ATV

Tag: Ballina

  • Mbi 1 mijë gjoba dhe 18 patentë shoferë të pezulluara, brenda një jave nga policia në Ferizaj

    Mbi 1 mijë gjoba dhe 18 patentë shoferë të pezulluara, brenda një jave nga policia në Ferizaj

    Policia në Ferizaj ka njoftuar se javën e kaluar ka shqiptuar 1 mijë 750 gjoba dhe ka pezulluar 18 patentë shoferë.

    “Gjatë javës së kaluar, nga data 28.07-03.08.2025, janë shqiptuar 1,750 gjoba kundërvajtëse, si dhe janë pezulluar 18 patentë-shoferë për drejtuesit e mjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik.”

    Po ashtu janë raportuar 99 aksidente.

    “Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 99 aksidente, nga të cilat:
    – 26 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të lënduar 37 persona

    – 73 aksidente me dëme materiale”

    “Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për të parandaluar aksidentet dhe apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut. Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes:
    -Stacionit më të afërt policor
    – Aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”
    – Numrave : 192, 0290/326-250 & 0290/322-406.
    Të dhënat e raportuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Thirrjet raciste në Kumanovë, Osmani: Republika Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve

    Thirrjet raciste në Kumanovë, Osmani: Republika Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar për thirrjet antishqiptare në ndeshjen e basketbollit Maqedoni e Veriut – Rumani.
    Osmani tha se këto thirrje janë të papranueshme.

    “Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, tha Osmani.

    Ajo theksoi se edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane.
    “Sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen”, theksoi Osmani.
    E para e shtetit të Kosovës iu bëri thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE.

    “Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”, theksoi presidentja Vjosa Osmani.

    Video nga Inteligjenca n’3D – mos e humbisni:

  • Nëna e ish-presidentit Hashim Thaçi, feston sot ditëlindjen

    Nëna e ish-presidentit Hashim Thaçi, feston sot ditëlindjen

    Nëna Hyrë, e ëma e ish-presidentit Hashim Thaçi, feston sot ditëlindjen.
    Ani pse djalin e saj e ka larg në këtë ditë të veçantë për të, urimet ndaj nënës Hyrë nuk i kursyen bashkëpartiakët e tij.
    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka uruar nënën Hyrë në ditëlindjen e saj, duke thënë se ajo po e feston edhe një ditëlindje në gjirin familjar pa të birin e saj i cili ndodhet në betejën e fundit për Kosovën, në mbrojtje të drejtës tonë për liri.
    “Nëna e liderit tonë të luftës dhe paqes, Hashim Thaçit, Nëna Hyrë e ka sot ditëlindjen. Ajo po e feston edhe një ditëlindje në gjirin familjar pa birin e saj i cili ndodhet në betejën e fundit për Kosovën, në mbrojtje të drejtës tonë për liri. Qofsh shekullore Nëna Hyrë!”, ka uruar Lladrovci në Facebook.

  • Interesim i madh për protestën e 7 gushtit të organizuar nga OVL e UÇK-së

    Interesim i madh për protestën e 7 gushtit të organizuar nga OVL e UÇK-së

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së ka shprehur falënderim për gjithë përkrahjen në organizimin e protestës së thirrur më 7 gusht, në ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    “Falënderim për përkrahjen dhe interesimin tuaj të madh! Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në emër të këshillit organizues ju shpreh mirënjohje të thellë për përkrahjen e jashtëzakonshme që kemi parë ditëve të fundit për protestën paqësore të thirrur për datën 7 gusht, ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.”

    Në reagim thuhet se “interesimi i madh i qytetarëve, i shprehur përmes rrjeteve sociale dhe shumë formave të tjera, është një dëshmi e vetëdijes së lartë qytetare dhe e përkushtimit për drejtësi”.

    “Falënderojmë të gjitha partitë politike që e kanë mbështetur publikisht protestën tonë, pjesëtarët e shoqërisë civile që janë bërë zë i arsyes, dhe mediat për hapësirën e ndershme dhe të balancuar që po i japin kësaj thirrjeje. Bashkë, me dinjitet dhe paqë, do të ngremë zërin kundër padrejtësive.”

