ATV

Tag: Hysni Gucati

  • Pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Gucati: Shmangni udhëtimet nëpër territorin e Serbisë

    Pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Gucati: Shmangni udhëtimet nëpër territorin e Serbisë

    Pas arrestimit të një tjetër ish-ushtarit të UÇK-së, Mithat Llozhani, nga autoritetet serbe, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka bërë thirrje që veteranët, familjet e dëshmorëve dhe qytetarët të shmangin udhëtimin nëpër territorin e Serbisë, raporton Ekonomia Online.

    Gucati ka paralajmëruar se ndalimet, sipas tij, po bëhen mbi bazën e listave dhe verifikimeve nga ana e Serbisë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka paraqitur versionin zyrtar të Beogradit, duke deklaruar se arrestimi është bërë nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile.

    “Kemi bërë një apel veteranëve sidomos, familjeve të dëshmorëve, mos i bini nëpër territorin serb se duke parë këto listat që i ka Serbia, tash në dorë që i ka ndërru, tani duke bërë verifikim, vetëm duke i ndalë pjesëtarët e UÇK-së. Edhe a i ndalë pjesëtarët e UÇK-së vetëm me tregu pak forcën që unë e bëj këtë punë. Ka këtë mundësi me i ndalë njerëzit, një vit, dy vjet apo sa po i ndalin nëpër burgje. Tani, unë nuk e di deri kur duhet me u bind veteranët, apo te kur duhet me u vetëdijësu, ne duke bërë apel. Ne i kemi përbetu në Zot, mos shkoni nëpër territor të Serbisë. As qytetarë është mire mos me i ra, se lëre më pjesëtarë të UÇK-së me i ra nëpër territorin serb me shku asajde”, tha ai.

    Ai ka shtuar se ndalimet, sipas tij, po krijojnë stres të madh për familjet dhe po i japin argumente Serbisë.

    “Tash le qe familja në stres, e është vetë në stres, po nuk është e hijshme me i dhënë argumente shtetit serb me shku asajde. Edhe me të blloku, tash një Zot e di kur i lirojnë ata. Unë e di që e ka angazhuar një avokat ai, dje e kam dëgjuar përmes mediave elektronike dhe kam dëgjuar që është ndalë një pjesëtar i joni. Ai djali ka qenë në Shqipëri një kohë të shkurtër, ka bërë disa ushtrime, po me rëndësi veteran është i UÇK-së. Nuk po muj me thanë që s’është. Është veteran, se ka qenë në uniformë. Kështu është saktë informacioni që e kam, veç e di që është pjesëtar i UÇK-së. E di edhe unë e lypa në listat e organizatës së veteranëve, është pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

    Në vazhdim, Gucati ka shprehur keqardhje për familjen e të ndaluarit dhe ka ngritur shqetësime lidhur me kartelën e veteranit.

    “Më vjen keq, më së pari për familjen e tij, për fëmijët e tij, për atë, pse hyn nëpër territor të Serbisë. Edhe më e keqja, po flitet, nuk jam i sigurt, gjithmonë po flas në bazë mediave, që atij ju paska zënë edhe kartela e veteranit në xhep. Kartela nuk i vynë në Gjermani, as në Kroaci a s’ka kund. Pse kartelën me veti? Kështu që më vjen keq nëse ju ka zënë dhe kartela në xhep, unë jam shumë keq për atë. Kështu që unë ju bëj apel edhe veteranëve, invalidëve e familjeve të dëshmorëve mos bien pre e ktyne, e kësaj rrugës famëkeqe për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë duke rënë në grackat e Serbisë”, tha ai.

    Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mithat Llozhani, është arrestuar dje nga autoritetet serbe në kufirin mes Serbisë dhe Koracisë dhe derisa po udhëtonte nga Gjermania drejt Serbisë.

    Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka dhënë versionin zyrtar të autoriteteve serbe lidhur me arrestimin dhe ndalimin e Mit’hat Lozhanit, i cili sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) është ndaluar vetëm pse në xhep i është gjetur kartela e anëtarësisë së veteranit.

    Daçiq ka deklaruar se Lozhani është arrestuar në Pikën Kufitare të Batrovcit nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.

    Kujtojmë që më 21 janar të këtij viti, është liruar 77-vjeçari Haziri Haziri i cili ishte arrestuar më 8 shtator të 2025-ës në Merdare, po ashtu nën pretendime për krime lufte.

  • Haga s’konfirmon nëse ka liruar Gucatin: Nëse merret vendim, bëhet publik në faqen tonë

    Haga s’konfirmon nëse ka liruar Gucatin: Nëse merret vendim, bëhet publik në faqen tonë

    Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë sot se Gjykata Speciale e ka liruar nga burgu, Hysni Gucatin.

    Megjithatë nga Schveningeni s’kanë dhënë ndonjë konfirmim, duke thënë se nëse do të ketë vendim publik për këtë çështje, ai do të bëhet publik në faqen e Dhomave të Specializuara.

    “Nëse dhe kur nxirret një vendim publik për këtë çështje, ai do të jetë i disponueshëm në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara”, ka thënë një zëdhënës i Speciales për Express.

    Dhomat e Specializuara i kanë shpallur fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

    Në dënim atyre iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

  • Gashi thotë se Gjykata Speciale e ka liruar Hysni Gucatin, javën e ardhshme vjen në Kosovë

    Gashi thotë se Gjykata Speciale e ka liruar Hysni Gucatin, javën e ardhshme vjen në Kosovë

    Gjykata Speciale ka aprovuar kërkesën e Hysni Gucatit për lirim të parakohshëm nga burgu në Hagë.

    Lajmin e ka bërë të ditur ish-ushtari i UÇK-së, Astrit Gashi.

