ATV

Tag: IPA III

  • Dy ditë pas “një vote kundër”, Mali i Zi nënshkruan marrëveshje me Kosovën

    Dy ditë pas “një vote kundër”, Mali i Zi nënshkruan marrëveshje me Kosovën

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    Dy ditë pasi deputetja e Malit të Zi, Maja Vukiçeviq, votoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, Qeveritë e dy shteteve nënshkruan një marrëveshje në kuadër të programit të Bashkimit Evropian për bashkëpunim ndërkufitar IPA III.

    Pas firmosjes së ujdisë, përmes së cilës dy vendet përfitojnë 8.4 milionë euro nga BE-ja, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja malazeze për Çështje Evropiane, Maida Gorçeviq, qartësuan pozicionet.

    Duke krahasuar qëndrimet e deputetes Vukiçeviq me ato të Listës Serbe, Bislimi tha se Mali i Zi, si shtet, nuk votoi kundër anëtarësimit të Kosovës.

    “Ajo që është me rëndësi është që vota e zonjës Vukicevic nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Republikës së Malit të Zi, i cili qëndrim nuk ka ndryshuar nga data 9 Tetor 2008, kur Mali i Zi ka vendosur të njohë Republikën e Kosovës. Por, votat si kjo tregojnë se sa është i rëndësishëm intensifikimi i bashkëpunimit dhe margjinalizimi i veprimeve të tilla”, deklaroi Bislimi.

    Ministrja malazeze Gorçeviq, bëri dallim mes votës së bashkëvendëses së saj dhe qëndrimit shtetëror.

    “Votimi i deputetëve të caktuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk nënkupton edhe qëndrim të Qeverisë së Malit të Zi. Zonja Vukicevic atje paraqiti qëndrimin e saj dhe të partisë së saj dhe dua të përkujtoj se Qeveria e Malit të Zi, e cila ka karakter heterogjen, megjithatë, pavarësisht shumicës parlamentare, është në koalicion dhe pjesë e marrëveshjes ishin edhe disa obligime. Këtu përfshihet edhe përkrahja ndaj Kosovës si shtet sovran. Andaj dua të nënvizoj se Mali i Zi në takimin e ministrave në maj do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në të gjitha çështjet e ardhshme në aspektin e euro-integrimeve”, tha Gorçeviq.

    Jo diçka të re, i vlerësoi zëvendëskryeministri Bislimi votat kundër nga Serbia.

    “Serbia veçse i ka shkelë pothuajse të gjitha nenet e marrëveshjes bazike, por ndoshta pa qëllim ata i kanë bërë një nder Kosovës me prezencën e tyre, sepse kanë ndihmuar në formimin e kuorumit, rrjedhimisht ata i kanë bërë një shërbim indirekt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por duke shkelë në të njëjtën kohë marrëveshjen bazike dhe duke ekspozuar qëndrimin e tyre ndaj fqinjësisë së mirë që për ne përbën vlerë shumë të rëndësishme”, shtoi tutje Bislimi.

    Ndryshe, të mërkurën, dy nga tri votat e Malit të Zi në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës ishin në favor të anëtarësimit të Kosovës.

    Marrëveshja e nënshkruar të premten, sipas qeverive të dy shteteve, do të ndihmojë në avancimin e marrëdhënieve, thellimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e zonave ndërkufitare, me theks turizmin./atvlive.tv/

  • Nënshkruhet sot marrëveshja Kosovë-Mali i Zi për IPA III

    Nënshkruhet sot marrëveshja Kosovë-Mali i Zi për IPA III

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, do të nënshkruajnë marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

    Nënshkrimi pritet të bëhet në orën 13:30. Pas ceremonisë së nënshkrimit do të mbahet konferencë për media.

    Kurse, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të mbajë konferencën përfundimtare të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II për Malin e Zi-Kosovë 2014-2020. Do të marrin pjesë ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq.

  • Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi sot në Kosovë

    Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi sot në Kosovë

    Ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, sot do ta vizitojë Kosovë, ku edhe do të nënshkruajnë marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

    Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, do të ndodh pas një takimi që do ta ketë me zëvëndëskryeministrin Besnik Bislimi.

    Ajo fillimisht do të marrë pjesë në konferencën përfundimtare që organizon Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, lidhur me Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II për Malin e Zi-Kosovë 2014-2020. Në këtë konferencë, do të marrë pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zv.shef i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, z. Alessandro Bianciardi, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, kryetarë e përfaqësues të komunave nga zona e programit, OJQ etj.