ATV

Tag: Christopher Hill

  • Hill për protestat në Beograd: Legjitimiteti varet nga transparenca, të respektohet vullneti i popullit

    Hill për protestat në Beograd: Legjitimiteti varet nga transparenca, të respektohet vullneti i popullit

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka reaguar pas protestës së dhunshme të opozitës të dielën para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK) në Beograd.

    “Në orët dhe ditët në vijim, liderët e Serbisë dhe qytetarët e saj duhet të kujtojnë: Legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe nga gatishmëria e të gjitha palëve, fituese apo humbëse, për të respektuar vullnetin e popullit të shprehur në kutinë e votimit”, shkroi ai në platformën X.

    Diplomati amerikan ka potencuar po ashtu se dhuna dhe vandalizmi ndaj institucioneve shtetërore nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, derisa ka shtuar se “duke qenë se policia ruan rendin publik, ajo duhet të bëjë të pamundurën për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve dhe të drejtat civile”.

    “Kam besim të plotë se Serbia do t’i kalojë këto sfida me demokracinë e saj të forcuar. Të gjithë qytetarët e Serbisë kanë të drejtë të dëgjohen për të shprehur pikëpamjet e tyre politike në mënyrë paqësore dhe pa përdorur dhunë”, theksoi Hill.

    Ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të bashkëpunojnë me misionin e OSBE-së në hetimin e pretendimeve për parregullsi zgjedhore, një ditë pas protestës së dhunshme në Beograd ku më shumë se 30 demonstrues janë arrestuar gjatë protestës së koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” në kryeqytetin serb.

    “Ne jemi të fokusuar, në bashkëpunimin me Serbinë, për forcimin e qeverisë demokratike dhe sundimin e ligjit, përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, vazhdimin e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e përparimit të Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Serbisë qëndron në Perëndim”, thuhet në përgjigjen e DASh-it për Zërin e Amerikës.

    Në protestën e opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” që është zhvilluar të dielën, qindra protestues kanë tentuar të futen brenda Asamblesë Komunale të Beogradit, duke thyer xhamat e dyerve dhe dritareve në shenjë revolte, duke nxitur reagimin e autoriteteve.

  • Hill: Të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e policit kosovar, po zhvillohen bisedime si të ecet tutje

    Hill: Të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e policit kosovar, po zhvillohen bisedime si të ecet tutje

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot në Beograd se sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjska është një “ngjarje tragjike” dhe se po shqyrtohen hapat e mëtejshëm.

    “Ne të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe gjithmonë mbajmë zi për humbjen e jetëve, por duhet të vazhdojmë me procesin politik. Po zhvillohen procese për të inkurajuar dialogun”, tha Hill në një debat publik.

    Hill tha gjithashtu se procesi diplomatik duhet të forcohet në ditët dhe javët në vijim, shkruan Danas.

    “Kjo situatë po trajtohet shumë seriozisht dhe po zhvillohen diskutime të shumta se çfarë hapash të mëtejshëm duhet të ndërmerren”, tha ai.

  • Hill: Sanksionimi i Vulinit nuk nënkupton marrëdhënie më të këqija Serbi-SHBA

    Hill: Sanksionimi i Vulinit nuk nënkupton marrëdhënie më të këqija Serbi-SHBA

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha më 13 korrik se Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë të kenë ndonjë marrëdhënie me shefin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, por se sanksionet e vendosura ndaj tij si individ nuk nënkuptojnë marrëdhënie më të këqija me Serbinë.

    “SHBA-ja studioi me kujdes Vulinin dhe aktivitetet e tij, dhe arriti në përfundimin se ai nuk është dikush që duam në Amerikë. Në këtë mënyrë, sanksionet janë një mënyrë për të mbrojtur SHBA-në”, u tha Hill gazetarëve, gjatë një turneu në zonën arkeologjike Belo Bërdo.

    Më 11 korrik, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit vendosi në listën e sanksioneve drejtorin e BIA-s, Vulin.

    Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

    Ambasadori Hill tha se mendon që Serbia është në rrugën e duhur dhe se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë janë të mira, dhe po përmirësohen.

    “SHBA-ja dëshiron të ndihmojë Serbinë, e cila tregon qartë se dëshiron të jetë pjesë e institucioneve perëndimore. Ne do ta ndihmojmë atë në masën që dëshiron vetë Beogradi”, tha Hill.

