ATV

Tag: Arian Zeka

  • Zeka: Masat e BE-së po ndikojnë në njohje të reja e anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare

    Zeka: Masat e BE-së po ndikojnë në njohje të reja e anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare

    Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka në një intervistë për Ekonomia Online tha se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) përveç që janë duke e dëmtuar Kosovën nga aspekti monetar, po e dëmtojnë vendin edhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

    Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet që të punojë në kryerjen e zotimeve të saja që këto masa të hiqen.

    Zeka ka potencuar se masat e BE-së janë duke ndikuar në reputacionin e vendit marr parasysh që Kosova është një vend i ri i cili është duke kërkuar njohje nga vendet e tjera dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, dhe këto masa sipas tij, janë duke i shkaktuar pasoja vendit në këtë aspekt.

    “Përtej aspektit monetar, përtej humbjeve që Kosova ka nga mos përfitimi i asistencës se BE-së, qoftë asistencës direkte monetare apo edhe asaj që ofrohet në formë teknike, ndikimi me negativ i këtyre masave është te imazhi i vendit, te reputacioni i tij. Një shtet i ri i cili është në kërkim të njohjeve të reja edhe nga shtetet individuale anë e mbanë botës, po të njëjtën kohë përpiqet që të siguroj anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare, pa shmangshëm se ballafaqohet me pasoj momentin kur dikush kupton që Kosova po i nënshtrohet masave të cilat vijnë nga BE-ja”, tha Zeka.

    “Njerëzi po nuk bënë një analize të detajuara ata do të vënë fajin ose përgjegjësin kryekëput mbi institucionet e vendit edhe mbi shtetin e Kosovës në këtë aspekt. Po e them edhe një herë përtej humbjes së përfitimeve monetare, ajo që rendon më shumë mbi Kosovën është mbi imazhin e vendit”, është shprehur Zeka.

    Drejtori i OEAK-ut ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është duke i kryer zotimet e saja më të cilat është ngarkuar, kjo është arsyeja që sipas tij këto masa nuk janë duke u hequr.

    “Po nëse institucionet e BE-së në këtë rast e ngarkojnë me përgjegjësi qeverinë e Kosovës për mungesë të konstruktivitetit në dialog edhe mos zbatim të disa prej zotimeve të cilat shteti i Kosovës i ka marr në dialog me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja atëherë pashmangshëm se përgjigjja duhet kërkuar aty. Pra te mos kryerja e atyre zotimeve të cilat shteti i Kosovës i ka marr”, ka thënë ai.

    Zeka ka kritikuar Qeverinë edhe për moszbatim të disa prej marrëveshjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik e të cilat janë arritur në vitin 2017-2019 nga qeveritë e kaluara.

    “Të jemi i sinqerte ne shpesh herë e themi brenda Odës Amerikane se disa prej vendimeve të cilat kanë të bëjnë në zhvillimin ekonomik e cilat janë marr nga qeveritë në të kaluarën, në vitin 2017, 2018, 2019 e tutje, do të thotë hidhen poshtë nuk zbatohen. Pra po flasim edhe për zotime të cilat në ja bëjmë vetës sonë e cilat qeveritë e tjera zgjedhin që të mos i marrin parasysh. E njëjta duke se po përsëritet edhe në raport me partnerët ndërkombëtar”, ka përfunduar ai.

  • Oda Amerikane për vendim ndaj Klanit: Shkel dispozitat ligjore, mesazh shqetësues për bizneset e investitorët

    Oda Amerikane për vendim ndaj Klanit: Shkel dispozitat ligjore, mesazh shqetësues për bizneset e investitorët

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova. Ky vendim jo vetëm që shkel dispozitat e Ligjit për Shoqëritë Tregtare por dërgon një mesazh shqetësues për komunitetin e biznesit dhe investitorët potencialë. Si përfaqësues të komunitetit të biznesit amerikan në Kosovë, ne besojmë fuqishëm në respektimin e parimeve të praktikave të drejta dhe transparente të biznesit, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të bizneseve që operojnë brenda vendit.

