ATV

Tag: Ballina

  • Von der Leyen viziton Kosovën, takon krerët institucionalë

    Von der Leyen viziton Kosovën, takon krerët institucionalë

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta vizitojë sot Kosovën, ku do të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Takimi me Haxhiun do të mbahet në Presidencë, duke nisur nga ora 12:30.

    Ndërkaq, në orën 13:00, von der Leyen do të pritet nga kryeministri Kurti në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

    Pas takimit me Kurtin është paraparë edhe një konferencë për media.

    Vizita e von der Leyen në Kosovë është pjesë e një turi në rajon.

    Pas Prishtinës, ajo do të udhëtojë sot drejt Podgoricës, ndërsa turneu i saj do të përfundojë më 2 tetor në Shkup.

  • Iniciativa ligjore për Gjykatën Speciale, Kurti: Brenda javës do ta kemi mendimin e Zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë

    Iniciativa ligjore për Gjykatën Speciale, Kurti: Brenda javës do ta kemi mendimin e Zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur sërish lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale dhe kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me procedimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Specialen.

    Kurti theksoi se fillimisht është për t’u përshëndetur vendimi i së hënës i Kuvendit të Kosovës, ku me 99 vota për u miratua deklarata që ka të bëjë me Gjykatën Speciale.

    Ai tha se kanë shprehur gatishmërinë për një strategji se si të veprohet tutje drejt Apelit, raporton Telegrafi.

    “T’i mbledhim energjitë, kokat e fushës së caktuar, ekspertizë juridike në mënyrë që në Apel të bëhen korrigjimet e nevojshme dhe të triumfojë drejtësia”, tha ai.

    Kurti është përgjigjur edhe lidhur me kërkesën e PDK-së, rrjedhimisht iniciativën e PDK-së për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatë Speciale.

    “Tash Zyra ligjore në Kryeministri ka kërkuar mendim nga Zyra ligjore e Ministrisë së Drejtësisë dhe ajo e Departamentit për Buxhet e Ministrisë së Financave. Kjo është procedurë e rregullt qysh bëhet me secilin iniciativë ligjore…

    Prej informimeve që i kam nga ministrisë përkatëse brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen, edhe si mendim të Zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, gjithashtu edhe vlerësimin financiar të Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave dhe menjëherë do t’ia japim përgjigjen Kuvendit të Republikës dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura…”, tha ndër të tjera Kurti.

    Kryeministri i vendit ka folur edhe për tri defektet kapitale lidhur me aktgjykimin e Speciales.

    Sipas tij, nuk ka pasur ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe kjo duhet të korrigjohet në apel.

    Po ashtu, Kurti theksoi se ka munguar transparenca dhe ka pasur njëfarë mënyre gjykatë mono-etnike.

    Kryeministri përmendi edhe pasaktësitë faktike dhe historike.

    Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se në këtë çështje duhet të jemi bashkë si shtet, si shoqëri dhe bashkë edhe me Shqipërinë.

    “Për këtë gjë po kërkoj të ketë më shumë bashkërendim e bashkëveprim”, tha ai. /Telegrafi/

  • Kurti: Në New York ngrita shqetësimin për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Kurti: Në New York ngrita shqetësimin për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka folur për vizitën e tij disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në kuadër të javës së nivelit të lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, raporton Ekonomia Online.

    Kurti tha se gjatë qëndrimit në New York zhvilloi takime me liderë e zyrtarë të lartë të shteteve mike të Kosovës, drejtues të institucioneve ndërkombëtare, si dhe me pjesëtarë të mërgatës.

    “Mbrëmjen e së enjtes së 24 shtatorit unë u ktheva nga vizita disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të javës së nivelit të lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ishte vizitë e dendur përplot takime me liderë e zyrtarë të lartë të shteteve mikesha të vendit tonë sikurse edhe me drejtues të institucioneve ndërkombëtare, por natyrisht edhe me mërgatën tonë të çmuar në New York”, ka deklaruar Kurti.

    Ai tha se gjatë takimeve në SHBA u diskutuan një sërë çështjesh që lidhen me Kosovën, duke përfshirë aktgjykimin në Hagë, personat e zhdukur gjatë luftës, çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si dhe tema që lidhen me ekonominë, zhvillimin, sigurinë dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës.

    “Ngritëm një sërë temash e diskutimesh përfshirë aktgjykimin e padrejtë në Hagë, të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët për herë të parë ishin pjesë e delegacionit shtetëror të Kosovës, sikurse biseduam edhe për ekonominë, për zhvillimin, për sigurinë, për mbrojtjen e për të ardhmen tonë euro-atlantike”, tha kryeministri.

    Kurti u ndal veçanërisht te aktgjykimi i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Ai tha se gjatë secilit takim në New York ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me këtë aktgjykim, të cilin e konsideron të padrejtë.

    “Në secilin takim në New York unë shpreha shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, i cili është i padrejtë juridikisht e moralisht dhe i pasaktë historicisht e faktikisht. Është e rëndësishme të dallohet ajo që është thënë e pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, ka thënë Kurti.

