ATV

Tag: Hajrulla Çeku

  • ​Çeku: Qëllimi i grupit terrorist ishte dëmtimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike

    ​Çeku: Qëllimi i grupit terrorist ishte dëmtimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro për mbështetje të familjes së rreshterit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku. Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, u tha se në sulmin e së dielës, ku nga grupet terroriste u vra Bunjaku, qëllimi i tyre ishte edhe dëmtimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se do të jenë gjithmonë pranë familjes, e cila dha një hero.

    “Në mbështetje të familjes të heroit Afrim Bunjaku të rënë në detyrë, propozoj që të aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumën prej 50 mijë euro, e cila ndahet nga shpenzimet e paparashikuara”, njoftoi Murati.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë, përveç që i mori jetën një polici kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore.

    “Manastiri ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit, monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligjet e Kosovës, u përdor si strehë nga grupi terrorist, përfshirë armatimin e tyre. Për dijeninë e të gjithëve, Manastiri i Banjskës u ndërtua në pjesën e parë të shekullit 14 mbi rrënojat e një kishe të vjetër të hershme, paleokristiane. Ndërsa supozohet që në atë lokacion gjendej edhe një vendbanim antik romak, pasi që aty janë gjetur mbishkrime epigrafike, të periudhës romake. Nga ajo çfarë kemi parë, terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri. Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi, por edhe i urdhërdhënësve të tyre, ka qenë që përveç dëmit fizik në manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë”, deklaroi ai.

    Tutje, Çeku u shpreh se qeveria deri më tani ka dhënë dëshmi të panumërta për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, e në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse.

    “Ne jemi duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme që ekipet tona profesionale nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të vizitojnë monumentin për të bërë vlerësimin e dëmeve. Menjëherë pas kësaj do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëpunim me të gjitha palët relevante për ndërhyrje profesionale, me qëllim të sanimit të dëmeve të strukturën fizike të këtij manastiri”, shtoi ai.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

    Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar tetë persona.

    Policia e Kosovës ka gjetur në Manastir të Banjskës arsenal armësh./kp

  • Ndeshja mund të vazhdojë pa tifozë, Çeku: Edhe nëse vazhdon, do të kërkojmë përgjegjësi për këtë skandal

    Ndeshja mund të vazhdojë pa tifozë, Çeku: Edhe nëse vazhdon, do të kërkojmë përgjegjësi për këtë skandal

    Zyrtarisht ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës është suspenduar. Kjo për shkak se një grup i tifozëve rumun kanë vendosur në tribuna mesazhin politik “Kosova është Serbi”.

    Ende nuk është marrë ndonjë vendim nëse ndeshja do të vazhdojë, por nëse merret një vendim për vazhdim, duhet të bëhet që të jetë pa tifozë.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se edhe në rast se vazhdon kjo lojë sonte, së bashku me organizatat sportive në vend, do të kërkojnë përgjegjësi për këtë skandal që ndodhi në stadiumin rumun.

    “Edhe nëse kjo lojë vazhdon sonte, unë besoj që nuk mundet me u nënçmu kjo që ka ndodh. Edhe, ne gjithsesi ne duhet të konsiderojmë, bashkë me organizatat tona sportive që të kërkojmë përgjegjësi për këtë skandal. Kjo nuk mundet vetëm me kalu dhe me u reflektu në një vonesë të zhvillimit të kësaj ndeshje”, tha Çeku.

  • Çeku: Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte ndaj Kosovës

    Çeku: Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte ndaj Kosovës

    Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës ishte akti më i fundit që Serbia, përkatësisht tifozët serb e bënë gjatë ndeshjes mes Crvena zvezdas dhe Fiorentinës.

    Ndeshja mes “Yllit të Kuq” dhe Fiorentinas u zhvillua në Beograd, ku në stadium u shfaq një koreografi me paraqitjen e një tanku, dhe me shkrimi nën të “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”, raporton KosovaPress.

    Tani, për këtë gjë ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili tha se Serbia po mobilizon tifozëri për mesazhe lufte ndaj Kosovës.

    “Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte! Koreografia e organizuar në ndeshjen miqësore të futbollit të zhvilluar dje ndërmjet ‘Yllit të kuq dhe Fiorentinës në Beograd, tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë. Grupi i tifozerisë ‘Delije’ mbrëmë ka shfaqur një koreografi ku shihet një tank i madh me sfondin e flamurit serb dhe me shkrimin nën të ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’”, shkroi Çeku në “Facebook”

    Më tej, Çeku tha se Serbia nuk po e kursen as sportin për promovimin e politikës luftënxitëse, ndërsa kërkoi që komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të hesht.

    “Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse. Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”, shkroi Çeku.

    Edhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka kërkuar nga UEFA dhe FIFA që të marrin masa më të ashpra kundër Serbisë për shkeljen e parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit.

  • ​Çeku: Projektligji për lirinë fetare rregullon statusin juridik të bashkësive fetare

    ​Çeku: Projektligji për lirinë fetare rregullon statusin juridik të bashkësive fetare

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, rregullon statusin juridik të bashkësive fetare.

