ATV

Tag: IKD

  • IKD: Numri i lëndëve të pazgjidhura në fushën civile është dyfishuar

    IKD: Numri i lëndëve të pazgjidhura në fushën civile është dyfishuar

    Dyfish më shumë lëndë të pazgjidhura u grumbulluan në gjykata, gjatë vitit 2022, krahasuar me një vit më parë.

    Sipas raportit “Drejtësia civile 2022”, i hartuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, viti 2022 ka shënuar rekord të lëndëve të pazgjidhura, të cilat barten vit pas viti, me 99.407 lëndë të pazgjidhura.

    “Sipas të njëjtës formulë, mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve nga Gjykata e Apelit, është 638 ditë apo 1.7 vjet. Kështu, në total, kohëzgjatja e një lëndë civile nga momenti i parashtrimit në gjykatë e deri në momentin kur ajo përfundon në Gjykatën e Apelit është gjithsej 5.5 vjet. Mesatarja e përgjithshme e kohëzgjatjes së lëndëve gjyqësore, qartazi flet për një trajtim të lëndëve gjyqësore civile, brenda një afati jo të arsyeshëm kohor. Në këtë drejtim, IKD-ja ka gjetur se kanë ndikuar shumë faktorë, duke nisur nga keqadministrimi i institucioneve administrative dhe performanca e gjykatave, e edhe administrimi jo adekuat i drejtësisë”, tha Aurela Mërlaku, hulumtuese në IKD.

    Gjykata më e ngarkuar me lëndë është ajo e Prishtinës me gjithsej 32 mijë e 453 lëndë, ndërsa gjykata më e pak e ngarkuar del të jetë Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Zubin Potok, me gjithsej 39 lëndë në punë.

    “Për të marrë epilog një lëndë civile, vetëm në shkallë të parë, qytetarët duhet të presin gjithsej 3.8 vjet. Sipas të njëjtës formulë, mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve nga Gjykata e Apelit është 638 ditë apo 1.7 vjet. Kështu, në total, kohëzgjatja e një lënde civile, nga momenti i parashtrimit në gjykatë e deri në momentin kur ajo përfundon në Gjykatën e Apelit, është gjithsej 5.5 vjet”, tha Nuraje Bllaca, hulumtuese në IKD.

    Situatë më e komplikuar paraqitet te kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve, lidhur me çështjet pronësore në shkallë të parë.

    “Zvarritja në këto raste është një zvarritje më specifike se zvarritja në përgjithësi e rasteve, për arsye se mesatarja e trajtimit të rasteve pronësore del të jetë 9 vjet e 3 muaj në shkallë të parë, krahasuar me rastet që dalin nga kontratat kolektive, nga analizimi i 20 aktgjykimeve të tilla del të jetë mesatarja e trajtimit 1 vit e 7 muaj. Kjo diferencë e madhe bën që sistemi i drejtësisë në vitin 2022 të anashkalojë trajtimin e rasteve pronësore dhe të fokusohet në rastet e kontratave kolektive”, tha Bllaca.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi ka monitoruar gjithsej 492 seanca gjyqësore të natyrës civile, vitin e kaluar.
    Prej tyre, 401 seanca janë mbajtur, derisa 91 të tjera janë shtyrë.

    Arsyeja më e madhe e shtyrjes së seancave gjyqësore ishte mungesa e paditësit, në plot 37 raste pasuar nga mungesa e të paditurit në 35 raste.

    Por, në jo pak raste, edhe vetë gjykatësit kanë qenë arsye pse seancat gjyqësore në rastet civile janë shtyrë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:

  • ​IKD: Qeveria në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses për pensionet kontributdhënëse

    ​IKD: Qeveria në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses për pensionet kontributdhënëse

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se Qeveria në kundërshtim me afatet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ka vendosur për Projektligjin për Skemat Pensionale. Sipas IKD-së, në këtë mënyrë rrezikohen të drejtat e mijëra pensionistëve

    IKD ka shkruar se Gjykata ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që jo më larg se data 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.

