ATV

Tag: ESA

  • Astronomët zbulojnë kuazarin më të largët dhe më të lashtë të njohur në univers

    Astronomët zbulojnë kuazarin më të largët dhe më të lashtë të njohur në univers

    Teleskopi hapësinor Euclid ka zbuluar kuazarin më të largët dhe më të lashtë të identifikuar deri më tani, një objekt kozmik i fuqizuar nga një vrimë e zezë supermasive me masë rreth 360 milionë herë më të madhe se ajo e Diellit.

    Objekti, i emërtuar J1504+6252 dhe i pagëzuar me emrin Dún Aonghasa, vëzhgohet në një periudhë kur universi ishte vetëm rreth 630 milionë vjet i vjetër, afërsisht 13.1 miliardë vjet më parë. Zbulimi shënon një rekord të ri, duke e çuar kufirin e vëzhgimit të kuazarëve rreth 40 milionë vjet më tej në të kaluarën, krahasuar me rekordin e mëparshëm.

    Kuazarët janë bërthama jashtëzakonisht të ndritshme të galaktikave, të fuqizuara nga vrima të zeza supermasive që thithin gaz dhe pluhur përreth tyre. Materiali që grumbullohet në diskun e akrecionit nxehet në temperatura ekstreme dhe lëshon sasi të mëdha energjie, duke bërë që kuazari, në disa raste, të shkëlqejë më shumë se të gjitha yjet e galaktikës përreth të marrë së bashku.

    Një vrimë e zezë masive në universin e hershëm

    Kuazari Dún Aonghasa u identifikua nga miliona objekte të analizuara në të dhënat e mbledhura nga teleskopi Euclid gjatë rreth 18 muajve të vëzhgimeve. Zbulimi u konfirmua më pas përmes një fushate të gjerë vëzhgimesh nga teleskopë tokësorë dhe hapësinorë, përfshirë W.M. Keck Observatory, Large Binocular Telescope Observatory, Hubble dhe James Webb.

    Ishte teleskopi James Webb ai që përcaktoi se vrima e zezë në qendër të këtij kuazari ka një masë prej rreth 360 milionë masash diellore.

    Ajo që e bën këtë objekt veçanërisht interesant për astronomët është masa e tij e jashtëzakonshme, e arritur në një periudhë shumë të hershme të historisë së universit. Modelet teorike sugjerojnë se vrimave të zeza u nevojitet një periudhë e gjatë ushqimi me materie dhe bashkimi me vrima të tjera të zeza për të arritur masa prej miliona apo miliarda herë më të mëdha se Dielli.

    Megjithatë, Dún Aonghasa duket se po konsumon material relativisht ngadalë në kohën kur po vëzhgohet. Kjo sugjeron se fazat më intensive të rritjes së tij kanë ndodhur më herët, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi mënyrën se si vrimat e zeza supermasive u formuan dhe u rritën kaq shpejt në universin e hershëm.

    Një dritare drejt epokës së parë të galaktikave

    Vëzhgimi i Dún Aonghasa-s i mundëson astronomëve të studiojnë një periudhë kyçe të historisë kozmike, kur yjet dhe galaktikat e para po formoheshin dhe universi po kalonte nga epoka e errët drejt një faze ku drita mund të përhapej më lirshëm.

    Teleskopi Euclid, i lëshuar në vitin 2023 nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), ka si mision kryesor studimin e materies së errët dhe energjisë së errët, të cilat së bashku përbëjnë rreth 95% të përmbajtjes së përgjithshme të materies dhe energjisë në univers.

    Megjithatë, aftësitë e tij për të vëzhguar zona të mëdha të qiellit dhe për të zbuluar objekte jashtëzakonisht të largëta po e shndërrojnë Euclid në një instrument të rëndësishëm edhe për studimin e kuazarëve dhe vrimave të zeza.

    Sipas ESA-s, teleskopi ka identifikuar tashmë 31 kuazarë të lashtë, ndërsa 12 prej tyre ndodhen përtej kufirit të zhvendosjes drejt së kuqes (redshift) prej 7, duke përfaqësuar një avancim të rëndësishëm në vëzhgimin e universit të hershëm.

    Zbulimi i Dún Aonghasa-s, i publikuar në revistën shkencore Astronomy & Astrophysics, mund të ndihmojë astronomët të kuptojnë më mirë se si vrimat e zeza supermasive arritën të formoheshin dhe të rriteshin në një kohë kaq të shkurtër pas Big Bengut.

