ATV

Tag: Ballina

  • Aksident në Fushë Kosovë, vetura përplaset me pemën në skaj të rrugës

    Aksident në Fushë Kosovë, vetura përplaset me pemën në skaj të rrugës

    Një aksident sapo ka ndodhur në rrugën Fushë Kosovë – Prishtinë, ku një veturë është përplasur me një pemë që gjendej në skaj të rrugës, raporton ATV.

    Në videon e më poshtme të siguruar nga ATV, policia shihen se kanë arritur në vend të ngjarjes.

    Ende nuk dihet për të lënduar apo edhe shkaqet që çuan në këtë aksident.

    Për detaje të reja, ATV do t’ju informojë me kohë.

  • Hovenier: Mbështesim FSK-në teksa tranformohet në forcë mbrojtëse territoriale ndërvepruese me NATO-n

    Hovenier: Mbështesim FSK-në teksa tranformohet në forcë mbrojtëse territoriale ndërvepruese me NATO-n

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hoveneir, ka pritur sot në Ambasadën e SHBA në Prishtinë, ushtarin e FSK-së, Ylli Dalladaku, i cili ka përfunduar një prej kurseve ushtarake amerikane që është prej më rigorozeve.

    Dalladaku ka përfunduar kursin e Shkollës Ushtarake të West Point, duke u bërë kështu ushtari i parë i FSK-së që kalon në Akademinë amerikane.

    Hovenier ka thënë se SHBA e mbështet FSK-në teksa transformohet në një forcë multi-etnike, profesionale dhe forcë e mbrojtjes territoriale e ndërvepruese me NATO-n.

  • ​U dëgjuan 15 dëshmitarë, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rikthehet pas tri javësh

    ​U dëgjuan 15 dëshmitarë, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rikthehet pas tri javësh

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i pesëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vendosur të mos parashtrojnë kundërpyetje për këtë dëshmitar.

    Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës deklaroi se deri te ky vendim erdhi si rezultat i situatës së djeshme.

    Në seancën e së mërkurës dëshmitari në fjalë shpesh herë nuk i ka kuptuar pyetjet që i ka parashtruar ZPS rreth disa dokumenteve.

    Madje, ai ka thënë se ka probleme pasi sipas tij vuan edhe nga diabeti.

    Kehoe: Ekipet mbrojtëse nuk do të parashtrojnë kundërpyetje për dëshmitarin

    “Sa i takon kundër-pyetjeve të këtij dëshmitari ne u konsultuam me njëri tjetrin dhe bashkë me kolegët në këtë pikë asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk do të bëjë pyetje këtij dëshmitari. Më duhet tu them që ky vendim u morë si rezultat e situatës së djeshme pasi pamë dëshmitarit. Nëse është nevoja mund t’i bëjmë kundër-pyetjet por bashkërisht morëm vendim që askush nuk do t’i bëjë pyetje këtij dëshmitari”, ka deklaruar ai.

    Por, për dallim nga mbrojtja, trupi gjykues ka pasur disa pyetje për dëshmitarin i cili pretendon se vëllai i tij ishte ndaluar nga anëtarë të UÇK-së në vitin 1998, në Drenoc.

    Gjykatësi Metro e ka pyetur dëshmitarin nëse i kanë raportuar diku ato që pretendojnë se u kanë ndodhur.

    Metro: Pasi ndodhën këto ngjarjet kur iu morën vëllain edhe çdo gjë tjetër gjatë asaj periudhe, ti a u përpoqe t’i tregoje ndokujt apo të raportoje ndokujt këtë që i ndodhi të afërmit tuaj?

    Dëshmitari: Po.

    Metro: A mund të na tregosh kujt ia tregova këto ngjarje?

    Përgjigjet e dëshmitarit lidhur me këtë janë transmetuar me përmbajtje të redaktuar për publikun.

    Me përfundimin e kësaj dëshmie, Gjykata Speciale i ka përfunduar seancat për këtë sezon ndërsa procesi gjyqësor do të vazhdojë nga data 14 gusht.

    E ish-krerët e UÇK-së seancën e sotme gjyqësore e kanë ndjekur nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

    Deri më tani në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve kanë dëshmuar pesëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, pothuajse të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

    Dëshmia publike dhe pa masa mbrojtëse ka ardhur vetëm nga ish-komandanti i Zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa si dhe një oficer i ushtrisë britanike i cili ka shërbyer gjatë luftës në Kosovë, në kuadër të misionit të OSBE-së.

    Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp

  • Sot dita e fundit e gjykimit ndaj Thaçit e të tjerëve në Speciale para pushimit veror

    Sot dita e fundit e gjykimit ndaj Thaçit e të tjerëve në Speciale para pushimit veror

    Dita e sotme në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve është e dita e fundit e gjykimit para se të fillojë pushimi veror.

    Sipas kalendarit të punës së Dhomave Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, pushimi veror fillon më 24 korrik, ndërsa seancat do të fillojnë më 14 gusht.

    Gjatë muajit gusht janë paraparë të mbahen shtatë seanca në rastin gjyqësor “Thaçit dhe të tjerët”, ndërsa në rastin “Shala’, do të mbahen pesë seanca.

    Ndryshe dje ka filluar të dëshmojë, dëshmitari i 15-të i ZPS-së i mbrojtur me kodin W04586, ai ka dëshmon për vdekjen e anëtarit të familjes së tij gjatë periudhës përkatëse.

    Dëshmitari dje ka dëshmuar përmes videolidhjes.

  • Katër persona të vdekur nga stuhitë në Kroaci, Bosnje dhe Slloveni

    Katër persona të vdekur nga stuhitë në Kroaci, Bosnje dhe Slloveni

    Katër persona kanë vdekur si pasojë e një stuhie që i ka goditur disa vende të Ballkanit në pasditen e së mërkurës.

    Dy persona kanë vdekur në Zagreb të Kroacisë, një në Bled të Sllovenisë dhe një në Bërçko të Bosnje-Hercegovinës, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Stuhia e përcjellë me shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme i ka shkulur pemët, dhe e ka vështirësuar qarkullimin e makinave.

    Stuhia i ka përfshirë edhe qytetet serbe, Novi Sad dhe Beograd, por atje është raportuar vetëm për dëme materiale.

    Në Bosnje është raportuar se 20 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa në Zagreb është raportuar për tetë persona të plagosur.

    Në zonën e Samaçit, në veri të Bosnje – Hercegovinës, Shtabi i Situatave Emergjente, e ka shpallur gjendjen e katastrofës natyrore, pasi era ka shkaktuar dëme të mëdha, ka raportuar Radiotelevizioni i Republikës Sërpska.

    Në të njëjtën kohë, Aeroporti në Banja Llukë është mbyllur për qarkullim, pasi stuhia e ka dëmtuar çatinë e objektit.

    Lajmi për stuhinë vjen teksa bota po përballet me temperatura ekstreme në ditët e fundit.

    Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

    Me temperatura të larta është përballur edhe rajoni i Ballkanit.

  • Mitrovica e Veriut afër anëtarësimit në Asociacion të Komunave, MAPL ia aprovon kërkesën

    Mitrovica e Veriut afër anëtarësimit në Asociacion të Komunave, MAPL ia aprovon kërkesën

    Për kërkesën e dërguar para një muaji mori përgjigje. Mitrovica e Veriut shumë shpejt pritet të bëhet pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës, pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka aprovuar kërkesën e kësaj komune.

    Në vendimin e siguruar nga ATV-ja thuhet se kërkesa është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Tani vendimin përfundimtar do ta marrë vetë Asociacioni i Komunave të Kosovës, derisa kanë mbetur edhe disa procedura.

    Por procedura pritet të marrë pak kohë.

    Kërkesën për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës të Mitrovicës së Veriut e bëri kryetari Erden Atiq me ta marrë postin. Ndërkaq, në përgatitje të kërkesës është edhe komuna e Zubin-Potokut. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Për shkak të motit me vapë është shtuar numri i pacientëve që po kërkojnë shërbime mjekësore

    Për shkak të motit me vapë është shtuar numri i pacientëve që po kërkojnë shërbime mjekësore

    Me ngritjen e temperaturave është rritur edhe numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

    Kryeshefi i mjekësisë familjare në këtë qendër, Valdet Hashani, tha se vetëm për 24 orë po ofrojnë më shumë se 400 shërbime mjekësore.

    “Kemi rritje të fluksit të pacientëve, për 20% ka rritje, domethënë për 24 orë kalon shifra 450. Kushtet për ofrimin e shërbimeve janë në nivel, nuk kemi asnjë mungesë momentalisht. Është duke u punuar në të gjitha qendrat e kujdesit parësor shëndetësor në Prishtinë, në zonat urbane dhe në ato rurale”, tha Hashani.

    Pacientët të cilët i drejtohen kësaj qendre, thonë se janë të kënaqur me shërbimet mjekësore të cilat po iu ofrohen.

