ATV

Tag: Andin Hoti

  • Komisioni qeveritar për persona të zhdukur prezanton raportin për 2023

    Komisioni qeveritar për persona të zhdukur prezanton raportin për 2023

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Normalizim të raporteve me Serbinë s’mund të ketë derisa ka mungesë të përgjigjes për vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur gjatë luftës, tha kryeministri Albin Kurti.

    Gjatë prezantimit të raportit për këtë vit të Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Kurti gjithashtu shtoi se çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, nuk është çështje statistikash, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar.

    “Shumë varre të hapura e të zbrazëta anekënd Kosovës që nuk i kemi më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë. Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktimat e këtij krimi të vazhdueshëm. Krim ky i cili e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre, duke qenë brengë e Kosovës, sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar”, tha Kurti.

    Derisa, gjatë këtij viti, respektivisht më 2 maj, Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – kanë arritur marrëveshje për një Deklaratë për Personat e Zhdukur, më shumë është gërmuar në Kosovë sesa në Serbi.

    “Personalisht vlerësoj që asnjë angazhim nuk është i mjaftueshëm përderisa ne ende vazhdojmë të kërkojmë për më të dashurit tanë tash e 24 vite. Në rrafshin vendor kemi gërmuar në 15 lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës. Kanë rezultuar me zhvarrosjen e 20 trupave dhe disa pjesë të tjera kockore”, tha kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti.

    Zbardhja e fatit të të zhdukurve është proces që ecën shumë ngadalë e sipas Qeverisë së Kosovës, faji qëndron te pala tjetër, e cila nuk është e gatshme për bashkëpunim.

  • Hoti njofton për gjetjen e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë gërmimeve të fundit në Prizren

    Hoti njofton për gjetjen e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë gërmimeve të fundit në Prizren

    Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, përmes një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE në ATV, e konfirmoi se pas gërmimit në varrezat e Arbanës së Prizrenit, kanë hasur në mbetjet mortore të një personi të zhdukur, që kanë qenë në kërkim.

    Ai tha se tani mbetet që rezultatet e ADN-së ta japin fjalën e fundit.

    “Ne, në Arbanë të Prizrenit, kemi qenë në kërkim të paktën të një personi të zhdukur që ka qenë pjesë e një grupi që ka qenë i zhdukur prej 11 personash prej kohës së luftës, prej krimeve të luftës dhe ta kemi parasysh kemi qenë në varrezat e Arbanës së Prizrenit, që ka qenë goxha sfiduese për ekipet tona për me i gjetë mbetjet mortore të këtij personi, por që fatmirësisht, kemi hasur në mbetje mortore që potencialisht, bazuar në ekspertët tanë, janë pikërisht të personit të zhdukur që ne kemi qenë në kërkim, por natyrisht rezultatet e ADN-së pastaj i verifikojnë”, tha Hoti.

    Ai tha se gjatë ditës së djeshme kanë qenë edhe në lagjen Tusuz të Prizrenit, pikërisht në varrezat e këtij vendit, ku dyshohet se janë disa persona që ende janë të zhdukur.

    “Menjëherë dje kemi qenë në lagjen Tusuz që është po ashtu në Prizren, në varrezat e këtij vendi dhe aty kemi shënjestru vendin, sepse aty dyshojmë se kemi disa persona të cilët janë ende të zhdukur dhe të cilët dyshojmë se janë pikërisht në ato varreza, por që do të jetë sfiduese sepse ato janë edhe varreza të natyrshme, por edhe varreza që mund të ketë persona të zhdukur”, njoftoi Hoti. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Hoti tregon pse Serbia s’po e respekton deklaratën për të zhdukurit me forcë

    Hoti tregon pse Serbia s’po e respekton deklaratën për të zhdukurit me forcë

    Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka akuzuar Serbinë se qëllimshëm po zvarrit zbatimin e deklaratës për të zhdukurit me forcë. Ai ka thënë se pala serbe po tenton të gjejë arsye për mos hapjen e arkivave dhe mos formimin e komisionit mbikëqyrës për të gjetjen e personave të zhdukur me forcë.

    Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, Hoti tha se po presin nga Bashkimi Evropian veprime konkrete ndaj Serbisë që ta bindë t’i hap arkivat.

