ATV

Tag: Ballina

  • Kurti: Isha i gatshëm ta shkruaj vet draft-statutin për Asociacionin, s’më lanë

    Kurti: Isha i gatshëm ta shkruaj vet draft-statutin për Asociacionin, s’më lanë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka qenë i gatshëm që vet ta shkruaj draft-statutin e Asociacionit.

    Por sipas tij, një gjë e tillë nuk është pranuar nga palët në takimin e Ohrit.

    “Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade”.

    “Pra tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të datës 2 maj, ndërkaq unë do ta takoj në një konferencë ndërmjetësin Lajçak”, tha Kurti.

    “Nuk ka anëtar të grupit punues nga ana jonë. Unë e kam zëvendësin tim i cili në portofolin e tij është përgjegjës për integrimet evropiane”.

    “I përket ekipit menaxhues që të shfaqet por ministri Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim atyre por që nuk kanë pranuar”, tha tutje Kurti.

    Shefi i ekzekutivit foli edhe për zgjedhjet në veri, raporton EO.

    “Ne kemi bërë fushatë vazhdimisht. Unë kam pasur takime e fushata është zhvilluar nga kandidatët për kryetar të komunave atje. Mirëpo fushatë më të egër kundër serbëve të Kosovës moti nuk ka pasur e udhëhequr e financuar nga Beogradi dhe ekzekutuar nga elemente kriminale”, tha Kurti.

  • “Tre Vllaznit”, nga kjo e diel transmetohet nga ora 20:00 në ATV

    “Tre Vllaznit”, nga kjo e diel transmetohet nga ora 20:00 në ATV

    Seriali televiziv “Tre Vllaznit“, prodhim i televizionit ATV, nga kjo e diel vjen me një termin të ri transmetimi.

    Duke filluar nga e diela e 30 prillit, shikuesit do të kenë mundësi të ndjekin serinë e tyre të preferuar nga ora 20.00.

    Në të njëjtën kohë, do të bëhet edhe transmetimi në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube, duke mundësuar që secili episod i ri i serialit të arrijë në kohë reale te të gjithë shikuesit shqiptar kudo që ndodhet nëpër botë.

    Seriali “Tre Vllaznit” tashmë ka fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm në mesin e publikut shqiptar duke grumbulluar miliona shikime në YouTube dhe rrjetet e tjera sociale, e duke e bërë atë serialin më të dashur te shqiptarët që jetojnë jo vetëm në Kosovë por edhe diasporë.

    Këtë të diel do të transmetohet episodi i 33-të i serialit “Tre Vllaznit”.

    Nën regji të Shkumbin Istrefit, me producent Zijad Mehic, ngjarja që zhvillohet në këtë serial tregon jetën e tre vëllezërve që jetojnë së bashku në një apartament në Prishtinë, me aktorët: Ilir Tafa (Bajrami) në rolin e vëllait të madh, Valmir Krasniqi (Besimi) në rolin e vëllait të dytë dhe Lum Veseli (Blini) në rolin e vëllait të vogël.

    Secili nga këta vëllezër e përfaqëson një brez dhe një koncept të vëllazërisë në mënyrë të ndryshme nga tjetri. Vëllai i madh mban bindjet nga vitet e 50’ta dhe ka nostalgji për komunizmin, ku shpesh tregon paaftësi dhe sjellje mashtruese. Vëllai i dytë është një pseudo producent muzikor me një stil urban, ndërsa vëllai i vogël është një super-student që shpesh përplaset me botën paralele të të dy vëllezërve të tij më të mëdhenj.

    Me gjithë suksesin e deritashëm, seriali “Tre Vllaznit” është bërë edhe një trend kulturor, duke kapur vëmendjen dhe zemrat e audiencës shqiptare në të gjithë botën me portretin e tij unik të dinamikave të një familjeje problematike që jeton në Prishtinë.

    Përveç tre vëllezërve, ky serial pasurohet edhe nga një kastë tjetër gjigante e aktorëve shumë të njohur për publikun shqiptar, si: Edita Dula, Teuta Krasniqi, Flakron Aliu, Shengyl Ismaili, Sabri Fejzullahu, Basri Shala, Nëntor Fetiu, Fatos Kryeziu, Avni Hoti, Arber Salihu, Shpëtim Kastrati e shumë të tjerë.

    Në terminin e mëhershëm në orën 21.00, nga kjo e diel do të transmetohet emisioni 8a8 me Adelina Ismajlin. /atvlive.tv

  • Stano: BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër Kosovës

    Stano: BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër Kosovës

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Megjithatë, Stano nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Ndërkaq, më 18 mars në Ohër ata u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

    Neni 4 i kësaj marrëveshjeje thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

    Pavarësisht se Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan marrëveshjen, BE-ja e konsideron atë marrëveshje dhe ka deklaruar se dokumenti është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët.