  • BepiColombo arrin orbitën e Mërkurit pas 8 vitesh

    BepiColombo arrin orbitën e Mërkurit pas 8 vitesh

    Sonda hapësinore BepiColombo ka arritur të hyjë në orbitën e Mërkurit pas një udhëtimi tetëvjeçar, duke kapërcyer një problem teknik që ndërpreu manovrën kryesore të frenimit. Pavarësisht ndërprerjes së papritur, misioni konfirmoi se sonda është në një orbitë të qëndrueshme rreth planetit dhe do të vazhdojë përgatitjet për fazën shkencore.

    BepiColombo është mision i përbashkët i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) dhe Agjencisë Japoneze të Eksplorimit të Hapësirës (JAXA), i nisur në tetor të vitit 2018. Pas tetë vitesh udhëtim dhe manovrash të shumta në hapësirë, sonda arriti një nga momentet më të rëndësishme të misionit më 21 nëntor 2026.

    Manovra e hyrjes në orbitën e Mërkurit nisi sipas planit, me një ndërprerje të përkohshme të komunikimit me qendrën e kontrollit në Qendrën Evropiane të Operacioneve Hapësinore (ESOC), në Darmstadt të Gjermanisë. Gjatë kalimit pranë planetit, BepiColombo aktivizoi katër shtytësit kryesorë, të cilët duhej ta ngadalësonin sondën për ta vendosur në orbitën e Mërkurit.

    Manovra ishte planifikuar të zgjaste rreth 37 minuta, ndërsa sonda kaloi vetëm 635 kilometra mbi sipërfaqen e planetit.

    Një problem teknik ndërpreu manovrën

    Kur komunikimi me sondën u rikthye, ekipet e ESA-s konstatuan se manovra ishte ndërprerë automatikisht dhe BepiColombo kishte kaluar në modalitetin e sigurisë (safe mode), ku aktivitetet jo thelbësore ndalen për të mbrojtur sistemet e sondës.

    Analiza e të dhënave të trajektores tregoi se sonda kishte përfunduar vetëm rreth 77% të ndryshimit të planifikuar të shpejtësisë.

    “Kur e gjetëm Bepi-n në modalitetin e sigurisë, ishte sikur të ndiznim një çelës. Të gjithë u përqendruan në të kuptuarit e asaj që kishte ndodhur”, deklaroi Ignacio Tanco, drejtor i operacioneve të fluturimit të BepiColombo-s në ESA.

    Sipas ESA-s, problemi është identifikuar si një gabim softuerik që lidhet me sistemet e orientimit dhe kontrollit të shtytësve. Hetimi për shkaqet e sakta të anomalise është ende në vazhdim.

    Megjithatë, pas analizimit të të dhënave të trajektores, ekipet e misionit konfirmuan se BepiColombo kishte arritur të sigurojë orbitën rreth Mërkurit. Konfirmimi përfundimtar erdhi rreth gjashtë orë pas nisjes së manovrës.

    Manovra të tjera për orbitën e duhur

    Gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, BepiColombo do të kryejë manovra të tjera të kontrolluara me shtytës, për të rregulluar gradualisht orbitën e saj dhe për të arritur pozicionin optimal për vëzhgimet shkencore.

    ESA e krahasoi procesin me frenimin e një automjeti në momentin e duhur, për të arritur pikën optimale të manovrës. Kryerja e disa manovrave më të shkurtra, në vend të një manovre të vetme të gjatë, ndihmon në kursimin e karburantit dhe lejon ekipin e dinamikës së fluturimit të përshtatë çdo manovër sipas trajektores reale të sondës.

    Sipas ESA-s, ndërprerja e manovrës nuk ka ndikuar në planin e ndarjes së dy sondave shkencore, i cili mbetet i paraparë për 9 dhjetor 2026.

    Dy sonda do të studiojnë Mërkurin

    Më 9 dhjetor, BepiColombo pritet të lëshojë dy instrumente kryesore të misionit, të cilat do të kryejnë vëzhgime të specializuara të planetit.

    Sonda Mercury Planetary Orbiter (MPO), e zhvilluar nga ESA, do të vazhdojë manovrat për të arritur orbitën e saj përfundimtare, të planifikuar për mars të vitit 2027. Operacionet shkencore pritet të fillojnë në prill 2027, me studime mbi strukturën e brendshme, sipërfaqen dhe mjedisin hapësinor të Mërkurit.

    Sonda e dytë, Mercury Magnetospheric Orbiter (Mio), e zhvilluar nga JAXA, do të fokusohet në studimin e magnetosferës së Mërkurit, pluhurit ndërplanetar dhe fushave elektrike që rrethojnë planetin.

    Arritja e BepiColombo-s në orbitën e Mërkurit shënon një etapë të rëndësishme për misionin, i cili synon të zbulojë më shumë për një nga planetët më pak të eksploruar të Sistemit Diellor.