ATV

Tag: Ballina

  • Votat për karriget e parlamentit: Kush janë të parët dhe të fundit e partive?

    Votat për karriget e parlamentit: Kush janë të parët dhe të fundit e partive?

    Është duke shkuar drejt finalizimit procesi i zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë së premtes po vazhdon me rinumërimin e 9 vendvotimeve të mbetura nga 185 të tilla në tërë Kosovën.

    Por tashmë, kur dihen edhe emrat se secila nga partitë kryesore sa ulëse do të ketë në parlament, kush janë “1-shat” e partive dhe kush renditet në fund të listës që do të jenë në përbërje të legjislaturës së 11-të të Kuvendit?

    Lëvizja Vetëvendosje me 53 mandate
    I pari me vota është kreu i këtij subjekti politik, Albin Kurti, me 324 mijë e 329 vota, shkruan Klankosova.tv.

    E 53-ta në listën e LVV-së është Fjolla Ujkani, e cila është e fundit për nga votat, me 15 mijë e 115 vota.

    Partia Demokratike e Kosovës me 22 deputetë drejt Kuvendit

    Ndërkaq, në krye të listës së Partisë Demokratike të Kosovës me 22 deputetë, për sa i përket numrit të votave, është kryetari i partisë, Bedri Hamza, me 126 mijë e 942 vota, kurse e 22-ta është Ariana Shoshi Musliu, e cila ka marrë 18 mijë e 620 vota.

    Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 ulëse

    Listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës me 18 ulëse në Kuvend e kryeson kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, e cila ka 92 mijë e 235 vota. Paris Guri, që është deputeti i fundit I zgjedhur nga kjo parti, ka siguruar 16 mijë e 263 vota, shkruan .

    7 anëtarë të Aleancës fituan karrige në Kuvend

    44 mijë e 782 vota i ka fituar i pari i Aleancës, Ardian Gjini, parti kjo që përfaqësohet në legjislaturën e 11-të me shtatë deputetë.

    9 mijë e 858 vota kanë shkuar për Teuta Haxhiun, e cila është deputetja e fundit e zgjedhur nga kjo parti.

  • Shoqata e Ndërtimit: Punëtorët të refuzojnë punën aty ku u rrezikohet jeta

    Shoqata e Ndërtimit: Punëtorët të refuzojnë punën aty ku u rrezikohet jeta

    Siguria në sektorin e ndërtimit në Kosovë vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore, ndonëse sipas Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, muajt e fundit janë shënuar përmirësime të dukshme në zbatimin e standardeve të sigurisë në vendpunishte.

    Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, Valon Vataj, në një prononcim për IndeksOnline, tha se niveli i sigurisë ende nuk është aty ku duhet të jetë, por theksoi se kompanitë po tregojnë përkushtim më të madh në mbrojtjen e punëtorëve.

    “Siguria në ndërtimtari mbetet ende jo në nivelin që të gjithë dëshirojmë, por përmirësimet e kohës së fundit janë të dukshme dhe inkurajuese. Ne si Shoqatë e Ndërtimit në Kosovë jemi në monitorim të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në sektor dhe kemi hasur në bashkëpunim të shkëlqyeshëm me kompanitë ndërtimore, të cilat po tregojnë gjithnjë e më shumë përkushtim në zbatimin e masave të sigurisë, trajnimin e punëtorëve dhe ngritjen e standardeve në vendpunishte”, deklaroi Vataj.

    Ai theksoi se përgjegjësia për sigurinë nuk bie vetëm mbi kompanitë dhe institucionet, por edhe mbi vetë punëtorët.

    “Çdo punëtor duhet të refuzojë të punojë në vende ku rrezikohet jeta dhe shëndeti i tij, të përdorë pajisjet mbrojtëse personale dhe të respektojë procedurat e sigurisë në kantier”, u shpreh ai.

    Vataj u bëri thirrje punëtorëve që të raportojnë çdo shkelje apo mungesë të masave mbrojtëse, duke theksuar se vetëm përmes reagimit të përbashkët mund të parandalohen aksidentet.

