ATV

Tag: Bashkimi Evropian

  • BE-ja kërkon llogaridhënie institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt

    BE-ja kërkon llogaridhënie institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i është bashkuar reagimit të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa urgjente për mbrojtjen e grave në rrezik.

    Në deklaratën e Grupit theksohet se viktima kishte kërkuar mbrojtje urgjente nga institucionet, pak para se të vritej.

    Grupi kërkon hetim të plotë për rastin, përfshirë shqyrtimin e reagimit institucional ndaj kërkesave të mëparshme të viktimës dhe përcaktimin e përgjegjësive për çdo mangësi të konstatuar.

    Po ashtu, bën thirrje për koordinim më të mirë ndërmjet Policisë, prokurorive, gjykatave dhe shërbimeve sociale, si dhe për shqyrtimin urgjent të rasteve të dhunës në familje me rrezik të lartë.

    Një nga kërkesat është edhe krijimi i mekanizmit për monitorimin e femicidit, i cili do të analizonte vrasjet e grave, rrethanat që u kanë paraprirë dhe mundësitë e humbura për ndërhyrje.

    “Femicidi nuk është një incident i izoluar; ai është manifestimi më ekstrem i dhunës me bazë gjinore dhe kërkon një përgjigje sistemike”, thuhet në deklaratë.

  • Gjigantët Amerikanë Paralajmërojnë Evropën: Shkëputja nga Cloud-i i SHBA-së Mund t’i Kushtojë 115 Miliardë Euro

    Gjigantët Amerikanë Paralajmërojnë Evropën: Shkëputja nga Cloud-i i SHBA-së Mund t’i Kushtojë 115 Miliardë Euro

    Kompanitë më të mëdha teknologjike amerikane i kanë dërguar një paralajmërim serioz Bashkimit Evropian: kufizimi i varësisë nga ofruesit amerikanë të shërbimeve Cloud mund t’i kushtojë ekonomisë evropiane të paktën 115 miliardë euro gjatë dekadës së ardhshme.

    Iazhmi vjen nga një studim i kryer nga Qendra Evropiane për Ekonominë Politike Ndërkombëtare (ECIPE) dhe i financuar nga CCIA Europe — një grup lobimi ku bëjnë pjesë me gjigantë si Amazon, Google dhe Meta, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta financiare për të mbajtur qeveritë evropiane të varura nga infrastruktura e tyre.

    Raporti godet drejtpërdrejt projektligjin e ri të Komisionit Evropian, të njohur si Cloud and AI Development Act (CADA). Shifra prej 115 miliardë eurosh është më shumë se gjashtëfishi i parashikimit zyrtar të vetë Komisionit Evropian, i cili e vlerësonte koston e këtij tranzicioni në vetëm 18 miliardë euro.

    Analiza e Kostove: Ku Do të Shkojnë 115 Miliardë Euro?

    Sipas studimit të ECIPE, rregullat e reja të sovranitetit digjital do të detyrojnë sektorin publik dhe privat të përballen me fatura të larta për transferimin e të dhënave dhe riprojektimin e softuerëve ekzistues.

    Sektori / Zëri i ShpenzimitKostoja e Parashikuar (EUR)Përshkrimi dhe Ndikimi
    Sektori Publik€33.3 MiliardëShpenzime të drejtpërdrejta nga buxhetet shtetërore për migrim
    Sektori Privat (Bankat, Energjia, Shëndetësia)€80.0 MiliardëNëse zbatohet Neni 31 për 25% të sistemeve kritike private
    Rishkrimi i Kodit & Arkitektura (69%)~€79.3 MiliardëKosto për përshtatjen e softuerëve në platforma të reja
    Rritja e Çmimeve të Cloud (30%)~€34.5 MiliardëTarifa më të larta nga ofruesit lokalë me kapacitet më të vogël

    Sa Do t’i Kushtojë Kjo Ndërmarrje Punonjësve Evropianë?

