ATV

Tag: ChatGPT

  • Kur ChatGPT planifikon ëndrrat tona: nga ideja në projekt

    Kur ChatGPT planifikon ëndrrat tona: nga ideja në projekt

    Ka një magji të veçantë në ato netët kur truri të mbushet me ide. Një libër që do të doje ta shkruaje, një biznes që të vlon në mendje, një video që “duhet patjetër ta bësh”. Por pastaj, bie zilja e realitetit: mungon koha, energjia, ndoshta edhe guximi. Dhe, në vend të lapsit e fletës, sot ke përballë një ekran dhe një dritare të vogël ku shkruan: “Hej ChatGPT, a mundesh me m’ndihmu me këtë projekt?”

    Në fillim, e mendon si shaka. Si një kërkesë e vogël, për t’u ndihmuar me diçka të thjeshtë. Por pa e kuptuar, ky bashkëbisedues digjital fillon të hyjë në çdo cep të procesit tënd krijues. Ai të ndihmon të strukturosh, të planifikosh, madje të mendosh më qartë se vetë ti. Dhe kështu, ndërsa dikur i kërkoje mendim një miku për idetë e tua, tani ia kërkon ChatGPT-së.

    Nga brainstorming te “partneriteti i heshtur”

    Nëse ke një ide për art, për karrierë, për diçka që s’e ke guxuar më parë, ChatGPT nuk të thotë “jo”. Ai nuk të sheh me dyshim, nuk të bën pyetje të bezdisshme si “a ja vlen vërtet?”. Përkundrazi, të shtyn. Të ndihmon ta shohësh ndryshe, ta zbërthesh, ta ndërtosh pjesë-pjesë, derisa ideja të bëhet plan. Dhe pastaj, ai plan që ndoshta s’e ke ndarë me askënd, fillon të duket i mundshëm.

    Në njëfarë mënyre, është çlirues. Sepse s’ka nevojë për aprovim, s’ka frikë nga kritika. Por, është edhe pak e frikshme: një mjet që të njeh aq mirë, sa të lexon mendimet që s’i ke formuluar ende.

    Të mendosh me ndihmën e dikujt që s’mendon

    ChatGPT s’të jep thjesht informacione; të mëson si të mendosh më qartë. Të kujton që çdo ide ka faza dhe çdo fazë kërkon strukturë. Ai të ndihmon të ndash prioritetet, të vlerësosh rreziqet, të planifikosh kohën. Dhe, në një botë ku gjithçka na shpërqendron, kjo është një lloj qetësie që s’e gjen shpesh.

    Nuk është rastësi që shumë njerëz sot e përdorin si “bashkëautor” për projektet e tyre. Disa i kërkojnë ndihmë për biznes, të tjerë për art, të tjerë për organizimin e ditës. Çfarëdo qoftë, në fund ndihesh sikur ke dikë që të kupton pa pasur nevojë të shpjegosh shumë.

    Por… a është ende “projekti yt”?

    Këtu fillon dilema. Kur një ide zhvillohet me ndihmën e ChatGPT-së, sa prej saj është e jotja dhe sa është e tij? Në fillim, duket si bashkëpunim. Por pastaj e kupton që ndonjëherë po ecën në udhën që të sugjeron ai, pa pyetur nëse është rruga që ti doje vërtet.

    Kjo nuk e bën të keq, përkundrazi, është një ndihmë e jashtëzakonshme por të kujton se kreativiteti duhet të mbetet njerëzor. Sepse magjia e një projekti nuk është vetëm tek perfeksioni, por tek rrëmuja, pasiguria, përpjekja, ajo pjesë njerëzore që ChatGPT ende s’e ka.

    Në fund të ditës…

    Nëse e përdor me masë, ChatGPT mund të bëhet miku yt më i mirë në planifikim. Ai s’të gjykon, s’të lodh, dhe s’të thotë kurrë “më vonë”. Por gjithmonë kujto: është thjesht një mjet një pasqyrë e ideve që ti i jep. Ai të ndihmon t’i formësosh, por fryma, emocioni dhe guximi për t’i bërë realitet mbeten vetëm të tuat.

    Në fund të fundit, projektet më të bukura lindin kur bashkëpunon me veten, jo kur e zëvendëson atë.

  • Inteligjenca Artificiale arriti të lexonte mendimet tona gjatë skanimit të trurit

    Inteligjenca Artificiale arriti të lexonte mendimet tona gjatë skanimit të trurit

    Shkencëtarët thanë se kanë gjetur një mënyrë për të kuptuar fillin kryesor të të menduarit tonë duke përdorur skanimet e trurit dhe inteligjencën artificiale, që mund të jetë hapi i parë drejt leximit të vërtetë të mendjes.

    Edhe pse dekoderi i gjuhës fillimisht pritet të ndihmojë ata që kanë humbur aftësinë për të komunikuar, ekspertët kanë pranuar se kjo teknologji ngre edhe disa çështje etike si çështja e “privatësisë mendore”.

