ATV

Tag: Erden Atiq

  • Shtyhet edhe për dy javë afati për lirimin e ndërtesës së komunës në Mitrovicën e Veriut

    Shtyhet edhe për dy javë afati për lirimin e ndërtesës së komunës në Mitrovicën e Veriut

    Komuna e Mitrovicës së Veriut sot ka marrë vendim që të shtyhet afati për lirimin e ndërtesës në lagjen e Boshnjakëve, që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë.

    Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

    Sipas tij, sot inspektorati do të ua kumtoj vendimin palëve për shtyrjen e afatit deri në 14 ditë.

    Ndryshe, afati për lirimin e ndërtesës së Komunës në Mitrovicën e Veriut kishte përfunduar sot.

    Komuna e Mitrovicës së Veriut pati sqaruar se afati për lirim të objektit është tri ditë. Komunës nuk i është ofruar dokumentacion mbi bazën e të cilit është shfrytëzuar ky objekt.

    “Afati prej 3 ditësh përfundon ditën e premte, data 25.08.2023. Vendimi i kryetarit do të zbatohet nga zyrtarët e komunës së Mitrovicës Veriore”, thuhej në vendimin e para tri ditësh të kryetarit Atiq.

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë tha të mërkurën se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për largimin e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.

    Për rastin ka reaguar edhe Bashkimi Europian.

    Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, tha për media më 24 gusht se “ne jemi të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale“.

    Ai i ka përsëritur kërkesat që të ketë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë për të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës, dhe që kjo çështje të adresohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    “Rasti me këtë vendim nuk ka qenë i tillë. Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe“ tha ai.

    Stano i përsëriti qëndrimet e mëhershme të BE-së se zgjedhjet komunale në veri të Kosovës, edhe pse ishin zhvilluar sipas kornizës ligjore të Kosovës, për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, nuk dhanë zgjidhje afatgjate.

    “Është e ëndësishme që të organizohen sa më parë zgjedhje inkluzive lokale në të cilat serbët e Kosovës do të marrin pjesë pa parakushte”, nënvizoi ai.

    Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura katër institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.

    Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryetarët shqiptarë kanë marrë pushtetin në fund të majit, ndërsa në ndërtesat komunale kanë hyrë me ndihmën e policisë.

  • ​Atiq: Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve

    ​Atiq: Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve

    Kryetari i komunës në veri të Mitrovicës, Erden Atiq, ka deklaruar se do të vazhdojnë punën pavarësisht sulmeve dhe kërcënimeve. Ai ka reaguar pasi objekti komunal u sulmua mbrëmë me granatë dore.

    Atiq u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që të trajtojnë me urgjencë këtë rast dhe kryesit të dalin para drejtësisë.

    “Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist. Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do të ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla. Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë”, ka shkruar ai.

    Ndërtesa e komunës në veri të Mitrovicës është sulmuar me granatë dore, mbrëmë në orët e vona.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar, përveç dëme materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare policore.

    “Me datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjetë shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granat dore, me çrast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare”, ka deklaruar zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani./KP

  • ​Krasniqi: Atiq është në zyrën e tij të komunës

    ​Krasniqi: Atiq është në zyrën e tij të komunës

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u është përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me situatën në veri. Ai ka deklaruar se kryetari i veriut të Mitrovicës është në zyrën e komunës dhe po vijon punën çdo ditë.

    Sipas tij, ka qenë kërkesë e dy kryetarëve të PDK-së që betimi i tyre të bëhet në Çabër dhe Boletin.

    Krasniqi ka thënë se dy kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut i ka vizituar në zyre.

    Në debatin parlamentar për situatën në veri, ai ka thënë se PDK po ua pamundëson që të bëjnë kërkesë në ZRrE për faturim të rrymës.

