ATV

Tag: Bruksel

  • Çfarë po ndodh në Bruksel dhe me kë do të takohet Kurti atje?

    Çfarë po ndodh në Bruksel dhe me kë do të takohet Kurti atje?

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë ftuar në Bruksel, sot për takime me liderët e Bashkimit Evropian. Për të përcjellë nga afër se çfarë do të diskutohet atje dhe se si do të zhvillohen takimet, ekipi i ATV-së po qëndron në Bruksel, prej nga gazetarja e ATV-së, Teuta Arifaj, njoftoi lidhur me agjendën e takimeve.

    Arifaj përmes një videolidhjeje në emisionin “A LIVE”, tha se gjatë ditës së sotme Kurti dhe Vuçiqi pritet të mbajnë takime ndarëse me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

    Tutje, ajo shtoi se një takim ballë për ballë mes Kurtit e Vuçiqit nuk pritet të zhvillohet, marrë parasysh zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, mirëpo përmendi se nëse palët ndryshojnë mendje, takimi edhe mund të ndodhë.

    “Diku rreth orës 14:00 është paraparë që kryeministri Albin Kurti të takojë liderët me BE-së me dhe pas tij takime do të ketë me po të njëjtët edhe presidenti i Serbisë. Takim direkt mes Kurtit e Vuçiqit nuk pritet të ketë, edhe pse bazuar në raste e shkuar natyrisht pritet të ketë tentime që ata të takohen qoftë edhe për 5 minuta. Por po e them prapë se bazuar në situatën e krijuar së fundmi pas sulmit në Banjsë, për çka shteti e Kosovës e mban përgjegjës Serbinë dhe në deklarimet e mëhershme të Kurtit siç ka thënë disa herë për këtë sulm gjithçka ka ndryshuar përfshirë edhe në dialog, andaj nëse Serbia nuk mbahet përgjegjëse për këtë sulm dhe nëse BE-ja nuk e ndëshkon Serbinë për këtë sulm dhe sipas asaj dhe nëse e njëjta nuk ndëshkohet nuk do të ketë as takim, mirëpo mbetet të shihet ndërkohë”, tha ajo. /atvlive.tv

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • BE: Kosova e Serbia rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët evropiane

    BE: Kosova e Serbia rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët evropiane

    Bashkimi Evropian nëpërmjet një deklarate ka shprehur mbështetjen e plotë për përpjekjet e përfaqësuesit të lartë Josep Borrell në cilësinë e lehtësuesit të dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe përfaqësuesit special të BE-së Miroslav Lajçak, dhe kujton se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon nëpër dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre.

    Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë, më 14 shtator në Bruksel, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, për të cilat të dyja palët ranë dakord më herët këtë vit, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve.

    Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, nëpërmjet një deklarata thekson se BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim.

    “Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm. BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik. BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarë, trupa të KFOR-it, forca të rendit dhe përfaqësues të mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar. Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, kërkesat për zhvendosje, telekomunikacionin, dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve. Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve të policisë serbe të Kosovës të sapo rekrutuar/popullatës lokale janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi nga Serbia i udhërrëfyesit të Energjisë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të Dialogut. Kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së të datës 3 qershor mbeten plotësisht të vlefshme. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

    BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në uljen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar.

    BE nëpërmjet kësaj deklarate u bën thirrje të gjithë akterëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

    “BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajçak, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në deklaratë.

  • Përfundon takimi trepalësh në Bruksel, Kurti në bisedime për herë të dytë me ndërmjetësuesit evropianë

    Përfundon takimi trepalësh në Bruksel, Kurti në bisedime për herë të dytë me ndërmjetësuesit evropianë

    Ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Pas kësaj, ka nisur takimi i dytë i Kurtit me ndërmjetësuesit e BE-së, përfaqësuesit të lartë Borrell dhe emisarit për dialogun Lajçak.

    Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me diplomatët. Takimet filluan rreth orës 09:00, ndërsa takimi trepalësh, nisi rreth orës 11:00, dhe zgjati afërisht dy orë.

    Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh është zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin shkurt. Do të flitet gjithashtu edhe për çështjen e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.

    Pas përfundimit të takimeve do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili do të njoftojë nëse ky takim ishte pozitiv apo jo.

    Borrell postoi në platformën X, e njohur më herët si Twitter, disa foto nga Brukseli ndërsa tha se sot do të shohim nëse ata janë gati të marrin përgjegjësi.

    “Jam duke pritur Presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti për një takim të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel. Është koha për të filluar zbatimin seriozisht të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi”, tha Borrell.

    Analistë të ndryshëm megjithatë, i shohin të pakta mundësitë që edhe kjo përballje të prodhojë rezultatet e shpresuara nga BE-ja e SHBA-ja.

  • Lajçak e pret Escobarin në Bruksel: Patëm një diskutim të thelluar mbi dialogun

    Lajçak e pret Escobarin në Bruksel: Patëm një diskutim të thelluar mbi dialogun

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e ka pritur në Bruksel të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Lajçak tha se me Escobarin kanë pasur një diskutim të thelluar mbi dialogun, raporton Gazeta Express.

    “I lumtur që mirëpres kolegun dhe mikun tim të mirë, Gabriel Escobar në Bruksel. Së bashku me ekipet tona, ne kaluam dje në një diskutim të thelluar mbi Dialogun, gjendjen dhe rrugën përpara, si dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Lajçak në rrjetin social X, ish-Twitter.