    Pezullimi arbitrar i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ngre shqetësime për stabilitetin dhe parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit në Kosovë. Veprime të tilla gërryejnë besimin e komunitetit të biznesit, si vendor ashtu edhe ndërkombëtar, dhe dekurajojnë investimet. Vendimi bie ndesh me parimet e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i cili synon të krijojë një mjedis të favorshëm për bizneset për të lulëzuar, kontribuar në ekonomi dhe për të krijuar mundësi punësimi.

    Ky vendim nxjerr në pah nevojën për një gjyqësor të pavarur dhe procedura transparente ligjore. Vendimi i Ministrisë për të pezulluar certifikatën pa arsyetimin e duhur ose pa një proces të rregullt ligjor cenon sundimin e ligjit. Është thelbësore që çështjet ligjore, si pezullimi i certifikatave të regjistrimit të biznesit, të trajtohen përmes proceseve të drejta dhe transparente, duke siguruar që bizneset të kenë mundësinë të mbrojnë interesat e tyre dhe të trajtojnë çdo shqetësim në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme.

    Po ashtu pezullimi i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ka implikime më të gjera për lirinë e mediave dhe mbrojtjen e pavarësisë së gazetarisë. Mediat luajnë një rol kritik në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe demokracisë. Çdo veprim që kufizon funksionimin e organizatave mediatike i minon këto parime dhe ngre shqetësime për gjendjen e lirisë së shtypit në Kosovë. Vendimi krijon një precedent shqetësues dhe mund të pengojë mediat e tjera të raportojnë lirisht dhe objektivisht.

    Në përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova. Respektimi i parimeve të Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe sigurimi i një mjedisi biznesi transparent dhe të parashikueshëm janë jetike për nxitjen e rritjes ekonomike dhe tërheqjen e investimeve. Për më tepër, ruajtja e lirisë së medias dhe promovimi i pavarësisë gazetareske janë thelbësore për një demokraci të qëndrueshme. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë që ta korrigjojë këtë situatë, të rikthejë besimin në komunitetin e biznesit dhe të riafirmojë përkushtimin e saj për respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të bizneseve në Kosovë.

  • Zeka: Kosova po dështon në tërheqjen e investimeve të huaja

    Zeka: Kosova po dështon në tërheqjen e investimeve të huaja

    Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se vendi i tij prej vitesh po dështon në aspektin e tërheqjes së investimeve dhe jo vetëm nga korporatat serioze. Shkak sipas tij është mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi.

    Zoti Zeka thotë se megjithëse vëllimi i investimeve të huaja direkte në vend ka shënuar rritje, paratë po hidhen kryesish në sektorë që nuk krijojnë vendeve të qëndrueshme pune sikurse ai i pasurive të patundshme. Zoti Zeka thotë se Oda Amerikane e Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që të marrin me seriozitet përmbushjen e të gjitha detyrimeve, të cilat i kanë marrë përgjatë viteve, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të shumta për normalizimin e marrëdhënieve.

    Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës zoti Zeka flet dhe mbi planet e qeverisë e Kosovës për themelimin e atij që do njihet si Fondi Sovran, nëpërmjet të cilit synohet që të merren në pronësi, pasuri strategjike të vendit, sikurse kompleksi metalurgjik i Trepçës, telekomi dhe korporata energjitike e Kosovës.

    Por zoti Zeka thotë se kjo nuk është forma e duhur për t’i kthyer këto kompani në fitimprurëse. Sipas tij zgjidhja do të ishte privatizimi i këtyre ndërmarrjeve publike, si forma e vetme për rivitalizimit e tyre. Me drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, bisedoi gazetarja e Zërit të Amerikës Menada Zaimi.

    Zëri i Amerikës: Zoti Zeka, zhvillimet politike në Kosovë që lidhen me çështjet e pazgjidhura me Serbinë kanë lënë në hije çështje të tjera. Sipas vlerësimeve të Odës që ju drejtoni, si po reflektohet kjo tek ekonomia, tek investimet e huaja, dhe më konkretisht ato amerikane?

