ATV

Tag: Fadil Vokrri

  • FFK bën homazhe te varri i Fadil Vokrrit

    FFK bën homazhe te varri i Fadil Vokrrit

    Dita e sotme sinjalizon pesë vjetorin kur Kosova humbi legjendën e futbollit, Fadil Vokrrin.

    Vokrri ndërroi jetë pas një sulmi në zemër, dy vite pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA, raporton KosovaPress.

    Në pesë vjetorin e ndarjes nga jeta të Vokrrit, delegacioni i FFK-së në krye me Bakir Burrin, me përfaqësues të gjeneratës së artë dhe të tifo-grupit “Dardanët” kanë bërë homazhe tek varri i tij, për të nderuar veprën dhe kujtimin për të.

    “Në 5-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, kujtimet për Fadil Vokrrin mbeten të freskëta, derisa vlerësimi për kontributin e tij çmohet nga të gjithë.

    Trashëgimia e Vokrrit si futbollist dhe si drejtues i federatës është e vështirë të përshkruhet në fjalë. Ai ishte simbol i talentit dhe pasionit për futbollin dhe me karrierën e tij të bujshme ka lënë gjurmë të thella në historinë e futbollit mbarëkombëtar”, shkruhej në komunikatën e FFK-së.

  • 5 vite kur Kosova mbeti pa legjenden e futbollit Fadil Vokrri!

    5 vite kur Kosova mbeti pa legjenden e futbollit Fadil Vokrri!

    Sot bëhen 5-së vjet pas ndarjes nga jeta të legjendës shqiptare të futbollit Fadil Vokrri. Ai ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptar dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.

    Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë.

    Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola. Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola.

    Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.

    Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.

    Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.

    Më 15 janar 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si kryetar i FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate.

    Fadil Vokrri ishte edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB.

    Mëngjesin e 9 qershorit të vitit 2018, ndërsa po ushtronte në palestër Vokrri pësoi një sulm në zemër dhe ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare.

    Lamtumira e fundit Vokrrit iu dha me nderimet më të larta shtetërore të nesërmen, më 10 qershor, ndërsa ajo ditë ishte ditë zie kombëtare.