ATV

Tag: Haxhi Shala

  • Telashe me financim për avokatët e të akuzuarve në Hagë

    Telashe me financim për avokatët e të akuzuarve në Hagë

    Avokatët Mbrojtës të Haxhi Shalës, Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, nuk po paguhen nga Ministria e Drejtësisë.

    Me këtë rast, u kërkua edhe pezullimi i procedurës gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Hagës, derisa çështja e pagesës të rregullohet.

    Avokati mbrotjës i Januzit, tha se kërkesën për financim në MD e kishte adresuar në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

    “ Mbrojtja e Januzit ka bërë kërkesë në përputhje me kriteret e saj më 4 dhjetor 2023. Sipas kritereve, Ministria e Drejtësisë duhet të krijojë një komision për t’i dhënë përgjigje kësaj kërkese brenda 10 ditësh. Ne i kemi kërkuar vazhdimisht MD-së që të trajtojë këtë kërkesë brenda dhjetë ditësh të parashikuara dhe më pas këtë e kemi bërë përmes një korrespodencë inter-partes ku MD-ja kërkoi që ta shtyjmë këtë çështje, ndërkohë që do të zgjidhnin çështjen e mungesës së numrit të duhur të personave që do të merrnin pjesë në komision”, thotë Jonathan Elystan Reese, avokati mbrojtës i Sabit Januzit.

    Avokati Reese kërkoi afate urgjente për çështjen e pagesave. E nëse kjo nuk ndodhë, sipas tij do kërkohet epilogu i Kushtetueses.

    Me këtë pajtohet avokatja mbrotjëse e Ismet Bahtjarit.

    “Dua ta mbështesë parashtrimin e z.Reese dhe të bëjë të njëjtën kërkesë në emër të Z.Bahtjari. Ne jemi në të njëjtën gjendje. Kemi bërë një numër kërkesash pranë Ministrisë së Drejtësisë për t’i dhënë përgjigje kërkesës sonë për financim dhe kur u bë e qartë që ky takim i Komisionit nuk do të mbahej gjatë javës së shkuar, unë e njoftova vetë zyrën administrative se kishte një problem. Të njëjtën gjë bëra edhe me ZPS-në.”, u deklarua Felicity Gerry Kc, avokate mbrotjëse e Ismet Bahtjarit.

    Pavarësisht telasheve të financimit, avokati i Haxhi Shalës tha se ai do vazhdojë ta mbrojë klientin e tij.

    “ Edhe ne jemi të prekur në të njëjtën mënyrë. Ajo që mund të them është se unë i kam premtuar Z.Shala se pavarësisht financimit, ne do të vazhdojmë ta përfaqësojmë atë. Sigurisht, që kemi nevojë për një vendim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ne e kemi diskutuar me z.Shala çështjen e sigurimit të fondeve përmes DhSK-së në qoftë se Ministria nuk jep përgjigjen e duhur. Por, z.Shala është i paraburgosur për një periudhë prej dy muajsh dhe nuk duam që të ketë vonesa me tej të kësaj çështje”, u shpreh Toby Cadman, avokat mbrotjës i Haxhi Shalës.

    Kërkesat për pezullim të procedurës janë kundërshtuar nga prokurorja e Zyrës së Prokurorisë Speciale, Jasmine Shahabbudin.

    Nicholas Guillou, gjyqëtari i procedurës paraprake tha se në rast të mospagesës së mbrotjes nga ana e MD-së, alternativë është sistemi i ndihmës financiare pranë DhSK-së dhe se ata do të paguhen ose nga ky sistem ose me mjete vetanake të vet të akuzuarve./ATVLIVE.TV/

  • Haxhi Shala deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë në Hagë

    Haxhi Shala deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë në Hagë

    Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala është deklaruar i pafajshëm për pikat me të cilat e akuzon prokuroria në Hagë.

    Shala e ka bërë deklarimin e tij të premten në konferencën e parë mbi ecurinë e çështjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.

    Prokuroria në Hagë e ngarkon Shalën me aktakuzë me tri pika: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.

    “Plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Shala kur është pyetur se si deklarohet lidhur me tri akuzat.

    Aktakuza kundër Haxhi Shalës u konfirmua më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ai u arrestua më 11 dhjetor, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

    Për çfarë dhe cilën periudhë akuzohet Haxhi Shala?

    Shala akuzohet për tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale, tha të mërkurën në seancë gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

    Sipas aktakuzës, në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin (të dy të akuzuar nga Specialja), kontaktuan një dëshmitar.

    Aktakuza thotë se ata, veçmas, takuan dëshmitarin, në dy raste, “për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.

    Kjo sjellje tregon se Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare, thuhet në aktakuzë.

    Si do të zhvillohet procesi?

    Në muajin tetor, janë arrestuar dhe transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, të cilët, sipas Speciales akuzohen për “frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.

    Prokuroria ka propozuar, më 13 dhjetor, që çështja Januzi dhe Bahtijari të bashkohet me çështjen Shala në një gjykim të vetëm.

    Lidhur me këtë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) pritet të dorëzojë parashtrimin për një aktakuzë të përbashkët deri më 12 janar të vitit 2024, datë kjo që u bë e ditur nga urdhri i gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, të premten.

