ATV

Tag: Arben Vitia

  • Ministri Vitia për ATV-në: Numri i policëve brenda QKUK-së do të shtohet

    Ministri Vitia për ATV-në: Numri i policëve brenda QKUK-së do të shtohet

    Përgatiti: Sara Shehu

    Vetëm gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, në hapësirat e QKUK-së janë raportuar 128 raste të konflikteve fizike, vjedhje e shkelje të ndryshme, tregojnë të dhënat e Policisë.

    Sipas nënkryetarit të Shoqatës Sindikale të QKUK-së, incidentet e tilla ndodhin për shkak të keqmenaxhimit nga institucionet relevante.

    “Problemi është tek institucionet, këto raste nuk do të ndalen derisa të gjendet një model se si të komunikojë familjari i pacientit me mjekun. Në Urologji në vitin e kaluar kemi pas një therje të një infermieri nga një familjar, pasi sipas familjarit komunikimi ka qenë jo i denjë. Po ashtu, në klinikën e Radiologjisë kemi vizita ambulantore, dhe ka raste të ndryshme kur ballafaqohemi me familjarë që për shkak se u themi me ble barna, sepse institucioni nuk mund t’i sigurojë, përdorin një metodë të keqe të sjelljes. Pra mungesat elementare duke filluar nga barnat e kushtet po i sjellin këto incidente brenda QKUK-së”, tha nënkryetari i Shoqatës Sindikale të QKUK-së, Agron Kryeziu.

    Përpos sulmeve ndaj stafit mjekësor, në zënkat nëpër korridore të klinikave shpesh është përfshirë edhe stafi i sigurisë. Janë së paku 270 punëtorë të cilët mbajnë rendin, por sipas njohësve të sigurisë puna e tyre pa kamera është më e komplikuar.

    “Sa i përket mosmonitorimit të kamerave të sigurisë në QKUK, unë mendoj se është një problematikë me të cilën do të duhej të merrej menaxhmenti i ri i SHSKUK-së. Sepse nuk duhet të lejohet që në disa pjesë të mos ketë kamera të sigurisë”, tha Drizan Shala, njohës i sigurisë.

    Sipas SHSKUK-së, vetëm 50% e hapësirës monitorohet nga kamerat.

    E për të evituar cenimin e sigurisë në çfarëdo forme brenda institucionit më të madh të shëndetit publik në vend, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi se planifikohet shtimi i numrit të policëve brenda hapësirave të QKUK-së.

    “Për kapacitetet e sigurisë, rreth dy javë më herët kam biseduar me Xhelal Sveçlën dhe drejtorinë e Policisë, kam kërkuar ndihmë në aspektin e sigurisë dhe ndihmave të tjera për nivelin e rregullsisë në QKUK. Pra kam kërkuar shtimin e numrit të policëve brenda oborrit të QKUK-së. Kështu tentojmë me këtë plan të minimizojmë konfliktet dhe kanosjet që po ndodhin brenda QKUK-së”, tha Vitia.

    Sipas të dhënave të Policisë, numri i incidenteve të dhunshme gjatë këtij viti, ishte më i lartë krahasuar me vitin 2022, kur u shënuan vetëm 26 raste.

  • ​Vitia: Për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesemi nga buxheti i shtetit

    ​Vitia: Për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesemi nga buxheti i shtetit

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesen nga buxheti i shtetit.

    Vitia në seancën e sotme të Kuvendit, tha se janë duke diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje që zyrtarët policorë të kenë kontrolle sistematike në të gjitha institucionet shëndetësore.

    Ai tha se në kuadër të kësaj marrëveshjeje policët do të jenë prioritet si në lista të pritjes ashtu edhe në intervenime të ndryshme.

    Derisa paralajmëroi se marrëveshje të tilla do të bëhen edhe me FSK-në dhe zjarrfikësit.

