ATV

Tag: Ballina

  • Paralajmërohet bllokadë e rrugës afër kufirit Kosovë –Serbi, QKMK del me apel për qytetarët

    Paralajmërohet bllokadë e rrugës afër kufirit Kosovë –Serbi, QKMK del me apel për qytetarët

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka njoftuar se nesër, më 24 dhjetor është paralajmëruar një bllokadë e rrugës nga banorët lokalë në segmentin rrugor të fshatit Kastrat të Kurshumlisë të Serbisë.

    Nga QKMK, qytetarëve i është bërë thirrje që të shfrytëzojnë rrugë të tjera me qëllim të evitimit të pengesave në rrugë.

    Njoftim:

    Duke u bazuar në burimet e hapura-mediat online, më datë, 24 Dhjetor 2025, është paralajmëruar bllokadë e rrugës, nga banorët lokal në segmentin rrugor, në fshatin Kastrat të Kurshumlisë (SRB), nga ora 11.50 deri në ora 15.50.

    Ju inkurajojmë, që të shfrytëzoni rrugë tjera, me qëllim të evitimit të pengesave në rrugë.

    Për çdo informatë shtesë, ju lutem kontaktoni📞 në numrat e QKMK-së +38345198000, +38345198606 dhe 080050095.

  • Osmani: Ne kemi besim të plotë në administratën Trump

    Osmani: Ne kemi besim të plotë në administratën Trump

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim për media, pas takimit me zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, gjatë qëndrimit të saj në Washington, tha se ka besim të plotë te presidenti Trump.

    Osmani ia ka shprehur falënderimet e popullit të Kosovës për ligjin që sapo ka nënshkruar presidenti Trump, në të cilin përfshihet edhe Republika e Kosovës dhe jo vetëm kaq, por në veçanti thuhet se nuk do të ketë ndryshim të kufijve.

    “Prandaj mbrohet integriteti territorial dhe sovraniteti i vendit tonë. Qartësohet se dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke, përkrahet anëtarësimi ynë në NATO, si dhe investimet strategjike në fushën e ekonomisë. Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati ynë më i rëndësishëm strategjik, dhe të njëjtën kohë për hapat përpara dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim, në mënyrë që dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rikthehet”, tha ajo.

    E para e vendit tha se Kosova ka besim të plotë në administratën Trump.

    “Jemi ndër një nga shtetet e para që kemi përkrahur një sërë veprimesh të ndërmarra nga presidenti Trump, kontributi i të cilit për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë është i domosdoshëm dhe ka qenë i vazhdueshëm”, tha ajo ndër të tjera.

    Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan dhe u nënshkrua në ligj nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 18 dhjetor, SHBA-ja zotohet të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve, dhe duhet t’i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.

  • “Derisa ishte në banesë, iu keqësua gjendja”: Policia jep detaje për vdekjen e Shemit të Ilirëve

    “Derisa ishte në banesë, iu keqësua gjendja”: Policia jep detaje për vdekjen e Shemit të Ilirëve

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vdekjen e këngëtarit të njohur Shemsi Krasniqi, i njohur gjerësisht si Shemi, vokalisti i grupit të famshëm “Ilirët”.

    Në raportin 24 orësh, Policia thotë se ai u gjet i vdekur në banesën e tij, dhe se i njëjti ndërroi jetë pasi iu kishte keqësuar gjendja.

    “Rr. UÇK-së, Prishtinë 22.12.2025-14:50. Raportohet se viktimës mashkull kosovar, për deri sa ishte në banesën e tij i është keqësuar gjendja shëndetësore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh.

    Shemi ishte një nga zërat më ikonikë të muzikës shqiptare, artisti që i dha shpirt këngës që u shndërrua në simbol kombëtar, “Xhamadani vija vija”.

    Shemsi Krasniqi – Shemi ishte ndër figurat më të njohura dhe më të dashura të skenës muzikore shqiptare, këngëtar dhe vokalist i grupit legjendar “Ilirët”, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e rock-ut dhe muzikës moderne shqiptare.