    Gjatë një vizite në punimet për restaurimin dhe rehabilitimin e një zone arkeologjike, të cilat po kryhen nga Qeveria e Serbisë dhe mbikëqyren nga Ambasada amerikane, Hill shtoi se Vulin nuk do të mund të marrë një vizë amerikane.

    Nënsekretari i Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Brian E. Nelson, deklaroi në shpjegimin e sanksioneve kundër Vulinit, më 11 korrik, se vendimi e mbante atë përgjegjës për aktet e supozuara korruptive dhe destabilizuese që mundësonin edhe aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon.

    Ai shtoi se Departamenti i Thesarit nuk do të përmbahet nga shënjestrimi i aktorëve që “abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale, në të njëjtën kohë duke minuar autoritetet demokratike në Ballkanin Perëndimor”

    Partia e Vulinit, Lëvizja Socialiste, e cila është pjesë e koalicionit me Partinë Progresive Serbe në pushtet, hodhi poshtë akuzat dhe kritikoi SHBA-në. Vetë Vulin nuk është deklaruar publikisht.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende nuk i është përgjigjur pyetjeve nëse do të zëvendësojë Vulinin, por ka paralajmëruar hetim për akuzat e SHBA-së.

    Para se të bëhej shef i BIA-s, Vulin ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes, dhe si ministër i Brendshëm.

    Peci: Dhuna në Kuvend është instaluar nga Vetëvendosje, mbetet aty derisa ata nuk kërkojnë falje
    Read more

  • Vulin në listë të zezë, vjen reagimi i Ambasadës së ShBA në Beograd

    Vulin në listë të zezë, vjen reagimi i Ambasadës së ShBA në Beograd

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd ka reaguar pasi Thesari Amerikan e ka sanksionuar shefin e inteligjencës serbe dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Aleksander Vulin.

    Ambasada e SHBA thotë se një vendim i tillë s’ka për qëllim institucionet e Serbisë.

    Në reagim thuhet se SHBA është e palëkundur në përpjekjet e saj për të ekspozuar ata që janë të përfshirë në aktivitete korruptive dhe destabilizuese që minojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor dhe që thellojnë ndikimin keqdashës të Rusisë në rajon.

    “SHBA vazhdon të mbështesë qytetarët e Serbisë në rrugën për të reformuar sistemin gjyqësor, për të luftuar korrupsionin dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë”, përfundon reagimi.

  • Hill mirëpret lirimin e tre policëve, bën thirrje për kthim në dialog

    Hill mirëpret lirimin e tre policëve, bën thirrje për kthim në dialog

    Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka përshëndetur dje lajmin për lirimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, që ishin rrëmbyer më 14 qershor.

    Ai ka thënë se tani pret përpjekje shtesë për de-përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

    “Ne e mirëpresim lajmin për vendimin e gjykatës për lirimin e tre policëve të Kosovës dhe presim që të bëhen përpjekje shtesë që do të çojnë në de-përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës aktuale”, tha Hill për KO.

    I pyetur se çfarë pret më pas për krizën në veri të Kosovës, ambasadori amerikan bëri thirrje për zbatim urgjent të planit trepikësh të Bashkimit Evropian dhe kthimin e menjëhershëm të Kosovës dhe Serbisë në tryezën dialogut.

  • Hill: Nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjëherë ndarje kaq të thella mes Prishtinës dhe Uashingtonit

    Hill: Nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjëherë ndarje kaq të thella mes Prishtinës dhe Uashingtonit

    Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë probleme thelbësore me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti lidhur, për shkak të papajtueshmëruve për situatën e tensionuar në veri.

    Hill ka thënë se është i pasigurt nëse Kurti ende mund të konsiderohet partner i SHBA-së, por ka thënë se ky vendim i takon ambasadës amerikane në Prishtinë.

    “Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, ka deklaruar Hill te Zëri i Amerikës.

    Hill ka theksuar se Kurti duhet të bëjë disa ndryshime në qasjen e tij lidhur me veriun, nëse dëshiron që të llogaris si partner te SHBA dhe BE. Sipas tij, kjo gjë i është bërë e qartë nga ambasadori në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

    Ai ka thënë se nuk mban mend të ketë pasur ndonjëherë ndarje kaq të mëdha mes Prishtinës dhe Uashingtonit.