    “Për shëndetin e zyrtarëve policorë do të kujdesemi ne nga buxheti i shtetit. Prej kohësh, jo vetëm në këtë rast bashkë me ministrin Sveçla kemi filluar bisedimet sesi ta bëjmë këtë më së miri. Para disa javësh janë takuar drejtori i ShSKUK-së dhe drejtori i Policisë ku janë formuar grupet punuese dhe është duke u bërë një marrëveshje që të gjitha kontrollet sistematike të kryhen brenda institucioneve shëndetësore… Në këtë marrëveshje do të bëhen edhe prioritetizimi në lista të pritjes apo intervenime të tjera të të gjithë zyrtarëve policorë. Po ashtu edhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për të gjitha sëmundjet që nuk trajtohen në institucionet publike do të marrë përgjegjësinë që me prioritet të vendos Policinë si përfitues të parë në bazë të kësaj marrëveshjeje. Menjëherë pas kësaj do të vazhdojmë marrëveshjen njësojë me FSK-në dhe zjarrfikësit dhe të gjithë ata që ruajnë rendin dhe sigurinë në vendin tonë”, theksoi ai.

    Kuvendi aktualisht ka shkuar në pauzë deri në orën 16:00, ku pritet të vazhdojë shqyrtimi i pikave të tjera që janë në rend të ditës.

  • Vitia krenohet me arritjet, “e gozhdojnë” qytetarët

    Vitia krenohet me arritjet, “e gozhdojnë” qytetarët

    Përgatiti: Armand Hoti

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, zgjodhi rrjetin social Facebook, që të proklamojë disa arritje në raport me ofrimin e shërbimeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    “Në janar 2023, në QKUK kishte vetëm 1 rezonancë magnetike dhe lista e pritjes ishte deri në 1 vit.

    Aktualisht:

    Një rezonancë magnetike e teknologjisë së fundit në spitalin e pediatrisë u shtua.

    U bë funksionale edhe një rezonancë magnetike në Spitalin Rajonal të Pejës.

    Në fazën e përfundimtare procesi për rezonancën magnetike në Spitalin e Prizrenit.

    Në gusht 2023, asnjë rast urgjent për pacientët pediatrikë dhe onkologjikë nuk qëndron në pritje.

    Lista për rastet e tjera tashmë ka rënë në 4 muaj. E po vazhdon të bjerë.

    Vazhdojmë së bashku me stafin mjekësor punën për transformimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët tanë.

    Sfidat janë të shumta, por edhe më të mëdha janë dhe përpjekjet”, ka shkruar Vitia në facebook.

    Mirëpo, disa nga komentuesit në postimin e ministrit Vitia, nuk janë fare të kënaqur me atë që QKUK-ja ofron për pacientët.

    Duke publikuar disa fotografi, ata pasqyruan gjendjen e keqe në spitalet publike të vendit.

    Qytetarët nuk e kursyen opsionin e komentimit për t’i ndarë eksperiencat e tyre të parit të shëndetësisë.

    Sa u takon listave të pritjes, një komentues e ftoi ministrin Vitia që të tentojë ta aranzhojë një termin për vete e ta vërtetojë se sa gjatë do të presë.

    “Dr. Arben Vitia bone ni termin edhe kqyre sa pret, po jo ne emrin tond!! E dyta ku janë sigurimet shëndetësore qe patet premtu do e funksionalizoni!! Per 1 Koronagrafi njerëzit po presin ka 1-2 vite etj etj … Grahi punes se shkoj populli posht!!”, ia kthen Muharrem Goleshi, komentues.

    Një komentuese tjetër, shprehet se pritjet e gjata po i detyrojnë pacientët të orientohen në klinikat private.

    “Ju mund ti beni funksionale, ama duhet me prit deri 1 vit qe ato me qene ne sherbim te qytetareve. Shume procedura te ngadalshme. Mandej po detyrohemi me shku privat mi kry keto sherbime, fatkeqesisht! E mos pyt per ata qe nuk i kane mundesite! Situate deshperuese!”, i reagon Nazmie Braimaj, komentuese.

