ATV

Tag: Gjenocid

  • Më 15 janar, një çerekshekulli nga gjenocidi serb – kërkohet shënim sa më dinjitoz i kësaj date

    Më 15 janar, një çerekshekulli nga gjenocidi serb – kërkohet shënim sa më dinjitoz i kësaj date

    Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” me bazë në Gjenevë, Zvicër, ka kërkuar nga të gjitha institucionet e vendit që 15 janari, kur bëhet një çerekshekulli nga gjenocidi serb në Kosovë, të shënohet në mënyrë sa më të dinjitetshme që të jetë e mundur.

    Përmes një kërkese dërguar mediave, kjo qendër thotë se duke e përkujtuar këtë datë, dëshmohet përkujdesi i lartë shoqëror e shtetëror.

    “Më 16 maj 2019, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Rezolutën për Gjenocidin Serb të kryer në Kosovë dhe shpalli 15 janarin Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Më 15 janar 2024 bëhet një çerek shekulli nga krimi i gjenocidit në Kosovë! I bëjmë thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani, Kryeministrit z. Albin Kurti, Kryetarit të Kuvendit z. Glauk Konjufca, Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetarëve të Partive Politike në Kosovë, Kryetarëve të Kuvendeve Komunale, shoqërisë civile, shoqatave e klubeve dhe të gjithë shqiptarëve ngado që janë, që të mobilizohen sa më shumë e sa më mirë, në mënyrë që ky çerekshekull i Gjenocidit në Kosovë, të shënohet në mënyrë sa më të dinjitetshme”, thotë kjo qendër.

    “Gjenocidi në Kosovë” thotë se ngritja e zërit për arritjen e drejtësisë është obligim kombëtar, në mënyrë që të sensibilizohet bota demokratike për njohjen dhe arritjen e drejtësisë për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.

    “Një çerekshekulli më parë, në vitin 1998-1999 forcat serbe kanë vrarë në mënyrë sistematike mbi dhjetëmijë civilë shqiptarë, kanë dëbuar shumicën e popullsisë nga Kosova, kanë shkatërruar objekte të arsimit e të trashëgimisë kulturore shqiptare si dhe kanë dhunuar seksualisht mbi njëzetmijë gra e burra të përkatësisë shqiptare. Përgjegjësia për këto akte të tmerrshme bie mbi shtetin serb si planifikues e zbatues i gjenocidit kundër shqiptarëve”, tha kjo qendër.

    Qendra Gjenocidi në Kosovë do të organizojë një varg aktivitetesh për ta shënuar këtë çerekshekulli në mënyrë sa më dinjitoze.

    “Gjenocidi në Kosovë” ka ftuar institucionet e vendit që në këtë përvjetor simbolik të krimit të gjenocidit, “të dëshmojmë përkujdesje të lartë shtetërore dhe shoqërore, për të nderuar viktimat e krimit të gjenocidit gjatë luftës 1998-1999”.

  • Konjufca: Padia kundër gjenocidit të Serbisë në Kosovë është afër

    Konjufca: Padia kundër gjenocidit të Serbisë në Kosovë është afër

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar Kosova është afër përfundimit të padisë profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

    Konjufca pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se për padinë ndaj Serbisë janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesional.

    “Prej ditës kur është bërë ndryshimi i madh dhe ka ardhë një qeverisje e re, është punuar pandërprerë, çdo ditë, edhe sot dhe mund të konstatoj që kjo është shumë afër…nuk mund të jap muaj apo kohë të caktuar veç se e dijë që është bërë një punë e madhe deri tash, janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesional, që kanë njohuri në këtë fushë për ndërtimin e një padie profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe mendoj që është bërë një punë e mirë deri tash, është afër por për të gjitha hollësitë ua shtroni pyetjen Qeverisë“, tha ai.

    Për padinë ndaj Serbisë për krime lufte në Kosovë, ka folur edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahri

    “Sikur shumë procese tjera jotransparence as për këtë nuk e dimë asgjë sepse nuk kemi qenë të involvuar dhe nuk e dimë as kjo shumë afër çka nënkupton, ku janë afër, çka është përgatit, kush janë ato ekipe që kanë punuar dhe thjesht nëse janë shumë afër mund të them se është një lajm i mirë“, tha ai.

    Konjufca ka njoftuar se të mërkurën do të ketë vazhdim të seancës, ku do të shqyrtohen rreth 30 pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, derisa shtoi se nuk kishte kuorum për seanca të reja.

    Sipas tij, punën e Kuvendit po e vështirëson qasja e opozitës që nuk po marrin pjesë në votim dhe pushimit të lehonisë së deputeteve nga pozita.

    “Kjo situatë mund të zgjidhet edhe me kërkesën që e kanë vendosur si kusht për pjesëmarrje në punët normale të kuvendit nga ana e partive opozitave. Ata e kanë vendosur kusht çështjen e bllokimit të të hyrave vetanake të komunave dhe nëse kjo zgjidhet do të kemi punën shumë më të lehtë të Kuvendit. Krejt kjo sqarohet të hënën në mëngjes kur qeveria e ka mbledhjen dhe ta shohim nëse po e procedon atë plotësim ndryshim të ligjit, prej atij pastaj do të mundësohet që thesari të veproj në drejtim të zhbllokimit të mjeteve të cilat komunat pretendojnë se janë të tyre dhe janë edhe një e drejt kushtetuese dhe nuk mund t’i merr askush ato të hyra, thjesht janë bllokuar për shkak të një mënyre si është formuluar një amandament në projektligjin për buxhetin, kështu që nëse kjo çështje zhbllokohet ne e patëm premtimin nga opozita që do ta ndryshojnë qasjen e tyre“, tha ai.

    Ai është pyetur edhe për këshilltarin e Drilon Gashi, i cili ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

    “Sa i përket këshilltarit tim, konsultohuni me shefin tim të stafit të cilit ia kam dhënë të gjitha instruksionet për zotin Gashi”, tha ai, pa saktësuar nëse do ta lirojë nga detyra.

     

  • Masakra në Studime, Osmani: Serbia ka kryet gjenocid në Kosovë, historia s’mund të rishkruhet

    Masakra në Studime, Osmani: Serbia ka kryet gjenocid në Kosovë, historia s’mund të rishkruhet

    Presidentja Vjosa Osmani, tha se masakra e Studimes tregon se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

    Në akademinë përkujtimore për masakrën e 2 Majit në fshatin Studime të Vushtrrisë, Osmani ka thënë se historia nuk mund të rishkruhet.

    Ajo madje tha se institucionet do t’u gjenden pranë të gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre nga regjimi serb.

    “Jemi këtu që të përkujtojmë 116 martirë të pafajshëm, përfshirë fëmijë e nëna shtatzëna. Jam gjithashtu për t’u thënë se dhimbja që keni përkujtuar atë ditë, është dhimbje e gjithmbarshme”.

    “Masakra ishte organizuar nga regjimi serb. Sot duhet t’i përkujtojmë dhunën dhe masakrën e përjetuar dhe t’i gjendemi afër të gjithë atyre që humben të afërmit e tyre”.

    “Kujtesa historike do të jetë në historinë tonë. Kjo që ka ndodhur këtu është argument se historia nuk mund të rishkruhet. Njerëz tanë u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Sot si asnjëherë duhet ta themi qartë se Serbia ka kryer gjenocid, dhe paqja do të jetë e mundur vetëm kur kryerësit të dalin para drejtësisë”.

    Më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për t`u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë.

    Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.