    “… mendoj se zoti Kurti është informuar plotësisht nga ambasadori ynë në Prishtinë, nga zoti Lajçak dhe zoti Escobar, se do të duhet të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë tek ne si mik dhe partner. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit”, ka thënë Hill.

    Ndërkohë, duke folur për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Hill ka thënë se e konsiderojnë partner të mirë.

    Christopher Hill: Ne e konsiderojmë ai si një partner të mirë, ai dhe qeveria e tij janë partnerë të mirë në këtë proces. Dhe shpresojmë që kështu të vazhdojë. Ne do të donim që ai të bënte ç’është e mundur për të shtensionuar situatën dhe shohim që tashmë po shohim shenja se zbatohet. Kjo është shumë pozitive”, është shprehur Hill.

  • ​Ambasadori Hill: Kemi probleme me kryeministrin Kurti

    ​Ambasadori Hill: Kemi probleme me kryeministrin Kurti

    Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë sot se vendet perëndimore e kanë bërë të qartë se Kosova do të përballet me pasoja për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës, duke theksuar se problemet janë me kryeministrin Albin Kurti.

    Ambasadori Hill në një intervistë për Zërit të Amerikës tha se kryeministri Kurti nuk është pajtuar me kërkesat perëndimore për uljen e tensioneve duke tërhequr njësitë e posaçme të policisë dhe kryetarët e komunave nga veriu.

    “Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, ka thënë ai.

    Megjithatë, ambasadori Hill nuk përmendi pasojat me të cilat do të mund të ballafaqohej Serbia në rast se nuk përmbushen pritjet e bashkësisë ndërkombëtare.

    “Ne e konsiderojmë ai si një partner të mirë, ai dhe qeveria e tij janë partnerë të mirë në këtë proces. Dhe shpresojmë që kështu të vazhdojë. Ne do të donim që ai të bënte ç’është e mundur për të shtensionuar situatën dhe shohim që tashmë po shohim shenja se zbatohet. Kjo është shumë pozitive. Isha i pranishëm në bisedimet (me Escobarin, Vuçiçin dhe Lajçakun,) natën tjetër dhe mund t’ju them se ato shkuan përtej krizës aktuale në Kosovë. Mendoj se ka një mirëkuptim me autoritetet në Serbi se si të ecim përpara, t’i bëjmë gjërat së bashku. Shpresoj që edhe populli i Serbisë do ta kuptojë se ne duam të bashkëpunojmë shumë më tepër politikisht, ekonomikisht, në fushën e sigurisë, që është një nga arsyet e vizitës së gjeneralit (Daniel) Hokanson (i Gardës Kombëtare të SHBA-së). Ne jemi shumë të interesuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë – të paktën aq sa janë të interesuar njerëzit dhe qeveria në Serbi për të. Ne e ndjejmë se Serbia po bëhet një partner gjithnjë e më i mirë për ne”, ka thënë ai./ Zëri i Amerikës

  • ​Hill nga Beogradi: Pasojat për Kosovën po shihen, mund të ketë të tjera

    ​Hill nga Beogradi: Pasojat për Kosovën po shihen, mund të ketë të tjera

    Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se vendimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit kanë pasur efekt negativ në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë pasojat po shihen, duke nënkuptuar për pezullimin e stërvitjeve ushtarake “Defender Europe ‘23”.

    Hill nga Beogradi tha se mund të ketë edhe pasoja të tjera për Kosovën, por tha se nuk është në gjendje të flasim tani për to.

    “Unë mendoj se, ashtu siç e bëri shumë të qartë z. Blinken, do të ketë efekte në marrëdhëniet tona dypalëshe, ne po i shohim tashmë ato. Nuk përjashtoj mundësinë se do ketë të tjera, por nuk jam në gjendje t’i identifikoj ato, përveçse mund të them se duam më shumë përparim në Kosovë, duam themelimin e Asociacionit të komunave serbe, duam normalizim. Angazhimi drejt normalizimit duhet të bëhet nga të dyja vendet duke përfshirë edhe Serbinë, por ne duam të shohim këtë lëvizje, dhe ne duam të shohim rivendosjen e dialogut dhe në fund, siç thashë pak minuta më parë, duam ta shohim Serbinë të vazhdojë këtë rrugëtim drejt perëndimit dhe të jetë realisht pjesë e strukturave euroatlantike”, deklaroi Hill, përcjell KP.