    Ndikimi i kostove të këtij tranzicioni nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjitha shtetet e BE-së. Raporti llogarit koston mesatare për çdo punonjës gjatë një periudhe 10-vjeçare:

    • Luksemburgu: €1,711 për punonjës (goditja më e madhe financiare)
    • Danimarka: €905 për punonjës
    • Austria: €900 për punonjës
    • Finlanda: €864 për punonjës
    • Irlanda: €856 për punonjës (qendra evropiane e shumë gjigantëve amerikanë)

    Neni 31 dhe Frikat e Sektorit Privat

    Pjesa më e madhe e faturës prej 115 miliardë eurosh (rreth 80 miliardë) bazohet në një skenar ku Komisioni Evropian përdor Nenin 31 të ligjit CADA. Ky nen i jep të drejtë BE-së të shtrijë kërkesat e sovranitetit përtej administratës publike, duke përfshirë edhe sektorët privatë me rëndësi kritike si bankat, shëndetësinë, energjinë dhe transportin.

    CCIA pretendon se detyrimi i bizneseve për t’u larguar nga arkitekturat ekzistuese do të nxisë projekte tejet të kushtueshme të zhvillimit të softuerit. Pjesa më e madhe e punës nuk do të jetë thjesht “zhvendosje e të dhënave”, por rishkrim rrënjësor i kodit burimor.

    “Shtetet anëtare nuk mund të mbështeten në vlerësimet e paplotësuara të Komisionit. Taksapaguesit dhe bizneset do të paguajnë faturën, ndërsa vlerësimi zyrtar ka anashkaluar 70 për qind të ndikimit real të CADA-s,” u shpreh Mitchell Rutledge, menaxher i politikave në CCIA Europe.

    Konflikti i Interesit: “Sovraniteti” me Logo Amerikane

    Megjithatë, ekspertët e pavarur theksojnë se ky raport duhet parë me skepticizëm. Kompanitë si Amazon dhe Google kanë shpenzuar vite duke ndërtuar produkte si AWS European Sovereign Cloud apo zgjidhje të tjera “sovraniteti” brenda platformave të tyre.

    Strategjia e tyre është e qartë: t’u shesin klientëve evropianë konceptin e sovranitetit me teknologji amerikane, ndërsa përmes grupeve të lobimit i paralajmërojnë qeveritë kundër rregullave që do t’i detyronin ata të kalonin te konkurrentët lokalë evropianë.

  • Rreth 300 milionë euro të bllokuara nga masat e BE-së, po ndikojnë edhe te investitorët

    Rreth 300 milionë euro të bllokuara nga masat e BE-së, po ndikojnë edhe te investitorët

    Sanksionet ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë dëmtuar vendin me rreth 300 milionë euro, derisa kjo shifër mund të rritet, pasi janë mbi tetë muaj nga vendosja e tyre. Kështu vlerësojnë disa njohës të ekonomisë, të cilët i bëjnë thirrje BE-së, t’i heqin ato.

    Të njëjtit vlerësojnë se nga këto masa, Kosova është duke humbur investitorë të huaj, pasi hezitojnë të investojnë në një vend që është i sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa thonë se është esenciale që të gjendet një zgjidhje para se BE të futet në ciklin e vet zgjedhor, pasi do të rrezikonte që këto masa të zgjasin me muaj të tërë. Megjithatë, kritikojnë edhe reformat e dobëta nga ana e qeverisë në ekonominë e vendit.

    Kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Lulzim Rafuna thotë se nga sanksionet e BE-së, janë rreth 300 milionë euro, projekte të bllokuara.

    Rafuna derisa bënë thirrje institucioneve të BE-së që këto masa të hiqen, kërkon edhe nga institucionet e vendit që t’i plotësojnë kushtet, dhe të jenë në koordinim me BE-në, në mënyrë që Kosova mos të jetë e sanksionuar.