    “I kënaqur jam, s’ka asnjë mungesë të gjitha kushtet janë në nivel. Veç një problem është stafit mjekësor duhet t’i rritet rroga më shumë”, thotë Ramadan Krasniqi, pacient.

    “Kesh për një kontroll, u ndajta shumë i kënaqur. Krejt çka pata nevojë ishin aty, tonat t’mirat”, tha një tjetër pacient.
    “E njëjta situatë është në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë. Vetëm për 24 orë janë duke u ofruar më shumë se 400 shërbime mjekësore”.

    Sipas kryeshefit të qendrës në Fushë-Kosovë, situata po menaxhohet mirë.

    “Kohëve të fundit ka rritje të numrit të pacientëve. Jemi të furnizuar goxha mirë me infuzione e barna. Të gjitha rastet po trajtohen në mënyrë të plotë”, tha kryeshefi i QKMF-së në Fushë-Kosovë, Mustafë Gashi.

    Përveç rasteve urgjente, mjekët u apelojnë qytetarëve që të evitohet dalja jashtë nga ora 10:00 deri në 17:00.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, moti me temperaturë të lartë do të vazhdojë edhe për disa ditë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ushtria e Kosovës do të stërvitet me Forcat Amerikane

    Ushtria e Kosovës do të stërvitet me Forcat Amerikane

    Në vitin 2024, Forca e Sigurisë së Kosovës, mund të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Projektligji i përvitshëm i Senatit Amerikan për mbrojtje do ta shtojë Kosovën në listën e shteteve të Evropës Lindore që kualifikohen për stërvitje ushtarake të SHBA-së.

    “Komiteti vlerëson përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të mbështetur Republikën e Kosovës, ndërsa punon për të zhvilluar dhe përmirësuar forcat e saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizimin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride”, thuhet në njoftimin e Senatit Amerikan.

    Mundësia që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë krah për krah me ushtarët amerikanë, vlerësohet si lajm i mirë.

    Megjithatë, kërkohet maturi në veprime politike në mënyrë që të mos përsëritet ajo që ndodhi me stërvitjet “Defender Europe 2023”, nga e cila Kosova u përjashtua.

    Në fund të majit, kur shpërthyen tensionet në veri të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përjashtuan Kosovën nga stërvitjet “Defender Europe 2023”.

    Ky ishte ndëshkimi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës zbatuan kundër Kosovës për, siç u tha, injorimin e këshillave të tyre për ta shmangur rritjen e tensioneve në veri. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Përfundoi dëshmia e oficerit britanik, tha se nuk e ka takuar asnjëherë Jakup Krasniqin

    ​Përfundoi dëshmia e oficerit britanik, tha se nuk e ka takuar asnjëherë Jakup Krasniqin

    Oficeri britanik, Francis Ledwidge, e përfundoi dëshminë para trupit gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai deklaroi se nuk e ka takuar asnjëherë Jakup Krasniqin dhe sipas tij, për të nuk kishte dëgjuar deri kur kishte filluar intervistat.

    Në fund të dëshmisë së tij ai është intervistuar nga mbrojtja e Krasniqit, avokati Aidan Ellis.

    Ellis: E keni dëgjuar emrin e Jakup Krasniqit, që ishte zëdhënës i UÇK-së?

    Ledwidge: Po e kisha dëgjuar emrin e tij në veçanti për shkak të pranisë së tij në Malishevë siç është regjistruar nga ato që na ka thënë në intervistat që ne keni intervistuar, ata na kanë thënë se ai ishte zëdhënësi nuk mund të them se e dija se ishte zëdhënësi sepse siç e thash ne ishim të rinj me këtë mjedis dhe për të qenë të sinqertë me ju nuk mendoj se e dija këtë informacion përpara se të më thuhej se Jakup Krasniqi ishte zëdhënësi.

    Tutje ai tha se përkundër përpjekjeve asnjëherë personalisht nuk kishte arritur ta takojë personalisht Jakup Krasniqin.

    Ledwidge: U përpoqëm, por nuk e kam takuar Jakup Krasniqin

    “Jo nuk e kemi takuar, ne u përpoqëm që të bënim takime me të sa i takon përpjekjeve përmes zingjirit të komandës megjithatë me sa më kujtohet informacioni im është se ose u refuzua ai takim me ne ose nuk ia dolëm të siguronim një takim me të, nuk më kujtohet. Kam përshtypjen që kolegët e mi kanë diskutuar me të megjithatë nuk më kujtohet asgjë sa i takon këtyre takimeve”, tha ai.

