ATV

Tag: Gjykata Themelore në Prishtinë

  • Prishtinë: Vrau bashkëshorten me sëpatë, dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari

    Prishtinë: Vrau bashkëshorten me sëpatë, dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari

    Gjykata Themelore në Prishtinë, njoftoi se është dënuar me 25 vjet burgim I.G., i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes së tij.

    I akuzuari kishte vrarë më sëpatë bashkëshorten e tij, derisa ajo ishte në gjumë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se I.G ka pranuar fajësinë për vrasjen e bashkëshortes së tij, transmeton Telegrafi.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit I.G për veprën penale Vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1 pikat 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Më datë 30.05.2023 gjykata ka mbajtur shqyrtimin fillestar në këtë çështje penale, në të cilin i akuzuari I.G ka pranuar fajësinë, ndërsa me datë 31.05.2023 gjykata ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër akuzuarit I.G. i cili është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vite, të akuzuarit i është vazhduar masa e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

    Gjykata bën të ditur se, i akuzuari I.G me datë 25.11.2022 rreth orës 04:00, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G, në atë mënyrë që derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur, i akuzuari e kishte goditur me sëpatë disa herë në pjesën e majtë të kokës dhe si pasojë e këtyre goditjeve, e ndjera S.G kishte ndërruar jetë.

    “Kjo gjendje faktike është vërtetuar pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari dhe provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës”.

    Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ndryshe, rasti tragjik kishte ndodhur në nëntor të vitit 2022, viktima kishte qenë mësimdhënëse. Për vrasjen e saj ka pasur reagime të shumta.

  • Sulmuesve të gazetarit Valon Syla iu ndërpritet paraburgimi, lihen në arrest shtëpiak

    Sulmuesve të gazetarit Valon Syla iu ndërpritet paraburgimi, lihen në arrest shtëpiak

    Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që të dyshuarve L.D., K.H., dhe O.K., për sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla, t’ua ndërpresë masën e paraburgimit dhe t’ua zëvendësojë me masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej dy muajsh.

    Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

    Ajo tha se gjyqtari i procedurës paraprake sot ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtëve i është caktuar masa e arrestit shtëpiak deri më 12 korrik 2023.

    “Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Nxitja e përçarjes dhe mos durimit nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 12.05.2023 ka marr Aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, ashtu që të njëjtëve ju është zëvëndësuar masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, arresti shtëpiak vazhdohet deri me datën 12.07.2023, tha Gashi.

    Zëdhënësja Gashi tha se gjykata ka detyruar policinë që ta verifikojë zbatimin e masës ndaj tre të dyshuarve.

    “Të pandehurit L.D, K.H dhe O.H janë njoftuar nga gjykata se konform nenit 181 pika 5 të KPPRK-së, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – masën e paraburgimit, nëse të njëjtit nuk e respektojnë masën e shqiptuar – arrestin shtëpiak. Gjykata ka detyruar Policinë e Kosovës, ta verifikojnë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit të saj, të njoftohet gjyqtari i procedurës paraprake në këtë çështje penale. Masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, iu është caktuar në bazë të nenit 181 lidhur me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 të KPPRK-së”, tha Gashi.

    “Kundër këtij aktvendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special”, përfundoi Gashi.

  • Ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe të tjerët lirohen nga akuza për korrupsion

    Ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe të tjerët lirohen nga akuza për korrupsion

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, lidhur me akuzën për korrupsion.

    Aktgjykimi u shpall të premten, nga kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas gjykatësit Hoti, nga provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor, nuk janë provuar faktet konkrete që përbëjnë elemente të kryerjes së veprës penale.

    Ndryshe, në seancën e 7 prillit 2023, të akuzuarit Hoxha, Shasha, Cukaj, Mustafa dhe Osmani, ishin mbrojtur në heshtje nga akuzat për korrupsion.

    Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator 2021.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa, akuzoheshin se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

    Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.