ATV

Tag: Fitër Bajrami

  • Tërnava: Fitër Bajramin e festojmë krenarë e faqebardhë

    Tërnava: Fitër Bajramin e festojmë krenarë e faqebardhë

    Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka dhënë mesazhin e tij me rastin e festës së Fitër Bajramit, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se sonte është dita e fundit e agjërimit e se nesër festohet Fitër Bajrami, festë kjo, siç u shpreh ai, tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë.

    “Sonte në vaktin e iftarit, besimtarët myslimanë mbyllin agjërimin e muajit të bekuar, Ramazan, gjatë të cilit me përkushtim, bindje, devotshmëri kryen një ndër kushtet themelore të besimit islam, agjërimin e muajit Ramazan”.

    Tutje, Myftiu i Kosovës tha se muaji i Ramazanit na ka bashkuar “në adhurime, falje e lutje”

    “Gjatë një muaji të tërë ishim si asnjëherë tjetër bashkë në adhurime, falje e lutje. Ishim bashkë në syfyre e në iftare, vizituam familjarë, farefis e miq, treguam solidaritet, mbështetje, respekt e dashuri. Shtëpitë, lagjet e xhamitë tona përjetuan në formën më të mirë gjallërinë, të shoqëruar me ibadete me më të dashurit tanë, me miq e farefis”, tha Tërnava.

    “Ramazanin po e përcjellim të lumtur që krijuesi na e dha mundësinë t’i përjetojmë nimetet e tij, e nesër krenarë e faqebardhë me familjet tona festojmë festën e Fitër Bajramit, festë kjo tashmë e shtresuar thellë në identitetin tonë. Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha moshat dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë. Fitër Bajrami na vjen pas një muaji të mëshirës e sakrificës, pas muajit të faljeve e begative të veçanta që i sjell vetëm Ramazani”, u shpreh ai.

    Tërnava uroi festën, duke dëshiruar ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi.

    “Në këtë natë të madhe në vigjilje të festës së Fitër Bajramit, lusim Zotin për mirësi, begati, paqe, harmoni, larg zënkave e konflikteve, sherreve e egove të dynjasë. Duke iu uruar e përgëzuar, lutem që në familjet tona, festa e Fitër Bajramit të na sjellë ngrohtësi, dashuri, harmoni e lumturi. Me fat festa e Fitër Bajramit”, u shpreh tutje ai.

  • BIK njofton se kur falet namazi i Fitër Bajramit

    BIK njofton se kur falet namazi i Fitër Bajramit

    Bashkësia Islame e Kosovës ka dalë me një njoftim ku thuhet se muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon të enjten, derisa dita e parë e Fitër Bajramit është të premten.

    BIK njofton se manifestimi qendror për këtë festë do të mbahen në Xhaminë e Madhe në Prishtinë në orën 05:05 me faljen e namazit të sabahut.

    Ndërsa namazi i Fitër Bajramit do të bëhet në orën 06:23 të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.

    Njoftimi i plotë:

    DITA E PARË E FITËR – BAJRAMIT

    të premten më 21 prill 2023

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se muaji i madhëruar Ramazan përfundon ditën e enjte, më 20 prill 2023.

    Dita e parë e festës së Fitër – Bajramit është të premte, më 21 prill 2023.

    Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

    Manifestimi fillon në orën 5.05, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga teologu, Muhamed ef. Stublla.

    Namazi i Fitër – Bajramit falet në orën 06:23, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.

    Hytben e Fitër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

    Me rastin e festës së Fitër – Bajramit, ditën e parë, më 21 prill 2023, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

    Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër – Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.

    Me fat festa e Fitër – Bajramit!