    “Faleminderit për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm”, shtoi Lajçak.

  • Situata në Kosovë, Stoltenberg takohet me Vuçiqin në Bruksel

    Situata në Kosovë, Stoltenberg takohet me Vuçiqin në Bruksel

    Në të njëjtën ditë kur pritet të zhvillohen bisedime në Bruksel në mes të krynegociatorëve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 19 korrik në Bruksel.

    Më 12 korrik, Vuçiq ka bërë të ditur se i ka dërguar NATO-s letër zyrtare me kërkesë që ta takojë shefin e këtij institucioni.

    Temë e bisedimeve besohet se do të jetë situata në Kosovë.

    Më 11 korrik, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se është pajtuar me Kosovën në marrjen e disa hapave për uljen e tensioneve në veri./atvlive.tv/

  • Bislimi dhe Petkoviq takohen sot në Bruksel

    Bislimi dhe Petkoviq takohen sot në Bruksel

    Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq do të takohen sot (e mërkurë) në Bruksel.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, do të presë në takim kryenegociatorët nga të dyja palët.

    “Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.

    Marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri u arrit më 10 korrik në Bratisllavë të Sllovaksië, në takimin që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi zhvilloi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

    Janë katër hapa që për dy javë duhet të përfundojnë mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

    Pika e parë dhe pika e dytë kanë filluar të zbatohen javën e kaluar, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale dhe ajo, ku Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.

    Si pikë e tretë, Qeveria e Kosovës është pajtuar që të dalë me deklaratë publike për mbështetjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri pas verës.

     

  • Situata në Kosovë diskutohet përsëri të enjten dhe të premten në Bruksel

    Situata në Kosovë diskutohet përsëri të enjten dhe të premten në Bruksel

    Procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, situata e sigurisë në Kosovë dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të jenë ndër temat që do t’i diskutojnë udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së në një takim që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

    Pritet që në këtë takim, që përkon me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, ku u dha premtimi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, të përsëritet përkushtimi për integrimin e tyre në BE. Por, njëkohësisht, pritet të shprehet edhe shqetësim për tensionet e rritura në veri të Kosovës.

    Në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, banorët lokalë protestojnë qysh në fund të majit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

    Tensionet kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

    Ka pasur, po ashtu, raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera.

    Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar.

    Burimet diplomatike presin që udhëheqësit evropianë t’u bëjnë thirrje dy vendeve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në rast se nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive, pritet t’u tërhiqet vërejtja për pasojat.

    Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje edhe në draftin e një dokumenti që pritet të miratohet në takimin e liderëve të BE-së.

    Sipas tij, Këshilli Evropian pritet të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, dy vendet janë pajtuar gojarisht në muajin mars.

    “Këshilli Evropian i dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian, më 3 qershor 2023”, thuhet në draft-dokument.

    Aty kujtohet thirrja e BE-së për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    “Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, thuhet në këtë tekst.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e reja në veri mund të mbahen vetëm brenda kornizave ligjore të shtetit.

    Në takimin e BE-së, më 29 dhe 30 qershor, pritet të përsëritet edhe përkushtimi i liderëve të vendeve anëtare për vazhdimin e procesit të zgjerimit, që nënkupton edhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

    “Këshilli Evropian përsërit mbështetjen e plotë dhe të parezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draft-dokument.

    Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më së shumti në rrugën e tyre drejt BE-së, pasi të dyja shtetet kanë hapur kapituj në negociatat për anëtarësim.

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur vitin e kaluar negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat, po ashtu vitin e kaluar.

    Kosova, ndërkaq, është e fundit në rrugën drejt BE-së. Dhjetorin e vitit të kaluar, ajo ka aplikuar për anëtarësim në bllok. Deri më tani, shteti ka nënshkruar vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në tetor të vitit 2015./REL/

  • Bislimi sot në Bruksel, pritet të zhvillojë takime me kryenegociatiorin serb Petkoviq

    Bislimi sot në Bruksel, pritet të zhvillojë takime me kryenegociatiorin serb Petkoviq

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit ku sot pritet të zhvillohen takime në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Këtë e ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media.

    “Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit. Ditën e hënë, pritet të zhvillohen takimet e radhës në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit”, thuhet në komunikatë.

    Të enjten, emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka qëndruar në Kosovë ku ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e Mitrovicës Jugore, Bedri Hamzën, përfaqësuesit e shoqërisë civile në veri, si dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

    Ai në një konferencë për media ka njoftuar se të hënën do të takohet me kryenegociatorët nga Kosova, Besnik Bislimin, dhe nga Serbia, Petar Petkoviqin.

  • ​Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

    ​Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohet sot në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

    Në këtë takim temë qendrore pritet të jetë draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Po ashtu vend të rëndësishëm do të ketë edhe tema e fatit të të pagjeturve.

    Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

    Bashkimi Evropian ka thënë se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

    Në një intervistë për një medium kroat, Kurti ka deklaruar se pret të sheh se çfarë drafti është përgatitur.

    “Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë”, ka thënë ai.

    Ndërkaq, të hënën në mbrëmje kreu i ekzekutivit ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, me të cilin siç është shprehur Kurti, ka theksuar se marrëveshja bazë dhe aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi.

    Numri një i qeverisë mbrëmjen e së hënës ka mbledhur stafin e tij këshillues për t’u përgatitur për takimin që do të mbahet sot në Bruksel.