ATV

Tag: Burgim

  • Vrasja e Marigona Osmanit: Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim

    Vrasja e Marigona Osmanit: Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim

    Me burgim të përjetshëm është dënuar Dardan Krivaqa, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje.

    Kështu ka vendosur sot Gjykata Themelore në Ferizaj, duke i shpallur ata fajtor për veprën penale “Vrasje”, ndërsa i ka liruar ata nga akuza për dhunim, meqë nuk është provuar se është kryer vepra penale.

    Kur gjykatësi ia shqiptoi dënimin Krivaqës u dëgjuan thirrje nga të pranishmit, derisa vendimi u duartrokit.

    Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021.

    Ndërkohë, para fillimit të seancës gjyqësore ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, mbajti aksion simbolik para Gjykatës së Ferizajt.

    Protestues me pankarta në duar, kërkuan dënim maksimal për të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Përfaqësuesja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Bjeshkë Guri, deklaroi se nuk mund të lejojnë që Marigona të vritet për herë të dytë nga shteti.

    “Jemi mbledhur këtu në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit. Për të mos lejuar që padrejtësia për Marigonën të vazhdojë edhe për së vdekuri. Jemi mbledhur këtu meqë jemi dëshmitarë që gjykatat në Kosovë kanë amnistuar vazhdimisht burrat që kanë vrarë gratë, duke i lënë të lirë e me dënime shumë të ulëta. Krivaqa dhe Sejdiu e vranë Marigonën me 22 gusht 2021, e sot kur po i afrohemi dy vjetorit të vrasjes së saj nuk mund të lejojmë që ajo të vritet nga shteti për herë të dytë, nuk mund të qëndrojmë të qeta derisa kjo gjykatë e çdo institucion tjetër shtetëror të rreshtohet në anën e grave”, tha ajo.

    Ajo shtoi se nga vendimi i sotëm presim dënim maksimal, ani pse janë skeptik për një gjë të tillë.

    “Ne kemi theksuar që nga kjo gjykatë duam asgjë më pak së dënime maksimale për Krivaqën e Sejdiun. E nga këtu qojmë mesazhe për çdo institucion që t’i mbrojë gratë para se të jetë shumë vonë edhe prap theksojmë se shteti duhet ta trajtojë femicidin si urgjencë shtetërore”, shtoi ajo.

  • Prishtinë: Vrau bashkëshorten me sëpatë, dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari

    Prishtinë: Vrau bashkëshorten me sëpatë, dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari

    Gjykata Themelore në Prishtinë, njoftoi se është dënuar me 25 vjet burgim I.G., i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes së tij.

    I akuzuari kishte vrarë më sëpatë bashkëshorten e tij, derisa ajo ishte në gjumë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se I.G ka pranuar fajësinë për vrasjen e bashkëshortes së tij, transmeton Telegrafi.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit I.G për veprën penale Vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1 pikat 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Më datë 30.05.2023 gjykata ka mbajtur shqyrtimin fillestar në këtë çështje penale, në të cilin i akuzuari I.G ka pranuar fajësinë, ndërsa me datë 31.05.2023 gjykata ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër akuzuarit I.G. i cili është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vite, të akuzuarit i është vazhduar masa e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

    Gjykata bën të ditur se, i akuzuari I.G me datë 25.11.2022 rreth orës 04:00, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G, në atë mënyrë që derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur, i akuzuari e kishte goditur me sëpatë disa herë në pjesën e majtë të kokës dhe si pasojë e këtyre goditjeve, e ndjera S.G kishte ndërruar jetë.

    “Kjo gjendje faktike është vërtetuar pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari dhe provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës”.

    Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ndryshe, rasti tragjik kishte ndodhur në nëntor të vitit 2022, viktima kishte qenë mësimdhënëse. Për vrasjen e saj ka pasur reagime të shumta.