ATV

Tag: Ballina

  • Caktimi i datës së zgjedhjeve parlamentare, Osmani takon gjatë kësaj jave liderët e partive politike

    Caktimi i datës së zgjedhjeve parlamentare, Osmani takon gjatë kësaj jave liderët e partive politike

    Gjatë kësaj jave pritet të mbahet takimi ndërmjet presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

    Takimi pritet të mbahet më 31 korrik, në orën 14:00, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa subjektet politike tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

    Partitë politike kanë nisur ta konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidentja për t`u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Burime të Telegrafit nga Presidenca kanë bërë të ditur se në letrën dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

    Lidhur me ftesën e presidentes Osmani, një reagim e ka bërë edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

    Cakolli thotë se zgjedhjet e rregullta parlamentare mund të mbahen në periudhën, nga fundi i janarit deri në mes të shkurtit të vitit 2025.

    “Datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që Presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së mërkurës, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti. Presidentja ka kohë më së voni deri në mes të nëntorit, për ta caktuar ndonjërën prej këtyre datave”, kishte pohuar ai.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se janë të gatshëm për zgjedhje kurdo që ato shpallen, ndërsa lidhur me datën e mundshme, ata do ta japin propozimin në takimin me presidenten, pas vlerësimit të të gjitha rrethanave.

    “Është e rëndësishme që për herë të parë në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë një qeveri dhe legjislaturë po e mbyllë një mandat të plotë. Kjo falë mbështetjes plebishitare të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara si dhe qeverisjes së mirë dhe legjislativit të suksesshëm. Sa i përket datës së zgjedhjeve, Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk lënë shumë opcione dhe ato opcione ligjore që ekzistojnë e që janë katër data nuk janë larg njëra tjetrës”, tha Alim Rama, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.

    E sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se do të marrin pjesë në takim por sipas saj, kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

    “PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, tha Çitaku.

    Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

    Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lënë të kuptohet se do të marrë pjesë në takim, por zëdhënësi i partisë ka theksuar se vendimi do të merret të hënën nga strukturat e partisë.

    “Po kemi pranuar letren nga Presidentja. Në bazë të kesaj letre presidentja konsultimet do t’i zhvilloje për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit të rregullt. Nuk shoh ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve por sidoqoftë vendimet për këtë çështje do t’i marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë, ka thënë Kushtrim Xhemajli, zedhenës i AAK-së.

    Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK.

  • Kurti për Distria Krasniqin: Jemi krenarë me këtë rezultat që lartëson vendin tonë

    Kurti për Distria Krasniqin: Jemi krenarë me këtë rezultat që lartëson vendin tonë

    Kryeministri Albin Kurti, thotë se ndihen krenarë me rezultatin e Distria Krasniqit, që lartëson vendin në sportin elitar botëror dhe e konfirmon që Kosova mbetet Shtet i Xhudos.

    “Të falemnderit Distria për gëzimin dhe shembullin që na jep”, u shpreh ai përmes një postimi në Facebook.

    “Kosova fitoi medaljen e parë në Lojërat Olimpike Paris 2024, me shkëlqimin e argjendtë të Distria Krasniqit në xhudo për femra në kategorinë deri në 52 Kg”.

    “Xhudistja e Uzbekistanit në minutin e fundit të finales i largohej Distrias duke e ruajtur epërsinë minimale gjersa kishte edhe një vërejtje”.

    “Distria sot gjatë ditës fitoi tri ndeshje: të parën për 39 sekonda, të dytën për 66 sekonda e të tretën për 6 minuta e 10 sekonda (2:10 sekonda në vazhdimin që quhet Golden Score)”.

  • “E argjendta e saj është me shije ari”, Osmani reagon pas duelit të Distria Krasniqit në finale

    “E argjendta e saj është me shije ari”, Osmani reagon pas duelit të Distria Krasniqit në finale

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas finales ku Distria Krasniqi u përball me xhudisten nga Uzbekistani, me ç’rast Distria i siguroi medaljen e argjendtë Kosovës.

