ATV

Tag: Elbert Krasniqi

  • MAPL përfundon hartimin e Udhëzimit Administrativ për largimin e kryetarëve në veri

    MAPL përfundon hartimin e Udhëzimit Administrativ për largimin e kryetarëve në veri

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni.

    Udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale.

    Pjesë e diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale e edhe e grupit punues kanë qenë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.

    Për këtë çështje marrë parasysh që është hera e parë që trajtohet me rregullim normativ ka pasur shumë komente dhe sugjerime. Të gjitha janë trajtuar dhe pjesa më përmbajtësore janë adresuar.

    Ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejtë të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale. E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët.

  • Udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri vlen për të gjitha komunat

    Udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri vlen për të gjitha komunat

    Procedura ligjore për organizimin e zgjedhjeve, përmes iniciativës qytetare do të vlejë për të gjitha komunat e Kosovës. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, një ditë pasi Ministria që ai drejton, njoftoi për themelimin e grupit punues që do ta hartojë udhëzimin administrativ, tha se ka shumë hapësirë për korrigjimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

    Sipas ministrit, dorëheqja e kryetarëve nuk mund të kërkohet, por duhet ndjekur procedurat ligjore, sikurse peticioni.

    “Kemi formuar një grup punues profesional nga akterët e përfshirë në qeverisjen lokale edhe të shohim se cila do të jetë puna e tyre… Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë draftin e këtij udhëzimi administrativ, faktikisht të përfundojë edhe konsultimet publike dhe mandej të jetë nga 1 shtatori si udhëzim administrativ, në të cilin mund të referohen qytetarët, të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve apo largimin e kryetarëve”, tha Krasniqi..

    Ai ka theksuar se për shkak të mosplotësimit të kushteve për votim për ndryshimin e ligjit, Ministria ka gjetur udhëzime administrative që mund t’i fusë në funksion.

    “Udhëzimi administrativ përcakton rregullin se si organizohet peticioni, se si një peticion i iniciuar nga qytetarët është i pranueshëm. Mirëpo, përpilimi i peticionit nuk është largimi i kryetarëve nga zyrat, për shkak se pas kësaj ka edhe procedura të tjera… Ne kemi kryetarë të komunave në zyrë, kjo është me rëndësi… peticioni është shprehje e vullnetit të 20 për qind të trupës votuese të një komune”, tha Krasniqi.

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të martën, njoftoi për themelimin e Grupit Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ, për caktimin e procedurave për largimin e kryetarëve të komunave.

    Ky Udhëzim Administrativ shtron rrugën për zgjedhjet e reja lokale në katër komunat e veriut, kërkesë kjo e bashkësisë ndërkombëtare dhe obligim që rrjedh nga marrëveshja mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:

  • ​Peticioni për largimin e kryetarëve, Krasniqi: Një muaj kohë për Udhëzimin administrativ

    ​Peticioni për largimin e kryetarëve, Krasniqi: Një muaj kohë për Udhëzimin administrativ

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi deklaroi sot se grupi punues ka një muaj kohë për të hartuar udhëzimin administrativ, për nisjen e peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve nga komunat. Sipas tij, ky udhëzim administrativ nuk është për veriun e Kosovës dhe se nuk është i përpiluar në atë formë për largimin e kryetarëve nga zyrat. Kështu u shpreh ai pas vizitës në dy salla sportive ne Lipjan.

    Ai tha se Ligji për Vetëqeverisje Lokale ka shumë mangësi dhe hapësirë të korrigjohet, por për plotësim-ndryshim nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve. Sipas tij, së fundmi kanë filluar udhëzimin administrativ mbi procedurat se si organizohet një peticion në komuna, ku ka kërkesë nga qytetarët për largim nga komunat.

    Krasniqi shtoi se grupi punues ka kohë një muaj për draftimin e udhëzimit administrativ, ku qytetarët do të kenë mundësi hartimin e peticionit.

    “Kemi formuar një grup punues profesional nga akterët e përfshirë në qeverisjen lokale edhe të shohim se cila do të jetë puna e tyre…Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë draftin e këtij udhëzimi administrativ, faktikisht të përfundojë edhe konsultimet publike dhe mandej të jetë nga 1 shtatori si udhëzim administrativ, në të cilën mund të referohen qytetarët, të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve apo largimin e kryetarëve. Mirëpo, çka është shumë e rëndësishme të përmendet, ky nuk është një udhëzim administrativ për veriun e Kosovës, është një udhëzim administrativ, i cili buron prej Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe një gjë të tillë nesër qytetarët edhe të komunës së Lipjanit mund ta shfrytëzojnë për pakënqësinë e tyre në raport me kryetarin e komunës dhe largimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni”, deklaroi ai.