    “Diskutimet për nënshkrimin [e marrëveshjeve] janë krejtësisht të kota dhe të parëndësishme. Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi [i marrëveshjeve] do të reflektohet në rrugëtimin e tyre [të Kosovës dhe Serbisë] evropian”, tha Stano.

    Zëdhënësi i BE-së konfirmoi se marrëveshja e arritur në Ohër është ende e vlefshme dhe se fokusi i të gjithëve duhet të jetë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

    Më 24 prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës votoi që t’i përcjellë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

    Për këtë vendim, 33 vota ishin për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

    Para se të mbahej votimi në Këshillin e Evropës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregoi se shteti i tij do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

    Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut. Kjo organizatë ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare./REL/

  • Joe Biden shpall kandidaturën presidenciale për vitin 2024

    Joe Biden shpall kandidaturën presidenciale për vitin 2024

    Presidenti i ShBA-së Joe Biden ka njoftuar se do të kërkojë rizgjedhjen për president në vitin 2024, me zëvendëspresidenten Kamala Harris.

    Tani 80-vjeçar dhe tashmë presidenti më i vjetër në historinë e ShBA-së, Biden kishte sinjalizuar prej kohësh se do të kandidonte për një mandat tjetër katërvjeçar, shkruan BBC.

    Në një video ku bëri të ditura përpjekjet e tij për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë, ai cilësoi zgjedhjet e ardhshme si një luftë për demokracinë dhe lirinë personale, duke thënë: “Ta përfundojmë punën”.

    Ish-presidenti Donald Trump ka nisur tashmë fushatën e tij, që do të thotë se dyshja mund të përballet për një rimeç zgjedhor në nëntor të vitit të ardhshëm.

  • ​Krasniqi: Nuk na bëjnë mirë institucionet njëetnike

    ​Krasniqi: Nuk na bëjnë mirë institucionet njëetnike

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, thotë se Kosovës nuk i duhen institucione njëetnike sepse një gjë e tillë nuk është në frymën kushtetuese të shtetit. Ai thotë se asociacionet e komunave mund të formohen vetëm bazuar në ligjet e Kosovës.

    “Kosova është një shtet multietnik ku është ndërtuar mbi këto parime të një demokracie gjithëpërfshirëse. Edhe nuk na bëjnë mirë si komunitete, nëse do të kemi institucione ose organe të tjera njëetnike për shkak se nuk është në frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton qartë dhe mirë edhe përgjegjësinë në nivelin dhe të drejtën e komunave që të bashkohen në formë të asociacionit. Gjithçka në suazë të këtij bazamenti ligjor”, thotë Krasniqi.

    Ai gjithashtu përgjigjet rreth situatës së krijuar nga vërshimet e muajit janar në disa komuna të Kosovës.

    Krasniqi bën të ditur se ende nuk është finalizuar procesi analizave nga komunat përkatëse.

    “Pas tejkalimit të situatës me vërshime kanë bërë disa komisione komunale. Ne si ministri kemi një anëtar në ato komisione edhe i kanë dërguar raportet për vlerësim, tash është në përpunim e sipër gjithë procesi i analizave të komunave të Kosovës. Kemi disa probleme edhe me komunën e Mitrovicës së Veriut, ku nuk ka kryetar komune dhe tani më është caktuar seanca e kuvendit komunal ku do të votohet edhe raporti i komisionit komunal dhe kjo pastaj e ndihmon procesit që të procesohen të gjitha kërkesat për një herë”, thotë ai.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk tregon vlerën e dëmit që vërshimet kanë shkaktuar në disa prej komunave, raporton KP.

    “Nuk mund të flas me kompetencë për shifra për nivelin e dëmeve. Mirëpo, komisionet komunale ku edhe ministria jonë është pjesë e këtyre komisioneve, kanë bërë vlerësimin e tyre dhe mandej dërgohet te AME, dhe AME e bën një përmbledhje të gjithë kësaj situate dhe caktohen edhe mbështetjen qeveritare edhe vlerësimi i dëmeve”, shton ai.

    Themelimi i Asociacionit është paraqitur si parakusht nga Serbia, për përparimin e dialogut të Brukselit.

    Ndërsa qëndrimi i Kosovës është se një asociacion me kompetenca ekzekutive është i dëmshëm për shtetin.

    Edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për formimin e këtij asociacioni duhet të harmonizohen me ligjet e Kosovës.

  • Liberalizimi i vizave, publikohet rregullorja në gazetën zyrtare të BE-së

    Liberalizimi i vizave, publikohet rregullorja në gazetën zyrtare të BE-së

    Është publikuar në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, rregullorja e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovës. E njëjta pritet të hyjë në fuqi më 15 maj të këtij viti ndërsa kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në shtetet e zonës Schengen nga 1 janari 2024.

    Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill në selinë e Parlamentit Evropian.

    Një ditë më herët, PE kishte miratuar vendimit për vizat, veprim ky që kishte përmbyllur proceduat vendimmarrëse.