  • Nisin hetime në SHBA ndaj ish-prokurorit Jack Smith

    Nisin hetime në SHBA ndaj ish-prokurorit Jack Smith

    Zyrtarët federalë amerikanë kanë konfirmuar për BBC se kanë hapur një hetim ndaj ish-prokurorit special Jack Smith, i cili drejtoi dy çështje penale federale kundër Presidentit amerikan Donald Trump përpara se të jepte dorëheqjen nga posti i tij në fillim të këtij viti.

    Zyra e Këshillit Special ka konfirmuar për BBC se një hetim ndaj Jack Smith është duke u zhvilluar, por nuk kanë pranuar të shtojnë detaje të mëtejshme.

    Smith u emërua si Prokuror special në vitin 2022 për të hetuar keqpërdorimin e dyshuar të dokumenteve të klasifikuara nga Trump dhe përpjekjen e tij të dyshuar për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020.

    Media amerikane kanë raportuar të shtunën se OSC po heton Jack Smithin për shkelje të dyshuara të Aktit Hatch, një ligj që ndalon aktivitetet politike nga zyrtarët qeveritarë.

    Kjo vjen pasi Tom Cotton, një senator republikan nga Arkansas, i bëri thirrje OSC-së të hetojë Smithin për “ndërhyrje të pashembullt në zgjedhjet e vitit 2024”.

    Smith ishte caktuar nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland në nëntor 2022 për të mbikëqyrur hetimet federale ndaj Trump.

    Të dyja rastet që ai hetoi çuan në ngritjen e akuzave penale kundër presidentit, i cili u deklarua i pafajshëm dhe kërkoi t’i cilësonte ndjekjet penale si të motivuara politikisht. Çështjet u mbyllën më vonë pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale në nëntor 2024, pasi rregulloret e Departamentit të Drejtësisë ndalojnë ndjekjen penale të një presidenti në detyrë.

    Jack Smith kishte qenë duke drejtuar Prokurorinë Speciale të Hagës në aktakuzën e ngritur kundër krerëve të UÇK-së, kur kishte vendosur të largohej për në SHBA që të niste hetimet ndaj Trumpit.

  • Përleshje mes disa personave – një plagoset me armë zjarri e tjetri me sëpatë

    Përleshje mes disa personave – një plagoset me armë zjarri e tjetri me sëpatë

    Tre persona janë arrestuar në Dumnicë të Poshtme të Podujevës pasi dyshohet se janë rrahur mes vete dhe ka pasur të shtëna me armë zjarri.

    Njëri prej tyre është lënduar nga sëpata, ndërsa tjetri është plagosur me armë.

    Ata janë dërguar në QKUK, ndërsa i dyshuari që ka shtënë me armë është larguar.

    “VRASJE NË TENTATIVË, ARMËMBAJTJE PA LEJE & Pjesëmarrje në rrahje- Dumnicë e Poshtme, Podujevë / 02.08.2025-20:44. Janë arrestuar tre të dyshuar kosovarë pasi të njëjtit për motive të panjohura janë përfshirë në rrahje në mes veti, dhe dyshohet se gjatë përleshjes ka pasë edhe të shtëna me armë zjarri. Si pasojë, njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime nga një mjet i fortë-sëpatë, ndërsa i dyshuari tjetër është plagosur me armë zjarri. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari që ka shtënë me armë zjarri është arratisur nga vendi i ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar: dy vetura-njëra e dëmtuar, një sëpatë, dy sprej një shkop metali dhe tre zinxhirë dore. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në rsportin e Policisë.

  • Alarmante: Brenda një dekade në Kosovë janë mbyllur 40 shkolla

    Alarmante: Brenda një dekade në Kosovë janë mbyllur 40 shkolla

    Rënia e lindshmërisë, emigracioni i vazhdueshëm dhe boshatisja e fshatrave kanë shkaktuar mbylljen e qindra shkollave në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut – duke e kthyer sistemin arsimor në një pasqyrë të krizës demografike që po përshkon rajonin.