    “Njëkohësisht, i inkurajojmë punëtorët që në rastet kur hasin në mungesë të masave të sigurisë ose në kushte të rrezikshme pune, të bëhen sinjalizues pranë institucioneve përgjegjëse dhe pranë Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, në mënyrë që të reagojmë së bashku për parandalimin e aksidenteve dhe ngritjen e standardeve të sigurisë në sektor”, tha ai.

    Sipas kreut të Shoqatës së Ndërtimit, ndërtimi i një kulture më të fortë të sigurisë kërkon angazhimin e përbashkët të kompanive, punëtorëve, institucioneve dhe organizatave profesionale.

    “Vetëm përmes bashkëpunimit ndërmjet kompanive, punëtorëve, institucioneve dhe organizatave profesionale mund të ndërtojmë një kulturë më të fortë të sigurisë në vendet e punës”.

  • Çmimi i naftës bie për 2 cent, zbret në 1 euro e 43 cent për litër

    Çmimi i naftës bie për 2 cent, zbret në 1 euro e 43 cent për litër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve të naftës për sot.

    Sipas njoftimit, çmimi për naftë është 1 euro e 43 centë për litër, teksa i benzinës 1 euro e 35 centë.

    Krahasuar me dje, nafta është 2 centë më lirë, teksa benzina 3 centë.

    Këto Këto çmime hyjnë në fuqi sot, në ora 10:00.

  • Përmbyllja e numërimit, Kurti uron partitë për rezultatet: Tani është jetike të kemi kuvend, qeveri e president të zgjedhur

    Përmbyllja e numërimit, Kurti uron partitë për rezultatet: Tani është jetike të kemi kuvend, qeveri e president të zgjedhur

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një video-adresimi ka reaguar lidhur me përmbylljen e numërimi të votave të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Kurti, në adresimin e tij, ka uruar të gjithë kandidatët që kanë marrë votat për të bërë deputetë, si dhe, partitë e tjera për rezultatet e arritura.

    Kurti, ka thënë edhe se, me rezultatin e këtyre zgjedhjeve është ‘’dëshmuar’’ se zgjedhjet kanë qenë të panevojshme dhe se prej tyre ‘’nuk erdhi ndonjë rezultat aq ndryshe’’.

    ‘’LVV doli subjekti i parë politikë me rezultat të qartë prej 47.13% me gjithsej 53 ulëse në Kuvend. Vazhdojmë të jemi subjekti më i madh në vend e Kuvend. Dhe edhe njëherë përfaqësojmë shumicën shqiptare në parlament. Kjo fitore e fuqishme që vjen si rezultat i mbështetjes së madhe qytetare, do të ishte e pamundur dhe e paimagjinueshme pa angazhimin e mijëra qytetarëve vullnetarë, anëtareve, aktivistëve të Lëvizjes që nuk u ndalën së angazhuari e takuari me qytetarë. I uroj të gjithë kandidatë që morën besimin qytetar për të qenë përfaqësues politik si deputetë të Kuvendit, sikurse uroj edhe subjektet opozitare për rezultatet e korrura. Ky rezultat zgjedhor, dëshmon atë që e thamë para se të hynim në këtë proces, se zgjedhjet ishin të panevojshme dhe prej tyre nuk erdhi ndonjë rezultat aq ndryshe nga zgjedhjet paraprake. Tash është koha të sillemi në përputhje me vullnetin qytetarë të shprehur në zgjedhje dhe rezultatin që ky proces ka prodhuar. Është jetike që sa më parë të kemi kuvend të konstituar, qeveri të re me mandat të plotë, dhe president apo presidente të zgjedhur. Presim certifikimin e zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja.’’, ka deklaruar Kurti ndër tjerash.

    Postimi i tij:

    Dje përfundoi procesi i numërimit të të gjitha votave. Ju falenderoj përzemërsisht për besimin e dhënë! Kjo fitore e fuqishme vjen si rezultat i mbështetjes së madhe qytetare brenda Repulikës dhe në mërgatë, si dhe angazhimit të mijëra qytetarëve vullnetarë, anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes që nuk u ndalën asnjëherë.

    Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, tregoi që nuk kishim nevojë për zgjedhje të reja, sepse rezultati nuk ka ndryshuar dhe aq. Si VETËVENDOSJE! jemi rikonfirmuar si partia e parë, me 53 deputetë, dhe tash presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja, për të vazhduar punët e mira dhe projektet zhvillimore.