    Kësaj kërkese, mbrojtja do të mund t’i përgjigjet jo më vonë se 19 janari, ndërkaq kundërpërgjigja e prokurorisë mund të bëhet deri më 26 janar.

    Në konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin kundër Haxhi Shalës, u tha se afati i prokurorisë për nxjerrjen e materialeve është 26 janari, muaj ky që pritet të shënojë përfundimin e hetimeve të prokurorisë në këtë çështje.

    Sipas prokurorisë, materialet do të dorëzohen për të dy lëndët “me shpresën që nga 26 janari të mund të bashkohen çështjet në një të vetme”.

    Para gjykatësit të procedurës paraprake, prokuroria bëri të ditur se lloji i provave që synojnë të përdorin përfshinë materiale të dokumentuara, të dhëna nga lidhjet telefonike, transkripto nga deklarata të ndryshme dhe dëshmitarë.

    Ndërkaq mbrojtja tha se gjatë arrestimit, Shalës i janë dhënë pak informacione lidhur me krimet për të cilat akuzohet.

    Si rrjedhojë, mbrojtja deklaroi se ka nevojë të shqyrtojë materialet dhe theksoi nevojën që prokuroria t’i dorëzojë të gjitha materialet e nevojshme në një kohë të përshpejtuar.

    Rastet tjera në këtë gjykatë

    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

    Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

    Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njëherësh ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

    Ndaras, në një proces tjetër gjyqësor gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.

    Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë.

    Vetë Shala ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

    Më 14 dhjetor Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka ulur për katër vjet dënimin ndaj ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Një vit më parë, Mustafa ishte është dënuar në shkallë të parë më 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

    Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

    Së fundi ata janë liruar, nën disa kushte.

    Këtë vit, Specialja e ka arrestuar edhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengim të drejtësisë. /REL

  • Haxhi Shala paraqitet sot para Gjykatës, aktakuza e tij lidhet me Januzin e Bahtijarin

    Haxhi Shala paraqitet sot para Gjykatës, aktakuza e tij lidhet me Januzin e Bahtijarin

    Haxhi Shala u arrestua të hënën, më 11 dhjetor 2023, në Kosovë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të fletarrestimit, urdhrit për transferim dhe Aktakuzës së Konfirmuar, të lëshuara nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    Haxhi Shala u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dje, më 12 dhjetor 2023.

    Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Haxhi Shalës më 4 dhjetor 2023. Versioni i redaktuar publik i Aktakuzës së Konfirmuar gjendet në faqen e internetit të DHSK-së. Ditën e arrestimit, i akuzuari mori një kopje të Aktakuzës në gjuhën e tij amtare. Sipas Aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të z. Januzi dhe z. Bahtijari me dëshmitarin 1.

    Në të thuhet gjithashtu se, me udhëzim të z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

    Sipas Aktakuzës, kjo sjellje tregon se z. Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona  zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në Aktakuzën e Konfirmuar Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim; dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

  • Specialja vazhdon aksionet, intervistohet Haxhi Shala

    Specialja vazhdon aksionet, intervistohet Haxhi Shala

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    njohur si komandant Topi, për më shumë se 8 orë, është intervistuar nga zyrtarët e zyrës së prokurorit të specializuar, në selinë e EULEX-it në Prishtinë.

    Përveç intervistimit, Zyra e Prokurorit të specializuar, ka kryer bastisje edhe në pronat e tij në Prishtinë dhe në Banjë të Malishevës.

    Ndonëse nuk pranoi të flasë para kamerave, bashkëshortja e Haxhi Shalës, tha për ATV-në, se nuk di detaje rreth intervistimit të tij dhe se Shala ende nuk ka avokat.

    Ndërkaq, sipas vëllait të Haxhi Shalës, Avni Shala, Komandant Topi dyshohet për pengim të drejtësisë.

    “Arsyet po thonë për pengim të drejtësisë, tjetër gjë nuk ka. Ai ka ardhur prej Prishtinës, sepse ka pasë me dergu babën në spital në Prizren, Ka pasur forca të shumta të EULEX-it, ka zgjatur rreth 30 minuta. Nuk kanë konfiskuar ndonjë gjë. Këto arrestime janë të paligjshme. Kjo gjykatë është e padrejtë. Shkojnë dhe i marrin njerëzit, veç pse kanë dhënë kontribut për vendin”, tha Shala.

    Sipas tij, Shala është intervistuar edhe më herët nga Specialja.

    “Telefoni i është konfiskuar verës, në Hagë ka qenë në intervistë më herët, qysh e kanë thirrë, iu është përgjigjë ftesës. Drejtësisë nuk i ikë, nuk kemi pse me ikë”, tha Shala.

    Për këto aksione, ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku. Sipas tij, qëllimi i këtyre bastisjeve, është mbulimi i dështimit të Gjykatës Speciale.

    Në anën tjetër, përveç se aksionet janë të vazhdueshme, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk dha detaje të tjera për ATV-në, lidhur me bastisjet.

    Kjo nuk është hera e parë që Zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë kryer bastisje.

    Muajin e kaluar, ata bastisën në pronat e ish-bashkëpunëtorëve të Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të komunës së Malishevës, Isni Kilaj, derisa ky i fundit është arrestuar nën dyshimin për pengim të drejtësisë.