ATV

Tag: Benjamin Netanyahu

  • Irani nis sulmin ndaj Izraelit

    Irani nis sulmin ndaj Izraelit

    Irani ka nisur një sulm kundër Izraelit duke përdorur dhjetëra dronë.

    CNN raporton duke cituar katër zyrtarë amerikanë dhe izraelitë.

    Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli është gati për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani dhe do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.

    “Qytetarët e Izraelit, në vitet e fundit, dhe aq më tepër në javët e fundit, Izraeli është përgatitur për mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë nga Irani. Sistemet tona të mbrojtjes janë të vendosura dhe ne jemi të përgatitur për çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”.

    “Shteti i Izraelit është i fortë, IDF është i fortë, publiku është i fortë. Ne e vlerësojmë SHBA-në për qëndrimin në krah të Izraelit, si dhe mbështetjen e Britanisë së Madhe, Francës dhe shumë vendeve të tjera”, u shpreh Netanyahu.

  • Vetëm 15% e izraelitëve duan që Netanyahu të mbajë postin pas luftës në Gaza

    Vetëm 15% e izraelitëve duan që Netanyahu të mbajë postin pas luftës në Gaza

    Sipas një sondazhi të publikuar të martën, vetëm 15% e izraelitëve duan që kryeministri Benjamin Netanyahu të qëndrojë në detyrë pas përfundimit të luftës kundër Hamasit në Gaza, megjithëse shumë të tjerë ende mbështesin strategjinë e tij për të shtypur militantët në enklavën palestineze.

    Netanyahu premtoi të shtypë Hamasin pas sulmit të tij të 7 tetorit në jug të Izraelit, ku 1200 njerëz u vranë dhe 240 u rrëmbyen në Gaza. Forcat izraelite kanë shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës në ofensivën e tyre hakmarrëse gati tre-mujore.

    Netanyahu ka thënë se një presion i tillë intensiv ushtarak është gjithashtu jetik për të siguruar që 129 pengjet e mbetura që mbahen ende në Gaza të kthehen pasi rreth 100 u liruan në fund të nëntorit në një marrëveshje shkëmbimi që përfshin gjithashtu qindra të burgosur palestinezë.

    Në sondazhin e kryer nga Instituti i Demokracisë së Izraelit (IDI), 56% e të pyeturve thanë se vazhdimi i ofensivës ushtarake ishte mënyra më e mirë për të rimarrë pengjet, ndërsa 24% mendonin se më e mira do të ishte një marrëveshje shkëmbimi që përfshin lirimin e mijëra të burgosurve palestinezë nga burgjet e Izraelit.

  • Biden i kërkon Netanjahut ‘pauzë’ në ofensivën e Gazës

    Biden i kërkon Netanjahut ‘pauzë’ në ofensivën e Gazës

    Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, thotë se i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu që të vendos një pauzë në luftimet në Gaza.

    Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë kishte deklaruar më parë se udhëheqësit amerikanë dhe izraelitë kishin diskutuar për “pauza taktike” në ofensivën e Izraelit në Gaza për arsye humanitare dhe lirimin e mundshëm të pengjeve.

    Biden u pyet nga një gazetar nëse ai kishte sugjeruar një pauzë tre-ditore, por ai nuk komentoi për gjatësinë e pauzës.

    Uashingtoni, së bashku me shumë fuqi të tjera perëndimore, ka mbështetur qëndrimin e Izraelit se një armëpushim do të ndihmonte ushtarakisht Hamasin, shkruan BBC.

  • Netanyahu thotë se s’ka armëpushim në Gazë pa u liruar të gjitha pengjet

    Netanyahu thotë se s’ka armëpushim në Gazë pa u liruar të gjitha pengjet

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi në Rripin e Gazës, duke thënë se ofensiva shkatërruese do të vazhdojë derisa grupi militant, Hamas, t’i lirojë të gjitha pengjet.

    Netanyahu i bëri këto komente të premten, pak pasi e takoi sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, i cili i bëri trysni Izraelit për një pauzë të përkohshme në ofensivën e tij, në mënyrë që kushtet humanitare të përmirësohen në Gazë.

    Po ashtu, Blinkeni, i cili ishte sot në një vizitë në Tel Aviv, i bëri thirrje Izraelit të bëjë më shumë për t’i mbrojtur civilët nga bombardimet që po i kryen në Gazë.

