ATV

Tag: Arbër Sejdiu

  • Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu dalin para Gjykatës së Apelit, mediat largohen nga seanca gjyqësore

    Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu dalin para Gjykatës së Apelit, mediat largohen nga seanca gjyqësore

    Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani në gusht të vitit 2021 kanë dalë sot, para kolegjit të Gjykatës së Apelit.

    Seanca e cila nisi pak minuta pas orës 10:00 u mbyll për publikun, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe veprës penale të dhunimit.

    Në këtë seancë, pritet të shqyrtohen ankesat e palëve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për të akuzuarit Krivaça dhe Sejdiu.

    Kujtojmë se me burgim të përjetshëm ishte dënuar Dardan Krivaça, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje, vendim ky i shpallur nga Gjykata Themelore në Ferizaj, më 4 gusht të vitit 2023.

    Ndryshe, vendimi ndaj të akuzuarve Krivaça e Sejdiu, u shpall pothuajse 2 vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit.

    Marigona, 18 vjeçe, u vra më 22 gusht të vitit 2021. Krivaça e Sejdiu e kishin lënë atë pa shenja jete te dyert e spitalit të Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Marigona ishte keqtrajtuar për më shumë se 72 orë. Gjykimi për vrasjen e saj filloi më 12 korrik të vitit të shkuar./atvlive.tv/

     

  • Vrasja e Marigona Osmanit, Krivaça dhe Sejdiu do të dalin edhe njëherë para gjykatës

    Vrasja e Marigona Osmanit, Krivaça dhe Sejdiu do të dalin edhe njëherë para gjykatës

    Me burgim të përjetshëm ishte dënuar Dardan Krivaça, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje, vendim ky i shpallur nga Gjykata Themelore në Ferizaj, më 4 gusht të këtij viti.

    Mirëpo, ndaj këtij vendimi, është ankuar pala e të akuzuarve, me ç’rast Krivaça dhe Sejdiu, do të dalin edhe njëherë para gjykate, veçse kësaj radhe në Gjykatën e Apelit, në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të siguruar nga ATV-ja, ballafaqimi i Krivaçës dhe Sejdiut me gjykatën, do të jetë me datë 11 janar 2024, me fillim nga ora 10:00.

    “Njoftoheni që me datë 11.01.2024, në ora 10:00 në Gjykatën e Apelit-Pallati I Drejtësisë në Hajvali objekti 11D, është caktuar seanca e kolegjit në çështjen penale kundër të akuzuarit Dardan Krivaça për shkak të veprës penale dhunim nga neni 227 par.4 nënpar.4.1 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale të bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.3 dhe 1.4 të KPRK-së, si dhe kundër të akuzuarit Arbër Sejdiu për shkak të veprës penale ndihmë në kryerjen e dhunimit nga nen 227 ar.4 nënpar.4.1 lidhur me par.1 dhe nenin 33 të KPRK-së dhe e veprës penale të bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, duke vendosur sipas ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj”, thuhet në dokument.

    Ndryshe, vendimi ndaj të akuzuarve Krivaça e Sejdiu, u shpall pothuajse 2 vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit.

    Marigona, 18 vjeçe, u vra më 22 gusht të vitit 2021. Krivaça e Sejdiu e kishin lënë atë pa shenja jete te dyert e spitalit të Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Marigona ishte keqtrajtuar për më shumë se 72 orë. Gjykimi për vrasjen e saj filloi më 12 korrik të vitit të shkuar./atvlive.tv/

  • Burgimi i përjetshëm ndaj Krivaqës, reagon ​Osmani: Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital

    Burgimi i përjetshëm ndaj Krivaqës, reagon ​Osmani: Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Ferizaj shpalli aktgjykim dënues për dy të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit. Ajo ka thënë se dhuna nuk do të tolerohet dhe se femicidi do të ndalet.

    Duke shkruar për dënimin e sotëm, Osmani ka thënë se ky duhet të jetë mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet.

    “Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital. Ashtu siç u dënua sot vrasësi e torturuesi i Marigona Osmanit. Le të jetë ky një mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet. Dhuna nuk do të tolerohet! Femicidi do të ndalet”, ka shkruar Osmani.

    Për vrasjen e Marigona Osmanit, Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, për veprën penale “vrasje e rëndë”.

    Ndërkaq, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë”.

    Të njëjtit janë liruar nga akuza për veprën penale “dhunim”.