    Osmani tha se medalja e argjendtë e saj ka shije ari, sepse Distria do të mbetet gjithmonë kampione që frymëzon një shtet të tërë.

    Postimi i plotë i saj:

    Stoike e luftarake!

    Shkëlqimi i Distria Krasniqit lartësoi flamurin e shtetit tonë në majat më të larta. Kosova është pafundësisht krenare. E argjendta e saj, vërtetë, është me shije ari, sepse Distria do të mbetet përherë kampione që frymëzon një shtet të tërë. 🇽🇰
    Faleminderit Distria, faleminderit Toni!

  • Distria Krasniqi fiton medaljen e argjendtë në Paris

    Distria Krasniqi fiton medaljen e argjendtë në Paris

    Distria Krasniqi është mposhtur në finale të Lojërave Olimpike Paris 2024 nga xhudistja e Uzbekistanit, Diyora Keldiyorova, duke siguruar kështu medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë.

    Krasniqi dhe Keldiyorova kishin një histori përballjesh, ku xhudistja aziatike kishte dalë fituese edhe më parë.

    Krasniqi arriti në finale pas një gjysmëfinale kundër xhudistes italiane, Odette Giufrida, të cilën e ka mposhtur me “Golden Score.”

    Performanca e saj ka qenë mbresëlënëse që nga fillimi i garave. Në ndeshjen e saj të parë, ajo ka triumfuar kundër xhudistes indoneziane, Maryam March Maharani, të cilën e ka mposhtur vetëm pas tridhjetë e shtatë sekondash. Në përballjen e dytë, Krasniqi ka mposhtur xhudisten izraelite, Gefen Primo, duke siguruar vendin në gjysmëfinale.

    Medaljen e bronztë në këtë kategori e ka fituar xhudistja franceze, Amandine Buchard, e cila tregoi një performancë të fuqishme gjatë gjithë garave.

  • Konsultimet për zgjedhjet, në KQZ thonë se përgatitjet i nisin pasi të caktohet data

    Konsultimet për zgjedhjet, në KQZ thonë se përgatitjet i nisin pasi të caktohet data

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar per datën 31 korrik kryetarët e partive politike për të folur rreth datës së zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se ky institucion “fillon përgatitjet intensive për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve, në kuptim të realizimit të aktiviteteve sipas afateve të përcaktuara me ligj, pasi të caktohet data për mbajtjen e tyre”.

    Por, pavarësisht se data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar, Elezi ka thënë se KQZ ka punuar që të përgatitet për procesin e ardhshëm zgjedhor.

    “Duke qenë të vetëdijshëm se ky është një vit zgjedhor, që nga fillimi i këtij viti, KQZ e ka orientuar punën në parapërgatitjen e shumë çështjeve që ndërlidhen me detyrimet ligjore të KQZ-së. Në këtë drejtim është edhe softueri i KQZ, zhvillimi i të cilit është në përfundim e sipër dhe është mundësuar me mbështetjen e OSBE-së. Me anë të këtij softueri, do të digjitalizohen shumë nga operacionet zgjedhore”, tha Elezi për Express.

    Ai ka sqaruar se “përmes këtij softueri do të ofrohen shërbime të ndryshme online, si në vijim: kërkimi i Qendrës së Votimit dhe aplikimi për ndryshimin e saj; aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës; aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta; aplikimi për regjistrim dhe përditësimi i të dhënave të partive politike; aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve; aplikimi për akreditim për vëzhgim të zgjedhjeve; regjistrimin e të dhënave për trupat zgjedhore; aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve; mbledhja e të dhënave dhe paraqitja e rezultateve preliminare dhe përfundimtare në mënyrë progresive”.

    Tashmë ftesës së Osmanit i janë përgjigjur partitë opozitare.

    Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se kanë marr letrën nga Presidentja dhe se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku do të shkojë në takim dhe aty do ta shpalos qëndrimin e partisë.

    Sekretarja e PDK’së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media ka thënë se në takim do të tregojnë edhe datën e tyre të preferuar.