    Ai thotë se projektet kanë qenë të dedikuara në shpenzime ose investime kapitale që do të ndikonin drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe ngritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës.

    “Kërkesa jonë është edhe për institucionet e BE-së, që të largohen sa më shumë këto masa, ndërsa kërkesa tjetër shkon për institucionet e vendit tonë që t’i plotësojnë kushtet në mënyrë që sa më të shpejtë këto masa të padrejta të na hiqen, dhe Kosova si çdo vend tjetër ta gëzojë të drejtën që të marrë pjesë në të gjitha forumet, gjitha fondet, iniciativat pa qenë e detyruar që mos të marrë pjesë si rezultat i këtyre masave. Masat padyshim që e dëmtojnë ekonominë e vendit në dy drejtime, në atë material për arsyeje se deri më sot kemi përafërsisht rreth 300 milionë euro, projekte të cilat janë bllokuar, konkretisht janë 292 milionë projekte, të cilat janë të bllokuara, mirëpo kjo shumë e këtyre projekteve do të shkojë duke u rritur në muajt në vazhdim, për arsyeje se kanë qenë projekte të parapara të implementohen dhe nuk do të mund të implementohen si rezultat i masave ndëshkuese. Këto projekte kanë qenë të dedikuara në shpenzime ose investime kapitale, që do të ndikonin drejtpërdrejt në rritje ekonomike dhe ngritje të mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës”, thotë Rafuna.

    Rafuna vlerëson se BE duhet të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, për agresionin që bëri në Banjskë gjatë vitit të kaluar.

    Ai rithekson se ka grante të cilat Kosova nuk ka mundësi t’i marrë më, siç është Fond për digjitalizimin, ku sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor morën hisen e vet, ndërsa vendi ynë ishte i përjashtuar pikërisht për shkak të masave që i kishim.

    Se këto masa janë duke e dëmtuar ekonominë e vendit e thotë edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Riinevst, Alban Hashani.

    Hashani derisa thotë se masat e vendosura nga BE, janë të padrejta, shton se vendi është duke humbur edhe shumë investitorë të huaj.

    “Masat e BE-së kundër Kosovës vlerësoj se janë të padrejta duke pas parasysh gjithë konstilacionin dhe rrethanat që janë krijuar. Megjithatë, BE i ka arsyet e veta për vendosjen e tyre dhe në anën tjetër të njëjta masa krijojnë disa telashe në Kosovë, sepse dërgojnë sinjale jo të mira, jo vetëm tek institucionet e BE-së, por gjithashtu edhe te investitorët, sepse kemi parasysh se një vend i cili përballët me masa të tilla dërgon sinjale jo të mira për investitorët. Fjala e këtyre projekteve është për pjesëmarrjen e Kosovës në programet kornizë të BE-së, e kufizon qasjen në disa lloj financime, qofshin ato që janë të ndërlidhura me fondet e para anëtarësimit, por edhe me fonde të tjera që lidhen me programin e investimeve të Ballkanit Perëndimor, e në të cilin do të mund të kishin qasje jo vetëm sektori publik, por edhe privat”, thotë Hashani.

    Hashani vlerëson se është esenciale që të gjendet një zgjidhje para se BE të futet në ciklin e vet zgjedhor, pasi sipas tij, do të rrezikonte që këto masa të zgjasin me muaj të tërë.

    “Kërkesat e BE-së deklaritavisht janë të qarta. Sipas Qeverisë së Kosovës ato janë përmbushur, megjithatë ende nuk janë zhbllokuar masat. Është esenciale që të gjendet një zgjidhje para se BE të futet në ciklin e vet zgjedhor, sepse do të rrezikonte që këto masa të vazhdoheshin derisa cikli zgjedhor në BE, që do të mund të zgjaste edhe me muaj të tërë. Sipas vlerësimeve të Qeverisë, masat do duhej të largoheshin për shkak se ato kanë qenë të ndërlidhura me de-eskalimin në veri dhe sipas qeverisë këto kushte veçse janë përmbyllur, megjithatë vlerësimi i BE-së, është që këto ende nuk janë përmbyllur, dhe siç duket ka një ndërlidhje të këtyre masave edhe me rrjedhën e procesit të dialogut, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, shton Hashani.

