ATV

Tag: ASK

  • Bojkotuesit e regjistrimit të popullsisë ‘ndiqen’ nga Inspektorët

    Bojkotuesit e regjistrimit të popullsisë ‘ndiqen’ nga Inspektorët

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Vetëm tri herë një zyrtar i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e viziton të njëjtën adresë.

    Nëse në të gjitha rastet përgjigja është negative e qytetari refuzon të regjistrohet, zyrtari i agjencisë së statistikave, krejt çka mund të bëjë është njoftimi i organeve tjera.

    Me kaq përfundon edhe përgjegjësia e ASK-së.

    Gjobat që nisin nga 30 euro e deri 2 mijë euro, ndaj qytetarëve që bojkotojnë këtë proces, sipas juristëve do të shqiptohen nga inspektorët e Zyrës së Përgjithshme, meqë ASK-ja që nga viti 2022 është nën mbikqyrjen zyrës së Kryeministrit.

    Mirëpo sipas Smakiqit, qëllimi nuk duhet të jetë tek shqiptimi i gjobave, sepse nëse numri do të jetë i lartëatëhere ky proces mund të vlerësohet i pasukseshëm.

    Vështërsi për këtë proces sheh tek komunat në veri, pasi që banorët atje i binden partisë Lista Serbe.

    Të premten, regjistruesit ne veri u tërhoqën nga ky proces, por sipas ASK-së, ata janë zëvendësuar menjëherë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Raporti i Progresit për Kosovën 2023 ka vlerësuar mirë ASK-në

    ​Raporti i Progresit për Kosovën 2023 ka vlerësuar mirë ASK-në

    Raporti i progresit që u publikua më 8 nëntor 2023 nga Komisioni Evropian ka vlerësuar mirë Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), duke thënë se Kosova ka një nivel të përgatitjes në fushën e statistikave.

    Në një komunikatë për media thuhet se duke u bazuar në Kapitullin 18 për Statistikat, ku me rregullat e BE-së kërkohet që shtetet anëtare të prodhojnë statistika të bazuara në pavarësinë profesionale, paanshmërinë, besueshmërinë, transparencën dhe konfidencialitetin ka vlerësuar lart arritjet e bëra në fushat, të cilat kanë reflektuar në Sistemin Statistikor të Republikës së Kosovës.

    “Në rregullat e përbashkëta që janë në fuqi për metodologjinë, prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit statistikor thuhet se Kosova ka një nivel të përgatitjes në fushën e statistikave. Është bërë progresi në periudhën raportuese, veçanërisht në përmirësimin e metodologjisë së mbledhjes së të dhënave, transmetimi i të dhënave në Eurostat dhe zbatimin e rekomandimeve të vlerësimit të kolegëve (Peer-Review) të Eurostatit”, thekson ASK.

    Tutje në raport thuhet se komunikimi ndërmjet institucioneve të ndryshme statistikore është përmirësuar, por koordinimi në nivel teknik dhe përdorimi i të dhënave administrative në dispozicion janë të pamjaftueshëm.

    Kosova gjithashtu ka përmirësuar frekuencën e rezultateve të saj statistikore. Disa statistika për energjinë, statistikat sociale dhe statistikat afatshkurtra në sektorin e shërbimeve tani dërgohen në Eurostat në baza mujore, ndërsa më parë dërgoheshin në baza tremujore. Regjistrimi i vonuar i popullsisë dhe ekonomive familjare tani është planifikuar të bëhet midis 1 nëntorit dhe 31 dhjetorit.

