ATV

Tag: Arlinda Zekajt

  • Kryeministri Kurti kërkon përgjegjës institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt

    Kryeministri Kurti kërkon përgjegjës institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt

    Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë kanë bërë një varg lëshimesh në trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.

    Në mbledhjen e Qeverisë, ai tha se paralajmërimet e 49-vjeçares për rrezikun ndaj jetës së saj nuk kishin marrë përgjigjen e duhur nga institucionet.

    Për të përcaktuar përgjegjësitë, Kurti ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme raporte të detajuara, të cilat duhet të dorëzohen deri të enjten, para orës 18:00, dhe më pas do të bëhen publike.

    Ai akuzoi gjithashtu sistemin e drejtësisë se shpesh mban anën e të fuqishmëve, në vend që t’i mbrojë qytetarët më të cenueshëm, ndërsa reformimin e tij e cilësoi urgjencë kombëtare.

  • Arrestohet në Deçan i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt

    Arrestohet në Deçan i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt

    Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, është arrestuar mbrëmë në Deçan, pas më shumë se dy ditësh në arrati.

    Policia ka bërë të ditur se arrestimi është kryer rreth orës 23:40, pas kërkimeve dhe veprimeve hetimore për lokalizimin e tij.

    Sipas njoftimit, në gjetjen e të dyshuarit ka ndihmuar edhe bashkëpunimi i qytetarëve me Policinë.

    Sylaj kërkohej për vrasjen e 49-vjeçares, e cila ndodhi të dielën, më 25 tetor, vetëm pak ditë pasi viktima u ishte drejtuar institucioneve për të kërkuar mbrojtje.

  • BE-ja kërkon llogaridhënie institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt

    BE-ja kërkon llogaridhënie institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i është bashkuar reagimit të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa urgjente për mbrojtjen e grave në rrezik.

    Në deklaratën e Grupit theksohet se viktima kishte kërkuar mbrojtje urgjente nga institucionet, pak para se të vritej.

    Grupi kërkon hetim të plotë për rastin, përfshirë shqyrtimin e reagimit institucional ndaj kërkesave të mëparshme të viktimës dhe përcaktimin e përgjegjësive për çdo mangësi të konstatuar.

    Po ashtu, bën thirrje për koordinim më të mirë ndërmjet Policisë, prokurorive, gjykatave dhe shërbimeve sociale, si dhe për shqyrtimin urgjent të rasteve të dhunës në familje me rrezik të lartë.

    Një nga kërkesat është edhe krijimi i mekanizmit për monitorimin e femicidit, i cili do të analizonte vrasjet e grave, rrethanat që u kanë paraprirë dhe mundësitë e humbura për ndërhyrje.

    “Femicidi nuk është një incident i izoluar; ai është manifestimi më ekstrem i dhunës me bazë gjinore dhe kërkon një përgjigje sistemike”, thuhet në deklaratë.

  • “Arlinda u vra me dorën e shtetit”, Haxhiu: Duhen dorëheqje nga qeveria e policia

    “Arlinda u vra me dorën e shtetit”, Haxhiu: Duhen dorëheqje nga qeveria e policia

    Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka thënë se Arlinda Zekaj u vra me dorën e shtetit.

    Ajo në një intervistë në emisionin Compass më Ilir Berishën, tha se ultimatumi i Kurtit për ministrat është një lojë fjalësh.

    Haxhiu bëri thirrje që të ketë dorëheqje nga të gjitha instancat që janë të përfshira në rast, polici, prokurori por edhe në qeveri.

    Sipas saj, çdo vonesë është vrasje për së dyti e Arlindës.

  • Kurti mbledh ministrat nesër me mëngjes

    Kurti mbledh ministrat nesër me mëngjes

    Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se nesër do të mbahet mbledhja e radhës e kabinetit qeveritar.

    Në një njoftim për media, ZKM ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti me ministra do të mblidhen nga ora 08:00, transmeton Klankosova.tv

     Akoma nuk dihet se çka do të shqyrtohet në këtë mbledhje.

    Kujtojmë se ditëve të fundit ka pasur shumë kërkesa për dorëheqje të dy ministrave, atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Donika Gërvallës, që udhëheq dikasterin e Drejtësisë, pas dyshimeve për dështim në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj.

  • Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Ambasada Gjermane bën thirrje për veprime konkrete

    Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Ambasada Gjermane bën thirrje për veprime konkrete

    Ambasada Gjermane në Kosovë ka shprehur pikëllimin për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke bërë thirrje për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së grave dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

    Në një deklaratë, ambasada ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e viktimës, duke theksuar se femicidi nuk është një rast i izoluar, por një sfidë serioze shoqërore.

    “Çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna, dhe kjo e drejtë duhet të mbrohet përmes angazhimit të përbashkët dhe veprimeve konkrete”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Gjermane.

    Ambasada ka vlerësuar se vrasja e Zekajt është një kujtesë e dhimbshme se femicidi përfaqëson formën më ekstreme të dhunës ndaj grave dhe kërkon reagim të vazhdueshëm e të koordinuar.

