serbia këto taktika i ka përdorur. Ka dashur që të mbjellë urrejtje ndër shqiptare, të çojë edhe deri në vëlla vrasje. Gjithmonë njihet sistemi i UDB-së që ka pasur një rol tepër aktiv dhe sot vjen në një situatë përfaqësuesi i fytyrës së regjimit më të tmerrshme të Millosheviqit, zëdhënësi i tij Daçiq, t’ia thotë këto bijës së një atdhetari që është vrarë nga dora e zezë e UDB-së nën diktatin e atmosferës së atëhershme të Serbisë, është tepër e ulët”, tha Pozhari. /atvlive.tv

  • Gërvalla ia thotë në sy Daçiqit në OKB: Je përgjegjës për vrasje masive në Kosovë

    Gërvalla ia thotë në sy Daçiqit në OKB: Je përgjegjës për vrasje masive në Kosovë

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkoi që kryediplomati serb, Ivica Daçiq të sillet para drejtësisë ndërkombëtare.

    Ajo në tri gjuhë, në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe e akuzoi Daçiqin për krime lufte, vrasje masive dhe përdhunime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    “Ivica Daçiq tani ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë është përgjegjës për vrasje masive, dhunim si armë e luftës dhe krime lufte. Ai duhet të sillet para drejtësisë, para një tribunali për krime lufte…Nga viti 1992 deri në vitin 2000 ishte dora e djathtë e kasapit të Ballkanit, Millosheviq.”, tha ajo, përcjell kp.

    Kryediplomatja kosovare, në fjalinë e parë porsa mori fjalën u ankua që nuk u lejua të flasë në gjuhën shqipe në seancën e Këshillit të Sigurimit në OKB, ku po diskutohet raporti për Kosovën.

    Përkitazi me këtë ajo tha se raporti i UNMIKU-ut për Kosovën ka gabime të mëdha.

    Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Gërvalla u shpreh se kur Kosova nënshkruan diçka e mban fjalën, ndryshe nga Serbia që marrëveshjen i bën vetëm si farsë.

    Në anën tjetër, Gërvalla tha se Rusia si aleati më i afërt i Serbisë është kërcënim për Kosovën dhe rajonin.

    Mirëpo, ajo nënvizoi se Kosova nuk do të jetë kurrë më e pambrojtur.