  • ‘‘Ushtarët për kujdestari janë paguar vetëm për janarin e 2025’’, Ramadani: FSK është lënë pas dore

    ‘‘Ushtarët për kujdestari janë paguar vetëm për janarin e 2025’’, Ramadani: FSK është lënë pas dore

    Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se ushtarët e vendit janë ‘’lënë pas dore’’, dhe se, kjo gjë ‘’nuk guxon të vazhdojë’’.

    Ramadani, në postimin e tij të bërë në Facebook, ka shtuar se prioritet duhet të jetë siguria kombëtare, e ‘’jo lavdërimet nëpër media’’.

    ‘‘“Ministria, për punën e kujdestarive ka paguar pjesëtarët e FSK-së, vetëm për muajin janar 2025. …Shkaku i mos kompensimit të plotë ishte mungesa e buxhetit.” thotë ndër të tjera Raporti i Auditorit për vitin 2025 në Ministrinë e Mbrojtjes.’’, ka shkruar në postimin e tij Ramadani.

    Postimi:

    Ushtarët e Kosovës të lënë pas dore. Kjo nuk guxon të vazhdojë. Mjaft më!

    Siguria kombëtare duhet të jetë prioriteti, jo lavdërimet nëpër media!

    “Ministria, për punën e kujdestarive ka paguar pjesëtarët e FSK-së, vetëm për muajin janar 2025.

    …Shkaku i mos kompensimit të plotë ishte mungesa e buxhetit.” thotë ndër të tjera Raporti i Auditorit për vitin 2025 në Ministrinë e Mbrojtjes.

    S’po komentoj më shumë, përveç se krejt lavdërimet e tupanxhinjve politik rrëzohen për toke kur e sheh këtë gjetje të Auditorit.

    Sepse, kur ushtari detyrohet ta padisë në Gjykatë Qeverinë, s’kemi çka flasim për çështje tjera!

    Viti 2025 i ka pasur 12 muaj, jo veç 1 muaj!

  • Nafta sot 2 cent më lirë se dje

    Nafta sot 2 cent më lirë se dje

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur përcaktimin e ri të çmimeve të derivateve në vend.

    Sipas njoftimit, një litër naftë sot do të shitet me çmimin 1.45, dy cent më lirë se dje.

    Ndërkaq, benzina do të tregtohet me çmim prej 1.38 euro për litër.

    Gasi do të kushtojë 0.67 euro për litër.

  • AKB: Kush del kundër Amerikës, del kundër zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike të Kosovës

    AKB: Kush del kundër Amerikës, del kundër zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike të Kosovës

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreh të kundër qasjes politike që anashkalojnë partneritetin strategjik të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Kosova është ndërtuar, mbështetur dhe forcuar falë miqësisë dhe përkrahjes së vazhdueshme amerikane. Prandaj, çdo vendim madhor politik, ekonomik dhe strategjik duhet të ndërtohet në koordinim të ngushtë me aleatin tonë më të rëndësishëm – SHBA-në.

    AKB vlerëson se asnjë qeveri e ardhshme nuk duhet të formohet duke injoruar interesat strategjike të shtetit të Kosovës dhe partneritetin e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në veçanti, kundërshtimi i projekteve që lidhen me investimet amerikane dhe sigurinë energjetike, përfshirë projektet e gazit amerikan, nuk i shërben zhvillimit ekonomik, forcimit të shtetit dhe integrimit euroatlantik të Kosovës.

    Kosova mbetet ndër popujt më pro-amerikanë në Evropë dhe ky orientim nuk është vetëm historik dhe emocional, por edhe ekonomik, zhvillimor dhe strategjik.

    Ne besojmë se çdo veprim që cenon ose dobëson partneritetin me SHBA-në dëmton interesat afatgjata të Kosovës, pengon tërheqjen e investimeve të huaja dhe ngadalëson proceset integruese euroatlantike.