    “Në të njëjtën kohë, këto dispozita do të shfuqizohen me 15 korrik 2023. Në rastin kur Qeveria nuk respekton këtë datë, do të jenë qytetarët ata që do të pësojnë më së shumti. Ata do të detyrohen të paguajnë avokatë për të ngritur padi në Gjykatat Themelore për të gëzuar të drejtën e pensionit kontributdhënës sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për shkak se do të gjenerohen shpenzime procedurale, kjo situatë mund të dëmtojë edhe buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

    Sipas IKD-së, Qeveria po tregohet e papërgjegjshme duke mos zbatuar kërkesat e plota që dalin nga aktgjykimi.

    “Por, Qeveria ka planifikuar që projektligjin që synon të adresojë kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në Qeveri, ta miratoj me 30 korrik 2023. Afati i përcaktuar nga Qeveria është në kundërshtim me kërkesat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në sistemin kushtetues të Kosovës, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë ekuivalente me normën kushtetuese. Kështu, ky veprim i Qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet nga IKD.

    IKD ka shkruar se veprimet e nevojshme për adresimin e kërkesave në bazë të aktgjykimit nënkuptojnë hyrjen në fuqi të projektligjit të ri për skemat pensionale me 15 korrik 2023 dhe jo miratimin e projektligjit në Qeveri me 15 ditë vonesë.

    Instituti ka theksuar se Kuvendi i Kosovës shkon në pushim në fund të muajit korrik dhe fillimi i punës së Kuvendit nis të hënën e dytë të muajit shtator, që sipas tyre, miratimi final i projektligjit do të bëhet me vonesë prej disa muajve.

    “IKD shpreh shqetësimin e thellë për papërgjegjshmërinë e Qeverisë së Kosovës në lidhje me mos zbatimin e kërkesave të plota që dalin nga Aktgjykimi në rastin nr. KO190/19. Vonesat në miratimin e këtij projektligji nga Qeveria shkelin të drejtat e mijëra pensionistëve të Kosovës dhe paraqesin mos zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.

    IKD kërkon që me rastin e miratimit të projektligjit në Qeveri, të respektohen standardet minimale të pjesëmarrjes së publikut në konsultime publike me qytetarë dhe grupeve të interesit dhe më pas një projektligj i tillë të miratohet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që ky ligj të hyj në fuqi jo më vonë se data 15 korrik 2023.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar paragrafin 2 të nenit 8 te Ligjit për skemat pensionale, sepse është përfunduar që në mënyrë diskriminuese përmes këtij neni mijëra qytetarë duke mos e përmbushur kriterin e përvojës prej 15 viteve pune para janarit të viti 1999, nuk e kanë gëzuar pensionin kontributdhënës, por vetëm atë të moshës.

  • IKD: Kuvendi u injorua nga Qeveria

    IKD: Kuvendi u injorua nga Qeveria

    Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka vlerësuar të dobët punën e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2022.

    IKD ka thënë se Kuvendi nisi punën pa miratuar Programin e Punës për vitin 2022, edhe pse një program i tillë parashihet me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, dhe pa miratuar edhe programin e punës të sesionit vjeshtor në seancë plenare.

    Ndërsa, tha se viti 2022 e karakterizoi Kuvendin me numër të madh të pikave të rendit të ditës nga seancat e mbetura nga viti 2021.

    “Seancat e rregullta të Kuvendit janë karakterizuar me vazhdime të shumta të seancave, që përbëjnë 53% të totalit të seancave të rregullta. Kontrolli parlamentar lidhur me punën e qeverisë dhe mbikëqyrjes së institucioneve të pavarura pothuajse ka qenë inekzistent. Në së paku 18 raste, Kuvendi ka dështuar të miratojë raportet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe agjencive të pavarura. Po ashtu, ka dështuar në 18 raste të zgjedhë organet kolegjiale dhe inviduale, duke bërë pengesë të funksionimit të tyre”, thuhet në raportin e IKD-së nga monitorimi i punës së Kuvendit për vitin 2022.

    Sa i përket llogaridhënies së Qeverisë përballë Kuvendit, IKD-ja ka gjetur se Kuvendi u injorua nga Qeveria, përderisa Kryetari i Kuvendit apo Kryesuesi i seancës nuk morën masa ndaj Qeverisë, ashtu siç kërkohet me Rregullore.