    I lindur dhe i rritur në Kosovë, ai u bë i njohur në vitet ’80 si zëri kryesor i grupit “Ilirët”, një formacion që shumë shpejt u shndërrua në simbol të një brezi të tërë. Në një periudhë kur muzika ishte edhe formë shprehjeje, rezistence dhe identiteti, këngët e interpretuara nga Shemi u kthyen në himne të rinisë shqiptare.

    Ai mbetet veçanërisht i paharruar për interpretimin e këngës “Xhamadani vija vija”, e cila me kalimin e viteve u bë një simbol kombëtar, e kënduar në koncerte, festa, tubime dhe ngjarje të rëndësishme kulturore e shoqërore. Zëri i tij i fuqishëm dhe interpretimi emocional i dhanë këngës një identitet të veçantë, që vazhdon të jetojë edhe sot.

    Me grupin “Ilirët”, Shemi interpretoi edhe këngë të tjera të njohura si “Fjalët e qiririt”, “Kënga e Naimit”, “Larg vendlindjes” dhe shumë krijime të tjera që trajtonin temat e atdhedashurisë, mallit, identitetit dhe shpresës. Muzika e tyre ishte një ndërthurje e rock-ut me elemente folklorike, çka i bëri unikë në skenën shqiptare.

    Përtej skenës muzikore, Shemi njihej si një artist i drejtpërdrejtë, autentik dhe i lidhur ngushtë me publikun. Ai ishte aktiv edhe në diasporë, ku koncertet e “Ilirëve” bashkonin shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës, duke ruajtur dhe forcuar lidhjen me kulturën, muzikën dhe gjuhën shqipe.

  • Pas njohjes, Bahamas heq vizat për Kosovën – marrëveshja nënshkruhet në Washington

    Pas njohjes, Bahamas heq vizat për Kosovën – marrëveshja nënshkruhet në Washington

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, bëri të ditur se shumë shpejt në Washington do ta nënshkruajnë edhe heqjen reciproke të vizave me Bahamas, shtetin që së fundmi e njohi shtetësinë e Kosovës.

    “Vazhduam në Bahamas ku morëm njohjen nga ky shtet. Lidhjen e marrëdhënieve diplomatike dhe po ashtu kemi arritur dakordim me kryeministrin e Bahamas për heqjen reciproke të vizave që është një lajm shumë i mirë dhe kjo marrëveshje do të nënshkruhet së shpejti këtu në Washington D.C”, deklaroi Osmani pas takimit me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit.

    Bahamas është bërë shteti i 121-të që e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ka njoftuar presidentja Vjosa Osmani të premten e 19 dhjetorit.

    Ajo ka bërë të ditur se në kryeqytetin e Bahamas ka nënshkruar marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me ishullin që gjendet në Karaibe.

  • “Krim i organizuar, rrëmbim, armëmbajtje pa leje” – Operacion policor nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale në Pejë

    “Krim i organizuar, rrëmbim, armëmbajtje pa leje” – Operacion policor nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale në Pejë

    Një operacion policor është duke u zhvilluar aktualisht në qytetin e Pejës, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

    Ky operacion po realizohet në bazë të një urdhri për kontroll, dhe është i fokusuar në dyshimet për kryerjen e veprave penale, si: krim i organizuar, rrëmbim dhe armëmbajtje pa leje

    Autoritetet kanë njoftuar se do të lëshojnë një komunikatë shtesë pas përfundimit të operacionit policor, transmeton Sinjali.

    Ende nuk ka informacione të tjera të disponueshme në lidhje me operacionin dhe individët e përfshirë.

  • Ish-drejtori i burgut e dy ish-gardianë gjykohen në mungesë për krime lufte

    Ish-drejtori i burgut e dy ish-gardianë gjykohen në mungesë për krime lufte

    Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimit fillestar ndaj tre të akuzuarve për krime lufte, Ljubomir Çimburoviç, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq. Ky gjykim po zhvillohet në mungesë, pasi të akuzuarit janë të paarritshëm për institucionet e drejtësisë në Kosovë.

    Prokurori, Atdhe Dema tha se Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe, sipas tij, janë plotësuar kushtet për gjykim në mungesë.