    Gashi ka thënë se Gucati do të jetë në Kosovë javën e ardhshme.

    “Lirohet Hysni Gucati ndërsa , Gjykata Speciale bene skandalin e radhës ndaj, Nasim Haradinaj të cilit nuk i aprovon kërkesën për lirim të hershëm.!
    Gjykata speciale e humbi krentibilitetin e saj me arrestimin Nasim Haradianjt dhe Hysni Gucatit Haradinajt per dosjet qe rrjedhën nga gjykata! Tregojë që nuk është aspak humane kur nuk e lirojë Nasim Haradinajn ne varrimin e vëllait të tij i cili ndërroj jetë muaj më parë
    Gjykata Speciale duke ditur se po shkel të gjitha të drejtat me elementare njerëzorë po tenton përmes shantazhit të beje presion ne djemtë me te mire të luftës por Nasim Haradinaj nuk thyhet, nuk u thye as kur regjimi barbar burgosi babain e tij Ismail Haradinajn , vëllain 14 vjeçar Agronin në varrimin e te cilit gjykata speciale nuk e lejoj të vijë për të perdore si forme presioni ndaj Gjeneralit që se humbi asnjë beteje Nasim Ismail Haradinaj.
    Me këto veprime të turpshme kjo gjykatë e sponsorizuar nga kuzhinat e Putinit po behet njollë e zeze e drejtësisë evropiane.
    Edhe çka duhet të ndodhe që ky popull të dele ne rrugë dhe te protestoj kundër kësaj prokurorie fashiste e cila nuk u interesa asnjëherë per 20 mije shqiptarë të vrarë por ne emër te drejtësisë po bashkëpunon me kriminel lufte!
    (Hysni Gucati vjen të merkurën në Kosovë)
    LIRIA KA EMER, LIRI PËR ÇLIRIMTARËT”, shkruan Gashi në njoftim./Indeksonline.

  • Vendimi i Supremes për Gucatin e Haradinaj pritet pas shtatorit

    Vendimi i Supremes për Gucatin e Haradinaj pritet pas shtatorit

    Mbrojtja e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt po e presin me kureshtje vendimin e Gjykatës Supreme në Hagë. Kjo pasi nëse edhe Supremja e ulë sado pak dënimin për dy udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës, atëherë kjo do të mund të sillte lirimin e të dyve.

    Kështu ka deklaruar avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman. Ai ka thënë se vendimi i Apelit nuk pritet para shtatorit.

    “Përgjigja e Konsoliduar e Prokurorisë ndaj ankesës sonë u dorëzua më 3 korrik 2023 dhe përgjigja jonë do të dorëzohet deri më 3 gusht 2023. Pas kësaj, Kolegji i Gjykatës Supreme ka 60 ditë për të nxjerrë vendimin e tij. Në ankesën tonë ne kemi kërkuar seancë gojore, por gjykata ende nuk ka vendosur për këtë. Ne nuk parashikojmë që Kolegji i Gjykatës Supreme të nxjerrë një vendim shumë përpara fillimit deri në mes të shtatorit”, ka thënë Cadman.

    Avokati i Haradinajt thekson se pritjet e tij janë që Haradinaj të lirohet menjëherë. Sipas tij, secila ulje e dënimit, nënkupton lirimin.

    “Ne presim që ankesa të përcaktohet në mënyrë të drejtë dhe të pavarur nga Kolegji i Gjykatës Supreme dhe se i vetmi rezultat i drejtë do të ishte prishja e vendimit të Kolegjit të Gjykatës së Apelit dhe urdhërimi i lirimit të menjëhershëm të z. Haradinaj nga paraburgimi. Kolegji i Gjykatës Supreme, në parim, mund të urdhërojë rigjykim ose të zvogëlojë dënimin. Çdo ulje e dënimit do të nënkuptonte përfundimisht lirimin e z. Haradinaj nga paraburgimi. Megjithatë, përderisa ne kërkojmë një lirim të plotë, mund të spekulojmë vetëm për rezultatin e apelit”, deklaroi Toby Cadman.

    Nasim Haradinaj e Hysni Gucati ishin dënuar fillimisht me nga 4 vjet e gjashtë muaj burgim. Pas ankesës në Gjykatën e Apelit, dënimi u reduktua në 4 vjet e e tre muaj. Duke ditur se të dy janë arrestuar në shtatorin e vitit 2020, atëherë një pjesë e madhe e dënimit është mbajtur.

    Si rezultat, Toby Cadman ka bërë të ditur se ata do të kërkojnë lirimin e parakohshëm të Nasim Haradinajt.

    “Z. Haradinaj do t’i ketë arritur së shpejti dy të tretat e dënimit të tij, prandaj kualifikohet për lehtësim të dënimit, ose lirim të hershëm. Ne jemi në procesin e përgatitjes së kërkesës dhe unë do të takohem me z. Haradinaj këtë javë për ta diskutuar më tej çështjen. Pikëpamja jonë është që ka bazë të fuqishme për ta përkrahur kërkesën e tij për lirim të hershëm”, ka thënë avokati Toby Cadman.

    Gjykata Speciale kohë më parë kishte caktuar edhe penalin që do të merret me këtë rast. Kryetare e këtij paneli është caktuar e para e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Pastaj gjyqtarja Christine van den Wygnaert dhe Daniel Fransen.

    Krerët e OVL-UÇK-së ishin dënuar për ndikim në drejtësi, dëmtim të provave e frikësim të dëshmitarëve. Kjo ndërlidhur me dosjet të cilat ishin publikuar në shtatorin e vitit 2020 në disa konferenca për media.

    Aty, Gucati e Haradinaj theksuan se po e dëshmojnë bashkëpunimin e Prokurorisë së Hagës me Serbinë.