    Prandaj, ata kryen teste shtesë që treguan se dekoderi nuk mund të përdorej tek ato subjekte që nuk e kishin lejuar më parë AI të stërvitej për orë të tëra në aktivitetin e tyre të trurit gjatë një skanimi funksional të rezonancës magnetike (fMRI).

    Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se një implant i trurit mund t’u mundësojë njerëzve që kanë humbur aftësinë për të folur të shqiptojnë fjalë apo edhe fjali. Megjithatë, neuroshkencëtari Alexander Huth nga Universiteti i Teksasit në SHBA thotë se dekoderi i ekipit të tij “punon në një parim tjetër”.

    “Sistemi ynë funksionon në nivelin e ideve, semantikës, kuptimit”, tha Huth në një konferencë për shtyp.

    Është një teknologji që mund të rindërtojë format e gjuhës pa një implant invaziv të trurit, domethënë, ekspertët kanë arritur të hartojnë se si fjalët, frazat dhe kuptimet shkaktojnë reagime në rajonet e trurit që përpunojnë gjuhën.

    Ne përdorëm modelin GPT-1 – paraardhësi i teknologjisë së zbatuar në ChatGPT

    Ata i futën ato të dhëna në një model të gjuhës së rrjetit nervor duke përdorur GPT-1, (paraardhësi i teknologjisë së implementuar në ChatGPT). Para kësaj, ata e trajnuan modelin për të parashikuar se si truri do të reagonte ndaj të folurit të perceptuar, më pas ngushtuan opsionet derisa të gjente përgjigjen më të afërt.

    Për të testuar saktësinë e modelit, subjektet dëgjuan përmbajtje të ndryshme gjatë skanimit fMRI dhe dekoderi arriti të kapte thelbin e asaj që ata po mendonin. Për shembull, kur pjesëmarrësi dëgjoi fjalinë “Unë nuk kam ende patentë shoferi”, modeli u përgjigj me “ai nuk ka filluar të mësojë ende të ngasë”.

    Shkencëtarët pranuan se dekoderi luftoi me vetat, si “unë” ose “ajo”, por arriti të merrte thelbin e veprimit edhe kur subjektet krijonin historitë e tyre ose shikonin filma pa zë, shkruan AFP.

    Probleme etike

    Shkencëtari David Rodriguez-Arias Vailhen nga Universiteti i Granadës në Spanjë, i cili nuk mori pjesë në studimin e ri, beson se këtu po hasim probleme të caktuara etike, domethënë se në këtë mënyrë po i afrohemi një të ardhmeje në të cilën makinat janë ” të aftë për të lexuar mendjet”.

    Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se një gjë e tillë mund të ndodhë kundër dëshirës së njerëzve, për shembull derisa ata janë duke fjetur.

    Shkencëtarët që punuan në hulumtimin e INA prisnin vërejtje të tilla. Prandaj, ata kryen teste që treguan se dekoderi i tyre nuk funksiononte në atë që nuk ishte trajnuar më parë kur analizonte aktivitetin e trurit.

    Përveç kësaj, tre pjesëmarrës mund të ngatërrojnë dekoderin nëse dëshirojnë. Ndërsa dëgjonin një podcast, subjekteve iu tha të numëronin deri në shtatë, të imagjinonin kafshë ose të bënin një histori tjetër në mendjen e tyre. Të gjitha ato taktika “sabotuan” dekoderin, thanë ekspertët.

  • Inteligjenca artificiale, ligjvënësit e BE-së kërkojnë samit për kontrollin e saj

    Inteligjenca artificiale, ligjvënësit e BE-së kërkojnë samit për kontrollin e saj

    Dymbëdhjetë ligjvënës evropianë, që punojnë për legjislacionin e BE-së lidhur me teknologjinë, i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që të thërrasin një takim për të gjetur mënyra se si të kontrollohet zhvillimi i sistemeve të avancuara të inteligjencës artificial.

    Kjo deklaratë vjen disa javë pasi pronari i Twitter-it, Elon Musk, dhe mbi 1.000 personalitete të teknologjisë kërkuan një pauzë gjashtëmujore të zhvillimit të sistemeve më të fuqishme sesa sistemi i krijuar nga OpenAI dhe i mbështetur nga Microsoft, ChatGPT, që imiton njerëzit dhe krijon tekste dhe imazhe bazuar në kërkesa.

    Në letrën e hapur, ata i kanë bërë thirrje shteteve demokratike dhe “jodemokratike” që të reflektojnë mbi sistemet e mundshme të qeverisjes dhe të ushtrojnë përmbajtje sa i përket dëshirës së tyre për inteligjencës të fuqishme artificiale.

    Javën e kaluar, rregullatori i Kinës për hapësirën kibernetike paraqiti masa për të menaxhuar shërbimet e inteligjencës artificial.

    Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po ashtu ka kërkuar nga publiku mendimin për masat e mundshme ndaj sistemeve të inteligjencës artificiale, teksa janë rritur pyetjet lidhur me ndikimin që mund të ketë inteligjenca artificiale në sigurinë kombëtare dhe edukimin në SHBA./rtsh/