ATV

Tag: BQK

  • Normat e interesit në kredi pritet të rriten sërish

    Normat e interesit në kredi pritet të rriten sërish

    Norma mesatare e interesit në kredi në bankat komerciale të Kosovës është 6.5 për qind, por ajo mund të rritet dhe, për më tepër, mund të reflektohet edhe në kreditë aktive.

    Kjo, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi më 28 prill nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) që të vazhdojë t’i rrisë normat e interesit deri në mes të vitit 2024, në përpjekje për të kontrolluar inflacionin në vendet e Bashkimit Evropian.

    Sipas ekspertëve të ekonomisë, rritja eventuale nga BQE-ja do të reflektohet domosdo edhe në sistemin bankar të Kosovës, pasi shumica e institucioneve financiare në vend funksionojnë me kapital të huaj dhe kanë kontrata të lidhura me bankat evropiane.

    Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë për Radion Evropa e Lirë se normat e interesit në kredi do të jenë të parat që do të ndikohen.

    “Mund t’i prekë vetëm kreditë që janë me norma variabile [të ndryshme] të interesit dhe kreditë e reja, ndërsa te kreditë me norma fikse nuk ndryshojnë kushtet”, thotë ai.

    Se sa mund të rriten normat e interesit në kredi, Balija nuk jep ndonjë përgjigje.

    Inflacioni është rritur gjetiu në botë – fillimisht për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, e pastaj për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

    Për ta kontrolluar inflacionin, Banka Qendrore Evropiane ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit, duke i çuar ato nga zero sa kanë qenë në mesin e vitit 2022, në 3.5 për qind në mars të këtij viti.

    Për pasojë, normat e interesit janë rritur edhe në Kosovë. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ato janë rritur nga 5.8 për qind sa kanë qenë në shkurt të vitit të kaluar, në 6.5 për qind në periudhën e njëjtë të këtij viti.

    Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se rritja eventuale e normave të interesit nga BQE-ja, do t’i rrisë automatikisht normat e interesit të kredive të reja në Kosovë, por, shton ai, ajo mund t’i prekë edhe kreditë aktive.

    Sipas tij, qytetarët apo bizneset që kanë aktualisht kredi, duhet të shikojnë në kontrata nëse ato i kanë me normë fikse apo me normë variabile – që është e ndërlidhur me lëvizjet e Euriborit.

    Euribori është normë mesatare e interesit, në bazë të së cilës bankat evropiane marrin fonde hua nga njëra-tjetra. Kur BQE-ja rrit normën e interesit në kredi, rritet edhe Euribori.

    “Sipas ligjeve në fuqi, jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet e Bashkimit Evropian, nëse në kontratën e huazimit është paraparë norma mesatare e Euriborit, çdo tre muaj duhet të bëhet rivlerësimi… dhe në këtë rast, edhe kredi-marrësit duhet ta paguajnë kredinë e mbetur me normë më të lartë të interesit [nëse ajo rritet]”, thotë Bektashi.

    Euribori është rritur me shpejtësi muajve të kaluar, duke arritur në 3.8 për qind më 27 prill, nga 0.4% sa ka qenë në muajin mars të vitit të kaluar.

    Në Kosovë operojnë 12 banka komerciale – nëntë prej të cilave janë në pronësi të huaj.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur Bankën Qendrore të Kosovës dhe disa banka komerciale se cilat kategori të kredive do të mund të preken nga rritja eventuale e normës së interesit nga BQE-ja. Asnjë prej tyre, përfshirë Bankën ProCredit, Bankën Raiffeisen, Bankën TEB, Bankën Kombëtare Tregtare, nuk janë përgjigjur.

    Megjithatë, REL-i ka parë një kontratë, në bazë të së cilës kredi-marrësi është pajtuar që pas një periudhe të specifikuar kohore, t’i rinovohet norma e interesit, duke marrë për bazë indeksin e Euriborit.

    Në këtë kontratë thuhet se “për çdo ndryshim të normës së interesit, banka obligohet që ta ftojë kredi-marrësin që ta nënshkruajë planin e ri të pagesës. Nëse pas ftesës kredi-marrësi nuk paraqitet, konsiderohet se klienti është njoftuar me planin e ri të pagesës”.

    Vlera e kredive në 12 bankat komerciale të Kosovës ka arritur në 4.3 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 15.1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    Në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste, dhe BQK-ja nuk mund të ndërhyjë te to.

    Përveç bankave komerciale, në Kosovë funksionojnë edhe 30 institucione mikrofinanciare, të cilat po ashtu ofrojnë kredi për qytetarët. Ndonëse me më pak kritere, normat e tyre të interesit janë më të larta – afro 20%.