    Arian Zeka: Në aspektin e perceptimit apo në aspektin se si e shohin investitorët e huaj, në radhë të parë ata amerikanë, apo edhe investitorë të tjerë të huaj, në kushtet e mungesës të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, besoj se nuk ka nevojë të komentohet shumë. Për vite me radhë realisht Kosova dështon në aspektin e tërheqjes së investimeve jo vetëm nga korporatat serioze, por edhe korporatat në përgjithësi, dhe atyre amerikane. Thjesht duket sikur nuk jemi fare në hartë kur vjen puna për tërheqjen e investimeve. Për hir të së vërtetës, vëllimi i investimeve të huaja direkte në vend ka shënuar rritje. Por nëse analizohet struktura se ku ndodhin këto investime, shohim se janë në sektorin e pasurive të patundshme dhe në ndërtimtari.

    Atëherë fare lehtë mund të dalim në përfundimin se bëhet fjalë për investime të pjestarëve të diasporës në sektorin e pasurive të patundshme. Rrjedhimisht nuk flasim për krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Megjithatë, Kosova ka nevojë që të tërheqë investime në sektorët të cilët krijojnë vende pune afatgjata dhe ndikojnë në zhvillimin e qendrueshëm ekonomik. Rrjedhimisht, në mungesë të një politike që çon përpara bashkëpunimin ekonomik rajonal, krijimin e një hapësire tregtare të përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në këtë aspekt problemet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që bëjnë të pamundur funksionimin e plotë të një ekonomie rajonale, ose të një bashkëpunimi ekonomik rajonal. Oda Amerikane vazhdimisht i bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë që të marrin me seriozitet përmbushjen e të gjitha detyrimeve, të cilat i kanë marrë përgjatë viteve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të shumta për normalizimin e raporteve.

    Zëri i Amerikës: Kosova është përballur me ndikime nga faktorë të jashtëm siç është lufta në Ukrainë, çfarë ka rezultuar në një shkallë të lartë të inflacionit, e për rrjedhojë në rritje të koston e jetesës së qytetarëve. Kur mund të presë Kosova një fillim stabilizimi të çmimeve dhe si mund të arrihej një gjë e tillë?

    Arian Zeka: Ajo që ndodh në rrafshin global është se ka një rënie të lehtë të shkallës së inflacionit, po flas në nivel botëror, si Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera. Edhe ne në mënyrë të pashmangshme prekemi nga zhvillime të tilla. Ajo që ndodh është se stabilizimi i inflacionit deri diku ndodh edhe për shkak të rënies të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Në aspektën e brendshëm, në tregun e Kosovës, kemi patur rritje të mëtejshme të çmimit të energjisë. Kur flasim për energjinë, në Kosovë i referohemi tërësisht energjisë elektrike sepse është burimi pothuajse i vetëm i energjisë në vend. Rritja e kostos së energjisë elektrike, do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në rritjen e kostos së operimit të bizneseve, bizneseve prodhuese e të tjerë. Kjo pastaj do të përçohet tek çmimet e konsumit, dhe standarti i jetesës në përgjithësi.

    Zëri i Amerikës: Zoti Zeka, qeveria e Kosovës ka paralajmëruar së fundmi themelimin e atij që do njihet si fondi sovran, i cili synon që të marrë nën pronësi pasuri strategjike të vendit, përmend këtu kompleksin metalurgjik të Trepçës, telekomin e Kosovës, korporatën energjitike të Kosovës. Dhe fondi do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre. A është kjo forma e duhur për t’i kthyer këto kompani në fitimprurëse?