    “Të dy kryetarët e PDK-së kanë ardhur në zyre edhe kanë kërkuar që seancat konstituive të mbahen në Çabër dhe në Boletin. Ka qenë kërkesë ekskluzive e tyre që këto t’i bëjmë kështu. Pastaj e pash që pati interferime dhe dërguan email-e, kërkesa që seanca të mbahet në objektet e zyrave të Komunës së Zveçanit dhe të Zubin Potokut. Marrë parasysh që ishte kohë shumë e shkurtër, nuk kemi mundur t’i organizojmë takimet konstituive të kuvendit dhe dhënies së betimit në objektet e komunës, vendosëm që t’i lejojmë të mbahen në Çabër dhe Boletin. Mirëpo, për të plotësuar edhe kërkesën dhe dëshirën e kryetarëve dhe përmbushjen e obligimeve tona, të nesërmen e bëmë të mundshme që kryetarët të shkojnë në zyre”, ka thënë Krasniqi, transmeton KP.

    Më tej, Krasniqi është përgjigjur edhe në pyetjen e opozitës se ku është kryetari i Mitrovicës së Veriut.

    “Pyetja u bë disa herë se ku është Erden Atiqi, Erdeni është në zyre të komunës duke qeverisur dhe çdo ditë në zyre të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe çdo ditë duke qeverisur. Ajo është Komuna e Mitrovicës së Veriut, Erdeni është në zyre. Erdeni e bëri mes tjerave edhe një kërkesë shumë legjitime, kërkoi prej ZRrE-së që të faturohet rryma, një kërkesë të tillë e patëm edhe për dy kryetarët, mirëpo asnjëri as tjetri nuk po lejohet. Ata njëjtë sikurse po raportojnë për takimet në PDK, kur po vijnë në zyre te na po raportojnë se po ua pamundësoni për të bërë kërkesë që t’i drejtohet ZRrE-së sikurse Mitrovica e Veriut edhe Komuna e Zveçanit”, ka shtuar ai.

    Ai ka komentuar edhe deklaratat e kreut të PDK-së, Memli Krasniqit.

    “Deputeti Krasniqi foli për pancirin, për trimërinë e Memlit kemi mësuar në ritmin e rrugës, nuk kam se çfarë të them më shumë”, ka thënë Krasniqi.

    Seancën e plotë të Kuvendit e gjeni në videon më poshtë:

  • Atiq u kërkon KOSTT dhe ZRRE që të niset pagesa e rrymës në Mitrovicën e Veriut

    Atiq u kërkon KOSTT dhe ZRRE që të niset pagesa e rrymës në Mitrovicën e Veriut

    Kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq të hënën i është drejtuar me një kërkesë KOSTT-it dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për të filluar pagesën e faturave të energjisë elektrike në insitucionet publike të kësaj komune.

    Po ashtu Atiq ka kërkuar që të marrë informohet për borxhin që duhet paguar për rrymën e papaguar nga komuna që ai drejton.

    “Sot ju drejtova KOSTT dhe ZRRE me kërkesën për të na kyçur dhe filluar pagesën e rrymës elektrike në institucionet publike të Komunës sonë. Gjithashtu kërkova që të na njoftojnë mbi borxhin që i duhet paguar institucioneve të Republikës së Kosovës për rrymën e papaguar nga komuna që drejtoj”, ka shkruar Atiq në Facebook.

    Në katër komunat veriore të Kosovës, serbët nuk kanë pagua asnjë herë rrymën e shpenzuar në atë pjesë.

  • Erden Atiq nis zyrtarisht punën si kryetar i Mitrovicës së Veriut

    Erden Atiq nis zyrtarisht punën si kryetar i Mitrovicës së Veriut

    Erden Atiq, e ka nisur punën si kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut.

    Ai tha se tashmë ka filluar edhe më emërimin e drejtorëve të rinj teksa shoti se do t’i vizitoj edhe punëtorët e administratës së komunës.

    “Këto ditë kemi shumë punë për të bërë. Kam nisur me emërimin e drejtorëve dhe sot gjatë ditës do t’i vizitoj edhe punëtorët e administratës. Përveç mediave sot pres edhe shumë mysafir të tjerë”, ka thënë ai.

    Atiq përmendi edhe çështjen e Urës së Ibrit, për të cilën tha se tashmë është në dorën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

    “Për Urën e Ibrit tashmë kemi një vendim të asamblesë komunale dhe tani është në dorën e MAPL-së”, ka thënë ai.