    Më tej, ministri u shpreh se udhëzimi administrativ e përcakton rregullin se si organizohet peticioni.

    “Udhëzimi administrativ përcakton rregullin se si organizohet peticioni, se si një peticion i inicuar nga qytetarët është i pranueshëm. Mirëpo, përpilimi i peticionit nuk është largimi i kryetarëve nga zyret, për shkak se pas kësaj ka edhe procedura tjera…Ne kemi kryetarë të komunave në zyre, kjo është me rëndësi…peticioni është shprehje e vullnetit të 20 për qind të trupës votuese të një komune. Nëse në një komunë të caktuar qytetarët e asaj komune arrijnë të kenë 20 për qind të trupës votuese me kërkesën që të largohet kryetari i komunës, atëherë do të trajtohet si kërkesë. Nëse nuk do të ketë, atëherë kjo do të mbetet aty dhe kryetarët vazhdojnë të punojnë”, tha ai.

    Sa i përket largimit të kryetarëve të komunave, Krasniqi shtoi se të njëjtit kanë fituar mandat dhe dorëheqja e tyre është kërkesë e Serbisë.

    “Unë nuk mund të flas për Listën Serbe, por çfarë mund të them për situatën aktuale është që çkado që ata veprojnë dhe mendojnë, asnjëherë nuk është për të mirën e Republikës së Kosovës. Ne kemi zgjedhje legale të organizuar në veriun e Kosovës, bazuar në kushtetutën dhe ligjet aplikative. Ne e dimë që këto zgjedhje kanë prodhuar kryetarët komune me mbështetje të vogël të qytetarëve, por prapë se prapë këta janë kryetarë të komunave, të cilët burojnë nga vota e lirë. Pengesa që të marrin pjesë qytetarët e veriut të Kosovës në zgjedhje është nga Serbia. Dhe kjo Serbi dhe këto instirucionet e saj që i ka në dispozicion për të penguar zhvillimin demokratik të Kosovës, do të vazhdojnë gjithmonë. Për ata na duhet të fokusohemi në punën tonë, në demokracinë e shtetit tonë dhe forcimin e shtetit tonë. Udhëzimi administrativ do të parasheh disa procedura, mirëpo udhëzimi administrativ nuk është një diçka që definon secilin pozicion përtej asaj që është kompetencë e vetëqeverisjes lokale”, u shpreh ai.

    Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti tha se duhet të krijohet një zgjidhje në veri të Kosovës, e cila sipas tij, është çështje politike e jo ligjore.

    “Nuk besoj që ky mekanizmi i peticionit është mjet adekuat për të zgjidhur problemet politike. Për shkak se kjo mund të riciklohet pas tre muajve të mbahen zgjedhjet, pas tre muajve prapë peticion tjetër. Derisa nuk ka një peticion, i cili do të provon me i zgjidh këto situata është vështirë për të komentuar…Ne nuk kemi parë një udhëzim administrativ, i cili do të ketë parasysh për të qenë në kuadër të rregullativës ligjore shtetërore. Çështja e veriut është çështje politike, nuk është çështje e legjislacioneve”, deklaroi ai./KP

  • ​Krasniqi: Atiq është në zyrën e tij të komunës

    ​Krasniqi: Atiq është në zyrën e tij të komunës

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u është përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me situatën në veri. Ai ka deklaruar se kryetari i veriut të Mitrovicës është në zyrën e komunës dhe po vijon punën çdo ditë.

    Sipas tij, ka qenë kërkesë e dy kryetarëve të PDK-së që betimi i tyre të bëhet në Çabër dhe Boletin.

    Krasniqi ka thënë se dy kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut i ka vizituar në zyre.

    Në debatin parlamentar për situatën në veri, ai ka thënë se PDK po ua pamundëson që të bëjnë kërkesë në ZRrE për faturim të rrymës.

    “Të dy kryetarët e PDK-së kanë ardhur në zyre edhe kanë kërkuar që seancat konstituive të mbahen në Çabër dhe në Boletin. Ka qenë kërkesë ekskluzive e tyre që këto t’i bëjmë kështu. Pastaj e pash që pati interferime dhe dërguan email-e, kërkesa që seanca të mbahet në objektet e zyrave të Komunës së Zveçanit dhe të Zubin Potokut. Marrë parasysh që ishte kohë shumë e shkurtër, nuk kemi mundur t’i organizojmë takimet konstituive të kuvendit dhe dhënies së betimit në objektet e komunës, vendosëm që t’i lejojmë të mbahen në Çabër dhe Boletin. Mirëpo, për të plotësuar edhe kërkesën dhe dëshirën e kryetarëve dhe përmbushjen e obligimeve tona, të nesërmen e bëmë të mundshme që kryetarët të shkojnë në zyre”, ka thënë Krasniqi, transmeton KP.

