ATV

Tag: Drafti i Asociacionit

  • Kurti: Vizionin për Asociacionin do të konkretizojë kur ka pajtueshmëri për shtyllat e tij

    Kurti: Vizionin për Asociacionin do të konkretizojë kur ka pajtueshmëri për shtyllat e tij

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se vizionin e tij për draft-statutin e Asociacionit do të konkretizonte nëse ka pajtueshmëri në parim për shtyllat e tij.

    Kurti, në seancën e sotme plenare ka thënë se nuk mund të shkruajë statutin e Asociacionit dhe pastaj të kërkohet një kompromis për atë, pa pasur në fillim pajtim për parimet e tij.

    “Unë këtë mund të thellojë (vizionin për statutin e Asociacionit), por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendën që unë i kam thënë në parim, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, është shprehur Kurti, duke iu përgjigjur në pyetjet e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

    Ai ka përsëritur mospajtimin me draftin e statutit të Asociacionit, të hartuar nga ish-ekipi menaxhues, të cilin Kurti e ka shkarkuar.

    Kurti ka thënë se vizioni i tij i prezantuar është bazuar në modelin kroat për pakicat kombëtare.

    “Qeveria ime nuk është pajtuar me draftin e ekipit menaxhues pasi ai imitonte në përmbajtje dhe formë Republikën e Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Rrjedhimisht unë kam propozuar një draft vizion për të zbatuar nenin shtatë të marrëveshjes bazike dhe në lidhje me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër dhe më pas edhe të Brukselit zyrtar, i cili vazhdon të konsiderojë këtë çështje të hapur…Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit për zbatimin e nenit shtatë të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel, i cili prezanton shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë, konsensusin trans-atlantik të vlerave demokratike dhe liberale”, ka shtuar ai.

    Kurti është pyetur edhe për strategjinë për inkasimin e mjeteve financiare për shërbimet publike në katër komunat veriore.

    Ai është shprehur se fillimisht do të faturohen institucionet, pastaj bizneset dhe në fund amvisëritë.

    “Shërbimi fillimisht do t’i faturohet institucioneve, pastaj bizneseve dhe në fund amvisërive. Zgjedhjet e prillit kanë dhënë udhëheqjen e re në katër komuna dhe ndërmarrjet do të punojnë ngushtë me këta udhëheqës dhe komunitetin atje për të zgjeruar zonën e shërbimit”, ka shtuar ai.

    Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët. Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

  • ​Rama i dorëzon presidentit francez dhe kancelarit gjerman një draft të Asociacionit

    ​Rama i dorëzon presidentit francez dhe kancelarit gjerman një draft të Asociacionit

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

    Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

    “Dje i kam përcjell një draft të Asociacionit, Macronit dhe Scholzit. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit të lartë, është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”, ka deklaruar Rama para gazetarëve në Shqipëri.

    “Ju siguroj që është një dokument i nivelit të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës. Uroj dhe shpresoj që ky material do të vlejë për ta çuar një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogu dhe jo që të flasin me vete dhe për vete”, ka shtuar ai.

    Rama ka thënë se është i shqetësuar sipas tij për tkurrjen e Kosovës në sytë e aleatëve.

    “Serbia e ka humbur përfundimisht Kosovën në vitin 1999. Dua sukses për Kurtin dhe Kosovën”, ka theksuar ai.