    Për dikë, shqetësuese janë pritjet e stërzgjatura për operacione në Klinikën e Ortopedisë.

    “Pritjet ne ortopedi per operacione tash jan te 2019 e ti flet per suksese!”, i shkruan Timja Bl, komentuese.

    Kurse, dikush nuk është i sigurt për të ardhmen e repartit të emergjencës.

    “Emergencen a pe boni muze a kur doni me perfundu?”, ishte reagimi i Edi Rrahmanit, komentues.

    Ndërkohë, pati edhe komentues të cilët i dëshiruan ministrit Vitia punë të mbarë.

  • Pritet publikimi i planit të sistemit informativ shëndetësor

    Pritet publikimi i planit të sistemit informativ shëndetësor

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Funksionimi i një data baze me të dhënat e pacientëve në Sistemin Informativ Shëndetësor në Kosovë ka filluar të testohet qysh nga viti 2011, fillimisht në Qendra të Mjekësisë familjare.

    Faza fundit që parashihte implementimin e këtij sistemi, përfshirë edhe spitalet, synohej që të realizohej deri në vitin 2020, mirëpo, as deri tash, në vitin 2023, ky sistem nuk u funksionalizua.

    Megjithatë Ministri i Shëndetësie Arben Vitia për ATV thotë se drafti i studimit të fizibilitetit për SISH ka përfunduar.

    Sipas Vitisë, pas publikimit të draftit, do të fillojë puna që çon tutje çështjen e funksionalizimit të Sistemit Informativ Shëndetësor.

    Në Prishtinë, edhe pse ky sistem ka filluar së funksionalizuari që nga viti 2019, në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare, në disa prej tyre herë pas here ka probleme.

    Në vitin 2010, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka hartuar dhe aprovuar strategjinë për Sistemin Informativ Shëndetësor në Kosovë 2010- 2020.

    Por, deri tash këtë sistem e kanë funskional vetëm disa Qendra të Mjeksisë Fmailjare në komuna të ndryshme, dhe asnjë spital.

  • Borxhet e FSSh-së i lënë pacientët pa shërbime shëndetësore, Vitia: Do të bëhet një plan

    Borxhet e FSSh-së i lënë pacientët pa shërbime shëndetësore, Vitia: Do të bëhet një plan

    Borxhi prej rreth 30 milionë eurove i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore karshi institucioneve private në vend dhe atyre jashtë vendit, po i lë pacientët pa marrë trajtim shëndetësor për mjekimin që nuk po mund ta marrin në institucionet publike në vend. Kjo po ndodh pasi që fletë-zotimet e lëshuara nga FSSH nuk po njihen nga këto spitale për shkak të borxheve të papaguara.

    Shoqata për të Drejtat e Pacientëve kërkon që sa më shpejt institucionet përgjegjëse të gjejnë një zgjidhje për pagesën e këtij borxhi, pasi pacientët vetëm sa po varfërohen, duke u munduar t’i sigurojnë vetë mjetet për shërim.

    Ndërsa, nga Fondi për Sigurime Shëndetësore thonë se si institucion nuk kanë mjete për shlyerjen e këtij borxhi milionësh, ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaron se do të bëhet një plan për këtë çështje bazuar në evidenca.

    Kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra deklaron për KosovaPress se pacientët e Kosovës po pësojnë nga këto telashe financiare që i ka Fondi për Sigurime Shëndetësore.

    Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri deklaron se tashmë kanë themeluar një Komision që ka për obligim evidentimin e borxheve, të cilat Fondi i ka në spitalet private e publike jashtë vendit.

    Edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të FSSH-së, Bujar Kaçuri pranon se ka raste kur spitalet ndaj të cilave ka borxhe Fondi, pacientëve nuk po ua pranojnë fletë-zotimet e lëshuara nga ky institucion.

    Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke mos dhënë ndonjë afat se kur mund të bëhen këto pagesa deklaron për KosovaPress se kanë takuar spitalet ndaj të cilave Fondi ka borxhe dhe tashmë po presin evidencat e një grupi punues në bazë të të cilave do të hartohet edhe plani për shlyerjen e këtyre borxheve.

    Vitin e kaluar për shkak të dyshimeve për keqpërdorim dhe keqmenaxhim për trajtimin e pacientëve në klinikat private jashtë vendit, kryesisht në Turqi. Bordi i Fondi e ka shkarkuar nga detyra e drejtorit të Fondit, Fatmir Plakiqin./kp

  • Një person vdes nga Covid-19, në ditën kur qeveria heq emergjencën shtetërore

    Një person vdes nga Covid-19, në ditën kur qeveria heq emergjencën shtetërore

    Në ditën kur Qeveria hoqi gjendjen e emergjencës shtetërore ndaj pandemisë Covid-19, një person vdiq pikërisht pas infektimit me këtë virus.

    Ani pse Ministria e Shëndetësisë propozoi këtë vendim me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ishte vetë IKSHPK-ja që njoftoi për një vdekje nga Covidi, në javën e fundit.

    “MSH-ja e propozoi këtë vendim pas rekomandimit të IKSHPK-së dhe deklaratës së OBSH-së, të datës 5 maj të këtij viti, se ‘COVID-19 nuk paraqet më tej emergjencë globale shëndetësore’. Këto 1 mijë e 164 ditë të emergjencës së shëndetit u tejkaluan me shumë sakrifica e mbi të gjitha me vetëmohim nga shumëkush”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Por rreziku në tërësi nga virusi nuk është se ka kaluar, pasi masat e mbikëqyrjes nga institucionet e shëndetësisë do të vazhdojnë edhe më tej, për aq sa të jetë e nevojshme.

    Sidoqoftë i pari i shëndetësisë nuk la pa falënderuar edhe qytetarët për bashkëpunimin e tyre me institucionet, duke thënë se falë kësaj Kosova ka arritur të evitojë shumë vdekje.

    “Duke marrë parasysh fragjilitetin e sistemit tonë shëndetësor, në atë kohë edhe mungesën e mjeteve bazike siç janë alkooli, dorezat dhe maskat, kjo ka qenë për ne shumë shqetësuese. Ne kemi qenë në kontakt me mekanizmat botërorë, vazhdimisht si me OBSh-në, dhe i kemi përshtatur konform situatës që ka qenë në Kosovë… Sinqerisht, bashkëpunimi i qytetarëve dhe vetëdija e tyre, unë nuk kam parë diçka të tillë në jetën time, s’kemi parë asnjëherë një sfidë të tillë si pandemia COVID-19, dhe falë tyre është respektuar në mënyrë të tillë që mendoj se janë parandaluar shumë infeksione, të cilat kishin qenë potencialisht edhe me përfundim fatal”, tha Vitia.

    Qe nga fillimi i pandemisë, 3.217 qytetarë kanë vdekur si pasojë e infektimit me këtë virus, derisa rreth 274 mijë qytetarë kanë qenë të infektuar. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon ë poshtë:

  • ​Vitia: Së shpejti rezonanca magnetike dhe investime të shumta në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit

    ​Vitia: Së shpejti rezonanca magnetike dhe investime të shumta në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do ta furnizojë Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit me rezonancën magnetike, e cila do të jetë në dispozicion për banorët e Komunës së Prizrenit, por edhe të banorëve të komunave përreth.

    Vitia i bëri këto komente pas vizitës në këtë spital, të cilin e vizitoi bashkë me zv/ministrin Arsim Berisha, të shoqëruar nga u.d drejtoresha e ShSKUK-së, Narqize Arenliu – Hoxhaj dhe zv/drejtori, Hasan Arzoallxhiu.

