ATV

Tag: Caroline Ziadeh

  • Shefja e UNMIK-ut kërkon vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve

    Shefja e UNMIK-ut kërkon vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve

    Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje që të vazhdohen përpjekjet dhe përkushtimi për ta zgjidhur fatin e viktimave të zhdukjeve të dhunshme.

    Ajo ka kërkuar që autoritetet ta kenë prioritet këtë çështje në mënyrë që edhe t’i zbusin vuajtjet e familjeve.

    “U bëj thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar, në mirëbesim, Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan në maj në kuadër të Dialogut të përkrahur nga BE-ja,” ka thënë Ziadehu në një deklaratë në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

    “Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.”

    Ajo po ashtu e ka kujtuar vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të Raportuesit special të Kombeve të Bashkuara për Promovimin e së Vërtetës, Drejtësisë, Dëmshpërblimit dhe Garancive për Mospërsëritje, z. Fabián Salvioli*, i cili kishte konstatuar se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur kishte sjellë zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe në familjet e tyre.

    “Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të së drejtave të njeriut, dhe jo të politizohet,” tha PSSP Ziadeh.

  • Shefja e UNMIK-ut dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Syla

    Shefja e UNMIK-ut dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Syla

    Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh dënoi sulmin fizik të raportuar ndaj gazetarit Valon Syla nga persona të panjohur deri më tani në orët e vona të së martës.

    UNMIK-u njofton se çdo sulm ndaj lirisë së fjalës së lirë është i papranueshëm.

    “PSSP Ziadeh pret një hetim të plotë dhe të drejtë për t’i sjellë autorët para drejtësisë dhe për të siguruar që të drejtat e njeriut mbrohen. Sulmi ndodhi vetëm një javë pas vizitës së Raportueses Speciale të OKB-së për Lirinë e Opinionit dhe Shprehjes, Irene Khan, e cila u kërkoi autoriteteve të Kosovës t’i japin përparësi hetimeve dhe ndjekjeve penale të sulmeve kundër gazetarëve. PSSP Ziadeh i uron gazetarit të lënduar shërim të shpejtë”, thuhet në komunikatën e UNMIK-ut.