    Sipas tij, i njëjti rregullon edhe mënyrën e regjistrimit të bashkësive të reja fetare e çështja të tjera në këtë aspekt.

    Shqyrtimi këtij projektligji ishte në rend dite në seancën e Kuvendit të Kosovës, por i njëjti është shtyrë për një tjetër seancë.

    Megjithatë, ministri Çeku, me autorizim të kryeministrit, Albin Kurti ka dhënë arsyetimin për këtë projektligj.

    Por, përveç këtij arsyetimi, projektligji në fjalë nuk u hodh në votim në mungesë të prezencës së deputetëve nga komuniteti serb.

    “Me këtë projektligj garantohet ushtrimi i lirisë së fesë sipas Kushtetutës dhe instrumenteve ndërkombëtare përfshirë këtu Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Projektligji rregullon statusin juridik të bashkësive fetare mënyrën dhe kushtet e regjistrimit të bashkësive të reja fetare në Kosovës, çështjen e varrezave dhe riteve të varrimit, fondet dhe donacionet e bashkësive fetare si dhe raportimin e tyre financiar” , ka thënë ai.

    Më pas, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë do të bëhet kur të krijohen kushtet në Kuvend.

    “Ky projektligj e kërkon që votohet në Kuvend të Kosovës me 61 vota për, por gjysma e pakicave po ashtu 51% e pakicave të komuniteteve, deputetët që vijnë nga komunitetet duhet ta kemi votën e tyre për këtë projektligj që ky të kaloj. Kjo nënkupton se 11 vota duhet të jenë të komuniteteve. Kjo i bie që së paku të jetë edhe 1 votë nga Lista Serbe, ata nuk i kemi të pranishëm fare në Kuvend, kështu që ky projektligj mbetet të trajtohet njëherë tjetër kur t’i kemi kushtet e krijuara në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

    Në seancën e Kuvendit të Kosovës, me 70 vota, është krijuar edhe Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje është nënkryetar i këtij Komisioni, Alban Bajrami dhe anëtare janë Arjeta Fejza, Labinotë Demi-Murtezi, Yllza Hoti dhe Mirlinda Sadiku.

    Ndërsa, nga PDK anëtarë do të jenë Ariana Musliu-Shoshi dhe Florent Zejnullahu, kurse Duda Balje do të përfaqësoj grupin multietnik.

    E meqenëse nuk ishin në sallë deputetët e LDK-së dhe AAK-së, përfaqësimi në Komisionin Hetimor do të plotësohet në ndërkohë.

    Alban Bajrami deputeti i LVV-së ka treguar çështjet themelore që do t’i trajtojë Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje.

    “Do të përqendroj hetimin e tij për të zbardhur këto çështje themelore sa është numri i rasteve të dhunës seksuale dhe dhunës në familje për periudhën 5 vjeçare, cili është epilogu aktual i këtyre rasteve sa zgjat një trajtim i rasteve të dhunës seksuale dhe në familje, sa është numri i dënimeve të shqiptuara për këto raste, sa është prezente gjuha seksiste dhe paragjykues në këto aktgjykime, sa raste të tilla janë parashtruar”, tha ai.

    Në mungesë të deputetëve të AAK-së në sallën e Kuvendit është shtyrë votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës, e cila është propozuar nga kjo parti.

    Me 61 vota, Kuvendi i Kosovës në parim e ka votuar projektligjin për organizimin e tregut për produktet bujqësore. Po ashtu, ligjvënësit kosovarë kanë votuar pro edhe për Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim. /kp

  • ​Çeku: Nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale sportive në Kosovë

    ​Çeku: Nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale sportive në Kosovë

    Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, ka thënë se Kosova nuk do të tolerojë asnjë aktivitet ilegal sportiv brenda territorit të Kosovës.

    Së fundi, Policia e Kosovës ka ndaluar zhvillimin e garave ilegale në futboll në Veri të vendit që po organizoheshin jashtë garave që parasheh Federata e Futbollit të Kosovës.

    Pas kësaj, Federata e Futbollit në Serbi i është drejtuar UEFA-së me një letër ku ankohet për kinse pengim të zhvillimit të garave dhe intimidim të sportistëve nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.

    Këtë letër, ministri Çeku e ka quajtur shtrembërim të realitetit, por edhe përdorim i gjuhës fyeze ndaj Kosovës.

    “Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut. Letra e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar Presidentit të UEFA-së, përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese.”

    Ai ka shtuar se federatat sportive në Kosovë vazhdimisht kanë bërë thirrje që klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë, por ato kanë vazhduar të mos e bëjnë këtë, andaj gara të tille, ilegale, Çeku ka thënë se nuk do të tolerohen.

    “Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat evropiane e botërore të sportit. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA. U bëjmë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës.”, ka shkruan i pari i MKRS-s në “Facebook”.

    Në lidhje me këto organizime të garave ilegale në Kosovë nga ana e Serbisë, javën e kaluar FFK i ka dërguar letër edhe UEFA-s dhe FIFA-s