    Ministri Vitia theksoi intensifikimin e bashkëpunimit ngaqë, siç u shpreh, Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit është spitali më i madh regjional që ofron shërbime edhe për shtetasit e Shqipërisë.

    “Deri në muajin shtator ose tetor, spitali i Prizrenit do të pajiset edhe me rezonancën magnetike, një shërbim i munguar për qytetarët. Gjatë këtij viti do të përfundoj edhe pjesa e Kardiologjisë Invazive që do të ndikojë në shtimin e shërbimeve. Shërbimet e Kardiologjisë Invazive për herë të parë do të ofrohen në një spital regjional, e jo vetëm në QKUK. Shërbimet si koronografitë dhe stentimet do të mundësohen edhe në këtë spital. Një lajm tjetër i rëndësishëm është se tashmë janë bërë planifikimet që një pjesë e shërbimeve onkologjike të merren edhe në këtë spital. Forcimi i kapaciteteve të spitaleve regjionale, do shkarkojë edhe fluksin e kërkesave në QKUK”, tha ministri Vitia.

    Sipas ministrit Vitia, përpos investimeve që do të realizohen gjatë këtij viti, në kuadër të planifikimeve të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, janë planifikuar investime në projekte të cilat do të avancojnë shërbimet për qytetarët.

    Më pas ministri Vitia bashkë me zv/ministrin Berisha dhe udhëheqësit e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, vizituan hapësirën e repartit që në të ardhmen do të ofrojë shërbimet e Kardiologjisë Invazive, Repartin e Kirurgjisë, Qendrën për Dializë si dhe hapësirën ku do të vendoset rezonanca magnetike.

    Gjatë kësaj vizite, ministri Vitia u njoftua gjithashtu edhe për mbarëvajtjen e “Objektit spitalor për nënën dhe fëmijën” që ka për qëllim përmirësimin e kujdesit ndaj shëndetit të popullatës, veçanërisht të kujdesit ndaj shëndetit të nënës e fëmijës.

  • Vitia: Puna e infermierëve është boshti i një sistemi të fortë shëndetësor

    Vitia: Puna e infermierëve është boshti i një sistemi të fortë shëndetësor

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mori pjesë sot në simpoziumin e parë “Infermierët e bashkuar, një forcë për ndryshim”, i organizuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë”.

    Të pranishëm në këtë simpozium ishin kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori dhe anëtar të tjerë të odës.

    Me këtë rast, ministri Vitia falënderoi të pranishmit dhe theksoi se kjo ngjarje bashkon infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë të kujdesit shëndetësor për të shkëmbyer ide rreth zhvillimeve dhe përparimeve aktuale në fusha të cilat i përkasin në sferës së infermierisë.

    “Puna e infermierëve është boshti i një sistemi të fortë dhe të qëndrueshëm të kujdesit shëndetësor me qëllim që t’i përgjigjet në mënyrë efektive sfidave dhe me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më efikase për të gjithë qytetarët”.

    Po ashtu, ministri Vitia theksoi se roli i infermierëve është jetik në qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësorë.

    “Për ne si Ministri e Shëndetësisë është obligim që në vazhdimësi të investojmë në edukimin infermieror, të trajtojnë me seriozitet mungesën në rritje të infermierisë, të ofrojnë mjedise praktike pozitive dhe shpërblim të përshtatshëm, të sigurojnë barazi gjinore dhe të përfshijnë infermierët në vendimmarrje në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor”, tha ministri Vitia.

    Sipas një komunikate të MSh-së, qëllimi për sistemet e suksesshme shëndetësore është që të jenë në gjendje për të përshtatur, të avancohen dhe të jenë adaptibile. Këto janë ndër konceptet themelore për ndërtimin, zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e një sistemi shëndetësor.