    Por, Netanyahu tha se Izraeli do të vazhdojë “me të gjitha forcat e veta” dhe se “nuk pranon armëpushim të përkohshëm në të cilin nuk përfshihet rikthimi i të gjitha pengjeve”.

    Hamasi i rrëmbeu rreth 240 njerëz gjatë sulmeve të përgjakshme që i kreu në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor, të cilat e shkaktuan një luftë të re Izrael-Hamas.

    Mbi 1.400 njerëz u vranë nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, sipas zyrtarëve izraelitë.

    Ndërsa, nga sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë janë vrarë mbi 9.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

    Para nisjes së Blinkenit drejt Izraelit, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti “mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.

    Në të njëjtën kohë, administrata Biden kërkoi që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë në Gazë pas rritjes së shqetësimeve për një krizë humanitare në këtë territor.

    Bombardimet kanë detyruar mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të largohen nga shtëpitë e tyre. Furnizimet me ujë, ushqime dhe karburante janë pakësuar për shkak të rrethimit të Izraelit dhe shumica e spitaleve janë buzë kolapsit.

    Izraeli ka lejuar mbi 260 kamionë me ushqime dhe ilaçe të hyjnë në Gazë, por sipas punëtorëve të ndihmës kjo sasi e ndihmës nuk është e mjaftueshme. Autoritetet izraelite kanë refuzuar që të lejojnë dërgimin e furnizimeve me karburante, duke thënë se Hamasi do të përdorte karburantet për përdorime ushtarake.

    Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA-ja nuk po kërkon një armëpushim të përgjithshëm, por një “pauzë të përkohshme dhe të lokalizuar”.

    Izraeli dhe SHBA-ja duket se nuk kanë një plan të qartë se çfarë do të ndodhë më pas nëse Hamasi – që udhëheq Gazën – do të mposhtet. Kjo do të jetë një pyetje kyçe në agjendën e Blinkenit gjatë kësaj vizite, tha DASH-i.

    Më herët gjatë javës, Blinkeni ka sugjeruar që Autoriteti Palestinez të qeverisë me Gazën. Hamasi e kishte larguar nga pushteti Autoritetin Palestinez më 2007, kur mori kontrollin e territorit. Autoriteti Palestinez tani ka fuqi të kufizuara në disa pjesë në Bregun e pushtuar Perëndimor.

    Zyrtarët ushtarakë dhe forcat izraelite tani kanë rrethuar plotësisht qytetin e Gazës, një zonë e banuar që Izraeli ka thënë se është qendër e infrastrukturës ushtarake të Hamasit, ku përfshihet edhe rrjeti i gjerë i tuneleve nëntokësore, bunkerëve dhe qendra komanduese./REL/

  • Netanyahu zotohet se do ta “ndryshojë Lindjen e Mesme” në luftën me Hamasin

    Netanyahu zotohet se do ta “ndryshojë Lindjen e Mesme” në luftën me Hamasin

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do ta “ndryshojë Lindjen e Mesme” në lutën e shtetit të tij me grupin militant palestinez, Hamas, përderisa ushtria e tij po vazhdon ta sulmojë nga ajri Rripin e Gazës.

    “Ajo se çfarë do të përjetojë Hamasi do të jetë e vështirë dhe e tmerrshme… ne do ta ndryshojmë Lindjen e Mesme”, u tha Netanyahu zyrtarëve nga jugu i shtetit, ku militantët e Hamasit kryen një sulm të befasishëm mëngjesin e 7 tetorit.

    “Ky është vetëm fillimi… ne do t’i mposhtim ata me forcë, me forcë të jashtëzakonshme”, shtoi ai.

    Militantët e Hamasit hynë në qytete dhe komunitete në jug të Izraelit mëngjesin e së shtunës, teksa nga Gaza u lëshuan breshëri raketash në territorin e Izraelit.

    Ky është sulmi më vdekjeprurës që Izraeli ka përjetuar në dekada.

    Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme intensive ajrore në Rripin e Gazës, i cili që nga viti 2007 kontrollohet nga Hamasi.

    Mbi 700 persona janë vrarë në Izrael që kur Hamasi nisi sulmet më 7 tetor. Ndërkaq, në Rripin e Gazës është raportuar se të paktën 560 persona janë vrarë. /rel