    Anën tjetër, njohësi tjetër i ekonomisë, Florin Aliu vlerëson se ekonomia e vendit ka ngecur për shkak reformave jo të mira nga Qeveria, dhe jo për shkak të masave nga ana e BE-së.

    “Zhvillimi nuk varët prej këtyre sanksioneve, varet më shumë prej reformave që merren brenda Qeverisë së Kosovës, reforma që ajo i vendos për ekonominë tonë. Në atë aspekt po shoh ngecje, ndërsa sa i përket sanksioneve, besoj se janë kriteri bazë që e determinon zhvillimin apo një kriter shumë i parëndësishëm në zhvillimin tonë”, thotë Aliu.

    Kujtojmë se këto masa nga Bashkimi Evropian kundër Kosovës kanë ardhur për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

  • Bislimi: BE-së i kemi dërguar raport prej 48 faqesh për Banjskën, le ta publikojë Prokuroria

    Bislimi: BE-së i kemi dërguar raport prej 48 faqesh për Banjskën, le ta publikojë Prokuroria

    Zëvendëskryeministri i vendit për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Kosova i ka dërguar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtar një raport prej 48 faqeve për agresionin në Banjskë, raporton Ekonomia Online.

    Por, sipas Bislimit, raportin duhet ta publikojë prokurori dhe jo qeveria, teksa i kërkoi ndihmë anëtarëve të Komisionit për Integrim nga radhët e opozitës që të bëjnë presion publik mbi prokurorinë që ta bëjë publik raportin.

    Më tej, ai tha se sa herë sillet Radojiçiqi i lirë rreth veriut dhe sa herë Serbia nëpër kampet e saj përgatitë dhe trajton të rinj nga Kosova, rreziku i sigurisë do të jetë permanent.

    “Ne i kemi dërguar raport 48 faqesh për Banjskën, BE-së edhe secilit shtet anëtar, edhe secilës ambasadë në Bruksel. 48 faqe. Por raportin për me e publiku duhet me bë prokurori. Prokurori nuk është Qeveri. Ne po bëjmë presion publik që të publikohet raporti. Bëni edhe ju e ndihmona që Prokuroria ta bëjë raportin, ta nxjerrë fletarrestin për Radojiçiqin dhe të gjendjen kriminelët e tjerë. Ndihmona në këtë drejtim, që Radojiçiqi të mos sillet i lirë rreth veriut. Sa herë që ai sillet i lirë dhe Serbia dhe kampet ushtarake të saj, përgatit dhe trajnon të rinj nga Kosova, rreziku i sigurisë do të jetë permanent, prandaj ndihmona që edhe prokuroria të veprojë”, ka thënë Bislimi.

  • BE-ja kërkon kushtëzimin e integrimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

    BE-ja kërkon kushtëzimin e integrimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

    Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në bllok të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe të gjitha obligimet nga marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut.

    Ky propozim pritet të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme. Ky Këshill pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizim të raporteve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në bllok.

    REL ka pasur qasje në draftin e konkluza të përgatitura për këtë takim, ku nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha obligimet nga marrëveshjes në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

    “Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë [për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell] që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument.

    Pikërisht, përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën në kornizën negociuese për anëtarësim në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.

    Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

    Deri më tani, korniza e negociatave nuk është ndryshuar formalisht.

    Ministrat e BE-së duhet të miratojnë konkluzat e takimit të 12 dhjetorit, ndërkaq të njëjtat më pas duhet të miratohen edhe nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet më 14 dhe 15 dhjetor.