    “Sigurimi i sigurisë dhe mbrojtjes për gratë në rrezik duhet të mbetet një prioritet i përbashkët, i mbështetur nga masat efektive parandaluese, veprimet institucionale në kohë dhe shërbimet e qasshme të mbështetjes”, thuhet më tej në reagim.

    Ambasada ka rikujtuar se Kosova është palë e Konventës së Stambollit të Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

    Mes tjerash, Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve relevantë që të vazhdojnë përpjekjet për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, zbatimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes dhe krijimin e një kulture ku dhuna nuk tolerohet dhe as nuk injorohet.

  • Një muaj paraburgim për Jeton Sylajn, ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt

    Një muaj paraburgim për Jeton Sylajn, ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt

    Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës.

    Mediat janë lejuar të qëndrojnë në sallën e gjyqit vetëm për pak minuta, ndërsa seanca më pas është mbyllur për shkak të ndjeshmërisë së rastit, pasi seancat dëgjimore nuk janë të hapura për publikun.

    Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë nga gjyqtarja e Procedurës Paraprake, Selvije Morina Zejnaj, e cila ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e kësaj mase.

    Paraburgimi është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar nga 25 tetori 2026, në orën 20:00, deri më 24 nëntor 2026, në orën 20:00.

    I pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, e paraparë me nenin 393, paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas Prokurorisë, Sylaj dyshohet se më 25 tetor, disa orë para vrasjes së Zekajt, nuk e ka respektuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor, i cili e obligonte të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike ndaj saj, të mos e pengonte lëvizjen dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte.

    Në kërkesën për paraburgim thuhet se ai dyshohet se e ka kërcënuar Zekajn dhe ia ka marrë rrobat nga rrobalarësja, duke i hedhur në oborrin e shtëpisë.

    Sylaj ishte ndaluar nga Policia pak orë para se Arlinda Zekaj të gjendej pa shenja jete.

    Për vrasjen e saj, i dyshuar është ish-kunati i saj, i cili është në kërkim nga Policia.

  • Vrasja e Arlinda Zekajt, Tahiri: Besoj se shumë prej nesh nuk e kanë kaluar një natë të qetë

    Vrasja e Arlinda Zekajt, Tahiri: Besoj se shumë prej nesh nuk e kanë kaluar një natë të qetë

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri tha sot se është zgjuar me dhimbje të madhe përballë një fenomeni që përbën plagën më të rëndë të shoqërisë sonë.

    Tahiri në një postim në Facebook ka reaguar sërish pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se kjo ka të bëjë me dështim të shtetit të Kosovës.

    Shpallet në kërkim Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt

    Lexoni të plotë postimin:

    Besoj se shumë prej nesh nuk e kanë kaluar një natë të qetë. Edhe unë, mëngjesin e sotëm, jam zgjuar me dhimbje të madhe përballë një fenomeni që përbën plagën më të rëndë të shoqërisë sonë.

    E thashë dje dhe vazhdoj të insistoj, vrasja e Arlinda Zekajt, ka të bëjë me dështim të shtetit të Kosovës dhe të hierarkisë së tij institucionale. Prokuroria, Policia, Qendrat për Punë Sociale dhe të gjithë mekanizmat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi dhe te ju kërkohet llogari kur mosveprimi i tyre na çon drejt tragjedive të tilla.

    Betejën kundër dhunës në familje nuk duhet ta ndalim. Duhet të flasim, të kërkojmë përgjegjësi dhe të ecim përpara me vendosmëri. /Telegrafi/

  • Sot i jepet lamtumira e fundit Arlinda Zekajt

    Sot i jepet lamtumira e fundit Arlinda Zekajt

    Arlinda Zekaj, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj të dielën në Vitomiricë të Pejës, do të varroset sot, më 27 tetor.

    Familja e saj ka njoftuar që ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 15:00, në fshatin Radac të Pejës.

    I dyshuari për rastin, Albert Sylaj, sipas, policisë, gjendet ende në arrati.

    Rasti tronditi opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te dhuna në familje dhe nevoja për mbrojtjen e grave.

  • Të mërkurën protestë në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

    Të mërkurën protestë në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet protestë me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

    Protesta organizohet pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ndërsa organizatorët kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna.

    Në thirrjen për protestë, kolektivi ka theksuar se rasti i Arlindës duhet të shërbejë si alarm për institucionet dhe shoqërinë.

    “Duhet t’i lëmë shtëpitë, punët, klasat e mësimit për t’i mbushur sheshet e dyert e institucioneve që po shpërfillin totalisht jetën dhe sigurinë e grave cep më cep Kosovës”, thuhet në thirrjen e organizatorëve.

    Sipas tyre, vrasja e Arlinda Zekajt është veçanërisht shqetësuese pasi, sipas informacioneve të bëra publike, ajo kishte kërkuar ndihmë nga institucionet para se të vritej.

    “Arlinda Zekaj u vra me ndërmjetësim të shtetit”, thuhet në reagimin e kolektivit, i cili kritikon mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave.

    Organizatorët kanë paralajmëruar gjithashtu veprime protestuese edhe në ditët në vijim, duke përmendur Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Policinë dhe Qeverinë si institucione para të cilave synojnë të protestojnë.

    “Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara. Na u bashkoni!”, thuhet në thirrjen e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.