  • Vitia: Shërbimet cilësore dhe të avancuara për pacientët janë objektiv i ynë

    Vitia: Shërbimet cilësore dhe të avancuara për pacientët janë objektiv i ynë

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bashkë me u.d drejtoreshën e SHSKUK-së, Narqize Arenliu – Hoxhaj mori pjesë sot në punëtorinë e organizuar nga Shoqata e Urologëve të Kosovës dhe Klinikës së Urologjisë ku për herë të parë në Kosovë u realizuan intervenimet laparoskopike, (nefrektominë radikale dhe cistën parapielike të veshkës).

    Me këtë rast, ai tha se do të jetë përkrahë profesionistëve shëndetësorë në secilën iniciativë, që do të mundësojë shërbime cilësore për pacientët, bazuar në standardet e njohura ndërkombëtare dhe praktikat më të mira mjekësore.

    “Tashmë në QKUK, në Klinikën e Urologjisë, falë angazhimit të profesionistëve shëndetësor janë funksionalizuar shërbimet laparoskopike, duke realizuar ndërhyrje e para, gjë që dëshmon se me hapa të vegjël, por të sigurt, bëhen ndryshimet e mëdha të cilat do të vulosen me punën e juaj, – brezave të rinj, që do të jeni specialistë në të ardhmen. Si Ministri e Shëndetësisë, mbesim të përkushtuar që në qendër të vëmendjes të jetë pacienti dhe shërbimet të cilat do t’i ofrohen. Trajnimi i stafit shëndetësor, furnizimi me pajisje dhe aparaturë moderne, mbeten një prej objektivave kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ai.

    Vitia, siç u bë e ditur në komunikatë, theksoi se sistemi i shëndetësisë është një prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, “gjë që dëshmohet edhe me rritjen e buxhetit që është më i larti deri më tani si dhe planifikimi për investime në vlerë të mbi 41 milionë euro në kuadër të Planit Strategjik për ngritjen e infrastrukturës dhe pajisjeve për kujdesin dytësor dhe tretësor”.

    “Këto intervenime u transmetuan në kohë reale në Qendrën e Telemjekësisë në ShSKUK, nga Salla e Operacioneve në Klinikën e Urologjisë – ShSKUK, ndërsa nga kjo përvojë patën mundësi të përfitojnë të gjithë profesionistët shëndetësorë nga spitalet e përgjithshme në qytete të ndryshme të Kosovës.”, u bë e ditur në komunikatë.

    Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin edhe profesorë nga “FIRAT University”, nga Turqia.

  • Emërohet Bordi i ri i ShSKUK-së

    Emërohet Bordi i ri i ShSKUK-së

    Me propozim të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Qeveria e Kosovë ka emëruar Bordin e ri të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

    Anëtarët e rinj të këtij Bordi drejtues janë Dren Boshnjaku, përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni nga Qendra Stomatologjike, Rrezarta Bajrami nga IKSHPK, Besim Demolli nga Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt, Vjosa Kadrolli nga Shërbimi i Kujdesit Parësor, Naim Bardiqi si përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe një ekspert i menaxhimit shëndetësor që zgjidhet përmes konkursit publik.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se Bordi drejtues si ShSKUK-së ka për detyrë të sigurojë mbarëvajtjen e gjithmbarshme të punëve të këtij institucioni shëndetësor.

    “ Bordi drejtues është organi më i lartë i ShSKUK-së dhe përbehet nga 7 anëtarë. Bordi drejtues ka për detyrë të siguroj mbarëvajtjen e gjithmbarshme të punëve të ShSKUK-së përfshirë aktivitetet shëndetësore, arsimore, kërkimore-shkencore si dhe aktivitetet e ndërlidhura financiare dhe administrative të njësive të tij organizative dhe funksionale me qëllim të orientimit të përgjithshëm të punëve të ShSKUK-së si dhe reagimit optimal të nevojave shëndetësore të qytetarëve dhe banorëve të Kosovës”, theksoi ai.