    Aktakuza ndaj tre të akuzuarve Ljubomir Çimburoviç, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, i pari që akuzohet në cilësinë e ish-drejtorit të Burgut të Qarkut në Prishtinë, e dy të tjerët si ish- ardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, u ngrit më 13 maj të vitit të shkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

    Të pranishëm në seancë ishin të dëmtuarit Agron Ramadani, Ali Xhyliqi,Ramadan Nishori dhe Ylber Topalli.

    Si gjykim në mungesë, gjyqtari Leon Përlaska tha se nuk do të ketë deklarim rreth fajësisë, ndërsa, sqaroi ai, në afat prej 30 ditësh, mbrojtja ka të drejtë për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës, shkruan RTK.

    Në Aktakuzën e Speciales thuhet se, Ljubomir Çimburoviç si drejtor i burgut të Qarkut në Prishtinë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan dhe tashmë të akuzuarin Dragisha Milenkoviq, gardian i Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë luftës, ka qenë gjatë gjithë kohës në dijeni dhe se nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për t’i ndaluar veprimet e gardianëve dhe nuk i kishte raportuar këto veprime në hierarki.

    Gjithashtu, thuhet se gardianët në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke i u shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

  • Reuters: Fitorja e Kurtit rrezikon përsëritjen e krizës njëvjeçare në Kosovë

    Reuters: Fitorja e Kurtit rrezikon përsëritjen e krizës njëvjeçare në Kosovë

    Media ndërkombëtare, “Reuters” ka shkruar për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

    Ky medium thotë se Kosova do të mbajë zgjedhje më 28 dhjetor pas një ngërçi politik njëvjeçar që çoi në shpërbërjen e parlamentit dhe la një boshllëk prej 1 miliard eurosh në financat e dobëta të vendit të vogël ballkanik.

    Partia Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti fitoi zgjedhjet e fundit në shkurt, por nuk arriti të sigurojë shumicën ose të gjejë një parti koalicioni të gatshme pas një fushate të ashpër. Shumë veta, shkruan Reuters, se kanë frikë se një përsëritje e kësaj mund ta çojë shtetin më të ri të Evropës në një krizë të mëtejshme, vetëm katër muaj para se parlamenti të duhet të votojë për një president të ri dhe ndërsa afatet për të ratifikuar kreditë ndërkombëtare afrohen.

    “Këto zgjedhje do të jenë më të rëndësishmet në historinë e kohëve të fundit të Kosovës, sepse po vijnë pas një viti bllokimi, por edhe katër muaj para se të zgjidhet një president i ri”, tha analisti politik Artan Muhaxhiri.

    “Nëse Kurti fiton përsëri me rreth 42%, i gjithë ky bllokim do të përsëritet, sepse hendeku midis Kurtit dhe partive të tjera është i madh, i pakapërcyeshëm.”

    Sondazhet nuk bëhen publike në Kosovë, kështu që ka pak shenja se si do të shkojë votimi.

    Por duket e pamundur që ndonjë nga partitë kryesore të opozitës të jetë e gatshme të formojë një qeveri me Kurtin, i cili sipas tyre ka nxitur tensione me pakicën serbe etnike të Kosovës në veri, ka bërë pak për të përmirësuar standardet e jetesës dhe ka dëmtuar reputacionin e Kosovës jashtë vendit.

  • Osmani në Uashington – Takon zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit

    Osmani në Uashington – Takon zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit

    Ditën e sotme e para e vendit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon në Uashington zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau.

    Kështu ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit përmes një njoftimi zyrtar.

    Aty nuk janë dhënë më shumë hollësi se cilat do të jenë temat e diskutimit në takimin që zhvillohet pasdite, me orën lokale të Kosovës.

    Presidentja Osmani është takuar me zëvendëssekretarin Landau edhe në korrik të këtij viti, kur dy palët i kanë diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.

  • Shfaqen pamje të Naim Muselit e Kushtrim Kokallës kur hyjnë në hotel pas vrasjes së Liridona Ademajt

    Shfaqen pamje të Naim Muselit e Kushtrim Kokallës kur hyjnë në hotel pas vrasjes së Liridona Ademajt

    Në seancën e radhës së shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, në Gjykatën Themelore janë paraqitur prova të reja fotografike që lidhen me lëvizjet e të akuzuarve pas vrasjes dhe pas qëndrimit të Murselit në polici.

