ATV

Tag: Dardan Molliqaj

  • ​Molliqaj: Drafti i Asociacionit i pranuar nga Kurti e zhbën pavarësinë e Kosovës

    ​Molliqaj: Drafti i Asociacionit i pranuar nga Kurti e zhbën pavarësinë e Kosovës

    Partia Socialdemokrate ka zhvilluar të hënën një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke zëvendësuar flamurin e Kosovës me një improvizim të një flamuri me dy yje dhe ku komunat me shumicë serbe theksohen me ngjyrë të bardh në hartën e territorit të vendit. Sipas tyre, kjo dëshmon zhbërjen e pavarësisë së Kosovës me pranimin e draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj para mediave tha se pas pranimit të draftit të Asociacionit zhduket barazia ndërmjet qytetarëve që kanë qenë të shprehura përmes yjeve më simbolet e shtetit.

    “Drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe presidenti i Serbisë në thelb e zhbën Republikën e 17 shkurtit të shpallur si shtet të pavarur, qytetarë dhe multietnik. Nga sot jo vetëm që e zhbën Republikën e si koncept, ku qytetarët janë të barabartë pa dallim etnie dhe kombësie, tani zhduket barazia mes qytetarëve të cilat kanë qenë të shprehura në simbolet e shtetit të Kosovës, përmes yjeve. Secili yje ka përfaqësuar një etni në këtë shtet të themeluar së bashku”, tha ai.

    Sipas tij, flamuri i Kosovës më nuk mund të jetë i njëjtë, pasi tani ka vetëm dy yje që përfaqësojnë shqiptarët dhe serbët.

    Ai tha se përmes draftit të Asociacionit janë vizatuar edhe kufijtë e brendshëm të vendit.

    “Nga sot as flamuri i Kosovës nuk mund të jetë i njëjtë. Ai duhet të paraqet një realitet të hidhur dhe të dëmshëm për Kosovën dhe të reduktohet siç edhe patë në ngritjen e ri të flamurit që e përfaqëson atë që kryeministri i Kosovës që e ka pranuar. Ajo është ndarja në thelb në etni, atë serbe dhe shqiptare. Nga sot flamuri i Kosovës ka vetëm dy yje që përfaqësojnë vetëm dy etni dhe përfaqësojnë thelbin e fillimit të konfliktit të vazhdueshëm që do të kemi ndërmjet veti. Përmes këtij drafti na janë vizatuar edhe kufijtë e brendshëm…Nëse e keni pa në njërën nga nenet e draftit të statutit të Asociacionit, kufijtë e tij janë kufijtë e komunave anëtare në Asociacion, siç janë të paraqitura në hartën e Kosovës. Ajo tash nuk është një ngjyrëshe por është dyngjyrëshe siç paraqet vet drafti dhe organizimi i saj. Kemi themeluar një konfederatë të brendshme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”, shtoi Molliqaj.

    Molliqaj paralajmëroi përshkallëzim të aksioneve të PSD-së në kundërshtim të këtij drafti të Asociacioni.

    “Aksionet tona do të përshkallëzohen dhe intensifikohen. Patjetër që do të kemi protesta dhe kundërshtime të fuqishme pasi besoj që ka ndodhur një ndryshim. Në fjalët tona të vazhdueshme kanë menduar që është çështje inati kur kemi treguar se po shkojmë drejt autonomisë apo shpërbërjes së Republikës në Kosovë”, përfundoi Molliqaj.

    Pas përfundimit të aksionit pati një përplasje por pa eskaluar ndërmjet Policisë së Kosovës dhe anëtarëve të PSD-së, ku këta të fundit refuzuan t’i dorëzojnë flamujt e Kosovës të cilët i hoqën nga shtiza tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës./KP/

  • Molliqaj: ZPS po e ndjek UÇK-në, jo krimet në Kosovë

    Molliqaj: ZPS po e ndjek UÇK-në, jo krimet në Kosovë

    Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar para bazës së EULEX-it në Fushë Kosovë, për të kundërshtuar bastisjet e Speciales të kryera ditët e fundit në Kosovë.

    Ata në bashkërendim edhe me Partinë Social Demokrate, ndonëse kjo e fundit nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar, përmes një aksioni simbolik, kanë hedhur telefona pranë kësaj baze.

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një prononcim për ATV-në, tha se ajo që ndodhi ditëve të fundit, sipas tij, ka qenë një plaçkitje e paligjshme e pronave të luftëtarëve të lirisë në Kosovë, e cila ka ndodhë nga Gjykata Speciale.

    “Sa herë që një organ që është i thirrur për të vendosur drejtësi dhe ka të pamundur për të bërë një gjë të tillë, atëherë fillojnë përndjekjet e stigmatizimet. Ajo që ka ndodhë ditëve të fundit ka qenë një plaçkitje e paligjshme e pronave të luftëtarëve të lirisë në Kosovë, e cila ka ndodhë nga Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializume nën pretekstin për të vendosur drejtësi e për të penguar padrejtësinë që mund të bëjnë ushtarët e UÇK-së. Tani ata i kanë të gjitha provat, i kanë të gjitha materialet, por nuk po mund të vendosin asgjë kundër ushtarëve të UÇK-së”, tha Molliqaj.

    Molliqaj tha se këto veprime të Gjykatës Speciale ndaj ushtarëve të UÇK-së po ndodhin ën frymën e Qeverisë së Kosovës.

    “Gjithë kjo po ndodh në frymën e Qeverisë së Kosovës, e cila është qeveri e vetmja që nuk i ka ngritur të hyrat për invalidët e luftës, nuk i ka ngritur të hyrat për familjarët e dëshmorëve, nuk i ka ngritur ose i ka përjashtuar nga paga minimale veteranët dhe më e zeza prej të gjitha këtyre, ose më e rënda është që, siç edhe e dini nuk i ka financuar as protezat për invalidët e luftës. Nuk është e rastësishme kjo. Nuk ka ndodhë asnjëherë nga asnjë qeveri një veprim i tillë çfarë kjo qeveri po e bën. Prandaj, kemi sulm të drejtpërdrejtë nga Dhomat e Specializume për t’i shantazhuar ushtarët e UÇK-së dhe kemi heshtje edhe denigrim të dinjitetit të kategorive të dalura nga lufta. Besoj që ky është një koordinim i dyanshëm, i dëmshëm dhe i rrezikshëm për ata që ne e quajmë vlerën sublime të shtetit të Kosovës, që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Molliqaj.

    Ai tha se ZPS po e ndjekë UÇK-në dhe jo krimet në Kosovë.

    “Nuk është çështje e koordinimit formal dhe marrëveshjes, është çështje e frymës. ZPS-ja po e ndjek UÇK-në, jo krimet në Kosovë. Po i përndjek komandantët e ushtarët e saj, duke ua konfisku pronat e tyre në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme. Ju e dini se siç janë ligjet për konfiskime tilla. Nuk bëhet ashtu siç shkojsh në kafe me ia ngjit telefonin. Nuk është e lejuar asnjëherë. Fillimisht duhet të njoftohet personi, kush janë ata, pse po duan, pastaj përmes procesverbalit konfiskohet telefoni, nuk konfiskohet në mënyra klandestine, ndërsa atë që e thashë, po e përsëris prapë, më thoni ju cilës kategori në Kosovë nuk ju ka arritur paga. Unë t’i përmenda tri prej tyre. Ato janë familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët janë përjashtu. Dhe mos harroni asnjëherë, që tri vite nuk janë nda fundet për proteza. Nëse veteranët na qenkan të rrejshëm, a janë dëshmorët të rrejshëm? Nëse veteranët na qenkan të rrejshëm ndonjë prej tyre, a janë familjet e dëshmorëve dhe invalidët që kanë proteza të rrejshëm. Pra nuk ka të bëjë me veteranë të rrejshëm, ka të bëjë me përndjekje të kësaj kategorie që po i bëhet nga Qeveria e Kosovës”, tha Molliqaj.

    Ndërsa, kryetari në detyrë i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, në fjalimin e tij para protestuesve, tha se as ZPS as EULEX-i nuk mund t’ua marrë telefonat, pasi sipas tij, për këtë është Policia e Kosovës që mund ta bëjë këtë nëse është e nevojshme.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar e as EULEX-i s’mund të na marrë (telefonat), këtu është Policia e Republikës së Kosovës, jemi shtet. Nëse këta kanë nevojë për telefonat tonë, e bëjnë policia e jonë një shkresë edhe thonë na duhet telefoni për ta konfiskuar, për të hetuar, se s’kanë çka hetojnë. Unë kam tregu që ne flasim në telefona, qofshin ata të thjeshtë apo inteligjentë, ata vazhdimisht janë duke na përgjuar dhe s’kanë nevojë me na i konfisku telefonat sikur hajnat e kriminelët, sepse ka raste kur njerëzve iu kanë shku në tavolina duke pirë kafe, pa i thënë asgjë ia kanë kapë telefonin. A është normale kjo. Prandaj, ne si organizues të kësaj proteste, kemi mëndu që t’ju japim këtyre telefona nëse ju duhen”, tha Klinaku. /atvlive.tv

  • Molliqaj: Arrestimi i tre policëve është aksion i Vuçiqit, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre

    Molliqaj: Arrestimi i tre policëve është aksion i Vuçiqit, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, është deklaruar pasi Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre zyrtarë kufitarë dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Sipas tij, arrestimi i të tre policëve kosovarë është aksion i paramenduar i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Arrestimi i policëve të Kosovës në vijën kufitare me Serbinë është aksion i paramenduar i Vuçiqit. Vuçiq ka filluar politikën si megafon i luftës, ai mbijeton në politikë përmes armëve”, shkroi ai në Facebook.

    Ai shtoi se “instrumentalizimi i policisë në shërbim të politikave ditore është taktikë e vjetër e liderëve autoritarë”.

    “Pati ose jo çështje, figura e fortë do hekur e barot. Aksionet me video-incizime janë përditësimi bashkëkohor i kësaj zeje të vjetër. Incizimet janë masë stigmatizuese paragjyqësore. Kështu është edhe kur e bëjmë ne, në veri të vendit ose në Prishtinë”, shtoi i pari i PSD-së.

    “Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës”.

  • Dardan Molliqaj zbulon ofertën që ia bëri Vetëvendosja për të qenë pjesë e saj – Do të habiteni

    Dardan Molliqaj zbulon ofertën që ia bëri Vetëvendosja për të qenë pjesë e saj – Do të habiteni

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në emisionin LIBERO në ATV, zbuloi për herë të parë ofertën që i kishte bërë Vetëvendosja vetëm për të qëndruar në parti.

    “Vetëvendosja na ka ofru gjithçka me qenë në Vetëvendosje. Praktikisht mundem me e ba për herë të parë publike, pas problemit, diku 2-3 javë para se me dalë edhe zyrtarisht që po e lëmë Vetëvendosjen, mua me ka ardhur Liburn Aliu edhe më tha, ‘të gjitha pozitat, zgjidhe cilën të duash veç tri jo, kryeministër, kryetar partie edhe sekretar’. Krejt tjerat tha, çfarëdo që kem në institucione, në parti, nënkryetar, e këso tjerat, veç rri në Vetëvendosje”, tregoi Molliqaj.

    Ai tha se për këtë arsye, nuk besoj që dikush duhet të marrë ndonjë pozicion politik vetëm sa për ta pasur. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Molliqaj: Situata në veri është një film i radhës i Albin Kurtit

    Molliqaj: Situata në veri është një film i radhës i Albin Kurtit

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në emisionin LIBERO në ATV, situatën e krijuar në veri të vendit, për të cilën e akuzon kryeministrin Kurti, e quan skenar filmi.

    “Kushdo që guxon të e rrezikon jetën e njerëzve ne Kosovë pavarësisht se a janë serb, a janë shqiptar, a janë polic apo a janë qytetar për ide krejtësisht të vetat personale. Po ashtu mendoj që duhet të kundërshtohet fuqishëm. Nuk kam parë gjendje më dramatike në Kosovë që as mos me u mbledh Kuvendi”, tha Molliqaj.

    Ai tha se me këto veprime, kryeministri Kurti po tenton ta luajë rolin e opozitarit dhe të kryeministrit njëkohësisht.

    “Për mu është e pa pranueshme se çka është duke ndodhur sepse ne e kemi parë këtë film. Unë e kam bërë edhe një postim tjetër që e kam quajtur ‘kurthet e Kurtit’. Për bindjen tonë të thellë, Kryeministri Kurti po dëshiron që të e luajë rolin edhe të opozitarit edhe të kryeministrit. Krejt se çka është duke ndodhur, ky po i bënë veprimet ku pjesa dërmuese e figurave publike, partive parlamentare e të tjera po i kërkojnë me u tërheq”, tha Molliqaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Molliqaj: Zgjedhjet e sotme, argument i ri i Vuçiqit për të ushtruar presion për Asociacionin

    Molliqaj: Zgjedhjet e sotme, argument i ri i Vuçiqit për të ushtruar presion për Asociacionin

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka komentuar mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore duke shtuar se nuk zgjidhet problemi i veriut të Kosovës në këtë mënyrë, por vetëm politikisht.

    Molliqaj thotë se në një status në Facebook se për kryeministrin Kurti më e rëndësishme është mbajtja e zgjedhjeve në veri se sa rendi e ligji atje.

    “Sot, Kurti deshi të tregojë që edhe në veri ai mund të mbajë zgjedhje. Për të më e rëndësishme është të arsyetoje pushtetin e vet sesa të trajtojë veriun më shumë sesa çështje sigurie dhe e mungesës së rendit e ligjit. Çështja e veriut është çështje politike. Prandaj duhet të trajtohet politikisht. Deri tani, veprimet e pushtetit kanë qenë të gabuara e shpesh herë të rrezikshme”, tha ai.

    Tutje Molliqaj komentoi edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Në fund, zgjedhjet e sotme janë argument i ri i Vuçiqit për të ushtruar presion rreth krijimit të Asociacionit”, shtoi ai.

  • Molliqaj kërkon ndihmë nga qytetarët, për ta paguar gjobën 20 mijë euroshe nga AIP-i

    Molliqaj kërkon ndihmë nga qytetarët, për ta paguar gjobën 20 mijë euroshe nga AIP-i

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kërkuar ndihmë nga qytetarët pasi Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ia ka dënuar subjektin politik që e udhëheq me një shumë prej 20 mijë eurove.

    Shkak ishte bërë një aksion i PSD-së para Qeverisë së Kosovës, e sipas AIP-it, aty ka pasur “përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale”.

    Gjoba qe shqiptuar për rastin kur PSD-ja shpalosi në oborrin e Qeverisë peticionin e vitit 2015 kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, me 205 mijë nënshkrime të qytetarëve.

    Kësisoj, Molliqaj shkroi të mërkurën në Facebook se “shteti i kapur nga Albin Kurti sot po përdoret për luftë speciale kundër opozitës”.

    “Agjensioni i Privatësisë që drejtohet nga një militante e VV-së, e dënoi PSD-në me 20 mijë euro gjobë, pa arsye, n’shpërputhje me ligjin dhe vetëm për shkak të presionit që i erdhi nga Qeveria. Qeverisë së Zajednicës, i paska penguar aq shumë që ia kemi shpalosur peticionin që po e shkelë”, shkroi ai në Facebook.

    Sipas tij, PSD-ka është subjekt me të hyra shumë të vogla financiare dhe “pa ndihmën tuaj nuk do të mund të paguajmë asnjë dënim dhe përmbaruesit privatë, të angazhuar nga Qeveria, do t’fillojnë me konfiskimin e çdo gjëje që i takon PSD-së”

    Prandaj, ai u bëri thirrje që qytetarëve që ta ndihmojnë përmes kontributeve financiare, për ta përballuar këtë dënim që ai e quan tërësisht të padrejtë e të jashtëligjshëm.

    “Ne do të bëjmë edhe padi gjyqësore kundër këtij dënimi, por ndërkohë konfiskimet përmbaruese do të fillojnë shumë shpejt. Të dhënat bankare të PSD-së: Emri: Partia Socialdemokrate Nr. i Xhirollogarisë: 1501090001041368 IBAN: XK05 Banka: Raiffeisen Bank Kosova Pershkrimi: Donacion + nr personal i donatorit”, shkroi ai në Facebook.

    “Si persona individual, ju mund të dhuroni jo më shumë se 2000 euro në vit si total, kurse si biznes, jo më shumë se 10,000 euro total për vit dhe jo më shumë se 1000 euro brenda ditës”, theksoi Molliqaj.