    Ambasadori amerikan në Serbi deklaroi se Ballkani duhet të qetësohet dhe të bëjë një rrugëtim të ri që është drejt Evropës dhe strukturave euroatlantike.

    “Ballkani duhet të qetësohet. Ne duhet të kemi një situatë ku të gjithë në Ballkan të mund të përgatiten për një rrugëtim tjetër dhe ai rrugëtim është drejt Evropës. Kështu që unë shpresoj se Serbia do të mbajë në fokus shumë të mprehtë dhe fokus të qartë nevojën për të vazhduar këtë dialog dhe nevojën për të arritur përfundimisht në destinacionin e strukturave euroatlantike”, tha Hill.

    Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken iu ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin veprime të menjëhershme për t’i ulur tensionet në veri të vendit.

    Duke dënuar dhunën kundër KFOR-it dhe veprimet përshkallëzuese në veri të Kosovës, Blinken ka apeluar të dyja palët që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

  • Pjesëmarrja e Vulinit në konferencën e sigurisë në Moskë, reagon ambasada ameriakne në Beograd

    Pjesëmarrja e Vulinit në konferencën e sigurisë në Moskë, reagon ambasada ameriakne në Beograd

    Pas raportimit se ministri i brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë, ka reaguar ambasada e ShBA-së në Beograd.

    Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se askush nuk mundet ta legjitimojë agresionin rus në Ukrainë.

    “Askush nuk duhet t’i japë legjitimitet veprimit rus, duke bashkëpunuar me Kremlinin, sikur gjithçka është në rregull”, ka thënë Hill.

    “Agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës, është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm. Vladimir Putin filloi këtë luftë brutale. Ai mund, dhe duhet t’i japë fund menjëherë, dhe të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin që po shkakton lufta e tij”, ka thënë mes tjerash Hill. /atvlive.tv

  • Hill: Tensionimi i raporteve Kosovë-Serbi është në dëm të të gjithë rajonit

    Hill: Tensionimi i raporteve Kosovë-Serbi është në dëm të të gjithë rajonit

    Ndonëse procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është tejet i vështirë, e vetmja zgjidhje mbetet që të dy palët t’i vazhdojnë bisedimet. Kështu deklaroi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, gjatë konferencës “Sfidat rajonale të sigurisë”, e cila është organizuar nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të Qendrës për Arsimim Politik.

    Duke përshëndetur përpjekjen e ndërmjetësuesve në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Hill theksoi se tensionimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në dëm të të gjithë rajonit.

    “Mendoj se tensionet dhe konflikti kanë ndikim në të gjitha vendet e rajonit dhe ajo që do të doja të shihja është një lloj përmirësimi ose të paktën ulje të tensioneve”, theksoi ai, raporton REL.

    Ndërkaq, në pyetjet e të rinjve rreth krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ambasadori Hill tha se për këtë duhet investuar në ngritjen e besueshmërisë mes dy komuniteteve.

    “Dy çështje janë me rëndësi kruciale: besimi te komuniteti ndërkombëtar dhe qartësia ndaj qytetarëve për sa i përket asaj se si do të jetë jeta e tyre në të ardhmen”, u shpreh Hill.

    Ambasadori i SHBA-së para të rinjve u fokusua dhe në rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, si në aspektin e zhvillimit ekonomik ashtu dhe në atë të sigurisë.

    Ai nënvizoi se asnjë shtet nuk mund t’i zgjedhë fqinjët, por e gjithë mençuria qëndron në faktin që udhëheqësit politikë të gjejnë mënyra për t’i tejkaluar mosmarrëveshjet, dhe i gjithë fokusi të vendoset në interesat e përbashkëta, duke potencuar në këtë rast nismën Ballkani i Hapur.

    Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, theksoi rëndësinë që Maqedonia e Veriut t’u bëjë ballë sulmeve kibernetike.

    Duke iu referua rritjes së ndikimit rus në Ballkan, ambasadori Hill shprehu bindjen se udhëheqja aktuale ruse e ka çuar, siç tha ai, “civilizimin në pyll” .