    Më tej, Krasniqi është përgjigjur edhe në pyetjen e opozitës se ku është kryetari i Mitrovicës së Veriut.

    “Pyetja u bë disa herë se ku është Erden Atiqi, Erdeni është në zyre të komunës duke qeverisur dhe çdo ditë në zyre të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe çdo ditë duke qeverisur. Ajo është Komuna e Mitrovicës së Veriut, Erdeni është në zyre. Erdeni e bëri mes tjerave edhe një kërkesë shumë legjitime, kërkoi prej ZRrE-së që të faturohet rryma, një kërkesë të tillë e patëm edhe për dy kryetarët, mirëpo asnjëri as tjetri nuk po lejohet. Ata njëjtë sikurse po raportojnë për takimet në PDK, kur po vijnë në zyre te na po raportojnë se po ua pamundësoni për të bërë kërkesë që t’i drejtohet ZRrE-së sikurse Mitrovica e Veriut edhe Komuna e Zveçanit”, ka shtuar ai.

    Ai ka komentuar edhe deklaratat e kreut të PDK-së, Memli Krasniqit.

    “Deputeti Krasniqi foli për pancirin, për trimërinë e Memlit kemi mësuar në ritmin e rrugës, nuk kam se çfarë të them më shumë”, ka thënë Krasniqi.

    Seancën e plotë të Kuvendit e gjeni në videon më poshtë:

  • Lirohet nga detyra ekipi menaxhues që hartoi draft statutin e asociacionit

    Lirohet nga detyra ekipi menaxhues që hartoi draft statutin e asociacionit

    Ekipi Menaxhues, i thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb është liruar nga detyra.

    Vendimi për lirimin nga detyra u mor nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pasi, sipas tij, ky ekip mbeti pa status.

    “Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vetë është pa status. Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marrë vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues”, tha Krasniqi.

    Për kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, ajo çka prezantoi ekipi menaxhues ishte tronditëse për Kosovën. Ai akuzoi qeveritë e mëparshme se emëruan njerëz që nuk i përfaqësojnë interesat e Kosovës

    “Meqenëse atje i prezantojnë interesat e Republikës së Serbisë, jo interesat e Republikës së Kosovës. Pra po e shihni edhe vetë se çfarë ekip menaxhues edhe çfarë institucione kanë vendosur qeveritë e mëparshme. Kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesat e Kosovës, bile-bile njëra prej tyre, me sa dëgjova, ishte bërë deputete në Parlament të Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandar Vuçiqit”, tha Konjufca.

    I menjëhershëm ishte reagimi në Beograd.

    “Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit. Ekipi Menaxhues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në krijimin e tij”, tha Petar Petkoviç.

    Pasi refuzoi draft-statutin, kryeministri Albin Kurti nga Brukseli tha se ekipi menaxhues u dekomisionua.

    Ndërkohë në Planin e Zbatimit të marrëveshjes së 2013-s, theksohet se Grupi Menaxhues do ta ketë për detyrë të merret me të gjitha çështjet relevante për themelimin e Asociacionit dhe për një periudhë të përkohshme do të ushtrojë kompetencat e parapara me Nenin 4 dhe 6 të marrëveshjes së parë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ekipi menaxhues i kryesuar nga deputetja e Vuçiqit, injoron ministrin Krasniqi

    Ekipi menaxhues i kryesuar nga deputetja e Vuçiqit, injoron ministrin Krasniqi

    Ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i emëruar nga ish-ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, ka injoruar ftesën për takim nga ministri aktual, Elbert Krasniqi.

    Gati një muaj pasi ATV-ja raportoi se Danijela Vujicic, deputete e partisë së Aleksandar Vucicit në parlamentin e Serbisë, është kryesuese e ekipit, ministri Krasniqi publikoi tri vendime të qeverive të kaluara për ndryshimet në përbërje.

    “Nga përbërja fillestare, vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy të tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues. Pika e gjashtë e vendimit të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ju njoftoj se të martën më 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”, tha Krasniqi.

    Kryeministri Albin Kurti nuk tregoi nëse do ta ndryshojnë përbërjen e ekipit.

    “Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka ftuar në takim ekipin menaxhues, por ai nuk është përgjigjur. Pra, është kjo Ministri në kuadër të Qeverisë, e cila merret për së afërmi me këtë menaxhues për draft-statutin”, tha Kurti.
    Edhe pse Vujicic ishte emëruar në Qeverinë e tij, në një intervistë në CONTEXT në ATV, ish-kryeministri Avdullah Hoti tha se ekipi nuk ka prodhuar asgjë atëkohë.