    Tutje, ai pohoi se kishte njohuri që Krasniqi kishte zhvilluar takime me OSBE-në.

    Ellis: A e dini që zotëri Krasniqi ka mbajtur takime me OSBE?

    Ledwindge: Më kujtohet kjo, po flasim për dhjetor apo nëntor 1998.

    Ellis: Në përgjithësi po iu them se a jeni në dijeni se janë mbajtur takime?

    Ledwidge: Po

    Ellis: A iu kujtohet që janë mbajtur me William Walker dhe të tjerë nga OSBE në janar të 99’ës?

    LedWidge: Më kujtohet që më është thënë diçka e tillë dhe nuk kam arsye të dyshoj.

    Sipas dëshmitarit, një kolonel me emrin Petroviq kishte thënë se Jakup Krasniqi kishte qenë në qendrën e ndalimit të UÇK-së.

    Por kjo u kundërshtua nga avokati mbrojtës i cili tha se Krasniqi nuk ka qenë në asnjëherë në qendrën e ndalimit në Malishevë apo në ndonjë qendër tjetër të tillë.

    Ellis: Jakup Krasniqi nuk ka qenë i pranishëm në qendrën e ndalimit në Malishevë në periudhën që janë përmendur prej jush nga datat 17 deri 26 korrik 1998, dhe ai në fakt nuk ka qenë asnjëherë në ndonjë qendër ndalimi të UÇK-së, ajo çfarë keni dhënë në deklaratat tuaja është opinioni juaj se ju nuk keni qenë të pranishëm atje në korrik të vitit 1999.

    Ledwidge: Ka rrjedhur nga deklaratat që kemi marr nga dëshmitarët.

    Ellis: Po dhe është opinioni juaj se atë çfarë kanë treguar personat që keni folur ishte informacioni i saktë dhe ishte kryesisht informacion nga Bajloseviq nga dy gratë.

    Ledwidge: Ishte përshtypje e përgjithshme në qytet dhe e kam thënë disa herë unë nuk kam fol vetëm me ato dyja por edhe me të tjerë.

    Ellis: Ju vetë nuk e keni identifikuar që bëhej fjalë vërtetë për zotëri Krasniqin.

    Dëshmitari i ZPS-së i cili është një oficer i inteligjencës britanike që ka shërbyer gjatë periudhës së luftës në kuadër të misionit të OSBE në Kosovë, u intervistua edhe nga trupi gjykues.

    Dëshmia e tij në gjykatoren e speciale ka zgjatur dy ditë.

    Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • Kosova bëhet anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

    Kosova bëhet anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

    Kosova është bërë anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

    Kështu ka bërë të ditur sot Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila ka informuar se zëvendëskryeministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti e ka falënderuar drejtorin e Divizionit të Traktateve, Jules van Eijndhoven për rolin konstruktiv të Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

    “Sot, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, z. Andin Hoti, dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, z. Dren Doli, dorëzoi instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (International Commission on Missing Persons) me seli në Hagë, gjë e cila shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës për dorëzimin e instrumenteve për aderimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, zëvendësministri, z. Ahmeti, falënderoi Drejtorin e Divizionit të Traktateve, z. Jules van Eijndhoven për rolin konstruktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Njëkohësisht, z. Ahmeti falënderoi zyrtarët e pranishëm të ICMP për angazhimin dhe kontributin e tyre shembullor në Kosovë për më shumë se dy dekada. Z. Ahmeti njëherësh përsëriti përkushtimin e Republikës së Kosovës në promovimin dhe avancimin e rolit të kësaj organizate të shprehur në takimin me Drejtoren Ekzekutive të Komisionit, z. Kathryne Bomberger, të mbajtur më 22 Maj të këtij viti, me ç ‘rast Komisioni ishte njoftuar për hapat që Republika e Kosovës kishte ndërmarr për t’u bërë pjesë e kësaj organizate.”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndër-qeveritare e themeluar në vitin 1996, e cila adreson çështjen e personave të zhdukur në rrethana të konflikteve të armatosura, shkeljes së të drejtave të njeriut, fatkeqësive natyrore, krimit të organizuar, migrimit ilegal, etj.

    Komisioni ka selinë në Mbretërinë e Holandës, në qytetin e Hagës, dhe është e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.

    Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ka qenë i angazhuar intensivisht edhe në Kosovë, përgjatë dhe pas luftës së fundit, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme në procesin e identifikimit e mbetjeve mortore përmes përdorimit të metodave shkencore të identifikimit.