    Arian Zeka: Pyetje jashtëzakonisht e drejtë….përgjigjja do të ishte fare thjesht “jo”. Dmth është një ndërhyrje e shtetit në sektorin financiar. Funksionimi i industrisë financiare në vend përgjatë viteve ndoshta ka qenë historia më e mirë me të cilin jemi mburrur brenda dhe jashtë vendit. Kemi një sektor financiar të shëndoshë dhe rrjedhimisht krijimi i një konkurence nga ana e shtetit, që ka natyrisht për burim taksat e qytetarëve dhe paratë e tatimpaguesve, natyrisht që nuk i bën mirë, as sektorit financiar, si të tillë, por paradoksialisht bie në kundërshtim me atë që drejtuesit aktualë të qeverisë, në të kaluarën, kur nuk kanë qenë pjesë e qeverisë, e kanë promovuar.

    Dmth, meqenëse juve përmendet disa prej ndërmarrjeve publike, nëse në të kaluarën është thënë që këto ndërmarrje nuk janë në pozitë të mirë financiare për shkak të keqmenaxhimit, atëherë i bie që rezultatet sot do të duhej të ishin pozitive pikërisht për shkak të mirëmenaxhimit, nëse mund të them kështu, dhe jo për shkak të krijimit të mekanizmave të veçantë të mbështetjes financiare për to. Në të njëjtën kohë, kjo i cënon edhe parimet e konkurencës së lirë në Kosovë dhe po flasim për një dispozitë kushtetuese meqenëse në një mënyrë, trajtimi i ndërmarrjeve publike bëhet në mënyrë të ndryshme nga ndërmarrjeve private dhe i vë këto ndërmarrje publike në një pozitë shumë më të favorshme, sidomos kur bëhet fjalë për qasjen në financa.

    Zëri i Amerikës: Fakt është që ato nuk janë fitimprurëse. Ju thoni që formula e shtetëzimit të tyre nuk do të funksiononte. Çfarë duhet të ndodhë? Të privatëzohen?

    Arian Zeka: Ato janë të shtetëzuara momentalisht, por ajo që po synohet të jepet përmes fondit sovran është edhe qasje e privilegjuar në financa, domosdoshmërisht me kushte më të favorshme besoj se sa kushtet në të cilat ofrohen institucionet financiare private në vend. Çfarë duhet të ndodhë me to natyrisht është privatizimi. Oda Amerikane ka vite që kërkon edhe promovon me të madhe idenë e privatizimit të ndërmarrjeve publike. Kjo është forma e vetme e rivitalizimit të tyre, sjelljes së jo vetëm mundësive të reja financiare, por në të njëjtën kohë edhe të përmirësimit të praktikave të menaxhimit, edhe të sjelljes së njohurive të reja nga ana e investitorëve privatë.

    Zëri i Amerikës: Zoti Zeka, sipas një raporti të Odës që ju drejtoni, të muajit mars, një pjesë e bizneseve e shohin korrupsionin në vend një problem tejet kritik. Nëse do të bënit një krahasim me vitet e shkuara, a ka pësuar ndonjë ndryshim për sa i përket perceptimit të korrupsionit?

    Arian Zeka: Për shembull, në vitin 2021, në aspektin e perceptimit, pati një rënie të perceptimit të korrupsionit në institucionet qeveritare. Duket që raporti i vitit 2022 megjithatë tregon që ka sërish një rritje të ndjeshme të perceptimit të korrupsionit në institucionet qeveritare. Meqenëse po flasim për një studim, ne në Odën Amerikane jemi munduar që të japim edhe argumentet hipotetike sepse ndodh kjo. Megjithatë periudha 2020-2021 ka ndikuar që të ketë zhvendosje të prioriteteve, edhe të investimeve, edhe të shpenzimit të parave të tatimpaguesve.

    Duket që viti 2022 megjithatë ka sjellë një rikthim tek investimet kapitale, megjithëse jo në masën e plotë, së paku jo nëse flasim për nivelin qendror. Edhe në këtë aspekt, komunat edhe qeveria e vendit, kanë shënuar një ngritje për sa i përket renditjes së tyre për prani të korrupsionit në sytë e bizneseve në vend. Ka një lidhje direkte ndërmjet perceptimit për korrupsion dhe aktiviteteve të prokurimeve publike dhe kjo është diçka që e karakterizon vendin tash sa vite.