    Për miratimin e këtij vendimi nuk ka pasur asnjë kundërshtim.

    Pas liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë deri në 90 ditë, në një periudhë brenda gjashtë muajsh, në të gjitha shtetet që janë anëtare në zonën Schengen.

    Regjimi pa viza nuk nënkupton leje pune, por kosovarët do të mund të realizojnë vizita turistike apo të tjera për çështje familjare.

    Komisioni Evropian kishte konfirmuar në vitin 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për lëvizje të lirë.

    Megjithatë, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që ende nuk mund të lëvizin pa viza në Schengen.

  • Ish-ambasadori Delawie: Vuçiq të mos bëjë probleme në Kosovë, por ta forcojë demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi

    Ish-ambasadori Delawie: Vuçiq të mos bëjë probleme në Kosovë, por ta forcojë demokracinë dhe sundimin e ligjit në Serbi

    “Është zhgënjyese që autoritetet serbe kanë ndikuar që serbët e Kosovës të bojkotojnë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës”, tha për Zërin e Amerikës ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

    Diplomati amerikan në pension ka analizuar rezultatet preliminare të votimit, ku morën pjesë 3.5 për qind e votuesve të regjistruar, ose 1567 qytetarë në veri të Kosovës.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjera i cilësoi “pushtim” zgjedhjet e mbajtura pa Listën Srpska.

    Me një qëndrim të tillë, megjithatë, nuk pajtohet ambasadori Delawie.

    “Mënyra më e mirë që komuniteti serb i Kosovës të përmirësojë pozitën e tij është të zgjedhë përfaqësuesit e tij – të cilët janë përfaqësues të vërtetë të votuesve. Dhe që përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të punojnë me deputetë të tjerë në projekte për të përmirësuar komunitetet e tyre dhe vendin në tërësi”, tha ish-përfaqësuesi diplomatik amerikan në Kosovë.

    Delawie paralajmëron se një retorikë e tillë e presidentit të Serbisë mund të forcojë tensionet në Kosovë dhe Serbi.

    “Nuk sjell asnjë përfitim për qytetarët e atyre vendeve. Serbia gjatë pesë viteve të fundit ka pësuar një kthesë të dukshme në rendin demokratik sipas kritereve të organizatës Freedom House, si dhe në sferën e korrupsionit – sipas raporteve të Transparency International. Në vend që të krijojë probleme me Kosovën, Vuçiq duhet të përqendrohet në përmirësimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendin e tij në mënyrë që të përmbushë dëshirën e qytetarëve të tij për t’u integruar më shumë me pjesën tjetër të Evropës”, ​​thotë ambasadori Delawie.

  • KQZ shpall sot rezultatet e zgjedhjeve për komunat veriore

    KQZ shpall sot rezultatet e zgjedhjeve për komunat veriore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot do të shpallen rezultatet për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës.

    Përmes një komunikate për media, nga KQZ kanë thënë se të martën nga ora 13:15 mban mbledhjen e radhës.

    Pikë e rendit të ditës është edhe shpallja e rezultateve për zgjedhjet për kryetar të komunave në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave në Zveçan dhe Leposaviq.

  • Lajçak nga Vjena flet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Lajçak nga Vjena flet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, hapat e ardhshëm dhe roli i zgjerimit të Bashkimit Evropian, ishin temat që u diskutuan sonte në një panel në Vjenë.

    Kështu njoftoi emisari i BE-së, Miroslav Lajçak në një shkrim në Twitter. Ai tregoi se pjesë e panelit ishte edhe ish-i dërguar i BE-së për Kosovën, Wolfang Petrisch, për të cilin e falënderoi për diskutimin.

    Ky diskutim ndodhi para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Bruksel. Takimi i tyre është paraparë të mbahet më 2 maj.

    Agjenda e takimit të nivelit të lartë do të përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për Personat e Zhdukur dhe prezantimin e draft-statutit të parë të Asociacionit të Komunave me Shumicë serb.

    “Shkëmbim i mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, hapat e ardhshëm dhe rolin e zgjerimit të BE-së, në Vjenë sonte. Faleminderit @WebsterVienna për organizimin dhe kolegët e mi bashkëpanelistët Wolfgang Petritsch dhe Stephanie Fenkart për diskutimin!”, shkroi diplomati sllovak në Twitter.

  • Kryediplomati finlandez: E mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Kryediplomati finlandez: E mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto, ka uruar Republikën e Kosovës për atë që e ka konsideruar si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

    Sipas njoftimit, Finlanda e mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    “Finlanda mbështet me vendosmëri anëtarësimin, i cili do të ndihmojë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovës dhe integrimin evropian”, thuhet në cicërimën e ministrisë së Jashtme finlandeze.

    Këtë deklaratë e ka shpërndarë në Facebook edhe ambasada e Finlandës në Kosovë.

    Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës vendosi dje që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.