    “Asnjë hap deri më sot nuk e ka ndërmarrë Serbia. Ne e njohim Serbinë dhe e dina se ajo nuk ka qenë e gatshme me marrë hapa, por neve po flas edhe si familjarë që na mbetet hatri edhe nga faktori ndërkombëtar që ata do të duhej të ishin që të kushtëzojnë Serbinë që ajo të përgjigjet për fatin e këtyre personave… Kanë qenë 40 ditë afat prej 5 majit kur është miratuar deklarata. Por ai afat është shtyrë, nuk e di për çka por supozojë për shkak të gjendjes në veri. Pastaj muajin e kaluar kemi qenë në Bruksel, kemi diskutuar, ka qenë edhe një afat tjetër 30 ditësh por që ende nuk kemi përgjigje prej BE-së në këtë rast. Me as sa di Serbia po tenton të luajë lojën e njëjtë, siç e ka bërë me deklaratën që e ka zvarrit për një term që tashmë eksiton. Kapet për çështje teknike terma teknike që mos të formohet komisioni dhe mbikëqyrja e deklaratës. Për këtë ende nuk kemi përgjigje nga BE-ja”, tha ai.

    Trysni më të madhe ndaj Serbisë kërkoi edhe kryetari i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, Ahmet Grajqevci.

    “Besoj se me një trysni më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian Serbia do t’i tregonte të gjithë të zhdukurit tanë se ku janë, qofshin në brendësi të Kosovës se ku janë fshehur apo në Serbi që ka ende varreza masive. Por ne e dina se një numër i madh deri në Prokuplje kanë shkuar të gjallë dhe nga aty nuk e dimë ku e kanë pas rrugëtimin e tyre dhe vendndodhjen e tyre”, deklaroi ai.

    Në anën tjetër, më kritik ndaj krerëve të institucioneve u shpreh kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, i cili tha se të njëjtit nuk po bëjnë sa duhet për çështjen e të pagjeturve.

    “U përmend një deklaratë që janë marrë vesh edhe në Bruksel dhe Ohër. U përmend që nuk është bërë asnjë hap për personat e pagjetur. Po përmenden shumë gjëra të cilat po na plagosin edhe më shumë plagët që i kemi se 25 vjet. Po flitet më 30 gusht, më 27 prill, në çdo cep të Kosovës ku ka përmendore dhe gjëra se Serbia ka faj. S’ka nxënës në shkollën fillore që e din se Serbia ka faj për këtë i kemi institucionet tona që me zgjedh problemet dhe me largu politika nga pjesa humane që kemi të drejtë në konventat ndërkombëtare. Kush paska faj, kush nuk po e shtynë procesin sa duhet. Çka duhet me fol Vjosa Osmani që me kallë mu politikë se çka flitet në bashkësinë evropiane. Unë dua të më tregoj konkret se çka ajo ka bërë për personat e pagjetur. Komisioni qeveritar është formuar për me na ndihmu jo me na majtë deklarata, pasi deklaratat e tyre janë mbetur në letër”, shtoi Qerkini.

    Nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, me rastin e shënimit të 30 Gushtit – Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë sot janë bërë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

    Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, në Kosovë vazhdojnë të mungojnë edhe mbi 1600 persona, të zhdukur me dhunë./KP/

  • Kosova i bën Serbisë kërkesë zyrtare për ndriçimin e fatit të të zhdukurve

    Kosova i bën Serbisë kërkesë zyrtare për ndriçimin e fatit të të zhdukurve

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti sot ka bërë të ditur se i ka drejtuar Serbisë një shkresë për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    Hoti ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga presidenti i Serbisë ka kërkuar të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave.

    Ai ka shtuar se shkresa e parë ka nisur me Drenicën, sepse siç ka shkruar ai, në Drenicë, Serbia ka filluar krimet massive ndaj popullit të Kosovës.

    “Në respektim të zbatimit të Deklaratës për persona të zhdukur, e miratuar në Bruksel, Republika e Kosovës pa humbur kohë ka filluar me kërkesat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Shkresa që po e publikoj këtu, është vetëm shkresa e parë drejtuar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës. Ne kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Kjo brigadë, përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës. Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur. Natyrisht që shkresa e parë fillon me Drenicën, sepse pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar.”, ka shkruar Hoti në Facebook.

  • ​Hoti flet për Deklaratën për të Zhdukurit: Nuk ekziston term ‘personat e zhdukur me dhunë’

    ​Hoti flet për Deklaratën për të Zhdukurit: Nuk ekziston term ‘personat e zhdukur me dhunë’

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Projektligji për Personat e Zhdukur është afër finalizimit, por nuk kanë arritur dakordim për të involvuar kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur.

    Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ai foli edhe për termin ‘personat e zhdukur me forcë’ në kuadër të deklaratës për të zhdukurit. Për këtë janë përplasur edhe deputetët e pozitës dhe opozitës.

    Më tej, ai tha se Serbia është pajtuar për qasje në dokumentacione, megjithatë nuk e din nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

    Kryetari Hoti tha se termi i vendosur në deklaratën e personave të zhdukur ka qëllim trajtimin e dinjitetshëm të tyre.

    “Termi ‘personat e zhdukur me forcë’ nuk ka ekzistuar askund. Nuk po them që nuk e kemi ditur se çfarë është, por nuk ka ekzistuar askund. Termin ‘personat e zhdukur me forcë’ e kemi futur në deklaratën e përbashkët të Brukselit. Ky term është refuzuar prej Serbisë prej shtatorit 2021 deri në prill kur e kemi pasur takimin e fundit, për shkak se Serbia u frikësonte se përmes këtij termi ne do të kërkojmë përgjegjësi juridike dhe do të akuzojmë direkt për krimet e luftës që i ka bërë, që në fakt i ka bërë. Megjithatë, në fund në takimin në Bruksel dhe jemi pajtuar që termi ‘personat e zhdukur me forcë’ të përdoret në këtë deklaratë dhe çështja tjetër ka qenë bujë prapë në media-personat e zhdukur me forcë apo me dhunë. Nuk ekziston term ‘personat e zhdukur me dhunë’ në gjuhën angleze, në asnjë prej dokumenteve zyrtare. Personat e zhdukur me forcë apo forcibly disappeared që për ekspertët apo juristët është term dhe sinonim i njëra-tjetrës”, deklaroi Hoti.

    Tutje, Hoti ka thënë se edhe në Gjykatën Evropiane të Njeriut përdoret termi ‘personat e zhdukur me forcë’.

    Sipas tij, në sekonda të fundit në takimin e Ohrit kanë arritur ta fusin në aneks marrëveshje, çështjen e personave të zhdukur.

    “Ne kemi arritur që Bashkimin Evropian ta bëjmë direkte pjesë të çështjes së personave të zhdukur. Deri tash nuk ka qenë direkt e involvuar në çështjen e personave të zhdukur. Tash do të themelojmë komisionin e përbashkët, e cila do të udhëhiqet prej BE-së, ajo do të jetë bashkë me ne në këtë proces. Ne veç kemi pranuar draftin e formimit të komisionit të përbashkët, i cili natyrisht duhet të bëhet publik nga zotëri Lajçak dhe zotëri Borrel, pas harmonizimit të saj. Parashihet që brenda 60 ditëve pas aprovimit të deklaratës, pas 2 majit, do të formohet komisioni i përbashkët, do të mbahet mbledhja e parë dhe do të fillojë puna jonë në fazën e implementimit të deklaratës”, tha ai.

    Me deklaratën për personat e zhdukur, siç tha Hoti, Serbia është pajtuar për qasje në të gjitha dokumentacionet, përfshirë edhe ato sekrete të klasifikuara. Megjithatë, shtoi se ka arsye të mjaftueshme që të mos i besojë Serbisë.

    Hoti: Me deklaratën për personat e zhdukur, Serbia është pajtuar për qasje në dokumentacione
    (Video)
    “Me këtë deklaratë, ata veç janë pajtuar që të qasen në të gjitha dokumentacionet, çfarëdo lloj dokumentacioni, audio, video, të shkruar. Duke i përfshirë edhe ato sekrete, të klasifikuara. Se sa do të zbatohet kjo, natyrisht nuk varet më prej meje. Mirëpo ne e kemi tashmë në deklaratë”, ka shtuar ai.

    Kryetari i Komisionit Qeveritar ka shtuar se kanë arritur të harmonizojnë të dhënat përgjatë viteve. Tutje, deklaroi se është në finalizim Ligji për Personat e Zhdukur.

    “Ligji për Personat e Zhdukur është në plotësim-ndryshim që shumë vite, është shumë e vërtetë që është shumë e dhimbshme. Ne jemi afër finalizimit të tij, mirëpo nuk kemi arritur që të gjejmë një pajtueshmëri, një dakordim për të involvuar kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur”, deklaroi Hoti.