    “Edhe kjo legjislaturë, është karakterizuar nga gjuha jo parlamentare, polarizimi i skajshëm ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe po ashtu ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar”, thotë raporti i cili është prezantuar nga Naim Jakaj.

    Në raport thuhet se gjatë vitit të kaluar 9% e deputetëve janë përballur me ligjin.

    Kurse, theksohet se transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit mbetet sfidë.

    “Mbledhjet e komisioneve parlamentare vazhdojnë të mos transmetohen nga Kuvendi. Ndërsa jashtë funksionit mbetet votimi elektronik në seancat plenare, duke pamundësuar informimin e qytetarëve për votat e tyre”.

    Në lidhje me aktivitetin legjislativ, puna e Kuvendit është përcjellë me joefikasitet, sipas IKD-së.

    “Në secilën seancë plenare, projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën për shkak të mungesës së kuorumit nga ana e shumicës parlamentare dhe mos pjesëmarrjes së opozitës në procesin e votimit. Në fund të vitit 2022, Kuvendi nuk i ka shqyrtuar në parim nëntë projektligje dhe në lexim të dytë dy projektligje. Përkundër faktit që i ka shqyrtuar, Kuvendi nuk ka arritur të vendosë për tre projektligje në lexim të parë dhe për një projektligj në lexim të dytë. Këto projektligje janë bartur për shqyrtim dhe votim në sesionin pranveror të vitit 2023”.

    Kuvendi, për më tej, nuk e ka votuar asnjë projektligj të sponsorizuar nga ana e grupeve parlamentare opozitare (4 prej tyre), në ndërkohë ka votuar për dy projektligje të sponsorizuara nga grupi parlamentar i shumicës parlamentare.

    Jakaj ka thënë se Kuvendi ka rritur përdorimin e praktikës së shmangies së afateve të parapara me rregulloren e Kuvendit në lidhje me shqyrtimin e projektligjeve të rëndësishme.

    “11% e projektligjeve janë miratuar në procedurë të përshpejtuar, ku në të shumtën e rasteve, përshpejtimi u propozua nga GP i LV-së”.

  • Sipas IKD-së, Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit

    Sipas IKD-së, Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit

    Lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet sfidë për sistemin e drejtësisë.

    Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, pasi numri i rasteve të pazgjidhura u rrit për 314 lëndë.

    “8 personave që janë akuzuar për korrupsion si persona të profilit të lartë, vetëm një prej tyre është akuzuar gjatë kohës sa ka qenë zyrtarë, ndërsa 7 të tjerë kur të njëjtit e kanë përfunduar funksionin e tyre për çka akuzohen. Kjo lë një shije te publiku se Prokurori i Shtetit po akuzon vetëm personat e profilit të lartë në një kohë kur ata vetëm po e humbin fuqinë e jo gjatë kohës sa të njëjtit janë duke ushtruar pozicionet e tyre zyrtare për të cilat akuzohen”, tha Gzim Shala nga IKD.

    Njëjtë vlerësohet edhe trajtimi i rasteve gjyqësore. Në fillim të vitit 2022 gjykatat e shkallës së parë kishin 275 lëndë të korrupsionit e përkundër që qëllimi ishte zvogëlimi i këtij numri, në fund të vitit 2022, ky numër u rrit për tetë lëndë.

    “KD gjatë monitorimit ka gjetur raste të korrupsionit për të cilat aktakuza është ngritur qysh para 14 vitesh. Pra, ka aktakuza të cilat janë ngritur qysh nga viti 2009. Janë diku rreth 9 raste të korrupsionit aktakuzat e të cilave janë ngritur prej vitit 2009 deri në vitin 2015 që tregon për mos efikasitet por edhe për neglizhencë të trajtimit të rasteve të korrupsionit duke e ditur që tash edhe në vitin 2023 këto lëndë ende nuk kanë marrë një epilog përfundimtar”, tha Lavdim Makshana nga IKD.

    Ndërkohë as Gjykata e Apelit nuk u tregua më efikase. Për dallim nga fillimi i vitit 2022 kur Apeli kishte 8 lëndë të pazgjidhura në fund të vitit numri ishte rritur në 19 lëndë. /atvlive.tv