    “PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve, sigurisht që i përgjigjemi ftesës. PDK që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani lidhet me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta. Ne do të marrim pjesë dhe qëndrimin për këtë çështje dhe për datën e preferuar do ta themi aty”, ka thënë ajo.

    Ndërsa, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili tha se AAK nuk ka ndonjë arsye që mos të marrë pjesë në takim, megjithatë ka shtuar se vendimi do të merret gjatë ditëve në vijim.

    “Po kemi pranuar letrën nga Presidentja. Në bazë të kësaj letre Presidentja konsultimet do t’i zhvillojë për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit të rregullt. Nuk shoh ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve, por sidoqoftë vendimet për këtë çështje do ta marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë”, ka thënë ai.

  • BE-ja s’ka datë për largimin e masave, qeveria akuzon se heqja e tyre po zvarritet pa nevojë

    BE-ja s’ka datë për largimin e masave, qeveria akuzon se heqja e tyre po zvarritet pa nevojë

    BE-ja s’ka datë për largimin e masave, qeveria akuzon se heqja e tyre po zvarritet pa nevojë

    Megjithëse janë bërë mbi 1 muaj që kur përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës, ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje. Në BE thonë se diskutimet në Këshill po vazhdojnë, derisa nuk japin ndonjë afat se kur do të ketë një vendimmarrje. Në anën tjetër, në qeverinë e Kosovës thonë se heqja e masave po tentohet të keqpërdoret e zvarritet pa nevojë nga disa vende anëtarë të BE-së. Sipas tyre, meqë është konstatuar përmbushja e kushteve, nuk ka nevojë as për heqje graduale, e hiç më pak për mbajtjen e tyre, por duhet largimi i plotë dhe i njëhershëm i masave.

    Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress një zëdhënës i BE-së bëri të ditur se diskutimet në Këshill po vazhdojnë sa i përket raportit ku rekomandohet heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, mirëpo nuk tregoi se kur do të ketë një vendim final të tyre.

    Mirëpo largim te masave në formë të menjëhershme po kërkon Klisman Kadiu, këshilltar për medie i zëvedëskryeministrit për integrime evropiane, Besnik Bislimi.

    Ai shton se paralajmërimet për hapjen e urës se Ibrit nuk ka asnjë ndërlidhje me zvarritjen e heqjes së masave.

    Sipas tij, hapja e urës së Ibrit është e paraparë në marrëveshjet e Brukselit dhe se do ishte absurde mbajtja e masave apo vendosja e tyre ndaj Kosovës, për zbatimin e një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.

    “Hapja e urës nuk ka ndërlidhje me masat. Ajo është e paraparë në marrëveshjet e Brukselit. Në një rast të tillë të aluduar, do ishte absurde mbajtja e masave apo vendosja e tyre ndaj Kosovës, për zbatimin e një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut në Bruksel”, deklaron Kadiu.

    Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi thotë se masat duhet të hiqen, mirëpo thotë se për vendosjen e tyre fajtore është Qeveria e Kosovës.

    Ndërkaq, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se përkundër vonesave Këshilli Evropian shpejtë do të gjejë një konsensus për largimin e masave ndaj Kosovës.

    Masat ndaj Kosovë u vunë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës në kohën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri u dërguan me mbështetjen e policisë së Kosovës në zyrat e tyre.

  • Moti sot me diell, temperatura deri në 33 gradë Celsius

    Moti sot me diell, temperatura deri në 33 gradë Celsius

    Të dielen parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, të cilat më të fokusuara mund të jenë rreth relievit malor.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale

    do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës

    parashihen të lëvizin ndërmjet 29-33 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga veriperendimi e lehtë deri mesatare.

    “Indeksi UV do të jetë i lartë, prandaj këshillohet respektimi i udhëzimeve

    të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, thuhet në njoftimin e IHK-së.

    Temperaturat maksimale do të arrijnë në Gjakove dhe Prizren, ndërsa ajo minimale në Dragash.