  • Miratohet kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës për menaxhimin e flotës me GPS

    Miratohet kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës për menaxhimin e flotës me GPS

    Është miratuar kërkesa e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, për zbatimin e marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, raporton Ekonomia Online.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se bëhet fjalë për një projekt që do të zbatohet në bashkëpunim mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

    “Siç e theksuat edhe ju, bëhet fjalë për një projekt i cili, pra, transmetohet në bashkëpunim mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe UNDP-së. Dhe për këtë pra kërkohet një ndarje e buxhetit apo financimit prej 188,250 eurove në mënyrë që të mbulohet ky projekt.

    Projekti ka për qëllim implementimin e sistemit për menaxhimin e flotës me gjurmim GPS, gjë që është tejet e nevojshme, sidomos ku të kihen parasysh nga mbikëqyrja e punimeve në projektet e infrastrukturës dhe shumat e kontraktuara që janë të ndërlidhura për realizimin e këtyre projekteve, si dhe në anën tjetër po ashtu ndërlidhet edhe me nevojën për ekonomizim, pra, të resurseve që kemi, marrë parasysh edhe koston e lartë të derivateve që tashmë vjen si pasojë e krizës apo tronditjeve globale”, tha Murati.

  • ShBA-ja rikonfirmon mbështetjen për KFOR-in: Do të ndihmojmë në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon

    ShBA-ja rikonfirmon mbështetjen për KFOR-in: Do të ndihmojmë në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon

    E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, i cili pritet ta përfundojë mandatin në krye të misionit muajin e ardhshëm.

    Takimi është zhvilluar dje ndërsa sipas Ambasadës amerikane në Prishtinë, gjatë bisedës është diskutuar për rolin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

    Prattipati e ka falënderuar Ulutashin për udhëheqjen e misionit të NATO-s dhe për angazhimin e tij në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë.

    “E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua dje me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, ndërsa ai përgatitet të përfundojë mandatin e tij muajin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

  • Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë: Si përhapet, cilat janë simptomat dhe si të mbrohemi?

    Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë: Si përhapet, cilat janë simptomat dhe si të mbrohemi?

    Nga 7 gushti deri më 18 shtator, në Kosovë u regjistruan shtatë raste të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa dy persona humbën jetën.

    Faik Hoti, specialist i shëndetit publik në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), thotë se rastet e regjistruara këtë vit janë kryesisht infeksione të marra brenda Kosovës.

    Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, Hoti tregon se vetëm njëri nga personat e infektuar kishte histori udhëtimi jashtë Kosovës, ndërsa të tjerët, sipas anketave epidemiologjike, nuk kishin udhëtuar jashtë shtetit.

    Si përhapet virusi i Nilit Perëndimor?

    Njerëzit preken nga ky virus kur pickohen nga mushkonjat e infektuara.

    “Burim i infeksionit janë shpezët e infektuara, ndërsa virusin nga shpezët e infektuara tek njeriu e sjellin mushkonjat”, thotë Hoti.

    Ai thekson se virusi nuk transmetohet zakonisht nga njeriu te njeriu.

    “Rastet kur kjo ndodh janë jashtëzakonisht të rralla, dhe janë kryesisht raste kur kemi të bëjmë me ndonjë lloj transplantimi, ose një lloj transfuzioni të gjakut, në situatat kur personi i infektuar i jep gjak dikujt tjetër, pa e ditur që vetë e ka infeksionin”, thotë Hoti në 5 pyetje.

    Sipas tij, simptomat e para kanë të bëjnë me kokëdhimbje, me temperaturë, me ethe, me dhimbje në nyje, dhe me dhimbje në muskuj.

    Kush është më i rrezikuar?

    Virusi mund të prekë njerëzit e të gjitha moshave.

    Megjithatë, “gjithmonë janë më të atakuar moshat e shtyra, për shkak se personat me moshë të shtyrë janë edhe me sëmundje shoqëruese, apo sëmundje kronike”, thotë Hoti për REL-in.

    Hoti tregon se për të dyshuarit për infektim me virusin e Nilit Perëndimor janë të rëndësishme dy elemente: historia e udhëtimit dhe ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj mushkonjave.

    Ai thotë se dyshimi për infektim rritet nëse një person ka udhëtuar gjatë verës në zona bregdetare me ujëra moçalike, është pickuar nga mushkonjat dhe më pas ka shfaqur temperaturë apo simptomat e tjera.

    Si të mbrohemi nga infektimi?

    Për parandalimin e infeksionit, rekomandohet shmangia e ekspozimit ndaj mushkonjave, përdorimi i rrjetave në dritare, dhe përdorimi i kremrave kundër pickimit nga mushkonjat kur qëndrohet në natyrë.

    Aktualisht nuk ka vaksinë për njerëzit kundër virusit të Nilit Perëndimor.

    “Shkenca, përkundër që është duke bërë hulumtime edhe mund të pritet që ndoshta në të ardhmen edhe të ketë, ende nuk ka arritur që të zhvillojë vaksinën kundër virusit të Nilit Perëndimor”, thotë Hoti.

    Sipas tij, sezoni i virusit zakonisht fillon në muajin maj, arrin kulmin në gusht dhe shtator, kurse përfundon rreth tetorit.