    Në draftin e konkluzave për Serbinë edhe një herë do t’i bëhet thirrje Beogradit që të bashkëpunojë plotësisht që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve ndaj civilëve, ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë protestës së dhunshme të serbëve lokalë më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

    Serbisë po ashtu i kërkohet që të sjellë para drejtësisë edhe sulmuesit e Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë.

    Gjatë sulmit, që Kosova e cilëson terrorist dhe e fajëson Serbinë për të, u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve të armatosura gjatë 24 shtatorit u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë. Beogradi, ndërkaq ka mohuar se ka gisht në këtë sulm.

    “Këshilli përsërit se nuk ka justifikim për dhunën dhe dënon fuqishëm aktet e dhunës nga ana e protestuesve serbë kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, pjesëtarëve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023, dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, thuhet në dokument.

    Në pjesën ku flitet për obligimet e Serbisë për të ndërmarrë masa për të sjellë para drejtësisë kryesit e krimeve, thuhet se Këshilli “shpreh keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm në këtë drejtim”.

    Sipas draft-konkluzave, Këshilli kërkon nga Serbia që të angazhohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja “me vullnet të mirë dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese me Kosovën për normalizimin e raporteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet e BE-së, pa vonesa të tjera. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet kyçe të hapura dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në stabilitetin e rajonit”, thuhet në dokument.

    Po ashtu, në konkluza pritet që blloku të kërkojë nga Serbia që të inkurajojë serbët në Kosovë që të kthehen në institucionet e Kosovës prej të cilave janë larguar nëntorin e vitit të kaluar për shkak të pakënaqësive me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me targat ilegale të makinave që lëshohen nga Serbia.

  • Stano: BE-ja dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

    Stano: BE-ja dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

    Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar për dorëheqjen e nëntë policëve rinj serbë, ka thënë zëdhënësi Peter Stano, duke theksuar se BE i dënon kërcënimet ndaj pjesëtarëve të Policisë.

    Ai ka thënë se frikësimet dhe kërcënimet janë të papranueshme dhe si të tilla duhet të ndalen menjëherë.

    “BE-ja është thellësisht e shqetësuar për dorëheqjen e nëntë serbëve të Kosovës të saporekrutuar nga Policia e Kosovës. Përbërja e Policisë së Kosovës duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë. Pjesëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës kanë një rol për të luajtur duke kontribuar në sigurinë e komunitetit të tyre përmes policimit të orientuar drejt komunitetit. Ne dënojmë presionin psikologjik, frikësimin dhe kërcënimet për hakmarrje ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilat thuhet se kanë motivuar dorëheqjen e policëve të saporekrutuar”, ka thënë Stano për KosovaPress.

    Stano ka theksuar se çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Çdo lloj sjelljeje frikësuese apo kërcënuese ndaj policëve serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë. Çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe multietnike dhe BE-ja nënvizon se një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e kthimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës duhet të gjendet në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shtuar ai.

  • BE-ja preferon dorëheqjen e kryetarëve në veri për zgjedhje sa më të shpejta

    BE-ja preferon dorëheqjen e kryetarëve në veri për zgjedhje sa më të shpejta

    Bashkimi Evropian ka kërkuar që zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit të shpallen sa më shpejt dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse.

    Një zëdhënëse e BE-së të enjten ka thënë se Bashkimi Evropian pret që “palët të zbatojnë kërkesat e BE-së siç është bërë e ditur në deklaratën e 27 shteteve anëtare më 3 qershor 2023”. “Kjo përcakton qartë se zgjedhjet e hershme duhet të shpallen sa më shpejt dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat me shumicë serbe në veri”.

    Të pyetur se si është forma që BE-ja përkrah shpalljen e zgjedhjeve sa më shpejt që të jetë e mundshme, BE-ja ka kujtuar se “dorëheqja e kryetarëve është rruga më e shpejt për të nxitur zgjedhje të parakohshme”, ndërsa ka kërkuar që “palët duhet të tregojnë konstruktivitet në realizimin e zgjedhjeve”, ka deklaruar ajo për Koha.net.

    Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka thënë se dorëheqja është akt moral, e se qytetarët si zgjidhje e kanë nisjen e një peticioni që kërkon dorëheqjen e kryetarëve.

    BE-ja e ka cilësuar të paqëndrueshme status-quonë në veri të vendit pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës dhe bojkotit të zgjedhjeve në veri nga serbët.

    “Vazhdimi i protestave kundër kryetarëve të rinj, pa u nisur zgjedhjet e reja lokale në katër komunat, qoftë me dorëheqje apo peticione për dorëheqje, nuk është rruga përpara. BE-ja pret që zgjedhjet të jenë të lira dhe fer dhe që serbët e Kosovës të tregojnë angazhim konstruktiv në procesin zgjedhor, dhe të angazhohen për të marrë pjesë në to. Kjo do të ishte shenjë e qartë e synimit të serbëve të Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

  • Dita e dyta e samitit të BE-së, “Duhet shtensionuar shpejt situatën në Kosovë”

    Dita e dyta e samitit të BE-së, “Duhet shtensionuar shpejt situatën në Kosovë”

    Në Bruksel është duke vazhduar samiti i liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian, në të cilin, ndër tjerash temë për diskutim janë edhe tensionet në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Për këtë është diskutuar edhe ditën e parë të samitit, së pari në një takim të përbashkët që liderët e BE-së patën me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e pastaj edhe në takimin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së.

    “Ishte një diskutim mjaft dinamik dhe shumë pjesëmarrës folën për këtë temë. Por, porosia kryesore ishte se duhet të veprohet shpejt për shtensionimin e situatës dhe këto [veprime] duhet të bëhen nga të dyja palët“, ka thënë një zyrtar i BE-së, duke folur me gazetarët mëngjesin e së premtes, kur edhe ka nisur dita e dytë e samitit, shkruan Rel.

    Gjatë ditës, pritet të debatohet edhe për tekstin e konkluzioneve, i cili tekst është përgatitur për miratim. Në këtë tekst, ndër tjerash, është një paragraf që u kushtohet Kosovës dhe Serbisë, si dhe një tjetër për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

    Mirëpo, problemi me konkluzionet është se ato të gjitha janë në një dokument dhe ka mundësi që për shkak të mospajtimeve mes vendeve të BE-së për temën e migracionit, të mos miratohen fare as konkluzionet për temat tjera.

    Liderët e BE-së kanë bërë përpjekje deri pas mesnate që të arrijnë pajtim për tekstin, por Hungaria dhe Polonia e kanë bllokuar miratimin e pjesës që ka të bëjë me menaxhimin e migrimit në BE.

    Zyrtarët e BE-së shpresojnë se gjatë ditës së premte do të arrihet një kompromis dhe të miratohen konkluzionet. Si mundësi alternative mbetet edhe miratimi i tyre në formën e “Konkluzioneve të Presidencës“ e jo si “Konkluzione të Këshillit Evropian”.

    Në tekstin e konkluzioneve kushtuar zgjerimit të BE-së, pritet që të shprehet mbështetja për integrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.

    Ndërsa, në pjesën e konkluzioneve kushtuar Kosovës e Serbisë, pritet që të dyja vendeve t’u kërkohet të bëjnë hapa të menjëhershëm për t’i ulur tensionet.

    “Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian më 3 qershor 2023”, thuhet në këtë tekst, shkruan Rel. “Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhje të parakohshme në të gjitha katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, shtohet tutje në tekstin e konkluzioneve.

    “Është esencial vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja, udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe implementimi i Aneksit është i domosdoshëm. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe“, theksohet në tekst.

    ensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

    Ndërkaq, dje (29 qershor), Kurti ka paraqitur propozimin e ri për shtensionimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkretë që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës.