    Prokuroria bëri të ditur se fotografitë janë siguruar nga kamerat e një hoteli në Prishtinë dhe, sipas saj, dokumentojnë hyrjen e Naim Murselit dhe Kushtrim Kokallës në hotel, si dhe veprimet e Kokallës në recepsion, pas ngjarjes.

    Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, gjatë paraqitjes së provave tha se provat janë sigurua nga kamerat e hotelit Swiss Diamond.

    “Fotografia nr. 50, e cila është e siguruar nga kamerat e hotelit Swiss Diamond, shihen personat Naim Murseli së bashku me Kushtrim Kokallën se si hyjnë në hotel, në ora 01:25 minuta pas qëndrimit në polici të Naim Murselit”, tha ajo.

    Duke vijuar me shpjegimin e provave, Perlinçeviq u ndal edhe te fotografitë tjera, duke theksuar:

    “Në fotografinë 51 e shohim në recepsion personin Kushtrim Kokalla. Fotografia 52, po ashtu në recepsion të hotelit Swiss Diamond, e shohim personin Kushtrim Kokalla ku bën një pagesë dhe shohim në duart e tij para. Këto janë tri foto që i kemi nga hoteli Swiss Diamond”, tha ajo.

  • Këta janë 19 kandidatët me aktakuza aktive që garojnë për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Këta janë 19 kandidatët me aktakuza aktive që garojnë për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin mbi kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, duke analizuar përfshirjen e tyre në raste penale.

    Sipas raportit, nga 1,179 kandidatët për deputetë, 28 persona (2.37%) janë të përfshirë në raste penale, prej të cilëve 19 kanë aktakuza aktive.

    Lista e plotë e 19 kandidatëve me aktakuza aktive, bazuar në të dhënat e raportit të IKD-së:

    1 Agim Ceku AAK 1 Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar- 2019

    2 Albulena Haxhiu LVV 1 Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve-2016

    3 Arbërie Nagavci LVV 1 Mbajtja në pronësi, posedim të paautorizuar të armëve -2019

    4 Besnik Krasniqi AAK 1 Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar -2023

    5 Cel Gashi PDK 1 Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar -2019

    6 Egzon Azemi LVV 2 Sulm ndaj personit zyrtar (2015); Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit -(2023) 2015, 2023

    7 Endrit Shala NISMA 1 Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar- 2024

    8 Faton Thaqi NISMA 1 Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar- 2021

    9 Fikrim Damka KDTP 1 Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar -2025

    10 Fitore Pacolli Dalipi LVV 1 Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm- 2019

    11 Glauk Konjufca LVV 1 Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm -2017

    12 Pal Lekaj AAK 3 Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2015); Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm (2016); Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar- (2022) 2015, 2016, 2022

    13 Rozeta Hajdari LVV 1 Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar- 2025

    14 Salih Zyba LVV 1 Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm- 2019

    15 Shkumbin Demalijaj PDK 1 Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar- 2019

    16 Slavko Simiq Lista Serbe 1 Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi- 2025

    17 Valon Ramadani LVV 1 Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare; Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm- 2019

    18 Vesel Krasniqi NISMA 1 Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar- 2024

    19 Xhelal Svecla LVV 1 Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm-2019

    Nga analiza sipas subjekteve politike, LVV ka numrin më të madh të kandidatëve të përfshirë në raste penale, me 13 persona (11.81% e listës), e ndjekur nga AAK me 6 kandidatë (5.45%).

    Më pas vijnë Nisma Socialdemokrate 3 kandidatë (2.72%), PDK 2 kandidatë (1.81%), Lista Serbe 2 kandidatë (6.06%), KDTP 1 kandidat (6.25%) dhe LDK 1 kandidat (0.9%).

    Raporti gjithashtu evidenton se 12 janë të dënuar më parë me vendim të formës së prerë, ndërsa 3 kandidatë kanë edhe aktakuza aktive dhe dënime të kaluara.