    Hoti thotë se vera e gjatë dhe temperaturat e larta mund të kenë ndikuar në shtimin e rasteve këtë vit në Kosovë.

    Ai shton se ekziston rreziku të paraqiten raste të reja, megjithëse në IKSHPK presin që me rënien e temperaturave të ulet edhe përhapja e virusit. /REL

  • Policia me aksion në Gjilan – sekuestrohen armë, qindra fishekë dhe para të gatshme

    Policia me aksion në Gjilan – sekuestrohen armë, qindra fishekë dhe para të gatshme

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Gjilan, ndërsa një tjetër vazhdon të jetë në kërkim, nën dyshimin për veprën penale që lidhet me importin, eksportin, furnizimin, transportimin, prodhimin, këmbimin, ndërmjetësimin ose shitjen e paautorizuar të armëve apo mjeteve plasëse.

    Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjilan.

    Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar gjashtë pushkë gjuetie, gjashtë pistoleta, një armë të gjatë, një pushkë ajrore, 836 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër leje armësh, para të gatshme dhe dy telefona mobilë.

    Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar, ndërsa personi i tretë vazhdon të kërkohet nga policia.

    Me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Komunat e Kosovës sot protestojnë kundër vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Komunat e Kosovës sot protestojnë kundër vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në gjithë Kosovën protestohet sot kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Protestat janë thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe platforma “Liria ka Emër”, nën moton “Jo në emrin tim”.

    Përveç Prishtinës, tubime janë paralajmëruar edhe në tetë komuna të tjera ku OVL-UÇK ka degë dhe struktura dhe ato nisin në orën 17:00.

    Protestuesit do të kundërshtojnë vendimin e 16 shtatorit, me të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

    Vendimi i shkallës së parë për 81 vjet burg në total për katërshen, i cili pritet të apelohet, është cilësuar nga organizatorët si i padrejtë ndaj luftës çlirimtare.

    OVL-UÇK njofton se protestat do të mbahen sipas orarit të publikuar:

    -Podujevë – ora 17:00, Sheshi “Zahir Pajaziti”;

    -Prizren – ora 19:00, Shadërvan;

    -Istog – ora 17:00, Parku i Qytetit;

    -Rahovec – ora 17:00, Sheshi i Qytetit;

    -Kaçanik – ora 17:30, Sheshi i Qytetit;

    -Drenas – ora 17:30, Sheshi “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”;

    -Deçan – ora 17:00, Qendra e Qytetit;

    -Gjilan – ora 17:00, Para Teatrit të Qytetit;

    -Prishtinë – ora 21:00, Sheshi “Skënderbeu”.

    Organizata ka bërë thirrje që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore.

  • Kuvendi i Kosovës: Mbledhja e parë e Kryesisë së legjislaturës së 11-të mbahet sot

    Kuvendi i Kosovës: Mbledhja e parë e Kryesisë së legjislaturës së 11-të mbahet sot

    Për herë të parë në legjislaturën e 11-të, mblidhet sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës Mbledhja e thirrur nga kryetarja Albulena Haxhiu nis në orën 11:00, ku pritet të caktohet data e seancës së parë plenare.

    Kujtojmë se Kuvendi u shpall i konstituuar më 13 shtator, megjithëse Gjykata Kushtetuese konstatoi se kjo u bë pas afatit.

    Me konstituimin, kanë nisur të rrjedhin afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, afat ky i fundit që skadon më 6 tetor.

    Në të kundërtën, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në mesin e nëntorit, ndërsa pozita e nënkryetarit nga PDK-ja mbetet ende vakante.

  • Kurti kujton Bunjakun: S’do heqim dorë, të gjithë do marrin dënimin e merituar

    Kurti kujton Bunjakun: S’do heqim dorë, të gjithë do marrin dënimin e merituar

    Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar sot rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

    Përmes një postimi me rastin e përvjetorit të ngjarjes, Kurti ka thënë se Bunjaku ra në krye të detyrës, duke e cilësuar atë si “hero të Kosovës”.

    “Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhënjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët”, ka shkruar Kurti.

    Kryeministri e ka cilësuar grupin e armatosur që kreu sulmin në Banjskë si të organizuar, drejtuar dhe financuar nga Beogradi, ndërsa ka përmendur Milan Radoiçiqin si personin që, sipas tij, i printe këtij grupi.

    Kurti ka deklaruar se qëllimi i sulmit ishte konflikti i armatosur dhe gjakderdhja në territorin e Kosovës, si dhe aneksimi i veriut të vendit.

    “Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës”, ka shkruar ai.

    Ai ka vlerësuar punën e institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe institucioneve të tjera shtetërore për përballimin e sulmit.

    Në lidhje me përgjegjësit e sulmit, Kurti ka thënë se tre persona janë vrarë gjatë aksionit, ndërsa tre të tjerë ndodhen në burg që nga ajo ditë. Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimin e personave të tjerë të përfshirë.

    “Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar”.

    Ai shtoi se në Banjskë, rruga në vendin ku ndodhi sulmi mban sot emrin e Afrim Bunjakut.

    “Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!”, ka shkruar Kurti.