    “Unë nuk jam marrë me Asociacionin e komunave, as me status të Kishës Ortodokse. Qeveri pas qeverie në bazë të marrëveshjes së vitit 2013, ministri i pushtetit lokal është dashur ta themelojë këtë ekip menaxhues. Nuk ka pasë asnjë zhvillim në këtë drejtim, sepse fokusi im si kryeministër ka qenë në marrëveshjen përfundimtare”, tha Hoti.

    Sipas marrëveshjes së vitit 2013, Ekipi Menaxhues i cili ka për detyrë hartimin e statutit të Asociacionit, duhet të përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Në prag të takimit të nivelit të lartë në Bruksel, më 2 Maj, në një intervistë në Sllovaki, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, tha se është e rëndësishme të fillojë puna për përcaktimin e statusit dhe kompetencave të Asociacionit. /atvlive.tv

  • Krasniqi publikoi vendimet e MAPL-së për Ekipin menaxhues për themelimin e Asociacionit

    Krasniqi publikoi vendimet e MAPL-së për Ekipin menaxhues për themelimin e Asociacionit

    Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka publikuar sot tri vendime për “Ekipin Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” të qeverive të kaluara.

    Krasniqi ka bërë të ditur se kanë marrë shumë pyetje dhe kërkesa për qasje në dokumente publik për vendimet në fjalë.

    “Më lejoni që të ju njoftoj se për këtë ekip, janë gjithsej tre vendime të Ministrisë së Pushtetit Lokal të tre qeverive të ndryshme, që janë bazuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

    Vendimi i parë ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë Thaçi.

    Vendimi i dytë ishte marrë në qershor të vitit 2016, gjatë Qeverisë Mustafa.

    Vendimi i tretë ishte marrë në shtator të vitit 2020, gjatë Qeverisë Hoti.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Sipas tij, nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.

    “Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues. Pika e gjashtë e vendimi të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.”, ka shkruar ai.

    Ministri Krasniqi ka njoftuar se të martën (18 prill) i është drejtuar me ftesë për takim ekipit në fjalë, por nuk ka marrë përgjigje.

  • ​Krasniqi: Nuk na bëjnë mirë institucionet njëetnike

    ​Krasniqi: Nuk na bëjnë mirë institucionet njëetnike

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, thotë se Kosovës nuk i duhen institucione njëetnike sepse një gjë e tillë nuk është në frymën kushtetuese të shtetit. Ai thotë se asociacionet e komunave mund të formohen vetëm bazuar në ligjet e Kosovës.

    “Kosova është një shtet multietnik ku është ndërtuar mbi këto parime të një demokracie gjithëpërfshirëse. Edhe nuk na bëjnë mirë si komunitete, nëse do të kemi institucione ose organe të tjera njëetnike për shkak se nuk është në frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton qartë dhe mirë edhe përgjegjësinë në nivelin dhe të drejtën e komunave që të bashkohen në formë të asociacionit. Gjithçka në suazë të këtij bazamenti ligjor”, thotë Krasniqi.

    Ai gjithashtu përgjigjet rreth situatës së krijuar nga vërshimet e muajit janar në disa komuna të Kosovës.

    Krasniqi bën të ditur se ende nuk është finalizuar procesi analizave nga komunat përkatëse.

    “Pas tejkalimit të situatës me vërshime kanë bërë disa komisione komunale. Ne si ministri kemi një anëtar në ato komisione edhe i kanë dërguar raportet për vlerësim, tash është në përpunim e sipër gjithë procesi i analizave të komunave të Kosovës. Kemi disa probleme edhe me komunën e Mitrovicës së Veriut, ku nuk ka kryetar komune dhe tani më është caktuar seanca e kuvendit komunal ku do të votohet edhe raporti i komisionit komunal dhe kjo pastaj e ndihmon procesit që të procesohen të gjitha kërkesat për një herë”, thotë ai.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk tregon vlerën e dëmit që vërshimet kanë shkaktuar në disa prej komunave, raporton KP.

    “Nuk mund të flas me kompetencë për shifra për nivelin e dëmeve. Mirëpo, komisionet komunale ku edhe ministria jonë është pjesë e këtyre komisioneve, kanë bërë vlerësimin e tyre dhe mandej dërgohet te AME, dhe AME e bën një përmbledhje të gjithë kësaj situate dhe caktohen edhe mbështetjen qeveritare edhe vlerësimi i dëmeve”, shton ai.

    Themelimi i Asociacionit është paraqitur si parakusht nga Serbia, për përparimin e dialogut të Brukselit.

    Ndërsa qëndrimi i Kosovës është se një asociacion me kompetenca ekzekutive është i dëmshëm për shtetin.

    Edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për formimin e këtij asociacioni duhet të harmonizohen me ligjet e Kosovës.