ATV

Tag: Chris Murphy

  • Senatori amerikan: Sulmi në Banjskë ishte i mirë-koordinuar, kishte qëllim provokimin e një konflikti më të gjerë

    Senatori amerikan: Sulmi në Banjskë ishte i mirë-koordinuar, kishte qëllim provokimin e një konflikti më të gjerë

    Senatori amerikan, Chris Murphy, i cili ka qenë për vizitë disa herë në Kosovë, ka thënë se ata që kanë vrarë rreshterin kosovar, Afrim Bunjaku, duhet të mbahen përgjegjës.

    Murphy ka thënë se pasojat e sulmit të 24 shtatorit kanë mundur të jenë katastrofale, duke potencuar se armatimi i rëndë që është përdorur tregon se ka qenë një sulm i mirë-koordinuar dhe që ka synuar qëllimshëm të provokojë një konflikt më të gjerë.

    Senatori amerikan ka thënë se është i shqetësuar që lirimi i Milan Radojiçiqit nga Serbia, i cili edhe ka pranuar se qëndron prapa 24 shtatorit, do të rris tensionet edhe më tej në mes të Serbisë dhe Kosovës, dhe do të minojë edhe përpjekjet për implementimin e plotë të obligimeve që palët kanë marrë nga Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Brukseli.

    “Vuçiq duhet të marrë hapa të menjëhershëm për de-eskalim dhe të sigurohet që do të ketë llogaridhënie për këtë akt qyqar”, ka shkruar Murphy.

  • Murphy kërkon “angazhim agresiv” të ShBA-së në Ballkan

    Murphy kërkon “angazhim agresiv” të ShBA-së në Ballkan

    Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen “në mënyrë agresive” në Ballkan dhe fajësoi autoritetet e Kosovës për tensionet aktuale në veri të vendit.

    “Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të mbrojtur paqen, sepse tani nuk mund ta përballojmë shuarjen e zjarreve të vërteta në atë rajon”, tha Murphy në një intervistë për National Journal, pas kthimit në Uashington nga një turne ballkanik, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    Tensionet në veri të Kosovës janë të larta, prej se Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të tri komunave me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të hyjnë në ndërtesat komunale, më 26 maj, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

    Revolta e tyre u shndërrua në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, më 29 maj.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, fajësoi Qeverinë e Kosovës për veprimet që çuan në “përshkallëzim të tensioneve në veri dhe rritje të destabilitetit”.

    Murphy, i cili u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, më 22 maj, u pajtua me Blinkenin se situata mund të ishte zgjidhur me diplomaci dhe jo me forcë.

    “Ai nuk duhej të lëvizte aq shpejt me vendimin për t’i marrë ato ndërtesa [komunale]”, tha Murphy.

    “Ai mund të priste dhe të përpiqej ta zgjidhte këtë nëpërmjet ndërmjetësve si Shtetet e Bashkuara”, tha senatori amerikan.

    Kjo situatë, sipas tij, i dha Rusisë mundësi për të nxitur trazira.

    “Rusia luan lojëra në Ballkan. Ajo përpiqet të nxisë përçarje dhe konflikte. Ajo shpreson se do të ketë konflikt në Ballkan, një konflikt real kinetik që do të largonte Shtetet e Bashkuara dhe Evropën nga konflikti në Ukrainë”, tha Murphy.

    Murphy tha se shpreson që kur të qetësohet situata në veri të Kosovës, njerëzit ta kthejnë vëmendjen te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

    Një ditë më herët, kryeministri Kurti bëri të ditur se ka biseduar me zëvendëskëshilltarin amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, dhe senatorët Chris Murphy, Pete Ricketts dhe Jeanne Shaheen, ku sipas tij, theksoi përkushtimin “për të punuar me SHBA-në për të ulur tensionet” në veri të Kosovës.

    “Kjo [ulja e tensioneve] kërkon përfundim të menjëhershëm të dhunës nga turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, thuhet në postimin e Kurtit në Twitter.

    Përpjekjet ndërkombëtare për të ulur tensionet në Kosovë u intensifikuan, derisa serbët vazhdojnë protestat në pjesën veriore të vendit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

    Kërkesat e tyre janë që këta kryetarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe, ashtu si edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

    Gjatë një adresimi më 31 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i refuzoi ato, por la të hapur mundësinë për zgjedhje të reja lokale.

  • Situata në veri, Murphy: Kurti t’i japë fund provokimit menjëherë

    Situata në veri, Murphy: Kurti t’i japë fund provokimit menjëherë

    Senatori amerikan, Chris Murphy ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në veri të vendit.

    Ai është shprehur se të hënën, gjatë takimit, kryeministri Kurti nuk e ka përmendur planin për qasje në ndërtesat komunale, derisa ka potencuar se duhet t’i japë fund “këtij provokimi menjëherë”.

    “Sapo zhvillova një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë amerikan, Derek Chollet për zhvillimin problematik. Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi një plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam kapur totalisht në befasi dhe duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë.”, ka shkruar Murphy në Twitter.

    Ndryshe, pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur. Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet, të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

    Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

    Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës./KosovaPress