    Rekomandimet e vitit të kaluar janë përmbushur pjesërisht dhe mbeten të vlefshme rekomandimet edhe për vitin e ardhshëm, ku thuhet se Kosova në veçanti duhet të finalizojë përgatitjet për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, si dhe zbatimin e tij, duke siguruar detaje operacionale dhe mbulim të plotë të territorit; rris numrin e produkteve statistikore dhe dërgimin e tyre më shpesh në Eurostat; plotësojë vendet vakante (pozitat e lira) ekzistuese dhe t’i rrisë kapacitetet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

    Ndërkohë, për sa i përket infrastrukturës statistikore, korniza ligjore është gjerësisht në linjë me Kodin e praktikës së Statistikave Evropiane (Eurostat). Megjithatë, zbatimi i kësaj kornize ligjore ka nevojë të jetë më e fuqizuar.

    Si përfundim, në Raportin e Progresit janë dhënë edhe rekomandimet për Kosovën për rolin e Agjencisë së Kosovës, qeverisjen statistikore dhe koordinimin ndërinstitucional dhe të sigurojë qasje më të mirë të burimeve administrative, përfundon ASK.

  • ASK: Regjistrimi i popullsisë me 1 nëntor, i pamundur

    ASK: Regjistrimi i popullsisë me 1 nëntor, i pamundur

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pas katër shtyrjeve, 1 nëntori u vendos si datë për fillimin e regjistrimit të popullsisë.

    Por ky proces do të presë edhe për pak kohë, pasi që në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ende mungojnë tabletët me të cilët ishte menduar të zhvillohej ky proces.

    “Kemi shumë probleme në furnizim me tabletë, gjë që e pamundëson që regjistrimi të fillojë më 1 nëntor”, tha Avni Kastrati, drejtor i Departamentit për Statistika Sociale dhe të Popullsisë.

    Për mosfillimin e këtij procesi, Drejtori i Departamentit për Statistika Sociale dhe të popullsisë e ka njoftuar edhe Qeverinë, mirëpo prej saj ende nuk e ka marrë një përgjigje.

    “Para disa javëve është bërë një kërkesë ndaj Qeverisë, për shkak të çështjeve teknike, por ka edhe aspekte të tjera që regjistrimi të bëhet me kohë, Qeveria është duke e bërë shqyrtimin që të ndërrohet kjo datë”, tha Kastrati.

    Ekzekutivi nuk ktheu përgjigje as në pyetjet e televizionit. Mirëpo, për këtë çështje nuk kanë informacione as anëtarët e Komisionit për Buxhet, i cili monitoron punën e ASK-së.

    Pas dështimit të furnizimit me tabletë nga operatori ekonomik “BOTEK SHPK”, një kontratë e re u nënshkrua në vlerë mbi 1 milion e 100 mijë euro, vetëm para pesë ditëve me kompaninë “Aritech”, prej së cilës ASK-ja pret që furnizimin me këto pajisë digjitale të bëjë brenda dy javëve.

  • Bie numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në nivel vendi

    Bie numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në nivel vendi

    Instituti GAP ka publikuar statistikat të cilat thonë se numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në nivel vendi ka shkuar duke rënë vazhdimisht.

    Sipas këtyre statistikave, rënie më të madhe të numrit të nxënësve ka në komunat e Kamenicës dhe Junikut.

    “Numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në nivel vendi ka shkuar duke rënë vazhdimisht. Krahasuar me vitin shkollor 2008/2009, në vitin shkollor 2021/22 mësimin e ndjekin 134,366 nxënës më pak, apo një rënie prej 30.3%. Rënie më të madhe të numrit të nxënësve ka në komunat e Kamenicës dhe Junikut (-53%), Rahovecit, Dragashit dhe Vitisë (-45%), dhe Gjilanit dhe Suharekës (-41%)”, thuhet në njoftimin e GAP.

    Ndërkaq, në përmbledhjen e raportit thuhet se sa i përket personelit arsimor, që përfshin mësimdhënësit, personelin administrativ dhe personelin ndihmës, numri i tyre ka mbetur thuajse i njëjtë që nga viti shkollor 2013/2014.