    Çështja e deklaratës për personat e zhdukur dhe termit të vendosur ka përplasur deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetja Ariana Musliu-Shoshi tha se në komision do të duhej të raportonte zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili sipas saj, ka bërë pazare.

    “Është dashur që Besnik Bislimi të jetë në këtë tavolinë, sepse ai është personi që është i ngarkuar nga qeveria që të bëjë pazare me Brukselin dhe me palët tjera. Prandaj, për të gjitha ato që i ka negociuar dhe po i mban të fshehura, është dashur që të jetë sot këtu dhe të raportojë për atë çfarë ne kemi kërkuar”, tha Musliu-Shoshi.

    Më pas ka reaguar deputetja e shumicës, Fatmire Kollçaku Mullhaxha, e cila kërkoi që të flasin me rend.

    Kollçaku-Mullhaxha: Të lutna mos i përsërit fjalët 100 herë.

    Musliu-Shoshi: E di që po ju dhemb se ju ishit kundër Besnik Bislimit.

    Kollçaku-Mullhaxha: Të lutem mos na i humb kohën të gjithë këta deputetë.

    Musliu-Shoshi: Kërkoj prej deputetëve të LVV-së të mbajnë tensionin e ulët, të gjithë kemi të drejtë me fol në këtë kuvend, e kemi të drejtë ligjore”, kanë thënë ato.

    Diskutimi ka shkuar edhe më tej kur Musliu-Shoshi u është drejtuar “me tru shpërlarë”, deputeteve të LVV-së.

    “Kryetare e ke obligim që deputetes me ia tërheq vërejtjen. Kush është tru-shpërlarë këtu. Ne duhet me u ngrit prej komisionit, kur deputetja përdor ‘tru-shpërlarë’. Ose ta tërheq fjalën ose ne po dalim prej komisionit”, deklaroi deputetja e LVV-së.

    Në takimin e 2 majit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq miratuan deklaratën për të zhdukurit. /KP

  • Hoti: Serbia më në fund pranoi krimet e saj, tani mund ta ndjekim edhe penalisht

    Hoti: Serbia më në fund pranoi krimet e saj, tani mund ta ndjekim edhe penalisht

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Andin Hoti, në një lidhje direkte në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Serbia më në fund pranoi krimet shtetërore të popullsisë së pambrojtur të Kosovës, duke i cilësuar të zhdukurit si “të zhdukur me dhunë”, që sipas tij, parashihen në konventa ndërkombëtare.

    “Për neve është shumë e rëndësishme që deklarata që sot është miratu nga të dyja palët, në radhë të parë, Serbia i ka pranuar krimet e saj që i ka bërë në Kosovë, pra përmes shtetit, përmes formave të organizuara shtetërore si zhdukje me forcë, me dhunë që parashihen edhe në konventat ndërkombëtare të OKB-së.”, tha Hoti.

    Ai tha se përmes kësaj deklarate, tani Kosova mund ta ndjekë edhe penalisht Serbinë për këto krime që i ka bërë. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Hoti nga Brukseli: Deklarata për të Zhdukurit në parim është miratuar dhe zbartimi i saj është i obligueshëm

    Hoti nga Brukseli: Deklarata për të Zhdukurit në parim është miratuar dhe zbartimi i saj është i obligueshëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

    Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli në emisionin CONTEXT në ATV, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, tha se

    Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë në parim është miratuar dhe tani është e obligueshme për të dyja palët.

    Ai tha se është ë njëjta deklaratë që tash e një vit ka qenë afër nënshkrimit, mirëpo tregon ai, në momentet e fundit, Vuçiq ishte tërhequr.

    “Është e njëjta deklaratë që tash e në vit, kemi tentuar ta harmonizojmë, kemi tentu ta imponojmë ndaj Serbisë në Bruksel, ku ka qenë shumë afër nënshkrimit të atë kohë, por Vuçiq është tërhequr në momentet e fundit, ndërkaq tashmë ju e dini që më 4 prill veç se është harmonizu deklarata dhe tash është miratu. Pse është miratu dhe jo nënshkru, unë nuk jam jurist ta shpjegoj këtë, mirëpo duke pasur parasysh aneksin e Ohrit dhe marrëveshjen e fundit që kishim me Serbinë, ju e dini që edhe ajo nuk është nënshkru, mirëpo është miratu në parim dhe sipas juristëve, sipas atyre që kanë njohur në konventat ndërkombëtare, thuhet që këto marrëveshje janë të obligueshme për të dyja palët”, tha Hoti. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: