ATV

Tag: Daniel Serwer

  • Serwer: Në takim me Vuçiqin, Lajçak s’e tha “asnjë fjalë” për terrorizmin e 24 shtatorit

    Serwer: Në takim me Vuçiqin, Lajçak s’e tha “asnjë fjalë” për terrorizmin e 24 shtatorit

    Daniel Serwer, një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, shprehu indinjatën me Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili nuk e adresoi sulmin e 24 shtatorit në pjesën veriore të Kosovës.

    Serwer, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, u shpreh se Lajçak s’e tha “asnjë fjalë” për terrorizmin e paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në takimin që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë një vizite në Beograd.

    “Asnjë fjalë për sulmin terrorist të 24 shtatorit të sponsorizuar nga Beogradi, mashtrimin në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Beograd apo përafrimin në rritje të Serbisë me diktatorët”, shkroi profesori amerikan nga “Johns Hopkins University” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

    Reagimi i Serwerit erdhi pas njoftimit të Lajçakut se në fokus të takimit që zhvilloi me presidentin serb, kanë qenë “perspektivat strategjike” për vitin 2024 dhe “hapat e ardhshëm” në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd nën ndërmjetësimin e BE-së.

  • Serwer: Fitorja e Vuçiqit në Serbi nuk është shenjë e mirë për Kosovën

    Serwer: Fitorja e Vuçiqit në Serbi nuk është shenjë e mirë për Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka krijuar një sistem të padrejtë zgjedhor që e favorizon atë, thotë Daniel Serwer, profesor në Universitetin amerikan Johns Hopkins.

    Të dhënat paraprake të zgjedhjeve të 17 dhjetorit tregojnë se Partia Përparimtare Serbe, e udhëhequr deri vonë nga Vuçiq, ka fituar shumicën.

    Lista opozitare “Serbia kundër dhunës” ka kërkuar, ndërkohë, anulimin e zgjedhjeve në Beograd, duke pretenduar se ka pasur parregullsi.

    Duke komentuar fitoren e Vuçiqit në raport me Kosovën, Serwer thotë se rezultati nuk është një shenjë e mirë për marrëdhëniet mes dy vendeve.

    “Nuk shoh asnjë shenjë se Vuçiq është gati për një ndryshim serioz sa u përket marrëdhënieve me Kosovën. Përkundrazi, ai është nisur në drejtim të kundërt. Ai sërish bën thirrje për vendosjen e sovranitetit të Serbisë. Ai e kundërshton rëndësinë e marrëveshjeve të marsit dhe shkurtit [Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit për zbatimin e saj], të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thonë se janë ligjërisht të detyrueshme”, ka thënë Serwer./REL

  • Serwer: ShBA-ja dhe BE s’kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë

    Serwer: ShBA-ja dhe BE s’kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë

    Njohësi i zhvillimeve politike dhe profesori amerikan, Daniel Serwer, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëdhënësit të BE-se, Peter Stano, për masat ndaj Kosovës, duke thënë se BE-ja ende s’ka parë veprime nga Kosova që çojnë në de-eskalim të plotë të situatës në veri.

    Sipas Serwer, “BE-ja është bërë një kundërshtar de-facto i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

    “Ajo [BE] dëshiron të kufizojë dislokimet e policisë në përgjigje të një kërcënimi të qartë dhe aktual, si dhe të krijojë një strukturë të veçantë qeverisëse për popullatën serbe, të paktën në veri”, ka shkruar Serwer.

    Më tej profesori i Universitetit amerikan “John Hopkins”, ka shkruar se “SHBA-të po mbështesin BE-në në të dyja këto synime, ndërsa mohojnë se do të lejojnë arritjen e objektivit të fundit”.

    “Por as BE dhe as SHBA nuk kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë, siç tregohet nga dështimi për të reaguar ndaj tentativës së kryengritjes së Beogradit”, ka shkruar Serwer.

    Situata në veri e ka ndikuar edhe në mënyrë tjetër ekonominë e Kosovës, pasi Bashkimi Evropian ka ndërmarrë në fund të qershorit disa masa ndëshkuese ndaj vendit.

    Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nuk u është bindur, sipas bashkësisë ndërkombëtare, kërkesave të saj për ta shtensionuar situatën në veri.

    Këto masa kanë përfshirë pezullimin e programimit të fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA – Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE – dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.

    Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë deklaruar se këto masa nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë negativ apo të prodhojnë humbje financiare për bizneset, por, megjithatë, “ato kanë pezulluar nënshkrimin e kontratave të reja, që do të kishin krijuar një vlerë potenciale për bizneset në Kosovë”.

  • Serwer: ShBA-ja dhe BE-ja po mbyllin sytë ndaj veprimeve të Serbisë, kjo do të ketë pasoja

    Serwer: ShBA-ja dhe BE-ja po mbyllin sytë ndaj veprimeve të Serbisë, kjo do të ketë pasoja

    Përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën për të mos marrë kontrollin e veriut të saj me shumicë serbe duhet të jenë të dukshme për të gjithë sot, thotë Daniel Serwer, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington.

    Server kujton se vitin e kaluar ka pasur tensione të shkaktuara nga vendimi targat, bojkoti i zgjedhjeve komunale në pranverë, trazirat pasuese kundër kryetarëve të zgjedhur joserbë, sulmi ndaj forcave paqeruajtëse të NATO-s në maj, kidnapimi i policëve të Kosovës – të gjitha këto thotë ai ishin preludi i rebelimit të penguar fundjavën e kaluar.

    Por Server thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE deri më tani nuk kanë arritur të nxjerrin përfundimet e nevojshme, transmeton gazeta online Reporteri.

    “Ata vazhdojnë të bëjnë thirrje për dialog pa asnjë pasojë për Beogradin. Madje, ambasadori amerikan në Beograd (Christopher Hill) mendoi se ishte me vend të sugjeronte që Serbia të anëtarësohej në NATO. Shumica dërrmuese e serbëve e refuzojnë këtë perspektivë. Brenda BE-së, është e vështirë të kërkohet llogari nga Serbia, sepse çdo vendim kërkon unanimitet. Hungaria pro-ruse e Viktor Orbanit është një prishës i zakonshëm. Rezultati i zgjedhjeve të së dielës në Sllovaki do ta bëjë Bratislavën e mikun e ardhshëm më të mirë të Moskës.

    Përpjekja e vazhdueshme dhe e pafrytshme e administratës Biden për ta kthyer Serbinë drejt Perëndimit po bllokon çdo rimendim serioz të politikës në Ballkan. Zyrtarët amerikanë thjesht nuk duan të pranojnë dështimin.

    Ata vazhdojnë të kërkojnë qetësim, janë të verbër ndaj keqbërjes së Beogradit”, shkruan ndër të tjera Server në blogun e tij.

  • Serwer për sulmin terrorist në veri: Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, asgjë nuk ndodh pa dijeninë e Beogradit

    Serwer për sulmin terrorist në veri: Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, asgjë nuk ndodh pa dijeninë e Beogradit

    Policia e Kosovës dhe forcat e NATO-s në veriun me shumicë serbe të vendit penguan një rebelim të armatosur gjatë fundjavës. Një polic i Kosovës dhe katër terroristë u vranë dhe disa u arrestuan. Por shumica duket se kanë ikur, tha për peacefare.net Daniel Serwer, profesori në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington.

    Sipas tij, Serbia dhe përfaqësuesit e saj politikë të Listës Serbe në Kosovë shpallën ditë zie.

    Ai thotë se kjo konfirmon mbështetjen e tyre për rebelimin. “Burrat e gjelbër” duket se kanë gjetur një strehë të sigurt në Serbi.

    “Presidenti serb Vuçiq më pas u takua me ambasadorin rus Aleksandar Bocan Harchenko. Vuçiq është ankuar për “spastrim brutal etnik” në Kosovë, për të cilin nuk ka asnjë provë”, tha ai.

    Serwer ka hedhur dyshimet e tij rreth sulmit terrorist që ndodhi në veri të dielën. Thotë se në komunat me shumicë serbe në Kosovë, asgjë nuk ndodh pa dijeninë e Beogradit.

    “Ne nuk kemi as konfirmim se Vuçiq ka urdhëruar një rebelim të armatosur. Por një nga qytetet e tij në veri të Kosovës ishte i përfshirë. Gjëra të tilla nuk ndodhin pa dijeninë e Beogradit. Vuçiq mund ta kishte ndaluar paraprakisht ose ta dënonte më pas. Ai nuk e bëri asnjërën”.

    Sipas Serwer-it, ky incident është konfirmim se Vuçiq nuk ka ndërmend të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

    Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me këtë qëllim është mbulesë për qëllimin e tij real. Ai kërkon ndarjen e katër komunave në veri me shumicë serbe. Ai do të preferonte një ndarje de jure dhe shpreson se suksesi i Rusisë në aneksimin e pjesëve të Ukrainës do ta konfirmojë këtë qëllim.

    “Por ai, tani për tani, do të pajtohej për një administratë de facto të veçantë, në formën e një Bashkësie të Komunave me shumicë serbe”

    Sipas Serwerit, Prishtina ka treguar se policia e saj, me mbështetjen e NATO-s, mund të merret me një grup të armatosur rëndë prej disa dhjetëra militantë të vendosur.

    “Por është gjithashtu e qartë se forca të blinduara serbe mund të lëvizin lehtësisht në Kosovë. Është më pak se 40 kilometra nga pikëkalimi më i afërt kufitar serb në Mitrovicën veriore, ndoshta një orë me makinë me tanke”, pohon Serwer duke shtuar se diplomatët amerikanë dhe evropianë besojnë se Serbia nuk do të tentojë një veprim të tillë për shkak të pasojave politike.

    “Por Vuçiq e di më mirë. Ai po përpiqet të bindë botën se serbët po pastrohen etnikisht nga Kosova. Kjo mund të mbështesë pretendimin se tanket e tij po mbrojnë civilët. Prandaj ai vazhdimisht pretendon, pa prova, se po bëhet një spastrim i tillë etnik, siç bëri në takimin me ambasadorin rus.

  • Serwer: Escobar e Hill besojnë se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, faktet tregojnë të kundërtën

    Serwer: Escobar e Hill besojnë se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, faktet tregojnë të kundërtën

    Profesori i Universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer, thotë se SHBA-ja po e favorizon Serbinë. Ai mendon se emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill besojnë se e kanë “dërguar Serbinë drejt Perëndimit, pavarësisht fakteve të qarta kundër”.

    Së fundmi ambasadori Hill në një intervistë për “Zërin e Amerikës” i kishte dalë në mbrojtje ministrit të Mbrojtjes së Serbisëm Millosh Vuçeviq. Hill nuk i kishte vlerësuar si destabilizuese deklaratat e Vuçeviqit se “njohja e Kosovës do t’i godasë në kokë Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut – siç po ndodh në Ukrainë me të gjithë ata që promovuan Kosovën si shtet të pavarur”.

    Eksperti për Ballkanin, Serwer, thotë se mosreagimi i SHBA-së ndaj deklaratave të Vuçeviqit, dëshmon qasjen e butë të Amerikës ndaj Serbisë.

    “Qëndrimi i Amerikës ndaj Serbisë zbret në një politikë qetësimi. Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë derisa në Serbi të jetë struktura aktuale diplomatike”, ka thënë Serwer në një intervistë për mediumin malazias “Pobjeda”.

    Serwer ka thënë se Washingtoni hesht për shumë gjëra sa i përket Serbisë përfshirë korrupsionin në nivele të larta, kërcënimet serbe për përdorim të forcës, sulmet e financuara nga Beogradi ndaj trupave të NATO-s, refuzimin e Vuçiqit për t’u angazhuar në zbatimin e marrëveshjes së arritur së fundmi në dialogun Kosovë – Serbi.

    Serwer beson se arsye për këtë janë Escobari dhe Hilli.

    “Përshtypja ime është se Hill e Escobar janë të bindur se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, pavarësisht fakteve bindëse dhe të qarta për të kundërtën. Duket gjithashtu se i japin prioritet Serbisë, në mënyrë që ajo të lejojë dërgesën e armëve në Ukrainë”, tha Serwer.

    Serwer beson se letra që u nënshkrua nga 60 deputetë evropianë të nivelit të lartë si dhe nga kongresistë e senatorë amerikanë, duke i bërë thirrje BE-së, SHBA-së e Britanisë së Madhe për ndryshim të politikës së butë ndaj Serbisë, nuk është presion mjaftueshëm i madh.

    “Zyrtarët që janë pjesë e legjislativit dërguan një letër. Ata duan ndryshim dramatik në qasjen aktuale ndaj Serbisë, por nuk ka asnjë indikacion se do të realizohet kjo nga autoritetet ekzekutive në SHBA e BE”, tha Serwer.

    Serwer thotë se duhet më tepër presion.

    Sa i përket “Ballkanit të Hapur”, të cilën po e promovon haptazi ambasadori amerikan Hill, Serwer beson se kjo është dëshmi tjetër e politikës së butë të SHBA-së karshi Serbisë.

    “Përkrahja për ‘Ballkanin e Hapur’ ishte pjesë e politikës së butë”, tha Serwer.

    Sa i përket letrës që i ka dërguar ish-ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq, ambasadorit amerikan Hill, Serwer thotë se Vlahoviq ka të drejtë.

    Vlahoviq tha se politika aktuale është duke destabilizuar Ballkanin.

  • Serwer: Kurti po përpiqet ta ruajë sovranitetin e Kosovës, Vuçiq dëshiron edhe një “Republika Srpska”

    Serwer: Kurti po përpiqet ta ruajë sovranitetin e Kosovës, Vuçiq dëshiron edhe një “Republika Srpska”

    Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka folur për gjendjen aktuale në veri të Kosovës dhe qëllimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq që ta mbajë kontrollin mbi veriun e Kosovës.

    Analisti amerikan dhe njohësi i rrethanave të Ballkanit, Serwer, në një intervistë për “N1” tha se Albin Kurti po përpiqet kur të vendosë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, që natyrisht është obligim i tij kushtetues.

    Ndërsa për Vuçiqin thotë se me destabilizimin e situatës në veri të Kosovës qëllimi i tij [Vuçiqit] dhe i politikës së tij është të ketë një tjetër ‘Republika Srpska’ në Ballkan, që i gjithë rajoni të jetë gjithmonë në prag të destabilizimit.

    “Por, Vuçiq është serioz për Serbinë e Madhe, atë që ai e quan bota serbe, dhe është i vendosur të mbajë kontrollin mbi Kosovën veriore”.

    I pyetur se pse po ndodh në këtë moment kjo valë e re tensionesh në veri të Kosovës dhe nëse kjo po ndodhë për shkak se një marrëveshje është shumë afër dhe dikush nuk dëshiron që ajo marrëveshje të arrihet apo të nënshkruhet, Serwer thotë se nuk beson se jemi afër një marrëveshjeje dhe nuk dëshiron të merr një qasje që fajëson njërën palë, transmeton Telegrafi.

    “Mendoj se ajo që po ndodh është se Serbia definitivisht ka vendosur të vazhdojë kontrollin e saj mbi veriun e Kosovës, pavarësisht kostos. Kjo është ajo. Dhe Kurti i kundërshton. Duke i kundërshtuar jo vetëm me mjeshtëri, por duke u përpjekur të vendosë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, që natyrisht është obligim i tij kushtetues. Por, Vuçiq është serioz për Serbinë e Madhe, atë që ai e quan bota serbe, dhe është i vendosur të mbajë kontrollin mbi Kosovën veriore”.

    Serwer thotë se me destabilizimin e situatës në veri të Kosovës qëllimi i Vuçiqit dhe i politikës së tij është të ketë një tjetër ‘Republika Srpska’ në Ballkan, që i gjithë rajoni të jetë gjithmonë në prag të destabilizimit?

    “Po, ai po përpiqet të marrë një ‘Republika Srpska’ tjetër. E kanë shkruar dhe e kanë paraqitur si propozim për dialog. Mendoj se është shumë e qartë me shkrim se propozimi serb për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që do të kishte funksione ekzekutive dhe do të qeverisej në mënyrë të pavarur nga Prishtina”, tha ai.

  • Eksperti amerikan kundër draftit të Ramës për Asociacionin

    Eksperti amerikan kundër draftit të Ramës për Asociacionin

    Daniel Serwer ekspert i marrëdhënieve me SHBA, ka folur rreth draft-statusit të propozuar nga kryeministri Rama për Asociacionin e komunave serbe dhe mënyrën se si ka ndikuar ai.

    Profesori Serwer i ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania tha se propozimi i këtij draft-statusi nga ana e kryeministrit shqiptar nuk ishte i drejtë, madje ai tha se ish-kryeministri Berisha kishte të drejtë kur thoshte se ky ishte një veprim i gabuar.

    “Ky është një komplikacion që nuk ishte i nevojshëm, i bën gjërat edhe më të vështira për Albin Kurtin. Mendoj se ish-presidenti Berisha ka të drejtë. Kjo është një ndërhyrje e panevojshme, e cila cenon prestigjin e Kurtit dhe nuk e zgjidh problemin.

    Tashmë është e nevojshme që Kosova të vijë me një propozim, mesa e kam kuptuar, kryeministri Kurti e ka cilësuar të pamundur modelin e propozuar në Kroaci.

    Ai duhet të vijë dhe të dalë me një propozim i cili duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, megjithatë mendoj se është e nevojshme që të vijë diçka nga Prishtina, jo nga Beogradi apo nga Edi Rama”,-tha Daniel Serwer.

  • Serwer: Washingtoni dhe Brukseli mbështesin Serbinë për ta larguar nga Moska, por Vuçiq po e bën të kundërtën

    Serwer: Washingtoni dhe Brukseli mbështesin Serbinë për ta larguar nga Moska, por Vuçiq po e bën të kundërtën

    Profesori amerikan, Daniel Serwer, i cili është njohës i zhvillimeve politike në Ballkan, ka thënë se Washingtoni dhe Brukseli e kanë mbështetur Serbinë duke shpresuar që ta bëjnë Beogradin të riorientohet drejt Perëndimit dhe larg Moskës.

    Sipas tij, lejimi i dërgesës së armëve nga Beogradi në Ukrainë e ka përforcuar këtë shpresë.

    Por thekson se nuk ka asnjë shenjë se presidenti Vuçiq është i përgatitur të dobësojë lidhjet e tij me Moskën dhe Pekinin.

    Përkundrazi, thekson Serwer, presidenti serb ka vazhduar të refuzojë të përafrohet me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë (dhe me shumë aspekte të tjera të politikës së jashtme të BE-së).

    “Ai mban një derë të hapur për bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, si dhe teknologjinë dhe investimet kineze të sigurisë”.

    Profesori amerikan shtoi se kryeministri Kurti ka refuzuar kërkesat e BE-së dhe SHBA-së që ai beson se do të kufizojnë sovranitetin e vendit dhe do të kërcënojnë integritetin e tij territorial.

    “Por ai ka nevojë për mbështetjen perëndimore që Kosova të mbijetojë dhe të lulëzojë”.

    Serwer thekson se në veri të Mitrovicës shërbimet e sigurisë së Beogradit dhe rrjetet e tyre aleate të krimit të organizuar ende mbizotërojnë.

    Kurti shton ai, është përpjekur të thyejë kontrollin e tyre duke zbatuar ligjin e Kosovës në veri, por deri më tani përpjekjet e tij nuk duket se kanë pasur sukses.

    “Kryeministri duhet t’u tregojë serbëve në veri të Kosovës se çfarë mund të fitojnë ose duke lejuar kryetarët e komunave të zënë vendet e tyre që u takon ose duke mbajtur zgjedhje të reja. Ai duhet të propozojë një statut për AKS, pa kompetenca ekzekutive. SHBA dhe BE duhet t’i tregojnë Kurtit se çfarë mund të fitojë duke filluar negociatat për ASMM”.

    “Imagjinoj, për shembull, që një falje e sinqertë për represionin vrasës të regjimit të Millosheviqit në vitet 1990 dhe një ofertë për të negociuar kompensim, veçanërisht për gratë e përdhunuara nga forcat serbe të sigurisë, do të shkonte shumë”, u shpreh Serwer.

    Sipas ekspertit amerikan, Brukseli dhe Ëashingtoni kanë përdorur vetëm ‘karrota’ me Beogradin.

    Ata thotë ai e lavdërojnë në mënyrë të papërshtatshme si dikush që e ka kthyer Serbinë drejt perëndimit.

    “Ata shmangin çdo kritikë për korrupsionin e nivelit të lartë dhe sjelljen autokratike në Serbi. SHBA-ja vetëm pëshpërit kundërshtimin ndaj mobilizimit të tij dhe vendosjes së ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, përdor në mënyrë të papërshtatshme citon “të dyja palët” në kritikimin e rebelëve serbë kundër trupave të KFOR-it dhe ofron mbështetje të bollshme politike dhe ekonomike”.

    “Vuçiq fut karotat në xhepa dhe vazhdon miqësinë me Moskën dhe Pekinin. Është koha që qetësimi të marrë fund”, shkroi Serwer në peacefare.

  • Serwer kritikon Përëndimin për qasjen ndaj vendeve të Ballkanit: Administrata Biden po anon kah Serbia

    Serwer kritikon Përëndimin për qasjen ndaj vendeve të Ballkanit: Administrata Biden po anon kah Serbia

    Profesori amerikan dhe njohësi i rrethanave politike e të sigurisë në rajonin e Ballkanit, Daniel Serwer, teksa ka komentuar shkrimin e New York Times për lidhjet e presidentit të Serbisë me botën e krimit, ka kritikuar perëndimin, meqë sipas tij po dëshirojnë që në rajon të vendoin paqe përmes shfrytëzimit të nacionalistëve.

    Serwer ka thënë se administrata e Joe Biden anon me qëndrime positive ndaj Beogradit pavarësisht çfarë ndodh.Sipas tij perëndimorët po e mashtrojnë veten dhe shton se këtë po e bëjnë me qëllim.

    “Zyrtarët perëndimorë janë duke mashtruar veten dhe këtë po e bëjnë për një qëllim. Ata kanë hequr dorë nga demokracia liberale në Serbi, në Kosovë, në Bosnje, në përgjithësi në Ballkan. Dhe ajo që ata po bëjnë është të përpiqen të përdorin nacionalistët për të ruajtur paqen, në thelb, për të stabilizuar rajonin. Kjo është një ide që ka ekzistuar gjithmonë në Perëndim, por është bërë shumë e spikatur në administratën e presidentit Biden dhe ajo anon shumë drejt të qenit pozitiv për Beogradin, pa marrë parasysh çfarë ndodh”, ka thënë për Zërin e Amerikës, profesori i Universitetit John Hopkins, Daniel Serwer.

    Derisa gazetari amerikan Robert F. Worth thotë se ka serbë që mendojnë se situata në përgjithësi është edhe më keq se sa në kohën e Slobodan Milosheviçit.

    “Disa serbë më ka thënë që në disa forma situata është më keq se si ishte në kohën e Millosheviçit. Drejtësia është më e politizuar se sa ishte në atë kohë. Nuk ka luftë civile të përgjakshme më dhe kjo është një gjë e mirë, por Serbia tani është një vend ku policia, në disa nivele dhe në kohëra të ndryshme ka qenë e përfshirë në aktivitete kriminale”, thotë gazetari Worth./VOA/