  • Sadiku del sonte në ring, Osmani i jep kurajo: E gjithë Kosova është me ty

    Sadiku del sonte në ring, Osmani i jep kurajo: E gjithë Kosova është me ty

    Donjeta Sadiku do të jetë sportistja e parë kosovare që do të nisë sonte garat në Lojërat Olimpike Paris 2024, raporton Sinjali Sporti.

    Boksierja kosovare garon sonte përballë, Thamanya Somnuek nga Tajlanda, në raundin e parë të kategorisë -60 kg.

    E përpara këtij dueli, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thurur lavde për boksieren, duke i dhënë kurajo.

    “Në çdo goditje ajo i tregoi botës fuqinë e qëndresës dhe guximit. Jam e bindur se kështu do të vazhdojë edhe sonte, teksa Donjeta Sadiku fillon garat në lojërat olimpike në Paris. Forca Donjetë! E gjithë Kosova është me ty!”, ka shkruar Osmani.

    Meçi nis prej orës 21:05 dhe transmetohet në RTK. Transmetimi bëhet edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku po zhvillohet Festivali Olimpik.

  • Borrell: Lufta e Ukrainës është një kërcënim ekzistencial për BE-në

    Borrell: Lufta e Ukrainës është një kërcënim ekzistencial për BE-në

    Diplomati më i lartë i BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një “kërcënim ekzistencial” për Evropën, ndërsa i kërkoi Kinës të mbështesë procesin e paqes për t’i dhënë fund konfliktit gjatë një takimi me ministrin e jashtëm të vendit, Wang Yi.

    Kina, një aleate e ngushtë e Moskës, nuk e ka dënuar publikisht pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Pekini ka paraqitur një dokument prej 12 pikash që përcakton parimet e përgjithshme për përfundimin e luftës.

    Në komentet e bëra në margjinat e shoqatës së kombeve të Azisë Juglindore në Laos, Borrell i kërkoi gjithashtu Pekinit të ndalonte eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë në Rusi, të cilat forcojnë aftësitë e saj ushtarake.

    Sipas një njoftimi për shtyp nga shërbimi diplomatik i BE-së, Borrell, shpjegoi pse lufta e Rusisë në Ukrainë përbën kërcënim ekzistencial për Evropën.

    “Përfaqësuesi/zëvendëspresidenti i lartë i BE-së shpjegoi pse Bashkimi Evropian konsideron se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një kërcënim ekzistencial për Evropën. Ai shprehu shqetësimin e tij sepse eksportet e Kinës të sasive të mëdha të mallrave dhe artikujve me përdorim të dyfishtë përfaqësojnë një mbështetje për Rusinë për të ndërtuar pajisjet e saj ushtarake”

    Gjithashtu, aty thuhet se Borrell kërkoi Kinës që të përdorë ndikimin e saj në Rusi për të kontribuar në përfundimin e luftës. Ai kërkoi nga Kina të mbështesë procesin e paqes në Ukrainë dhe konsideroi se deklarata e përbashkët me Brazilin e majit 2024 nuk shkon në atë drejtim, shkruan The Guardian.

  • Kurti për sportistët kosovarë në Lojërat Olimpike: Para syve të gjithë botës, të gatshëm e krenarë

    Kurti për sportistët kosovarë në Lojërat Olimpike: Para syve të gjithë botës, të gatshëm e krenarë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka shprehur edhe një herë përkrahjen e tij ndaj ekipit olimpik të Kosovës që do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike “Parisi 2024”.

    Ai ka shpërndarë një video në rrjetin social “Instagram”, duke thënë se e gjithë bota i kishte sytë kah Kosova në momentet e parakalimit të ekipit olimpik mbi lumin Sena në Paris.

    “Mespërmes lumit Sena, para syve të gjithë botës, të gatshëm e krenarë – Nëntë sportistëve tanë, u urojmë shumë suksese e fat në disiplinat e tyre”, thuhet në postimin e kryeministrit Kurti.

    Kosova nesër e nis aventurën në Olimpiadë me paraqitjen e boksieres, Donjeta Sadikut.