    Vetëm në Kosovë, gjatë viteve 2013–2023, janë mbyllur 40 shkolla. Në Shqipëri, nga viti 2012 deri më 2022, janë mbyllur 295 institucione arsimore publike, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, numri varion nga 30 deri në 44 shkolla të mbyllura në të njëjtën periudhë. Këto shifra nuk janë thjesht statistikore – ato sinjalizojnë rrezikun që po i kanoset së ardhmes arsimore dhe sociale të vendeve të Ballkanit, raporton TRT Albanian.

    Në Shqipëri, pasojat e kësaj krize janë shfaqur edhe në raportin mësues–nxënës. Në disa shkolla rurale, raporti është bërë absurd: 7 mësues për vetëm 3 nxënës. Kjo vjen si rezultat i migrimit të brendshëm të familjeve nga fshatrat drejt qyteteve, në kërkim të kushteve më të mira jetese.

    Në Kosovë, situata nuk është më e mirë. Shumë shkolla funksionojnë me 5 deri në 10 nxënës – e në disa raste, edhe më pak. Vetëm në arsimin e mesëm, gjatë vitit shkollor 2024/2025, janë regjistruar 63.551 nxënës, që do të thotë mbi 2.000 më pak krahasuar me vitin paraprak.

    Në Maqedoninë e Veriut, Ministria e Arsimit ka dalë me një propozim simbolik për të adresuar situatën: objektet e shkollave të mbyllura të kthehen në qendra për të moshuarit. Kjo tregon qartë zhvendosjen e peshës demografike – më pak fëmijë, më shumë të moshuar.

  • Hyrje-daljet në kufijtë e vendit, pritja deri në 15 minuta

    Hyrje-daljet në kufijtë e vendit, pritja deri në 15 minuta

    Qendra për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat për gjendjen në pikat kufitare, duke njoftuar se mëngjesi i sotëm është karakterizuar nga një situatë e qetë.

    Pika më e ngarkuar për hyrje në Kosovë është ajo e Vërmicës, ku pritjet arrijnë deri në 15 minuta. Ndërkohë, në pikat e Merdarës dhe Muçibabës, pritjet nuk kalojnë 10 minuta.

    Sa i përket daljeve nga Kosova, më e ngarkuara është pika kufitare e Dheu i Bardhë, ku qytetarët duhet të presin deri në 15 minuta.

  • Projekti për rehabilitim e kanalit të Ibër Lepencit është afër përfundimit

    Projekti për rehabilitim e kanalit të Ibër Lepencit është afër përfundimit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për ecurinë e rehabilitimit të kanalit Ibër Lepenc.

    Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se po bëhen investime jetike për infrastrukturën kritike, duke shtuar se ky kanal po bëhet më i qëndrueshëm dhe më i sigurt.

    Në të njëjtin postim, Kurti ka shpërndarë njoftimin e ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka bërë të ditur se projekti me vlerë 13 milionë eurosh është drejt përfundimit dhe ka arritur tw realizohet rreth 90 për qind.

    Ajo ka sqaruar se nga 20 kilometrat e pjesës së hapur të kanalit, 10 kilometra, aty ku kishte më shumë nevojë, janë duke u rehabilituar përmes bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.

    Ky kanal, me gjatësi prej 49 kilometrash, ka rëndësi jetike për furnizimin me ujë të pijshëm, ujitjen e tokave bujqësore dhe prodhimin e energjisë.

  • Bislimi: BE-ja aprovon aplikimet në programin e Kornizës Investuese, Kosova përfiton mbi 2 milion euro

    Bislimi: BE-ja aprovon aplikimet në programin e Kornizës Investuese, Kosova përfiton mbi 2 milion euro

    Zëvendëskryeministri në dorëheqje, Besnik Bislimi, ka njoftuar se Bashkimi Evropian ka miratuar aplikimet e Kosovës në programin e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.

    Sipas tij, Kosova do të përfitojë mbi 2 milionë euro për projekte në fushën e energjisë dhe digjitalizimit.

    Ai ka theksuar se aplikimet kishin marrë fillimisht vlerësim pozitiv nga komisioni përkatës dhe tani janë aprovuar zyrtarisht.

    Bislimi ka kujtuar se aplikimet ishin dorëzuar vitin e kaluar, në një periudhë kur Kosova ishte nën masa nga Bashkimi Evropian, të cilat ai i ka cilësuar si të padrejta.