  • ​Betimi i kryetarit në veri, Policia: Situata kaloi pa incidente

    ​Betimi i kryetarit në veri, Policia: Situata kaloi pa incidente

    Policia e Kosovës ka njoftuar se betimi i kryetarit të veriut të Mitrovicës ka kaluar qetë dhe pa incidente.

    Institucioni i sigurisë kishte bërë planifikimet për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e qetësisë publike si dhe mundësimin e ushtrimit të së drejtës ë zyrtarëve të komunave veriore.

    “Në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës ka bërë planifikimet e saja për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatën e Policisë.

    Sipas Policisë, qëllimi i planifikimeve ka qenë për të krijuar ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët.

    “Situata ka kaluar e qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët pa dallim dhe njëherit vazhdon t’i inkurajojë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, për çdo rast që ndërlidhet me sigurinë dhe rendin publik”, është thënë ndër të tjera në komunikatë.

    Në një seancë solemne në ambientet e Komunës në veri të Mitrovicës, ka dhënë betimin kryetari i ri, Erden Atiq.

    E veçanta e kësaj ishte flamuri shtetëror i Kosovës, i cili është vendosur për herë të parë në këtë objekt.

    Gjithçka ka kaluar pa incidente, ndërsa përreth objektit të Komunës është parë prezencë e shtuar e forcave të sigurisë.

  • Atiq: Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Mitrovicës Veriore

    Atiq: Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Mitrovicës Veriore

    Kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, në një konferencë për gazetarë pas seancës solemne të betimit, tha se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Mitrovicës Veriore, pa dallime dhe pa diskriminime.

    Ai bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me komunën në të gjitha temat që janë në të mirë të qytetarëve të kësaj komune.

    “Si kryetar komune, kemi me punu për të gjithë qytetarët e Mitrovicës Veriore pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh kemi me e ba për me e normalizu këtë pjesë të komunës edhe u bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të vijnë e të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, tha Atiq. /atvlive.tv

  • ​Betohet kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq

    ​Betohet kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq

    Në një seancë solemne e cila ka filluar sot në ambientet e Komunës në veri të Mitrovicës, ka dhënë betimin kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq.

    E veçanta e kësaj është se flamuri shtete, i cili është vendosur për herë të parë në këtë objekt.

    Gjithçka po kalon qetësisht dhe pa incidente.

  • Atiq në Komunë, shoqërohet nga numër i madh i policëve

    Atiq në Komunë, shoqërohet nga numër i madh i policëve

    Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së veriut, Erden Atiq i shoqëruar nga një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë, konkretisht mbrojtja e afërt, ka shkruar në objektin e Komunës.

    Gjithashtu, është vendosur edhe flamuri i Republikës së Kosovës në objektin e Komunës.

    Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut, Nedzad Ugljan, tha në një deklarim për media se janë bërë të gjitha përgatitjet për betimin e kryetarit të ri.

    Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

    Në ditën kur pritet betimi i kryetarit të ri në veri të Mitrovicës, shtetet e QUINT-it sërish u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin.

    Në një deklaratë të përbashkët nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar thuhet se më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

    Megjithatë, në deklaratë thuhet se pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna, gjersa u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione.

  • Sot betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, të tjerët s’dihet kur do ta marrin detyrën

    Sot betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, të tjerët s’dihet kur do ta marrin detyrën

    Sot fillon betimi i kryetarëve të rinj të 4 komunave në veri të Kosovës.

    Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

    Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nuk ka pikë tjetër në rendin e ditës.

    Dje, shtetet e Quint’it, Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë thënë se zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut të Kosovës janë mbajtur në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

    Megjithatë, këto shtete thonë se si pasojë e bojkotit nga komuniteti serb, rezultatet e tyre nuk janë zgjidhje afatgjata politike për këto komuna.

    “Më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër palë zgjedhje për kryetar komune dhe dy palë zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Megjithatë, pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre shteteve.

    Shtetet e Quint’it u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku midis të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna.

    “Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk kërkohet që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thonë shtetet e Quint-it.