  • BQK paralajmëron rënie të kamatave të kredive me ngadalësimin e inflacionit

    BQK paralajmëron rënie të kamatave të kredive me ngadalësimin e inflacionit

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) paralajmëron se me ngadalësimin e shkallës së inflacionit dhe stabilizimin e çmimeve, do të fillojnë të bien edhe normat e interesit në kredi.

    “Me rënien e inflacionit, bankat pritet të fillojnë gradualisht t’i lehtësojnë politikat monetare – gjë që do të ndikojë në uljen e normave reale të interesit”, thuhet në një deklaratë me shkrim të BQK-së dërguar Radios Evropa e Lirë.

    BQK-ja, megjithatë, nuk jep detaje se në çfarë përqindjeje mund të bien normat e interesit në kredi, të cilat kanë kaluar tashmë 6-përqindëshin. Ky institucion nuk specifikon as kur mund të bjerë inflacioni, ndonëse më herët është përmendur gjysma e dytë e vitit 2023.

    Normat e interesit në kredi kanë nisur të rriten gjetiu në botë në muajt e fundit të vitit të kaluar. Kjo ka ndodhur si rezultat i shtrëngimit të politikave monetare nga bankat qendrore, për shkak të shkallës së lartë të inflacionit.

    Kosova e ka përmbyllur vitin 2022 me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.
    Normat mesatare të interesit në kredi, sipas BQK-së, janë rritur nga 5.8% sa kanë qenë në shkurt të vitit të kaluar, në 6.5% në periudhën e njëjtë të këtij viti.

    Përkundër kësaj, të dhënat e këtij institucioni konfirmojnë se në sektorin bankar ka rritje të kredive familjare.

    Në Kosovë veprojnë aktualisht 12 banka komerciale dhe vlera e kredive në to ka arritur në mbi 4 miliardë euro.

    Në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste, dhe BQK-ja nuk mund të ndërhyjë te to.

    Inflacioni vështirëson pagesën e këstit mujor

    Bardhyl Krasniqi, qytetar nga Prishtina, tregon për Radion Evropa e Lirë se në janar të vitit të kaluar ka marrë kredi në vlerë prej 40 mijë eurosh për blerjen e një banese.

    Për tetë vjet rresht, ai duhet t’i paguajë bankës kreditore një këst mujor prej më shumë se 500 eurosh, me normë interesi rreth 5%.

    “Norma e interesit është e lartë, por këto norma janë në të gjitha bankat në Kosovë. Për të blerë banesë apo diçka tjetër në vlera më të mëdha, nuk arrin pa kredi. Jemi të detyruar ta marrim edhe me këto norma të interesit”, thotë Bardhyli, i cili punon në një kompani të sektorit privat.

    Paga mesatare ne Kosovë është më pak se 500 euro, minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro, ndërsa pensionet janë nga 100 deri në 265 euro.

    Bardhyli thotë se ka “pagë të mirë”, gjë që i ka mundësuar të marrë edhe kredi. Por, shton ai, rritja e vazhdueshme e inflacionit ia ka vështirësuar pagesën e këstit mujor.

    “Unë kam pagë mbi mesataren e pagave në Kosovë, bashkëshortja dhe djali po ashtu punojnë. Pagesa e këstit është e menaxhueshme, por jo edhe shumë e lehtë për ta përballuar, pas ngritjes së çmimeve të konsumit. Çmimet janë të larta – më të larta sesa inflacioni që po jepet zyrtarisht”, thotë Bardhyli.

    Rritjes së inflacionit gjetkë në botë i kanë kontribuar në masë të madhe pandemia e koronaviursit dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në muajin janar, se inflacioni do të bjerë në pjesën e dytë të këtij viti.

    Ngjashëm presin edhe ekspertët e çështjeve financiare, të cilët thonë se me rënien e inflacionit, do të bien edhe normat e interesit në kredi.

    “Interesat e larta e ngadalësojnë marrjen e kredive. Me ngadalësimin e kredisë ngadalësohet edhe zhvillimi ekonomik”, thotë Milazim Abazi, ish-kryesues i Komitetit të Financave në Oden Ekonomike Amerikane, për Radion Evropa e Lirë.

    Përveç bankave komerciale, në Kosovë funksionojnë edhe 30 institucione mikrofinanciare, të cilat po ashtu ofrojnë kredi për qytetarët. Ndonëse me më pak kritere, normat e tyre të interesit janë më të larta – afro 20%.

    Të dhënat e institucioneve financiare në rajon, të cilat ka arritur t’i sigurojë Radio Evropa e Lirë, tregojnë se normat mesatare të interesit në kredi variojnë – diku më të larta, diku më të ulëta.

    Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili monitoron sistemin monetar ndërkombëtar dhe zhvillimet ekonomike globale, ka paralajmëruar po ashtu rënie të normave të interesit në ekonomitë e mëdha. Në një raport të publikuar më 11 prill thuhet se këto norma pritet të bien në nivelet para pandemisë së koronavirusit, përkatësisht para vitit 2020.