    AKB u bën thirrje të gjitha partive politike që interesin shtetëror ta vendosin mbi interesat partiake dhe të forcojnë bashkëpunimin me aleatët strategjikë, në veçanti me SHBA-në, si garanci për zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

    Agim Shahini, Kryetar i AKB-së, theksoi se kundërshtimi i projekteve amerikane, përfshirë projektin e gazit amerikan, është kundërshtim i zhvillimit të Kosovës. Investimet amerikane, partneriteti strategjik me SHBA-në, projekti i gazit amerikan dhe mbështetja e saj për sigurinë energjetike janë jetike për të ardhmen ekonomike dhe euroatlantike të vendit tonë.”

  • Mbi 4 mijë lindje në Gjinekologjinë e QKUK-së brenda pesë muajve e gjysmë

    Mbi 4 mijë lindje në Gjinekologjinë e QKUK-së brenda pesë muajve e gjysmë

    Gjatë periudhës janar – 15 qershor 2026, në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës janë realizuar gjithsej 4,423 lindje. Prej tyre, 3,090 kanë qenë lindje spontane, ndërsa 1,333 lindje janë kryer me prerje cezariane.

    Sipas njoftimit të QKUK-së në këtë periudhë, ekipet profesionale të klinikës kanë trajtuar me sukses edhe foshnjat e lindura para kohe, ku 318 prej tyre, pas kujdesit intensiv dhe trajtimit të specializuar, janë liruar në gjendje të mirë shëndetësore për në shtëpi.

    “Këto rezultate pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të stafit mjekësor dhe infermieror, të përbërë nga mjekë specialistë, infermierë dhe mamitë, të cilët çdo ditë punojnë me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi për të garantuar siguri dhe kujdes cilësor për nënat dhe foshnjat”, thuhet në njoftim..

    Në njoftim po ahstu thuhet se Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës ofron një gamë të gjerë shërbimesh, duke filluar nga kontrollet gjinekologjike, diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjeve të ndryshme, përcjellja e shtatzënisë, lindjet normale dhe operative, deri te kujdesi pas lindjes dhe trajtimi i rasteve më komplekse obstetrike e gjinekologjike.

    “Shëndeti i gruas dhe i të porsalindurit mbetet prioritet i rëndësishëm i sistemit shëndetësor, pasi investimi në këtë fushë është investim i drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjes dhe në të ardhmen e shoqërisë sonë”, thuhet në njoftim.

  • Këta janë 10 kandidatët më të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit

    Këta janë 10 kandidatët më të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e numërimit të votave, ndërsa sot pritet të nisë rinumërimi.

    Sipas rezultateve nga KQZ, të cilat përfshijnë të gjitha votat e numëruara deri më tani, në listën e dhjetë kandidatëve më të votuar dominojnë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në krye të listës qëndron Albin Kurti me 342 mijë e 331 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 264 mijë e 330 vota dhe Albulena Haxhiu me 165 mijë e 126 vota. Hekuran Murati renditet i katërti me 137 mijë e 810 vota, ndërsa Donika Gërvalla-Schwarz është e pesta me 131 mijë e 841 vota.

    Nga partitë e tjera, më i votuari është Bedri Hamza nga PDK me 126 mijë e 936 vota, i renditur i gjashti në nivel vendi.

    Në listën e dhjetë më të votuarve figurojnë gjithashtu Xhelal Sveçla me 109 mijë e 263 vota, Vjosa Osmani-Sadriu me 92 mijë e 234 vota, Ejup Maqedonci me 89 mijë e 308 vota dhe Avni Dehari me 89 mijë e 182 vota.

    Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, renditet i 12-ti me 83 mijë e 892 vota.

    Sipas rezultateve përfundimtare të përpunuara, Vetëvendosje ka marrë 47.13% të votave dhe ka siguruar 53 mandate, PDK 19.44% me 22 mandate, LDK 16.69% me 18 mandate dhe AAK 6.74% me 7 mandate.

  • Përfundon numërimi i votave me postë për zgjedhjet e 7 qershorit

    Përfundon numërimi i votave me postë për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Në njoftim bëhet e ditur se nga fillimi i këtij procesi (e premte, 12 qershor, ora 21:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 17 qershor, ora 14:30) janë numëruar 223 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.

    Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë.

    Ndërkaq të dielën e 14 qershorit, KQZ ka përmbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pako të supozuara me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981.