  • Situata e veriut dhe dialogu Kosovë-Serbi, mblidhen ministrat jashtëm e BE -së

    Situata e veriut dhe dialogu Kosovë-Serbi, mblidhen ministrat jashtëm e BE -së

    Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë sot për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe tensionet e fundit mes dy vendeve.

    Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, ministrat do të kenë “shkëmbim të mendimeve rreth dialogut Prishtinë-Beograd, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës”.

    Pritet që para ministrave të raportojë kryediplomati i BE-së, Josep Borell, dhe më pas të vazhdojnë diskutimet në këtë temë.

    Nuk priten konkluzione apo vendime formale, përveç diskutimit të masave që mund të marrë blloku evropian për t’i bindur palët që të marrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve.

    Bashkimi Evropian ka pritur se do të ketë ulje të tensioneve pas takimeve të fundit që Borrelli ka pasur me dy liderët në Bruksel, një javë më parë.

    Liderët nuk janë takuar me njëri-tjetrin, por vetëm me Borrellin, veç e veç.

    Tensionet në veri të Kosovës janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

    Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

    Tensionet janë rritur edhe më kur autoritetet e Serbisë i kanë arrestuar tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Kosova ka thënë se bëhet fjalë për rrëmbim, Serbia ka thënë se policët janë arrestuar në territorin serb

    Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës janë duke arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, që dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunën kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve që raportojnë nga veriu.

    Serbia dhe pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë i konsiderojnë këto arrestime si arbitrare.

    Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.

    Situata në Kosovë dhe dialogu i lehtësuar nga BE-ja do të jenë temë diskutimi edhe në disa takime tjera të nivelit të lartë në BE, këtë javë.

    Të martën i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak, dhe Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian në Drejtorinë për Zgjerim Jan Koopman, do të marrin pjesë në një diskutim në Parlamentin Evropian për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ky diskutim do të zhvillohet në Komisionin për Politikë të Jashtme.

    Aty pritet të flitet edhe për takimet e fundit të realizuara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por edhe për masat që Komisioni Evropian tashmë ka nisur t’i ndërmarrë ndaj Kosovës, si masë ndëshkuese për zhvillimet në veri.

    Deri më tani janë anuluar disa takime të përbashkëta mes Komisionit Evropian dhe Kosovës, që ekzistojnë në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

    Situata në Kosovë dhe procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jenë temë diskutimi edhe në takimin e Këshillit Evropian, pra samitin e liderëve të vendeve anëtare.

    Diçka e tillë, sipas diplomatëve të BE-së, tregon përkushtimin, por edhe shqetësimin që ka blloku për situatën në Kosovë dhe për raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.

    Nga këto takime pritet që Kosovës dhe Serbisë t’iu bëhet thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe kthimin në dialog.

    Por, dy vendeve pritet edhe t’iu tërhiqet vërejtja për pasojat që mund t’i kenë, në rast se nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive.

  • Kurti thotë se ka ardhur koha që BE-ja ta ndryshojë qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor

    Kurti thotë se ka ardhur koha që BE-ja ta ndryshojë qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është koha që Bashkimi Evropian ta ndryshojë qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor, raporton Ekonomia Online.

    Kurti në konferencën për ”Balkan Dialogues Initiative”, shtoi se sa i përket dialogut Kosova është konstruktive në këtë proces.

    Kurse sa i përket të drejtave të minoriteteve, Kurti shtoi se është Kushtetuta e Kosovës e cila i garanton të drejtat për pakicat.

    “Ka ardhur koha për Bashkimin Evropian që ta ndryshojë qasjen ndaj rajonit. Fondet e BE-së duhet të ndërlidhen me vlerat evropiane. Kur bëhet fjalë për bashkëpunim rajonal, ne kemi ratifikuar tri marrëveshjet nga procesi i Berlinit”.

    “Sa i përket dialogut me Serbinë, ne jemi konstruktiv dhe kreativ në këtë proces. Ne besojmë se marrëveshja bazë e arritur është një hap i rëndësishëm”.