    “Sa i përket personelit arsimor, që përfshin mësimdhënësit, personelin administrativ dhe personelin ndihmës, numri i tyre ka mbetur thuajse i njëjtë që nga viti shkollor 2013/2014, kur MASHT publikoi të dhëna të detajuara për këtë kategori. Në krahasim me vitin shkollor 2013/2014, në vitin shkollor 2021/2022, numri i mësimdhënësve ka rënë për -1%, numri i personelit ndihmës është rritur me 6%, ndërsa numri i personelit administrativ ka rënë për -3%”, thuhet tutje në raport.

  • Eksporti i Kosovës shënon rënie drastike, rritet importi i mallrave nga Serbia

    Eksporti i Kosovës shënon rënie drastike, rritet importi i mallrave nga Serbia

    Eksportet e Kosovës kanë shënuar rënie drastike, në vlerë rreth 17 për qind në muajin prill të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës eksporti i përgjithshëm i mallrave në muajin prill 2023 kishte vlerën 67.2 milion euro, ndërsa importi 448.2 milion euro, që është një rënie prej 16.9 për qind për eksport.

    “Eksporti i mallrave në muajin prill 2023 kishte vlerën 67.2 milion Euro, ndërsa importi 448.2 milion Euro, që është një rënie prej (-16.9%) për eksport, si dhe (-3.1%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022”, thuhet në raportin e Tregtisë së Jashtme të Mallrave në Kosovë të publikuar nga ASK për muajin prill 2023.

    Në muajin prill 2023, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 27.0 milion Euro, ose 40.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej -14.6%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut 16.0%, Shqipëria 12.4%, Serbia 6.7%, dhe Mali i Zi 3.6%.

    Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 24.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 13.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 8.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.0% e përbëjnë produktet minerale; 4.8% e përbëjnë tekstili dhe artikujt e tekstilit, etj.

    Sfidë tjetër për vendin mbetet edhe importi nga Serbia, që ka shënuar rritje në muajin prill të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Ndërsa, ka shënuar rritje importi i mallrave nga Serbia prej 27.246 milionë euro në 27.526 milionë ose 280 mijë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin prill 2023, arritën në 78.3 milion Euro, ose 17.6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.1%), Shqipëria (5.6%), Maqedonia e Veriut (4.6%).

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 20.7 milion Euro, ose 30.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (14.6%), dhe Zvicra (9.2%).

    Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-0.2%) në muajin prill 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 380.9 milion Eurosh, krahasuar me deficitin prej 381.7 milion Eurosh në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 15.0%.

  • ASK: Në Kosovë ka rënie të natalitetit për 15% nga muaji janar

    ASK: Në Kosovë ka rënie të natalitetit për 15% nga muaji janar

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar numrin e lindjeve, vdekjeve, kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve për muajin shkurt.

    Sipas ASK-së ka rënie prej 15% në natalitet që nga muaji janar.

    “Duke u bazuar në të dhënat administrative për muajin Shkurt janë regjistruar 1804 Lindje të ndodhura në Kosovë dhe jashtë Kosovës, prej tyre meshkuj 947 dhe femra 857 Krahasuar me muajin Janar 2023 kemi rënje të numrit të lindjeve për (-15%)”, thuhet në publikimin e ASK-së.

    Rënie për 9% në krahasim me muajin janar ka edhe në numrin e personave të vdekur.

    Sa i përket kurorëzimeve ka rënie prej 34% në numrin e çifteve të kurorëzuara.

    “Kurorëzimet e ndodhura në Kosovë dhe jashtë Kosovës për muajin Shkurt janë 1317 raste, krahasuar me muajin Janar kemi rënje të numrit të çifteve të kurorëzuara për (-34%).”, konstatoi ASK.

    Ndërsa për 22% ka rënie edhe në numrin e çifteve të shkurorëzuara.

    “Ndërsa sa i përket shkurorëzimeve të ndodhura në Kosovë për muajin Shkurt janë 122 raste, krahasuar me muajin Janar kemi rënje të numrit të çifteve të shkurorëzuarve për (-22%).”, tha ASK.