  • Vrasja e Marigona Osmanit: Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim

    Vrasja e Marigona Osmanit: Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim

    Me burgim të përjetshëm është dënuar Dardan Krivaqa, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje.

    Kështu ka vendosur sot Gjykata Themelore në Ferizaj, duke i shpallur ata fajtor për veprën penale “Vrasje”, ndërsa i ka liruar ata nga akuza për dhunim, meqë nuk është provuar se është kryer vepra penale.

    Kur gjykatësi ia shqiptoi dënimin Krivaqës u dëgjuan thirrje nga të pranishmit, derisa vendimi u duartrokit.

    Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021.

    Ndërkohë, para fillimit të seancës gjyqësore ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, mbajti aksion simbolik para Gjykatës së Ferizajt.

    Protestues me pankarta në duar, kërkuan dënim maksimal për të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Përfaqësuesja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Bjeshkë Guri, deklaroi se nuk mund të lejojnë që Marigona të vritet për herë të dytë nga shteti.

    “Jemi mbledhur këtu në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit. Për të mos lejuar që padrejtësia për Marigonën të vazhdojë edhe për së vdekuri. Jemi mbledhur këtu meqë jemi dëshmitarë që gjykatat në Kosovë kanë amnistuar vazhdimisht burrat që kanë vrarë gratë, duke i lënë të lirë e me dënime shumë të ulëta. Krivaqa dhe Sejdiu e vranë Marigonën me 22 gusht 2021, e sot kur po i afrohemi dy vjetorit të vrasjes së saj nuk mund të lejojmë që ajo të vritet nga shteti për herë të dytë, nuk mund të qëndrojmë të qeta derisa kjo gjykatë e çdo institucion tjetër shtetëror të rreshtohet në anën e grave”, tha ajo.

    Ajo shtoi se nga vendimi i sotëm presim dënim maksimal, ani pse janë skeptik për një gjë të tillë.

    “Ne kemi theksuar që nga kjo gjykatë duam asgjë më pak së dënime maksimale për Krivaqën e Sejdiun. E nga këtu qojmë mesazhe për çdo institucion që t’i mbrojë gratë para se të jetë shumë vonë edhe prap theksojmë se shteti duhet ta trajtojë femicidin si urgjencë shtetërore”, shtoi ajo.

  • Vrasja e Marigona Osmanit, sot merret vendimi për Krivaqën dhe Sejdiun

    Vrasja e Marigona Osmanit, sot merret vendimi për Krivaqën dhe Sejdiun

    Gjykata Themelore në Ferizaj sot (e premte) do të mbajë seancën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

    Seanca do të mbahet në ora 11:00 dhe do të jetë e hapur për publikun.

    Para fillimit të seancës, në ora 10:30 para objektit të Gjykatës së Ferizajt do të mbahet një protestë të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist “për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit”.

    “Dhuna mizore të cilën e ushtroi Krivaqa me ndihmën e Sejdiut ndaj Marigonës deri kur e vrau dhe humbja e saj na e bën të pamundur të harrojmë. Ne nuk mund të harrojmë që Marigona do të mund të ishte gjallë sot nëse shteti do ta mbronte me kohë atë. Të indinjuar/a e me shumë dhimbje, ne mblidhemi këtë të premte dhe thërrasim në drejtësi për Marigonën”, thuhet në njoftimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

    Përndryshe, gjatë kësaj jave është zhvilluar seanca gjyqësore për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit. Avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, ka kërkuar burg të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.

    Në këtë seancë fjalën përfundimtare e dha prokurori i rastit, Valdet Avdiu, i cili ka bërë një përmbledhje nga seancat e kaluara, dëshmitarët dhe provat.

    Pas tij, fjalën përfundimtare e pati avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, i cili ka thënë se të akuzuarit Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu të dënohen me burgim të përjetshëm.

    Rexhepi ka thënë se deklaratat e Sejdiut nuk përputhen me provat e gjetura në vendin e ngjarjes ku u vra dhe u dhunua Marigona Osmani.

    Avokati theksoi se në video-incizimet e siguruara pamjet janë të tmerrshme.

    Sipas aktakuzës, “I pandehuri Dardan Krivaça, me 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në Ferizaj, pa pëlqim e saj e detyron të ndjerën Marigona Osmani për të kryer marrëdhënie seksual, e cila përcillet me tortura, në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj kryen marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e dërgon në banjo, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup”.

    “Nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejtë nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”.